Albspirit

Media/News/Publishing

Enver Robelli: Latinka Peroviq, e papërsëritshme dhe e paharrueshme!

Për ndarjen nga jeta të historianes dhe politikanes liberale serbe, Latinka Peroviq
Një historiane, një grua, një politikane, një aktiviste që luftoi për të drejtat e njeriut dhe për një Serbi properëndimore, për një Serbi që duhet të pajtohet me realitetin e Kosovës së pavarur. Latinka Peroviqi, e cila vdiq sot në moshën 89-vjeçare, mund të prezantohet në mënyra të ndryshme dhe me epitetet më të larta. Nuk është e tepërt të thuhet se personalitete si ajo zor se do të ketë në Ballkan edhe shumë dekada. Latinka Peroviqi ishte fytyra e Serbisë tjetër, Serbisë fatkeqësisht të margjinalizuar dhe të shtypur nga regjimi autokratik, nga Serbia rusofile dhe antiperëndimore, e cila ende ka ëndrra të pushtojë popuj të tjerë dhe të grabis territore.
Latinka Peroviqi u lind më 4 tetor 1933. Atë vit në Gjermani pushtetin e mori Adolf Hitleri. Si 27-vjeçare ajo u bë kryetare e Frontit të Grave Antifashiste të Serbisë. Më 1975 kjo historiane mendjehapur dhe pafundësisht kureshtare doktoroi në Universitetin e Beogradit. Është autore e dhjetëra librave dhe shumë punimeve shkencore ku dominon akribia shkencore, dituria e gjerë, sinqeriteti intelektual dhe humanizmi njerëzor.
Jeta e saj ishte betejë kundër nacionalizmit serb. Për këtë u mallkua dhe u përbuz nga Serbia regresive. Historinë e Serbisë Latinka Peroviqi e shihte si histori të modernizmit të dështuar. Ishte sekretare e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë. Më 1972 Josip Broz Tito e largoi nga posti nga frika se pikëpamjet e saj ishin tepër liberale për shoqërinë jugosllave. Është konsideruar në atë kohë si gruaja më me ndikim në politikën jugosllave. Përkundër dështimit në politikë (pa fajin e saj), ajo nuk harxhoi energji për beteja personale dhe egoiste.
Betejën e saj e zhvilloi kundër klasës politike serbe që po e çonte vendin drejt humnerës. Në një intervistë me revistën “Vreme” Peroviq tha: “Nuk mund ta quani armik çdokënd që mendon ndryshe! Përveç kësaj, qëmoti kemi hequr dorë nga zhvillimi i polemikave serioze pa marrë parasysh për çka. Në vend të argumenteve, keni diskreditim, ofendime ad hominem… Pse? Kujt i shërben përhapja e atij helmi në letër dhe nëpër ekrane? Pse duhet t’i lajmë hesapet në atë mënyrë? Për zotin, nuk mund t’ia zhdukni dinjitetin njeriut vetëm pse nuk pajtoheni me të!”
Për dallim nga shumë serbë, Latinka Peroviqi e njihte mirë Kosovën dhe historinë e saj. Jo vetëm nga literatura që kishte lexuar, por edhe nga vizitat në Kosovë, që nga vitet 60-të. Njihte dhe shumë personalitete të Kosovës. Ruante me ta miqësi të sinqerta dhe pa paragjykime.
Në njërën nga intervistat e fundit në qershor të këtij viti bëri thirrje që Serbia sa më parë të heq nga qafa konfliktin e ngrirë në Kosovë. Sepse, sipas saj, për shkak të Kosovës Serbia s’po mund të lëvizë nga vendi. Serbët, thoshte ajo, besojnë se në Kosovë nuk ka ndryshuar asgjë dhe se gjendja është e njëjtë si para 30 apo 50 viteve. “Nuk është e njëjtë, shumëçka ka ndryshuar”.
Në pyetjen se çfarë do të bënte me Kosovën, ajo u përgjigj: “Prej se mendoj politikisht, konsideroj se Serbia duhet të koncentrohet te vetvetja, te zhvillimi ekonomik, arsimimi, te ngritja e kulturës shëndetësore, te hapja ndaj botës. Është me rëndësi që Serbia të vendosë marrëdhënie normale me fqinjët, edhe me Kosovën. Prandaj janë aq të rëndësishme të drejtat e njeriut”.
Kosova i ka borxh Latinka Peroviqit më shumë se respekt e kujtim. Vepra e saj meriton vëmendje, lexim e kujdes edhe në mesin e shqiptarëve. Ajo renditet në mesin e humanistëve serbë si Dimitrije Tucoviqi e Kosta Novakoviqi, të cilët jo vetëm kritikuan krimet e llahtarshme të Serbisë ndaj shqiptarëve para më shumë se një shekulli, por u angazhuan edhe për fqinjësi të mirë mes serbëve dhe shqiptarëve. Kësaj tradite i përket edhe Latinka Peroviqi. Pak është nëse një rrugë do ta bart emrin e saj në Prishtinë apo Prizren. Sidomos në kohërat e zymta personalitetet si Latinka Peroviqi na kujtojnë se në Ballkan urrejtja nuk është e thënë të jetë ushqim i përhershëm ditor që servohet nga politikanët primitivë dhe me ambicie megalomane.
Please follow and like us: