Albspirit

Media/News/Publishing

Xhoi Jakaj: Është koha për më shumë paqe e mirësi në mesin tonë!

 

A duhet një përmbajtje nga Politika në përdorimin e fëmijëve për përmirësimin e imazhit në fushatë?

 

Politika shpesh përdor foto të fëmijëvë në fushatë pa lejen e tyre, u shkelen të drejtat individuale, i marrin në krah, i përqafojnë gjatë dhe me një dashuri të shtirur, në vend që të krijojnë kushte normale për ta që të rriten në mënyra më sociale e të mbushen me lumturinë prej fëmije; në sytë e tyre instalohet fushatë dhe paniku i të mëdhenjve, i atyre që kanë fuqi të posedojnë jetën tënde, por dhe të përdorin portretin pa të pyetur fare dhe kur rritesh e bëhesh mazhoren kjo foto mund të të përdoret nëse do bëhesh personazh publik.

Kultura e të qënit i mbushur me ndjesi të bukura, dashurie për jetën, shkollën, prindërit… kultivohet që në vegjëli që të dish të duash, në mënyrë të tillë ku të mos ndjekësh rrugën e gabuar në jetë, por të fokusohesh te dija e të mësuarit, jo tek ideologjia partiake e asnjë lloji.

Ata kur të rriten duhet të jenë qytetarë të gatshëm dhe të përgatitur për t’u përballur qetësisht me problemet pa kaluar në urrejtje e dhunë, por duke mbarsur, rrënjosur dhe kultivuar nëpërmjet të mësuarit brenda karakterit së gjithësecilit me dashuri për tjetrin, për jetën, për të bukurën, për mirësinë dhe paqen pa ideologjinë politike dhe fokusimin e një politikani në memorjen e tyre.

E pikërisht një kurrikul në shkollë do duhej edhe në Shqipëri që të vegjëlit të mësohen si të duan veten, jetën, botën që na rrethon, prindërit, miqtë, mikeshat dhe motivi i ditës të jetë transmetimi i dashurisë dhe dijes!

Ministria e Arsimit duhet të bëje maksimumin në këtë drejtim që t’i edukojë fëmijët të duan shkollën jo të ideologjizojnë trurin me broçkulla politike!

Mësuesit të mos turren pas politikanëve sepse shkolla duhet te  jetë e depolitizuar, shpesh herë duke rendur pas kotësive politike, kanë humbur sensin e dashurisë njerëzore, kanë harruar fëmijët dhe kërkesat më jetike të tyre, arsimim që në themel, ndaj mësuesit t’i ushqyejnë nxënësit me dije, jo me ide politike të asnjë krahu politik.

Lerini fëmijët të gjejnë vetveten, rruga e drejtë është zgjedhja ndërmjet miliona rrugëve të mundshme që u krijohen kushtet gjatë udhëtimit tyre në jetë!

Ndaj kërkohet t’i lejoni fëmijet të ndjekin drejtimin e duhur i cili të shpie drejt dashurisë për dijen, arsimimin, pa u përfshirë që herët në ide politike të prinderve ose politikanit qe ju idealizoni në kokën tuaj.

Nuk duhet të kënaqemi duke kopjuar shembuj jo të vlefshëm të personalitetit njerëzor, por të luftojmë e të përsosim vetveten; një person i pasur me dashuri ka çfarë të tregojë gjithnjë dhe kur nuk është aktiv në dhënien e kësaj ndjesie të veçantë, ai përpiqet ta ruaj e transmetojë mirësinë, kulturën e dashurinë në çdo moshë, mjedis apo kohë të ndryshme gjatë rritjes e formimit!

Për njeriun gjëja më e madhe që ka është jeta dhe deri sa jemi gjallë ka edhe shpresë thotë një fjale e moçme, zgjidh për fëmijën tënd rrugën e mirë, se nuk është kaq e vështirë sa kujtojmë, orientoje të jetë humanist, larg urrejtjes e dhunës, e rrënjosu atyre ca principe, edhe nëse kjo rrugë kalon nëpër shtigje të errëta apo sakrifica të mëdha, ia vlen të jetosh me dashuri dhe ta transmetosh atë në mjedisin ku rritesh, studion apo punon!

Sa më larg gjuhës së urrejtjes se po i helmojmë fëmijët tanë me dhunën verbale të fjalës e po rrisim rini të ashpër.

Është koha për më shumë paqe e mirësi në mesin tonë!

Please follow and like us: