Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Mato: Fluturimi i fundit

Nënë Nuncia fle.
Fle dhe ëndërron.
Në ëndrra sheh të motrën,. Ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç
kur fluturoi mbi humnerë,
me dru në krahë,
si një shqiponjë.
Kishin shkuar në mal
për të prerë dru.
E zeza ajo, e zeza…
Nënë Nuncia fle në dhomën lart, kundruall detit, me dy dritare të ngushta.
Porta e mbyllur me lloz…
Pllakat e oborrit anash,
të lyera me gëlqere.
Dera e mbyllur me një bravë të madhe, të vjetër, veneciane.
Para se të binte muzgu i kaltër mbi bregore, doli të milte dy dhitë,
i mbylli në katua, i dha ushqim maces qimezezë, e ndjeu veten të këputur dhe ra të flinte më herët se zakonisht.
I kaloi të shtatëdhjetat me punë e me mundime. Rriti tre fëmijë dhe mbajti në këmbë tre pleq.
Nuncia fle!
Fle dhe ëndërron.
Në ëndrra sheh dy vajzat e saj të martuara që i ka larg,
dhe djalin, edhe më larg, nëntë dete kaptuar.
Çdo mbrëmje u vë veshin erërave, sikur kërkon të dëgjojë cicërimat e nipër-mbesave të saj.
Ka vite që nuk i ka parë. Kohët e fundit sheh një ëndërr sikur fluturon nga dritarja.
Herë si zog e herë si qyqe… Me krahët e nderura në ajër fluturon mbi ullishtat kundruall detit dhe përmbi shtëpitë e gurta të fshatit.
Më pas niset drejt hapësirës së pamatë të detit…
Fluturon çdo natë si një çafkë e lumtur, duke mbushur ajrin me klithma gazmore. Rrotullon krahët si kali i qyqes mbi ullishtat që lëkunden nga era e detit dallgë- dallgë.
Me një ngazëllim të madh ngjitet lart-lart, si një balonë e lidhur me një fije të artë te porta e drunjtë e Nikollore.
Mban frymën për pak kohë mbi varrezat e fshatit, ku prehen eshtrat e të parëve të saj, të nënës dhe të babait, të të shoqit, dy vëllezërve…dhe Vito zezës, motrës së saj të vogël
që fluturoi mbi humnerë me dru në krahë, pa i mbushur të shtatëmbëdhjetat.
Në fshatrat e rivierës ka ditë që kanë çelur lulet e pranverës.
Në pyje dëgjohet kënga e qyqeve, në det kënga e sirenave.
Nënë Nuncia fle.
Fle dhe ëndërron.
Krevati i saj prej hekuri është nën dritare. Disku i argjend i hënës dritëson jastëkun e saj të bardhë me dantellë të bërë me grep. Është një hënë e bardhë që këndon duke lundruar mbi shtëpitë e bardha.
Në ishullin e Korfuzit rrinë ndezur dritëzat… Xixëllijnë si xixëllonja.. Nënë Nuncia fle. Fle dhe ëndërron. I duket sikur dikush i thërret nga kopshtet. Nuncia! Nunciaaa..! Drurët e qershive duken si të veshur me borë. Nuncia…! Nunciaaa..! -.
Tani është ora për t’u nisur në mal për të prerë dru. Mos është Vitoja që e thërret nga kopshtet? Edhe pse në ëndërr, ajo e njeh zërin e saj… Motërzeza ka ditë që më kërkon. Mos është zëri i vdekjes së zezë? Nënë Nunëian e zë frika. Struk kokën poshtë jorganit të nusërisë dhe përpiqet të flejë.
Një erë e njelmët fryn nga deti…
një rreze hëne ndrin thinjat e saj të praruara…dhe zëri i motrës së vogël që vazhdon ta thërrasë, kësaj here nga rruga… Nuncia! Nunciaaa…!
Zëri i hollë i Vitos e fton për të prerë dru në mal.
Është koha. Është tamam koha. Janë çastet kur yjet në qiell e ndriçojnë më shumë rrugën që të çon për në Bukurulë. Në pyje dëgjohet kënga e gëzuar e qyqeve, në det kënga e sirenave. Ç’më rri akoma në këtë shtëpi? Nuk e dëgjon që të kërkojnë?
Në atë çast nënë Nuncia ngrihet nga krevati dhe, ashtu siç është, me këmishë nate, del në dritare dhe nis të fluturojë.
Please follow and like us: