Albspirit

Media/News/Publishing

Abedin Dino për tërësinë territoriale dhe pavarësinë e Shqipërisë

Nga Ahmet Mehmeti

Abedin Dino (Prevezë, 5 prill 1843 – Stamboll, 9 maj 1906), veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, politikan e burrë shteti, diplomat, ushtarak, ekonomist, poet, kritik letrar, përkthyes, gjuhëtar e filozof, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm sidomos në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në moshën 21 vjeçare (1864) u thirr në gardën e Sulltan Abdyl Mexhitit pasi kishte kryer gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe studimet e larta në Stamboll. Gjatë qëndrimit pranë sulltanit si adjutant midis të rinjve fisnikë të zgjedhur nga raca të ndryshme të perandorisë ai dhe vëllai i tij Vesel Dino, si përfaqësues të çamëve, për të shprehur përkatësinë kombëtare rrinin me kostumin shqiptar të qëndisur me ar (Dokumente për Çamërinë, 1999, f. 301).

Më pas u emërua si ndihmës prefekt në Prevezë, në Artë dhe me detyra të tjera të larta ne Izmir, Sofje, Tekfurdag, Varnë, Ankara, Rodos etj. Nga viti 1868 shërbeu rreth pesë vjet si komisar i Bursës së Stambollit. Me 1871 mori pjesë në lëvizjen e Organizatës Atdhetare Kulturore Shqiptare ku përkrahu përhapjen e gjuhës shqipe dhe te shkrimit të saj me shkronja latine.

Si anëtar i Këshillit të Jashtëzakonshëm në Parlamentin Osman (1876-1877) kundërshtoi me forcë kërkesat serbo-malazeze për aneksimin e tokave shqiptare të Toplicës-Mollës së Kuqe ne veri te Kosovës e në Sanxhakun e Nishit etj. Në vitet 1877-1878 ai ishte Kryetar i Komitetit Ushtarak të Shpëtimit Publik me qendër në Janinë që përbëhej nga përfaqësues te parisë së Shqipërisë dhe ku kishte si sekretar Sami Frashërin. Në vazhdim, në dhjetor zgjidhet antar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u themelua në Stamboll ku bënin pjesë edhe Abdyl e Sami Frashëri, Jani Vreto, Vaso Pasha, Zija Prishtina etj.

Gjatë viteve 1877-78 Abedini qëndron ne Epir, bën kuvende me popullin, është nxitësi më aktiv i telegrameve drejtuar Kongresit te Berlinit me protesta kundër çdo lëshimi territorial për Greqinë. Ndërkohë përpunon projekte mbrojtjeje.

Më 12 shkurt 1878 në fshatin Lëkurës pranë Sarandës zbarkoi një bandë e madhe greke prej mbi 760 andartësh (ushtarakësh) të rekrutuar nëpër gjithë Greqinë si dhe me pjesëmarrje mercenarësh italianë të organizuar nga qeveria greke. Për asgjësimin e saj mori pjesë Abedin Dino si komandant i operacionit në krye te 2400 (dymijë e katërqind) luftëtarëve, i cili i drejtoi luftimet sëbashku me vëllain e tij Vesel Dinon dhe komandat e tjera territoriale. Në këtë betejë morën pjesë edhe 700 (shtatë qind) shqiptarë te krishtere. Kjo i tregoi Greqisë se çfarë ishte uniteti midis shqiptareve. Më 23 shkurt banda greke u shpartallua keqas duke lënë rreth 400 të vrarë, vetëm 110 vetë me komandantin e tyre mundën të shpëtojnë falë mëshirës së Abedinit dhe vëllait të tij qe i lejuan të kthehen nga kishin ardhur në Korfuz dhe pjesa tjetër prej 250 vetësh në drejtim të Artës për t’i treguar Athinës se kush janë Shqiptarët dhe si luftojnë ata pa dallime fetare për trojet e tyre të përbashkëta. Kështu dështoi me turp e para e ashtuquajtur “kryengritje greke” në tokën e Epirit nën komandën e Abedin Dinos (Shih Tiso, Athinë, janar 1879).

Absurdi i historiografisë shqiptare të diktaturës dhe më pas ribotimi i librave të asaj kohe, edhe në vitin 2012 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, është se emri i Abedin Dinos nuk përmendet fare pasi ngjarjet historike shihen dhe pasqyrohen me partishmëri enveriste, duke mohuar rolin e protagonistëve të historisë për arsye të paragjykimeve ideologjike.

Në vijim, në 10 qershor 1878 Kuvendi Kombëtar krijoi në Prizren Lidhjen Shqiptare. Abedin Dino zgjidhet anëtar i Kryesisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Shqipërinë e Jugut. “( I.G Senkenvic: Albania v period, Vostoçnoj Krizisa.”. f.107. Moskë, 1965).

Dhjete ditë më vonë, në 20 qershor, personalitetet shqiptare në Stamboll si Abedin Dino, Ali Danish Prishtina, Sami Frashëri, Pashko Vasa etj., u dërguan ministrave të jashtëm të Fuqive të Mëdha memorandumin për t’i dhënë Shqipërisë një rregullim të veçantë administrativ.

Pas katër muajve nga nënshkrimi i Traktatit të Berlinit (13 qershor 1878 ), në 1 nëntor u mblodh Kuvendi i Lidhjes Shqiptare në Dibër, ku u miratua rezoluta për t›i kërkuar Portës së Lartë formimin e Vilajetit Autonom Shqiptar. Ndër 14 delegatët që do ta paraqisnin dhe do ta mbronin para Portës së Lartë ishin: Abedin Dino, Abdyl Frashëri, Iliaz Dibra, Sheh Mustafa Tetova, Mustafa P. Vlora, Mehmet Ali Vrioni, Mihal Kristo, Sabri Gjirokastra etj.

Ne fund të nëntorit Abedini u emërua anëtar i Komisionit të caktimit të kufijve shqiptaro-grekë (turko-greke). Në 20 dhjetor 1878 Abedini pret në shtëpinë e tij në Prevezë Abdyl Frashërin. Ai gëzohet shumë nga veprimet e Kuvendit të Dibrës dhe i shpreh Abdylit gatishmërinë për të shkuar në Stamboll si përfaqësues i Çamërisë. Del vetë me shkresën e përfaqësuesit për ta vulosur në qytetin e Prevezës dhe në fshatrat e saj. Po gjate dhjetorit në Murgj, para 14 000 ushtarëve zhvillon një takim ku u bën thirrje për mbrojtjen e vendit, ndërsa popullit i bën thirrje për të rekrutuar ushtare kundër synimeve grabitqare greke.

Në shtëpinë e vet në Prevezë, ai mblodhi Kuvendin e Lidhjes Shqiptare për mbrojtjen e trojeve Jugore të Shqipërisë në 11 janar 1879. Në kuvend morën pjese 400 (Katërqind) delegatë nga të gjitha krahinat e vendit përfshirë Shkodrën dhe Kosovën. Te nesërmen, në 12 janar, Abedini bashkë me vëllanë e tij Veselin, njoftojnë hollësisht zëvendëskonsullin hungarez në Prevezë, Dembickin, mbi vendimet e Kuvendit te Prevezës (sipas Gsiter, konsull i A-H ne Korfuz, 20. 01.1879).

Pjesëmarrësit e Kuvendit Kombëtar të Prevezës në memorandumin e 28 janarit 1879 shpallën se do t’i mbronin trojet e tyre shqiptare me armë në dorë.

Në 6 shkurt 1879 në Prevezë filloi punimet Konferenca turko-greke për caktimin e kufirit e propozuar nga Kongresi i Berlinit. Nga pala turke merrnin pjesë mareshali Muhtar Pasha, këshilltari i Ministrisë së Drejtësisë, Vahan Efendiu, ndërsa përfaqësuesi i Shqipërisë ishte Abedin Dino. Nga pala greke merrnin pjesë gjeneral Sucos, major Kollokotroni dhe Sekretari i Mininistrisë së Brendshme Zinopullos. Në 9 shkurt palët u rimblodhën. Pala turke-shqiptare në 10 shkurt lexoi një notë me katër pika por bisedimet nuk po merrnin për mbarë.

Në këto kushte Abedini thirri në shtëpinë e tij në Prevezë prijësit shqiptarë të Janinës me Abdyl Frashërin në krye si dhe përfaqësuesit e Beratit, Gjirokastrës, Përmetit dhe Elbasanit ku u zhvilluan bisedime intensive për dy javë rresht. Më 28 shkurt delegatët e kombit shqiptar u dërgojnë konsujve të Fuqive të Mëdha një peticion ku parashtrojnë kërkesat e tyre me këmbëngulje.

Komisarët e të dy palëve u mblodhën më 18 mars 1879 për t’u ndarë përfundimisht. Delegacioni grek ngulte këmbë në nenin 24 të protokollit 13 të Kongresit të Berlinit, pa dhënë asnjë alternativë pasi nuk kishte asnjë argument. Abedini mbrojti me argumente token amtare duke u bërë barikade e pakapërcyeshme për grekët grabitqarë dhe shovinistë.

Në mars 1879 Abedin Dino gradohet gjeneral ( pasha ). Po në mars 1879 Komiteti i Lidhjes së Prevezës vendosi të dërgojë një delegacion n pesë kryeqytetet e Fuqive të Mëdha. Në përbërje të delegacionit ishin Abdyl Frashëri, Abedin Dino dhe Mehmet Ali Vrioni. Për këtë u përgatit memorandumi që do t’i dërgohej pese fuqive nënshkruese të Traktatit të Berlinit. Delegacioni u nis nga Preveza më 31 mars 1879 për në pesë kancelaritë euro perëndimore: Romë, Paris, Londër, Berlin dhe Vjenë për mbrojtjen e Çështjes Shqiptare (kufijtë).

Në 11 prill 1879 kur Abedini ishte ende me detyrë në krye te Bursës se Stambollit i dërgoi një Letër Sekretarisë së Lartë të Pallatit Perandorak ku paraqet pikëpamjet e tij mbi gjendjen e vendit, protokollin e Berlinit dhe të gjitha çështjet që tashmë pas emërimit në komisionin e bisedimeve me Greqinë i njihte me hollësi. Duke shkruar për gjendjen politike të Shqipërisë ai thekson: “Kur ishim bashkë me komisarët në Prevezë na u paraqitën mëse 400 (katërqind) persona të shquar nga parësia e vendit dhe duke ju drejtuar komisarëve u deklaruan në mënyrë te prerë se Shqipërinë, as traktati (i Berlinit A.M.), as ndonjë forcë tjetër njerëzore nuk do të mund të na ndante…Brenda kufijve të vendit tonë përfshihen Preveza, Narta dhe Janina, prandaj nëqoftëse këto me çfarëdo mënyre do t›i jepeshin Greqisë atëherë Shqipëria do ta kundërshtojë ashpër me armë Greqinë dhe në këtë rast kishte për t’u derdhur shumë gjak. Ata që e njohin popullin e këtij vendi e kanë të qartë se këto deklarata janë të vërteta absolute”.

Më tej në Letrën e vet drejtuar Sekretarisë Perandorake Abedini thekson: “Po marr guximin të them me keqardhje se nuk ka dyshim se ne qofte se Shteti Osman do te japë Nartën, Prevezën dhe Janinën, atëherë nuk do t’i dalin nga dora vetëm këto të tria , por dhe e gjithë Shqipëria dhe po t’i dalë nga dora Shqipëria , popullsi myslimane në Rumeli, Shtetit Osman pothuajse nuk do t’i mbetej gjë dhe kështu armiqtë tanë do ta kishin të hapur rrugën për në Stamboll”.

Duke dalë në thelbin e çështjes, pavarësinë e Shqipërisë, Abedini Dino e paralajmëron sulltanin: «Dhënia Greqisë , sado i madh që të jetë presioni ndaj Portës, qoftë edhe një nga qytetet e sipërme të krahinave të Janinës, Nartës e Prevezës, nuk ka dyshim se do ishte një gabim që nuk do të mund të riparohej dhe që pa dyshim, do të bëhej shkak që e gjithë Shqipëria t›i dilte nga dora Shtetit Osman».

Meqenëse se Porta e Lartë nuk u lejoi shqiptarëve të hapnin një organ periodik brenda kufijve të Perandorisë, Abedini themeloi dhe sponsorizoi në mes të Athinës gazetën “I foni tis Alvanias” (Zëri i Shqipërisë) me drejtor Anastas Jano Kulluriotin. Laitmotivi i gazetës ishte: “E duam Shqipërinë një, të pandarë dhe të pavarur”. Gazeta vazhdoi nga 29 shtatori 1879 deri me 25 gusht te vitit 1880, dyzetë numra gjithsej. Kjo gazete u bë shpirti dhe zëri i Lidhjes se Prizrenit ku edhe vetë Abedini botoi disa nga krijimet poetike ne gjuhën shqipe me përmbajtje të lartë atdhetare.

Ne fillim të prillit 1880 Abedini emërohet bejlerbe i Rumelisë dhe fillon punë si qeveritar i përgjithshëm i vilajetit të Selanikut ku bën një përshtypje shumë të mirë. Duke qene një nga krerët e Lidhjes se Prizrenit bën çmos për ta drejtuar atë edhe nga larg (Krajevski Freisinesë, ministër i punëve të jashtme të Francës, 6 prill 1880).

Sapo mori vesh emërimin e tij si ministër i Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane, Abedini, që tashmë gëzonte besimin e të gjithë krerëve të Lidhjes së Prizrenit, ju drejtua atyre me një Qarkore ku nder te tjera thekson: “ Ju jeni informuar qysh ne Selanik për emërimin si ministër i Punëve të Jashtme. Unë asnjëherë nuk kam ëndërruar diçka të tillë. Por, gjithmonë kam dëshiruar që ky post kaq i rëndësishëm së paku të plotësohej nga një mik i Shqipërisë, qe gjendjen politike të vendit do të dinte për ta mbrojtur dhe për ta prezantuar në tërë Evropën.

Kështu, në mënyrë të jashtëzakonshme që të gjitha lutjet e mia i plotësoi i Madhi Zot, që unë të emërohem në një vend të tillë, i cili është aq i rëndësishëm kur është puna e çështjes sonë kombëtare. Me emër dhe dëshirë të të Madhit Zot shpresoj se do t’i kryej dhe do t’i plotësoj detyrimet e mia. Ashtu si vëllezërit tanë, edhe unë ja kam vënë vetes për detyrë që tërë jetën të punoj dhe të përpiqem për të mirën dhe fatin e atdheut tonë, Shqipërisë”.

Kjo Qarkore e Abedin Dinos që kur u shkrua dhe u shpërnda u interpretua ne mënyra nga më të ndryshmet dhe shërbeu për spekulime të shumta jo vetëm nga ata që u përpoqën ta shihnin si “përpjekje të Portës për t’i manipuluar dhe keqpërdorur shqiptarët kundër vendimeve të Fuqive të Mëdha dhe të fqinjëve” por edhe nga insinuatat, denigrimet e mohimet e historiografisë komuniste-enveriste.

Në fund të Qarkores Abedini shprehet haptas dhe me vendosmëri: “Shqipëria duhet të bëhet e madhe sepse roli i saj i tanishëm për ne është i madh” dhe duke bërë thirrje për bashkim kombëtar jep kushtrimin: “Marshoni, pra, përpara të bashkuar dhe të fortë, së bashku me vëllezërit tuaj të besimit jomysliman, sepse dhe ata janë bijtë e tokës suaj”. (shih edhe Jusuf Buxhovi: “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878, “Faik Konica”- Prishtine, “Jalifat Publishing”- Houston, 2012, f. 77-80)

Në fakt kjo Qarkore parashikoi që në maj te vitit 1880 fundin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe krijimin e Shqipërisë së Pavarur.

Kur Abedin Dino e kishte kaq të qartë perspektivën e Shqipërisë, në fillim të qershorit 1880, thirret ne Stamboll ku i jepet rangu i vezirit dhe emërohet ministër i Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane ( 10 qershor 1880 ). Katër ditë pas emërimit si ministër, Abedini me 14 qershor porosit ambasadorin e perandorisë ne Berlin, Sadullah bej Efendiun, që të njoftonte qeverinë gjermane se Porta e Lartë propozonte një vijë të re kufitare, e cila do të fillonte nga lugina e lumit te Artës, duke lënë në anën e Shqipërisë Janinën, Mecovën dhe Jenishehirin ( Larisën).

Në 15 qershor Komisionit te Konferencës ju dha për shqyrtim vija e re e propozuar nga Porta si dhe vija e dytë e propozuar nga Greqia. Një ditë më vonë Abedini ve ne dijeni te ngarkuarit me punë në Paris dhe kryeqytetet e tjera për gjendjen e acaruar në Shqipërine e Poshtme. Më tej më 21 qershor ve në dijeni qeverinë gjermane për dyshimin se po zbatohej në fshehtësi protokolli 13 i Berlinit dhe se nëqoftëse në vijën e kufirit do të përfshihej Janina dhe Mecova, zemërimi që ekzistonte në Shqipëri do të nxiste pasoja të rënda që do të rridhnin nga vendimet e Konferencës.

Në cilësinë e ministrit të Jashtëm, në 15 korrik Abedin Dino merr notën kolektive të ambasadorëve të Anglisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë dhe Rusisë lidhur me ratifikimin e kufirit shqiptaro-greke. Në përgjigjen e tij me notën e datës 26 korrik Abedini shkruan: “ Shqiptarët si gjithë kombësitë e tjera të perandorisë e ndjejnë veten një racë (kombësi) të veçantë dhe jo më pak interesante” dhe më tej, “Si mund të pranoj të lëshoj Janinën, po të merret parasysh që shqiptarët e kanë quajtur gjithmonë si kryeqytetin e Shqipërisë së Poshtme dhe e mbrojnë zotërimin e saj me aq këmbëngulje”. Më tej vijon: Ulqini me rrethet e tij me popullsinë e vet krejt myslimane është konsideruar pjesë e Shqipërisë së Sipërme”… “ A do ishte e mundur që Porta e Lartë t’u hiqte shqiptarëve zotërimet e disa vendeve të tjera që u përkasin kombësisë së tyre, veçanërisht atë të Çamërisë, krahinë kjo e banuar kryekëput me shqiptare, shumica e tyre praktikojnë fenë myslimane?”

Gjatë muajit korrik 1880 vazhdojnë presionet nga Londra dhe nga Vjena mbi Abedinin si ministër, për okupimin e territoreve shqiptare qe ju premtuan nga Porta Malit te Zi dhe qe po ndodhte e kundërta.

Në gusht konsulli rus i Janinës, Trojanski, vërente: “Në Çamëri Lidhja Shqiptare vepron pothuajse në mënyrë të pavarur”. Nga të gjitha këto dukuri presioni i Fuqive të Mëdha mbi sulltanin po e përkulte atë dhe qeveria ishte në shënjestër. Trikupisi parashikonte largimin e Abedinit si ministër dhe e shprehte hapur gëzimin se kjo gjë do t’i jepte një goditje vendimtare Lidhjes Shqiptare.

Në këto kushte, në 12 shtator 1880 Abedini jep dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme si ministër i jashtëm, pasi nga njëra ane shikon se sulltani po prirej të pranonte vullnetin e Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Ulqinit dhe viseve te tjera shqiptare për hir të interesave perandorake dhe nga ana tjetër Fuqitë e Mëdha po përdornin dhunën kundër popullit shqiptar. Në këtë kohë Abedini i thotë ambasadorit Austro-Hungarez: “Turqia nuk do të mund ta dorëzojë Prevezën e Çamërinë pa humbur gjithë Shqipërinë”

Në rrethanat e krijuara Abedini mendonte se nëqoftëse sulltani do pranonte të gjitha kërkesat dhe nëqoftëse lëshimi i tokave do të kryhej… Shqipëria do të shkëputej prej tij dhe do t›i kërkonte një princi nga Europa që ta qeveriste « ( sipas bisedës se Qazim Prevezës me nënkonsullin Viet n Korfuz” (shih A. Mehmeti « Abedin Dino” Onufri, Tirane, 1998, f.59).

Për të gjitha këto qëndrime të guximshme, të shprehura qartë në mbrojtje të tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së Shqipërisë, sulltani u hakmor me zhdukjen fizike të Abedin Dinos.

Please follow and like us: