Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: Universiteti i Oksfordit, dukuria dhe historia 

Sa herë që përmendet emri i Universitetit të Oksfordit (Oxford University) gjithsecili nga ne sjell në mendje një nga institucionet më të njohur të arsimit të lartë e kërkimit shkencor në botë. Secili që ka patur rastin të vizitojë njëherë Anglinë nuk i ka shpëtuar tundimit të shkojë e të endet mes godina qindravjeçare të stilit gotik të Universitetit të Oksfordit. Një histori universiteti gati 1000 vjeçare nuk është e lehtë ta përmbledhësh por jam përpjekur të të ofroj diçka për të kuptuar thelbin e këtij universiteti që mbetet një ikonë e ëndërr arsimimi për këdo…

 

UNIVERSITETI I OKSFORDIT NË FAKTE E TË DHËNA

 

Universiteti i Oksfordit përbëhet nga 39 kolegje (Colleges) gjysmë autonome, 6 sallone (Halls) private të përhershme (Permanent Private Halls- PHP) dhe një sërë departamentesh akademike të cilat janë të organizuara në katër seksione (Divisions) të tilla si: 1) Seksioni i Shkencave Humane, 2) Seksioni i Shkencave Sociale, 3) Seksioni i Shkencave Matematike, Fizike e të Jetës, 4) Seksioni i Shkencave Mjekësore. Në të mësojnë 26455 studentë universitarë dhe pasuniversitarë si edhe rreth 2000 profesorë e lektorë të stafit akademik. Të gjitha kolegjet përbërëse të Universitetit të Oksfordit janë institucione vetëqeverisëse brenda universitetit, ku secili kontrollon anëtarësinë e vet së bashku me strukturën dhe aktivitetet e brendshme, ndërkohë që të gjithë studentët janë anëtarë të një kolegji. Universiteti i Oksfordit nuk ka një kampus kryesor dhe ndërtesat e objektet e tij janë të shpërndara në të gjithë qendrën e qytetit. Mësimdhënia universitare në Oksford përbëhet nga leksione, mësime në grupe të vogla (termi në anglisht: small –group tutorials) që zhvillohen në kolegje apo PHP. Nga ana tjetër duhet përmendur se Universiteti i Oksfordit administron muzeun universitar më të vjetër në botë (Ashmolean Museum of Art and Archeology), shtëpinë botuese universitare më të madhe në botë (Oksford University Press-OUP) dhe sistemin më të madh të bibliotekave akademike në mbarë Britaninë. Universiteti i Oksfordit ka një nivel të ardhurash mesatare vjetore më shumë se 2.5 miliardë paund në vit nga të cilat afro 700 milionë paund janë nga grantet dhe kontratat e ndryshme për punën kërkimore shkencore. Në këtë universitet kanë përfunduar studimet 29 kryeministra të Mbretërisë së Bashkuar dhe shumë krerë shtetesh dhe qeverish në mbarë botën. Gjithashtu nga Universiteti i Oksfordit kanë marrë çmimin Nobel 73 profesorë e shkencëtarë të fushave të ndryshme ashtu sikurse në këtë universitet ofrohet një nga bursat ndërkombëtare më të vjetra në botë sic është Bursa Rhodes (Rhodes Scholarship), e themeluar në vitin 1902 nga biznesmeni britanik i minierave në Afrikën e Jugut Cecil John Rhodes (05.07.1853-26.03.1902). Ajo simbolizohet nga Selia e Rhodes (Rhodes House) që është në qendër të qytetit të Oksfordit që prej vitit 1928.

 

SI LINDI UNIVERSITETI I OKSFORDIT MES KONFLIKTEVE TË MESJETËS

Universiteti i Oksfordit, për të cilin ka dëshmi si një institucion mësimdhënës që prej vitit 1096, konsiderohet si universiteti më i vjetër në botën anglishtfolëse dhe universiteti i dytë në botë pas Universitetit të Bolonjës – Itali (1088) që ende vazhdon të funksionojë pa ndërprerje. Universiteti i Oksfordit filloi të rritej me shpejtësi që prej vitit 1167 kur mbreti anglez Henri II (5.03.1133- 06.07.1189) i ndaloi studentët anglezë të ndiqnin studimet teologjike në Universitetin e Parisit (1150), që më vonë u bë i njohur si Universiteti i Sorbonës për nder të teologut francez Robert de Sorbon (09.10.1201-15.08.1274) që jepte mësim në atë universitet dhe themeloi më vonë Kolegjin e Sorbonës. Megjithëse disi ironik si fakt, fillesat e Universitetit të Oksfordit që në vitin 1096 janë të lidhura me leksionet e filozofisë të filozofit e teologut francez të shek XII Theobald d’Etampes (17.09.1072-11.04.1128). Megjithatë prania e studentëve në qytetin e Oksfordit nuk u mirëprit fillimisht nga banorët e qytetit, çka bëri të mundur që një pjesë e këtyre studentëve e profesorëve të largohej drejt qytetit të Kembrixhit, ku themeluan në vitin 1209 Universitetin e Kembrixhit (1209). Si rrjedhojë të dy universitetet më të vjetra angleze ndajnë shumë karakteristika të përbashkëta dhe prandaj njihen me termin si Oksbridge. Në bazë të të dhënave rektori i parë i Universitetit të Oksfordit konsiderohet teologu, studiuesi e filozofi anglez Robert Grossseteste (12.01.1168-09.10.1253). Që nga viti 1201 kreu i Universitetit të Oksfordit njihet me titullin e Kancelarit (Chancellor), ndërkohë që pedagogët (Masters) u njohën si universitet (universitas) apo koorporatë që në vitin 1231. Universiteti i Oksfordit iu dha leja mbretërore (Royal Chart) në vitin 1248 nga mbreti anglez Henri III (01.10.1207-16.11.1272).

 

KONFLIKTI MES QYTETIT DHE UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT

Në fillim të shekullit të 13-të (1200), besohet se popullsia studentore e Oksfordit u bë gati e barabartë në madhësi me popullsinë jostudentore të qytetit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, studentët dhe pedagogët e tyre (masters) jetonin si banorë ose si qiramarrës privatë në banesa (Residential Halls) që ishin në pronësi të banorëve të qytetit. Si rrjedhojë studentët dhe pedagogët e tyre (masters) vareshin nga banorët e qytetit të Oksfordit për nevojat e tyre bazë, përkatësisht ushqimin dhe akomodimin. Në bazë të kësaj logjike, gjysma e popullsisë së Oksfordit, pra popullsia studentore e qytetit ishin vetëm konsumatorë. Në këtë moment, Universiteti i Oksfordit nuk zotëronte asnjë ndërtesë dhe ashtu si në Universitetin e Parisit (1150) ekzistonte një trupë pedagogësh (Masters) për të rregulluar çështjet profesionale me interes të ndërsjellë, ndërkohë që ata ishin përgjegjës për marrjen me qira të ambienteve të përshtatshme për leksionet e tyre. Shoqata e Pedagogëve të Oksfordit (Oxford Master Associations) nuk kishte autoritet të vërtetë dhe mbështetej për mbrojtjen e tyre duke shfrytëzuar në statusin dhe prestigjin prej kleriku të anëtarëve të saj për shkak se formimi i këtyre studentëve ishte kryesisht teologjik. Nga ana tjetër ata nuk ishin në gjendje të frenonin numrin e shumtë e të pambikqyrur të studentëve që banonin në Oksford. Grindjet e vazhdueshme midis studentëve të universitetit dhe banorëve të qytetit kërcënuan ekzistencën e arsimimit në Oksford. Për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, pedagogët e tyre (Masters) u përpoqën të luftonin këtë çrregullim duke futur në praktikë atë që do të njiheshim me emrin Sallat Akademike (Academic Halls), duke u konsideruar si akomodim i njohur zyrtarisht për studentët. Çështja e strehimit të studentëve të Universitetit të Oksfordit u rregullua qysh në vitin 1214, kur një Dekret Papal nxorri një urdhër për të zgjidhur një mosmarrëveshje për dy klerikë që ishin të varur për strehim nga banorët e qytetit të Oksfordit. Sipas këtij dekreti qiraja e të gjitha “hospitia (shtëpive) të lëshuara për klerikë” do të përgjysmohej për dhjetë vjet. Në atë periudhë, një Sallë tipike Akademike (Academic Halls) ishte një shtëpi me një ballinë të ngushtë që shihte nga rruga e cila përbëhej nga një kat ku ishte salla në të cilën zhvillohej mësimi dhe një kat ku kishte disa dhoma më të vogla për studentët, në të cilat qëndronin dy deri në katër studentë për një dhomë. Ndërkohë në qytetin e Oksfordit vazhduan trazirat mes banorëve të qytetit e studentëve të universitetit që u bënë të njohura si “trazirat mes qytetit dhe pelerinave (termi në anglisht: town vs gown riots), çka i referohej pelerinave karakteristike me ngjyrë të zezë që mbanin mbi supe studentët e Universitetit të Oksfordit. Këto trazira kulmuan me atë që njihet si Trazira e Ditës së Shën Skolastikës (St Skolastika Day Riot) e cila mori këtë emër pasi u zhvillua më 10 Shkurt 1355, dita e shenjtores të krishterë Skolastikës, me origjinë nga Umbria e Italisë, për nder së cilës u themelua Urdhri i Murgeshave Benediktine. Nga një incident banal për cilësinë e verës që iu shërbye studentëve të Oksfordit në Tavernën Swindlestock afër Carfax në qendër të Oksfordit shpërthyen trazirat civile që çuan në vrasjen e një numri qytetarësh e studentësh. Mbreti anglez Eduardi III (25.01.1327-21.06.1377) në këtë konflikt mori anën e Universitetit të Oksfordit dhe dënoi me burgim dhe gjobë autoritetet e qytetit të Oksfordit. Çdo vit qyteti i Oksfordit duhej të kishte një ditë pendese më 10 Shkurt ku duhet t’i paguante Universitetit të Oksfordit një penny për çdo student të vrarë dhe kryetari i bashkisë së qytetit bashkë me 60 qytetarë duhej të ndiqnin Meshën në Kishën e Virgjëreshës Shën Mari të Universitetit të Oksfordit (1249), Kjo praktikë zgjati për 490 vjet deri në vitin 1825! Në vitin 1955 me rastin e 600 vjetorit të këtyre trazirave në shenjë pajtimi, Kryetarit të Bashkisë së Oksfordit iu dha titulli Doktor Honoris Causa nga Universiteti i Oksfordit, ndërsa Rektorit (Vice-Chancellor) të universitetit iu dha titulli Qytetar Nderi nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Oksfordit.

 

SALLAT AKADEMIKE SI PARARENDËSE TË KOLEGJEVE

Përpara se të lindin kolegjet si struktura të mirëfillta akademike si pjesë e Universitetit të Oksfordit, aktiviteti mësimdhënës për ata studentë në universitet që merrnin leksione kryesisht në fushën e teologjisë, realizohej në ato që në atë periudhë njiheshin si Sallat Monastike (Monastic Halls). Ato ishin të vendosura pranë manastireve të ndryshme të urdhrave të ndryshëm fetarë (benediktinë, franceskanë, domenikanë, augustinianë, karmelitanë) që shtriheshin në të gjithë qytetin e Oksfordit. Përgjatë shek XII-XV u krijuan me dhjetëra salla të tilla, por asnjëra prej tyre nuk i mbijetoi asaj që në Angli do të njihej si Reforma e Shpërbërjes së Manastireve (Dissolution of Monastiries) që u realizua nga 1536-1541 nga mbreti anglez Henri VIII (28.06.1491-28.01.1547) më shumë si shenjë hakmarrje ndaj Papës Klementi VIII (26.05.1478-25.09.1534) që i anuloi martesën me Katerinën e Aragonës së Spanjës. Nëpërmjet një ligji të miratuar në vitin 1534 nga Parlamenti Anglez që u emërtua Ligji i Supremacisë (Act of Supremacy) mbreti Henri VIII u bë edhe Kreu i Kishës Anglikane, duke u ndarë kështu kishën angleze nga autoriteti i Papës. Si rrjedhojë e këtij veprimi, u konfiskuan, u mbyllën, u shkatërruan dhe u shitën pronat e shumë manastireve në të gjithë territorin e Anglisë, Uellsit e Irlandës, bashkë me ato që do të njiheshin si Sallat Monastike (Monastics Halls). Në atë periudhë në Oksford ishin rreth 12000 murgj e murgesha që ishin pjesë e këtyre manastire, një përqindje e lartë duke patur parasysh popullsinë e atëhershme të qytetit të Oksfordit. Nga të gjitha këto struktura ka mbijetuar në versionin e sotëm Salla e Përhershme Private (PPH-Permanent Private Halls) e krijuar në vitin 1921 dhe që i përket Urdhrit të Murgjërve Domenikanë. Në këtë rast kjo konsiderohet si një pasardhëse e versionit të hershëm të Sallës Monastike (Monastic Halls, 1221) dhe ndonjëherë përshkruhet si trashëgimtare e traditës më të vjetër të mësimdhënies në Oksford. Ndërsa po merrte formë Universiteti i Oksfordit u rritën përplasjet midis qindra studentëve që jetonin ku dhe si t’u pëlqente çka bërë të mundur hartimin e një Dekreti Papal ku të gjithë studentët do të duhej të banonin në ato që do të njiheshin si Sallat Akademike (Academic Halls/Aula Halls). Por faktori që i dha fund përfundimisht Sallave Akademike apo Sallave Aula (Academic Halls/Aula Halls) ishte dalja në skenë e kolegjeve që fillimisht pranonin studentë që ishin diplomuar nga këto salla akademike. Megjithatë, sapo ato filluan të pranonin në shek XIV studentë me pagesë, u kuptua se Sallat Akademike apo Sallat Aula (Academic Halls/Aula Halls) nuk do ta kishin të lehtë t’i mbijetonin këtij ndryshimi. Nga qindra të tilla që u krijuan gjatë kësaj periudhe (shek. XIII-XV), në ditët e sotme ka mbetur vetëm Salla e Shën Edmondit (St Edmund Hall, rreth viit 1225). Dallimi mes kolegjeve (Colleges) dhe Sallave Akademike apo Sallave Aula (Academic Halls/Aula Halls) të Universitetit të Oksfordit kishte të bënte me faktin se kolegjet (Colleges) menaxhoheshin nga stafi i tyre pedagogjik (Fellows), ndërsa të sallat që më vonë do të emërtoheshin si Sallat Private të Përheshme (PPH-Private Permanent Halls) menaxhoheshin nga drejtuesit e tyre që i kishin krijuar dhe kryesisht u përkisin urdhrave fetare.

 

STRUKTURA E KOLEGJEVE TË UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT

Një kolegj tipik në Universitetin e Oksfordit përbëhet nga një sallë për ngrënie (Dining Hall), një kishëz (Chapel), një bibliotekë (Library), një bar kolegji (College bar), dhoma të përbashkëta për studentë të niveleve të ndryshme (Junior, Middle and Senior Common Rooms), dhoma konvikti për 200-400 studentë dhe ambiente akomodimi për drejtuesin e kolegjit dhe të tjera. Ndërtesat e kolegjeve variojnë nga ato të godinave me arkitekturë gotike mesjetare deri tek ato moderne, por shumica e kolegjeve janë të përbëra nga një formë katërkëndëshe (Quadrangle) që përmbyllen nga një oborr (Courtyard) dhe me një shtëpi portierësh (Lodgers House) që kontrollonte hyrjen nga jashtë të individëve të tjerë në kolegj. Modeli arkitekturor i këtyre kolegjeve ka shërbyer për atë që njihet si Arkitektura Gotike e Kolegjeve (Collegiate Gothic) që ndikoi tek modelet e godinave të disa universiteteve në SHBA, Kanada e pjesë të tjera të Europës në shek XIX e XX. Sistemi i kolegjeve u ngrit sepse Universiteti i Oksfordit u krijua përmes grumbullimit gradual të institucioneve të shumta të pavarura. Studentët e Universitetit të Oksfordit bashkoheshin në këtë universitet në bazë të origjinës gjeografike, që në atë periudhë ata e përkufizonin si dy ‘kombe’ (nations), që përfaqësonin Veriun (veriorët ose Boreales, që përfshinin popullsinë angleze në veri të lumit Trent së bashku me skocezët) dhe Jugun (jugorët ose Australes, të cilët përfshinin popullsinë në jug të lumit Trent, irlandezët dhe uellsianët). Në shekujt e mëvonshëm, origjina gjeografike vazhdoi të ndikonte në përkatësitë e shumë studentëve kur në Oksford u bë një traditë anëtarësimi në një kolegj ose PHP. Përveç kësaj, anëtarët e shumë urdhrave fetarë të besimit katolik, duke përfshirë dominikanët, françeskanët, karmelitët dhe agustinianët, u vendosën në Oksford në mesin e shekullit të 13-të, fituan ndikim dhe administronin aspektet e strehimit (Lodging) ose Sallat Akademike (Academic Halls/Aula Halls). Pothuajse në të njëjtën kohë, dashamirës privatë themeluan kolegje (Colleges) si komunitete të pavarura akademike. Ndër themeluesit më të hershëm të këtyre kolegjeve ishte Uilliam i Durhamit( 11.10.1202- 17.12.1249), një arqipeshkv i shkolluar në Francë që në testamentin e tij kishte lënë një shumë parash me të cilat u krijua në vitin 1249 Kolegji Universitar i Oksfordit (University College), që cilësohet kolegji i parë i themeluar si pjesë e Universitetit të Oksfordit. Një rol të rëndësishëm në krijimin e rrjetit të kolegjeve në Universitetin e Oksfordit luajti arqipeshkvi dhe ministri i financave të mbretërisë angleze Walter de Merton (09.11.1205.27.10.1277), që hartoi një sërë rregulloresh për jetën në kolegje dhe themeloi më pas në vitin 1260 Kolegjin Merton (Merton College) që u bë model për krijimin e kolegjeve të tjera në Oksford e Kembrixh. Më pas kjo traditë vazhdoi me fisnikun anglez John Balliol (19.04.1207-25.10.1268) që themeloi në vitin 1263 (Balliol College) dhe si rrjedhojë u krijuan kështu 3 kolegjet e para që më pas u pasuan me shumë të tjerë deri në ditët e sotme të tillë si: 1) Kolegji Universitar (University College-1249); 2) Kolegji Balliol (Balliol College-1263); 3) Kolegji Merton (Merton College -1264); 4) Salla St Edmund (St Edmund Hall -1278); 5) Kolegji Exeter (Exeter College -1314); 6) Kolegji Oriel (Oriel College-1326); 7) Kolegji Queen (The Queen’s College-1341); 8) Kolegji New (New College- 1379); 9) Kolegji Lincoln (Lincoln College-1427); 10) Kolegji All Souls (All Souls College -1438); 11) Kolegji Magdalen (Magadalen College – 1458); 12) Kolegji Brasenose (Brasenose College-1509); 13) Kolegji Corpus Christi (Corpus Christi College-1517); 14) Kolegji Christ Church (Christ Church College-1546); 15) Kolegji St John (St Johns College-1555); 16) Kolegji Trinity (Trinity College -l555); 17) Kolegji Jesus (Jesus College -1571); 18) Kolegji Wadham (Wadham College-1610); 19) Kolegji Permbroke (Permbroke College -1624); 20) Kolegji Worcester (Worcester College- 1714); 21) Kolegji Harris Mancester (Harris Manchester -1786); 22) Kolegji St Catherine (St Catherine’s College-1868); 23) Kolegji Keble (Keble Kollege-1870); 24) Holli Lady Margaret (Lady Margaret Hall – 1878); 25) Kolegji St Anne (St Anne College-1879); 26) Kolegji Sommerville (Sommerville College-1879); 27) Kolegji Mansfield (Mansfield College-1886); 28) Kolegji St Hugh (St Hugh College-1886); 29) Kolegji St Hilda (St Hilda College – 1893); 30) Kolegji St Peter (St Peter College- 1929); 31) Kolegji Nuffield (Nuffield College -1937); 32) St Antony (St Antony College -1950); 33) Kolegji Linacre (Linacre College -1962); 34) Kolegji St Cross (St Cross College -1965); 35) Kolegji Wolfson (Wolfson College- 1966); 36) Kolegji Kellog (Kellog College – 1990); 37) Kolegji Green Templeton (Green Templeton College, 2008); 38) Kolegji Reuben (Reuben College 2019). Përtej krijimit të Kolegjeve të Universiteteve të Oksfordit në shek XIII, në gjysmën e parë të shek XIV, mes viteve 1333-1334 pati, një përpjekje nga disa studiues të pakënaqur të Universitetit të Oksfordit për të themeluar një universitet të ri në Stamford, në rajonin e Lincolnshire në Angli. Por kjo iniciativë bllokua nga universitetet e Oksfordit dhe Kembrixhit duke i kërkuar mbretit anglez Eduardi III (13.11.1312-21.06.1377) që të mos jepte Lejen Mbretërore (Royal Chart) për universitete apo kolegje të tjera jashtë këtyre universiteteve. Në këto kushte për gati 500 vjet, deri në vitet 1820, asnjë universitet i ri nuk u lejua të themelohej në Angli, madje edhe në Londër! Në këtë mënyrë Universiteti i Oksfordit dhe Kembrixhit patën një duopol, çka ishte e pazakontë në vendet e mëdha të Evropës Perëndimore.

 

ÇFARË JANË SALLAT E PËRHERSHME PRIVATE (PPH) TË UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT

Përvec sistemit të kolegjeve (Colleges) në Universitetin e Oksfordit mund të ndeshesh edhe me termin dhe emërtimin e disa institucioneve arsimore në përbërje të këtij institucioni që njihen si Sallat e Përhershme Private (PPH- Permanent Private Halls), të cilat administrohen kryesisht nga institucionet e besimit katolik, kryesisht urdhrat e murgjërve katolikë. Më 7 Gusht 1854 Parlamenti Britanik miratoi Ligji e Universitetit të Oksfordit apo siç njihet Ligji për Reformimin e Universitetit të Oksfordit (Oxford University Act apo Oxford University Reformation Act, 1854) ashtu sikurs Universiteti i Oksfordit miratoi më 1855 Statutin e Sallave Private (De Aulis Privatis /On Private Halls). Sipas këtyre ndryshimeve ligjore secili individ mbi moshën 28 vjeç që kishte një diplomë Master of Arts (MA) nga Universiteti i Oksfordit mund të hapte një Sallë Private (Private Halls) pasi të kishte një marrë një licensë për ta bërë këtë. Ndërkohë me miratimin e Ligjit të Testeve të Universitetit(The Universities Test Act) më 1871 nga Parlamenti Britanik kjo e drejtë iu njoh edhe individëve që nuk ishin anëtarë të Kishës Anglikane, duke e bërë të mundur që të hapnin Salla Private (Private Halls) edhe individë që i përkisnin kishës katolike, protestante apo të tjerë. Në këto kushte salla e parë private katolike që u hap ishte Salla Clarke (Clarke’s Hall) që më vonë u quajt Salla Champion (Champion Hall), e cila u hap në 1896 nga Urdhëri i Murgjërve Jezuitë ( esuit Order). Ajo u pasua më pas nga hapja e Sallës Hunter Blair (Hunter Blair’s Hall) që më vonë u quajt Salla Shën Benet (St Benet’s Hall) që u hap në vitin 1899 nga Urdhëri i Murgjërve Benedktinë. Në vitin 1918, Univetsiteti i Oksfordit miratoi një statut që lejonte Sallat Private (Private Halls) që nuk funksionin për qëllime fiitimprurëse të bëheshin Salla të Përhershme Private (PPH-Permanent Private Halls). Aktualisht në përbërje të Universitetit të Oksfordit janë 5 Salla të Përhershme Private (PPH-Permanent Private Halls) që janë themeluar përgjatë viteve si: 1) Salla Blackfriars (Blackfriars Hall,1221) – Urdhri i Murgjërve Domenikanë; 2) Salla Champion (Champion Hall, 1896)- Urdhëri i Murgjërve Jezuitë; 3) Salla – Kolegji Regent Park (1810)- Unioni Baptist Anglez; 4) Salla Shtëpia e Shën Peterit (St Peter House, 1876) –Kisha Katolike e Anglisë; 5) Salla Wycliffe (Wycliffe Hall,1877) – Kisha Anglikane. Katër nga këto struktura pranojnë studentë universitarë për të ndjelur studimet dhe studentët që janë pjesë e PHP kanë akses në të gjithë infrastrukturën e Universitetit të Oksfordit.

 

PROCEDURAT E PRANIMIT NË UNIVERSITETIN E OKSFORDIT

Universiteti i Oksfordit ka qenë i njohur për faktin se shumica e studentëve që pranoheshin në këtë universitet vinin nga nxënës që u përkisnin shtresave të larta të shoqërisë angleze dhe që ishin nga ato që në Angli njihen si “shkollat publike” (public schools) që në fakt kanë kuptimin e shkollave private me pagesë e konvikt për fëmijët e shtresave të larta ku përfshihen shkolla të tilla si: 1) Eton, 2) Harrow, 3) St. Paul’s, 4) Stowe, 5) Radley, 6) Oundle, 7) Shrewbury, 8)Rugby dhe 9) Winchester. Termi publik në këtë rast përdoret se shkolla është e hapur ndaj nxënësve që hynë aty pavarsisht nga vendbanimi. Ato dallojnë nga ato që në Angli njihen si ”shkolla shtetërore’ (state schools) që janë shkolla publike në kuptim që përdoret në Europë për shkollat pa pagesë. Shkollat publike (public schools) kanë qenë të lidhura me klasat sunduese britanike. Historikisht, djemtë e oficerëve dhe administratorëve të lartë të Perandorisë Britanike u arsimuan në shkolla publike angleze (shumica e tyre me konvikt), ndërsa baballarët e tyre ishin në poste perandorake jashtë Britanisë. Nga një statistikë rezulton se në vitin 2019, dy të tretat e ministrave të kabinetit të Mbretërisë së Bashkuar ishin arsimuar në shkolla të tilla, ndërkohë që kishte nga ata që ishin arsimuar në ato që njihen si shkollat shtetërore (state schools), pra shkolla financuara nga shteti anglez, të njohura zakonisht si shkolla shtetërore (state funded school), ofrojnë arsim për nxënësit nga mosha 3 deri në 18 vjeç pa pagesë. Megjithëse termi “shkollë publike” për shkollat me pagesë në Angli ka qenë në përdorim që të paktën nga shekulli i 18-të, përdorimi i tij u zyrtarizua nga Ligji i Shkollave Publike 1868 Komisioni Clarendon ishte një komision mbretëror i krijuar në 1861 dhe i drejtuar nga Lordi George Clarendon (12.01.1800-27.01.1870) për të hetuar gjendjen e nëntë shkollave publike (public schools ) në Angli, që kishin statusin e shkollave elitare parauniversitare me pagesë e konvikt për fëmijët e shtresës së lartë, ushtarakëve e administratorëve të qeverisë britanike. Në vitin 1864 komisioni botoi raportin e tij me rekomandime të përgjithshme për çështjet e kurrikulës dhe administrimit të këtyre shkollave. Si pasojë e publikimit të tij, u miratua më 1868 Ligji i Shkollave Publike (Public School Act). Ndwrkohë duke qenë se fillesat e Universitetit të Oksfordit (1249), por edhe të Kembrixhit ishin të lidhur me kishën dhe përgatitjen teologjike të studentëve për të hyrë në këto universitete ishte një parakusht kalimi i “testeve fetare (religious test) që provonin njohuritë kanonike të studentëve kandidatë dhe kjo u shtri edhe për fusha të tjera. Nga ana tjetër për këtë shkak mund të pranoheshin si studentë, profesorë apo pozicione të tjera vetëm ata që ishin anëtarë të Kishës Anglikane duke u kufizuar mundësinë për të hyrë dhe për të bërë karrierë akademike në këto universite individëve që ishin besimtarë katolikë, protestantë apo jokristianë (psh hebrej). Për të ndryshuar këtë qasje u mor shkas nga rasti i matematikanit hebre Numa Hartog (20.05.1846-19.06.1871) që ishte diplomuar nga Universiteti i Kembrixhit si Senior Wrangler dhe Fitues i çmimit Smith (Smith Prizeman), dy nga arritjet më të mëdha të një studentit të matematikës e fizikës teorike në këtë universitet. Por ai nuk mund të ishte pjesë e stafit pedagogjik të Universitetit të Kembrixhit për shkak se duhej të deklaronte se i përkiste Kishës Anglikane. Kjo qasje u ndryshua pas miratimit më Ligji i Testeve të Universiteteve 1871 (The Universities Test Act) ishte një ligj i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar i miratuar gjatë periudhës së qeverisjes së kryeministrit britanik të Partisë Liberale si William Gladstone (29.12.1809-19.05.1898). Ligji shfuqizoi “Testet” fetare për të hyrë në Universitetin e Oksfordit dhe Kembrixhit që deri në atë periudhë ishte kusht për të hyrë në këto universitete për shkak se origjina e tyre ishte me bazë teologjike. Në këtë mënyrë ky ndryshim bëri të mundur që të gjithë këto kategori të merrnin pozicione akademike në këto universitete, bursa dhe të pranoheshin si studentë në të këto universitete. Ligji u mbështet në legjislacionin e mëparshëm që kishte futur teste të kufizuara fetare në universitetet në fjalë. Psh Ligji i Universitetit të Oksfordit 1854 (University of Oxford Act) kishte hequr testet për gradën BA, por jo për diploma më të larta. Ndërsa Ligji i Universitetit të Kembrixhit (University of Cambridge Act 1856) shfuqizoi testet fetare (Religious Test) për të gjitha diplomat në degët e studimit në Arte, Drejtësi, Muzikë dhe Mjekësi, por deklaronte se ata që kishin një diplomë nga ky universitet nuk mund të bëheshin pjesë e stafit pedagogjik nëse nuk deklaronin se i përkisnin Kishës Anglikane.

 

KOLEGJET E UNIVERSITETIT TË OKSFORDIT DHE BARAZIA GJINORE

Pranimi i studenteve femra në Universitetin e Oksfordit ishte një proces që filloi vetëm në gjysmën e dytë të shek XIX. Në vitin 1875, Universiteti i Oksfordit miratoi një statut që i lejonte studentet femra të jepnin provime në nivel universitar. Në Qershor të vitit 1878 u formua Shoqata për Edukimin e Grave (AEW- Association for Education of Women), me qëllim krijimin e një kolegji për studentet femra në Oksford. Disa nga anëtarët më të shquar të shoqatës ishin studiuesit britanikë George Granville Bradley (11.12.1821-13.03.1903), Thomas. H. Green (07.04.1936-26.03.1882) dhe Edward Stuart Talbot (19.02.1844-30.01.1934). Talbot këmbënguli për krijimin e një institucion specifik anglikan, i cili të ishte i papranueshëm të tjerët. Të dy palët përfundimisht u ndanë dhe grupi i Talbot themeloi institucionin Lady Margaret Hall në vitin 1878, ndërsa Thomas. H. Green themeloi Kolegjin Somerville (Sommerville College) në 1879. Të dyja këto ishin institucionet e para arsimore që u hapën për të pranuar studentet femra në Universitetin e Oksfordit. Ndërkohë një pjesë e studenteve femra që studionin në kushte shtëpie krijuan Shoqatën e Studentëve të Shtëpisë në Oksford (Society of Home- Students) që më pas në vitin 1952 krijuan Kolegjin e St Annes (St Anne College). Ato u pasuan më pas nga kolegje të tjera vetëm për studentet femra në Oksford siç ishin në vitin 1886 Kolegji St Hugh (St Hugh College) dhe në vitin 1893 Kolegji St Hilda (St,Hilda College). Nderkohë në gjysmën e dytë të shek XX, pas gati 100 vjetësh nga krijimi i tyre këto kolegje u bënë mix (femra &meshkuj), pasi dei në fillim të shek XX Universiteti i Oksfordit dhe Kembrixhit ishin bastione të priveligjuara për meshkujt. Në vitin 1974 do të ishin kolegjet e meshkujve si Kolegji Brasenose (Brasenose College), Kolegji Jesus (Jesus College), Kolegji Wadham (Wadham College), Kolegji Herford (Hertford College) të Universitetit të Oksfordit që do të fillonin të pranonin për herë të parë studente femra. Kolegji i fundit vetëm për djem që do të fillonte të pranonte studente femra do të ishtë Kolegji Oriel (Oriel College). Nga ana tjetër duhet theksuar se në vitet fundit numri i studenteve femra në Universitetin e Oksfordit është gati 50%.

 

MËSIMDHËMIA NË UNIVERSITETIN E OKSFORDIT

Mësimdhënia universitare në Universitetin e Oksfordit përqendrohet në sistemin tutorial (tutorial based system), ku 1–4 studentë kalojnë një orë me një pedagogë të universitetit duke diskutuar punën e tyre të javës, zakonisht një ese (shkencat humane, shumica e shkencave sociale, disa shkenca matematikore, fizike dhe të jetës) ose fletë problemash (shumica matematikore, fizike, dhe shkencat e jetës, dhe disa shkenca shoqërore). Mësimi në Universitetin e Oksfordit zhvillohet gjatë tre semestrave akademikë që janë nga 8 javë: Michaelmas, Hilary dhe Trinity. (Këto njihen zyrtarisht si ‘Semestri i plotë’ (Full Term). Metodologjia e re e mësimdhënies e stilit të periudhës së Rilindjes europiane (Shek XV-XVI) ndikoi shumë në Universitetin e Oksfordit nga fundi i shekullit të XV duke u përqëndruar tek ringjallja e studimeve klasike (greke, romake) dhe duke hequr dorë nga metoda skolastike mesjetare. Përgjatë periudhës së Reformacionit anglez apo protestanizimit (shek XVI-XVII) dhe ndarjes së Anglisë nga Kisha Katolike, studiues të ndryshëm të Universitetit të Oksfordit u larguan për në Europë duke u vendosur veçanërisht tek Universiteti i Douai –it në Francë (Lille), i njohur si qendra e kulturës neolatine dhe me një veprimtari të gjerë botuese. Ndërkohë në vitin 1636, kreu i Universitetit të Oksfordit apo siç emërtohej Kancelari (Chancellor) William Laud (07.10.1573-10.01.1645) që ishte njëkohësisht edhe kryearqipeshkvi i Canterbury kodifikoi statutet e Universitetit të Oksfordit. Ato mbetën rregulloret që menaxhuan aktivitetin e këtij institucioni për gati 320 vjet, deri kur më 7 Gusht 1854 Parlamenti Anglez miratoi Ligjin për Reformën e Universitetit të Oksfordit (The Act of Oxford University Reform, 1854). Laud ishte gjithashtu përgjegjës për dhënien e një statuti që siguronte privilegje për aktivitetin botues të universitetit që do të njihej si Oksford University Press, si edhe dha një kontribut të rëndësishëm për krijimin e Bibliotekës Bodleian (The Bodleian Library) që u themelua nga donacionet e studiuesit e diplomatit anglez Sir Thomas Bodleian (02.03.1545-28.01.1613). Nga ana tjetër duhet përmendur fakti se që nga krijimi i Kishës Anglikane e deri në vitin 1866, për më shumë se 330 vjet, qenia anëtar i Kishës Anglikane ishte kusht për të marrë diplomën BA nga Universiteti i Oksfordit. Në këtë universitet falë frytit të punës së një grupi brilliant shkencëtarësh eksperimentalë ku bënte pjesë edhe shkencëtari e arkitekti i shquar Sir Christopher Wren (30.10.1632-08.03.1723) në Kolegjin Wadham (Wadham College, 1610) u krijua në vitin 1650 Klubi Filozofik i Oksfordit (The Oxford Philosiphical Club). Grupi më pas do të përbënte bërthamën që do të themelonte më 28 Nëntor 1660 Shoqatën Mbretërore (Royal Society) apo sic njihej, zyrtarisht Shoqata Mbretërore e Londrës për Përmirësimin e Njohurive Natyrore (The Royal Society of London for Improving Natural Knowledge ), e cila do të ishte në rolin e Akademisë së Shkencave tw Mbretërisë së Bashkuar. Përpara se të kryheshin reformat në fillim të shek XIX, kurrikula universitare në Universitetin e Oksfordit konsiderohej shumë e ngushtë dhe shpesh jo shumë praktike, duke u përqëndruar kryesisht në formimin klasik.

 

PROVIMET NË UNIVERSITETIN E OKSFORDIT

Në Oksford është një godinë që emërtohet si Shkollat e Provimeve (The Examination Schools) që është projektuar nga Sir Thomas Jackson (21.12.1835–07.11.1924), i cili gjithashtu ka projektuar disa nga ndërtesat më të njohura të universitetit të Oksfordit përfshirë Kolegjin Brasenose (Brasenose College). Qëllimi kryesor i shkollës është organizimi dhe administrimi i provimeve universitare të Universitetit të Oksfordit. Shumë nga provimet përfundimtare të çdo semestri apo viti akademik për studentët e Universitetit të Oksfordit zhvillohen në këtë ndërtesë, veçanërisht gjatë fund vitit akademik, semestrit të tretë apo atij që njihet si Semestri i Trinisë (Trinity Term). Emërtimi lidhet me kalendarin e krishterë liturgjik dhe ka të bëjë me të dielën e parë pas Pentakostit që është festa e zbritjes së shpirtit të shenjtë, gjatë muajit Maj ose Qershor. Gjithashtu gjatë semestrit të parë të vitit akademik në Universitetin e Oksfordit që njihet si Semestri i Michaelmas (Michaelmas Term) në këtë godinë zhvillohet Panairi i Orientimit të Studentëve të Rinj (Fresher`s Fair). Godina që njihet me emrin Shkollat e Provimeve (The Examination Schools) dhe ndodhet në rrugën kryesore të Oksfordit, High Street, ofron një sallë të madhe për leksione dhe ka hapësira për konferenca dhe aktivitete të ndryshme dhe është një nga godinat më të mëdha në pronësi të Universitetit të Oksfordit. Në Universitetin e Oksfordit ka qenë traditë që të gjithë studentët, pavarësisht se çfarë dege studionin iu kërkohej të harxhonin të paktën vitin e parë të studimeve të tyre për t’u përgatitur për një provim që ishte përqëndruar tek gjuhët klasike (latinishtja dhe greqishtja vjetër). Studentët në këtë universitet që studionin degët e shkencës e konsideronin këtë një barrë të rëndë e kërkonin që studimi i greqishtes së vjetër të hiqej nga këto degë. Koncepti i një Bachelor of Science që ishte miratuar nga universitete të tjera në Europë, në Universitetin e Oksfordit u miratua vetëm kur në vitin 1886 u pranua një test paraprak për shkencat natyrore (natural science preliminary) u njoh si pjesë kualifikuese e provimeve të vitit të parë. Në Universitetin e Oksfordit janë të njohura ato që njihen si Mods (Honour Moderations) apo Provimet e Nderit që janë një grup provimesh në Universitetin e Oksfordit në përfundimit të vitit të të parë të disa degëve të studimit si psh ato të shkencave humane që njihen si Të Mëdhatë ( Greats) apo Letërsisw Literae Humaniores).Këto lloj provimesh, pra Mods ( Honour Moderations in Classic) apo Provimet e Nderit në Formim Klasik të Universitetit të Oksfordit konsiderohen si ndër provimet më të vështira në botë.Megjithatë, në vitet e fundit, kjo qasje ka ndryshuar në mënyrë që për studentët e Universitetit të Oksfordit nuk kërkohet më aftësia në gjuhët latine dhe greqishten e vjetër dhe numri i eseve që duhen paraqitur në këto gjuhë gjatë provimit është zvogëluar ashtu sikurse është zgjatur koha në provim për përfundimin e tyre .Sistemi i këtyre provimeve u fut edhe për degë të tjera. Psh në Universitetin e Oksfordit këto provime filluan në vitin 1802 me studentët që studionin në degët e Matematikws e Letërsisw, më pas në vitin 1853 atyre iu shtuan studentët që studionin në degët e shkencave natyrore (Natural Sciences) dhe drejtësisë (Law) dhe historisë moderne (Modern History). Ato paraprihen nga dy faza që emërtohen si Provimet e Para Publike (First Public Exam) dhe më pas ata që e kalojnë japin edhe Provimet e Dyta Publike (Second Public Exam) që quhen si Finalet. Gjatë shek XIX u bënë edhe një sërë reformash administrative sic ishte zëvendësimi i provimi me gojë (oral examination) në atë me shkrim (written test) për pranimet në universitet, tolerancë më të madhe për kandidatët nga besimet e tjera, dhe krijimi i katër kolegjeve për gjininë femërore. Duke patur parasysh se historikisht kurrikula e Universitetit të Oksfordit ishte mbështetur mbi dijen klasike, në shek XIX ajo u zgjerua duke përfshirë dëgët stifimeve në fushën e shkencave dhe ato mjekësore. Kërkesa për njohjen e greqishtes së vjetës ishte kusht për tu pranuar në Universitetin e Oksfordit deri në vitin 1920 ndësa ajo për gjuhën latine ishte deri në 1960.Universiteti i Oksfordit filloi të ofronte gradën e Doktorit të Shkencave (PhD) në gjysmën e parë të shek XX dhe doktoratura e parë në matematikë (DPhil in Mathematics) u dha në vitin 1921.

Geron Kamberi: Universiteti i Oksfordit, dukuria dhe historia (1)

Please follow and like us: