Albspirit

Media/News/Publishing

Nacionalistë serbë dhe grupe fetare protestojnë kundër marrëveshjes së Brukselit

Qindra nacionalistë serbë dhe të krishterë ortodoksë marshuan në Beograd të dielën për të protestuar kundër planit perëndimor që synon përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Shumë serbë e shohin Kosovën, ku ndodhen kishat dhe manastiret kryesore të besimit ortodoks serb, si zemrën e kombit serb.

Nacionalistët serbë, të cilët gjithashtu duan lidhje më të ngushta me Rusinë, aleate e vjetër e Serbisë, kritikojnë presidentin Aleksandër Vuçiç për rolin e tij në bisedimet mbi një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, me Kosovën.

Më 27 shkurt, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti u pajtuan për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk e nënshkruan atë.

“Populli i Serbisë që leu këtë tokë me gjak nuk do ta lëshojë Kosovën serbe, sepse Kosova është e shenjtë”, tha Zorica Mojsic nga Beogradi teksa ecte me marshuesit e tjerë.

Kisha Ortodokse Serbe organizoi lutjet e saj për Kosovën, të cilat do të zgjasin deri në Pashkë, por nuk mbështeti publikisht marshimin dhe klerikët e saj nuk morën pjesë në të.

Të premten, Patriarku i Kishës Ortodokse serbe Porfirije tha gjatë një predikimi se “askush nuk duhet t’i mësojë kishës… çfarë është Kosova… Çlirimi i Kosovës me fjalë është i lehtë”.

Kosova, e cila ka një shumicë etnike shqiptare, shpalli pavarësinë më 2008, pothuajse një dekadë pas luftës që i dha fund sundimit serb. Por Serbia ende e konsideron Kosovën si territorin e saj dhe shpërthimet e dhunës kanë ushqyer frikën e kthimit të një konflikti.

Për zbatimin e marrëveshjes nevojiten më shumë bisedime dhe udhëheqësit e dy vendeve do të takohen përsëri nën mbikqyrjen e BE-së në qytetin e Ohrit, buzë liqenit me të njëjtin emër, në Maqedoninë e Veriut, në 18 mars.

Please follow and like us: