Albspirit

Media/News/Publishing

Në gjurmët e historisë, babai dhe tre djemtë-dëshmorë të Atdheut

(Familja Fikaj nga Kuçi i Labërisë i ka dhënë atdheut 4 dëshmorë)

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Familja Fikaj në Kuç me kontribute për Atdheun

Fillimi i shekullit XX, në ekstremitetin më perëndimor të Perandorisë Osmane, Shqipëria, ishte pa shtet, pa sistem shkollor dhe pa përdorimin e gjuhës kombëtare. Mënyra e vetme për të fituar të drejtën kombëtare ishte forca e kryengritjeve të armatosura. Ato ndodhën në vitet 1910-1912 për çlirimin nga Perandoria Osmane me shpalljen e pavarësisë dhe krijimin e shtetit të pavarur kombëtar shqiptar. Në këto lëvizje të armatosura mori pjesë dhe populli i Kuçit me luftëtarë të organizuar në çeta për luftë sundimin osman.

Në familjen Fikaj u shqua Ibrahim Novruz Fikaj. Ai ka lindur në Kuç në vitin 1884. Familja e Ibrahim Novruzit ishte një familje patriotike dhe e dëgjuar në Kuç. Ajo merrej me blegtori dhe me pak tokë që kishte kultivonte grurë, tërshërë dhe misër për jetesë. Familja Fikaj ka qenë e shquar për tradita luftarake. Në këtë mjedis familjar u rrit, mësoi, u edukua dhe u formua karakteri i Ibrahim Fikaj. Ibrahimit që në rininë e hershme i është folur me emrin e dytë të shkurtër “Braho”, dhe në mjaft dokumente gjendet me këtë emër. Si gjithë bijtë e vegjëlisë të Kuçit malorë, edhe ky luftëtar së bashku me të rinjtë e fshatit mësoi artin e luftës duke ruajtur bagëtitë në malet e Kuçit dhe të Kurveleshit. Bëri pak shkollë, por më shumë mësoi nga përvoja luftarake duke kaluar nëpër tre luftëra. Braho kishte një trup të gjatë, ishte i shëndetshëm dhe dallohej midis shokëve në lojrat popullore dhe luftarake që bënin të rinjtë në kohën e lirë. Ai ishte anëtarë i kryepleqësisë së Kuçit dhe ka marrë pjesë si luftëtar për pavarësinë e atdheut më 1912, mori pjesë në betejat për mbrojtjen e qytetit të Janinës që u zhvillua nga tetori i vitit 1912 deri më 5 mars të vitit 1913. Për betejën e Janinës, për dëshmorët dhe heronjtë është folur pak dhe vetëm duke ju bërë apel me emra në historikun e Kuçit, ose dhe në librat e shkruar nga bashkëfshatarë të Kuçit në vitet ’70 të shek. XX.

Ibrahim Novruz Fikaj e vazhdoi luftën duke u rreshtuar në çetën e Kuçit në vitin 1920, dhe në këtë luftë ka rënë dëshmor. Pas ai la tre djem: Mustafa (1910), Xhevit (1913) dhe Nusret (1916). Me akt juridik Ibrahim Novruz Fikaj është shpallur dëshmor i atdheut me vendim nr. 33, datë 27 qershor 1974, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Shtëpia Fikaj hapi derën për lëvizjen

Me fillimin e Lëvizjes Nacionalçlirimtare në Kuç u krijua një situatë krejt tjetër. Populli i Kuçit i kishte hapur derën Lëvizjes Nacionalçlirimtare dhe se ishte i vendosur të ecte me guxim në rrugën e lirisë. Edhe djemtë e Brahos gjatë Luftës së Dytë Botërore u lidhën me Lëvizjen dhe me Frontin Antifashit duke e ndihmuar aktivisht. Shtëpia e tyre në Rrëzë të Borshe u kthye në bazë të Luftës dhe të tre djemtë e Brahos: Mustafa, Xhevit e Nustret u gjendën në mesin e kësaj lëvizjeje.

Mustafai i madhi i fëmijëve pas përfundimit të shkollës, ndonëse i vogël, u përpoq që me punë e tij të ndihmonte të atin dhe familjen e tij, për të siguruar diçka më shumë. Marrja me punë parakohe në adolishencën e tij të parë dhe përplasja me skamjen kanosëse, ndikuan ndjeshëm në formimin e gjithanshëm, e veçanërisht, pjesëmarrja e babait në Luftën e Vlorës të vitit 1920, shembull që ndikoi deri diku dukshëm në edukimin e tij patriotik. Pushtimi fashist, në prill të vitit 1939 e gjeti Mustafain, në moshën 28 vjeç, të pjekur por njëkohësisht të revoltuar kundër pushtimit të vendit, i cili bashkoi fuqishëm zërin e tij me atë të të gjithë fshatit kur fashistëve italianë. Menjëherë kuçiotët, ndër ta dhe Mustafa Fikaj u përfshi në mbledhjet e ndryshme të grupeve edukativo-komuniste (kështu quheshin) në Mrezha të Nake, në të cilat përfshiheshin rreth 80-100 veta. Me një aftësi organizuese Mustafa Fikaj merrte përsipër detyra të ndryshme si korier për transmetimin sa më të shpejtë të njoftimeve për detyra të veçanta organizative që caktoheshin, për shpërndarjen e trakteve, të cilat sqaronin kuçotët për situatën por dhe rrisnin revoltën kundër pushtuesit. Me fillimin e veprimeve luftarake Mustafai së bashku me të dy vëllezërit Xhevit e Nustret morën pjesë aktivisht dhe shpalosën dukshëm trimërinë dhe atdhetarinë e tyre. Si pjesëtarë të Çetës së Kurveleshit ata morën pjesë në sulmin që u organizua kundër prefekturës së Gusmarit rreth datës 27-28 Nëntor 1942 dhe Kurveleshi u shpall Zonë e Lirë. Për rritjen e aksioneve goditëse luftarake, u formua batalioni territorial “Ismail Haki”, më 25 Prill 1943 në Kuç, ku u rreshtuan të tre vëllezërit, Mustafa, Xhevit dhe Nusret Fikaj.

Nusreti kishte dezertuar nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak nga korriku i vitit 1938. Së bashku vëlelzërit morën pjesë në të gjithë aktivitetin luftarak që zhvilloi batalioni territorial “Ismail Haki”, në bashkëveprim me formacionet partizane të UNÇSH-së. Në këtë lëvizje spikati dhe pjesëmarrja aktive e tre vëllezërve kuçiotëve që përfaqësonin traditat patriotike e atdhetare të Fisit të Fikajve. Me urdhër të Komandës së Shtabit të ZIOp në Kuç u formua Komanda e Qarkut dhe ajo e vendit, të cilat morën vendime të rëndësishme, krahas të tjerave, siç ishin ato për sigurimin e rezervave dhe furnizimeve me ushqime, veshmbathje, me medikamente mjekësore e materiale të tjera deri tek ato luftarake të luftëtarëve dhe strehimin e forcave partizane sipas zonave ku ato kalonin, ku ndaheshin apo kryenin veprime luftarake, për rregullimin e fillimin e aktivitetit normal të fshatit si hapja e shkollave apo aktiviteteve të tjera ndihmuese dhe të shërbimit e ruajtjen e qetësinë në fshat, spitalin partizan të Kuçit e më gjerë. Të tre vëllezërit morën pjesë gjallërisht për kryerjen e detyra të ndryshme që u caktonte komanda e vendit, por dhe shërbente si roje partizane etj. Rrjedha e jetës e pruri që Mustafai të martohej me bijën e Isufaj, me File nga Kuçi, me të cilën pati dy vajza, Hismo Mustafa Fikaj (1939) dhe Kadrie Mustafa Fikaj (1942).

Vëllezërit u masakruan barabarisht…

Në dy muaj e parë të vitit 1944 pushtuesit gjermanë, në kuadrin e Operacionit të Dimrit, e sulmuan Kuçin nga katër drejtime: Gusmar-Kuç; Mesaplik-Kuç; Himarë-Kuç dhe Borsh-Kuç. Me gjithë kushtet e vështira të terrenit e të motit nazistët vijonin sulmet e tyre të njëpasnjëshme. Me marrjen e informacionit se po vinin forcat gjermane, strukturat e luftës vunë në dijeni brenda mundësive popullsinë që të largohej nga zonat e banuara, me qëllim shmangien e kontaktit me armikun për të evituar çdo rrezik të mundshëm. Me mbritjen në fshat, duke përfituar nga bora, që po binte pakufizim dhe mjegulla e dendur, nazistët e rrethojnë Kuçin dhe nisin kontrollin nëpër shtëpi. Ata arrestuan këdo që gjetën brenda, burra, gra, pleq e fëmijë.

Në këto kushte mjaft të vështira të kohës dhe terrenit për një pakujdesi të vogël në masat e sigurisë shkaktoi kapjen nga ana e gjermanëve të Mustafa Fikaj dhe pak më vonë dhe të dy vëllezërit Nusretit e Xhevitit. Në agimin e 10 shkurtit 1944, kolona e dhjetra kuçiotëve, zbathur e të pangrënë, ngarkuar në shpinë me material luftarak e të plagosurit gjermanë filluan lëvizjen drejt Kallarat-Vranishtit-Brataj. Lëvizja e tyre u krye në kushte të rënda psikologjike, atmosferike dhe fizike. Njëkohësisht gjermanët rifilluan djegien e shtëpive, të bagëtive të mbetura të fshatit, e ndërkohë Kuç po kthehej në gërmadhë.

Pas masakrës së masakrës së “Qafës së Dërrasës” nga italianët, në fshatin Brataj, pushtuesit gjermanë, më 14 shkurt 1944 masakruan barbarisht të trembëdhjetë kuçiotë: Vëllezërit Fikaj: Xhevit, Mustafa dhe Nusret, si dhe Ahmet Iliaz Guhaçi, Bego Ilia Lelo, Çelo Sulo Sulaj, Hekuran Ali Guhaçi, Meto Nurçe Limaj, Qamil Shaze Lelo, Ramadan Shefki Umizi, Ramo Bajram Qorduka, Rushan Isa Korocka dhe Sulo Iliaz Lelo.

Rishikimi dhe vlerësimi i kontributit të fisit Fikaj gjatë LANÇ-it, të cilët tre vëllezërit u “pagëzuar viktima të luftës” në historikun e Fshatit Kuç në vitin 1969. Mbi mbi bazën e ligjit 109/2018 të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, Shoqata e Historianëve Ushtarakë, pasi bëri vlerësimin e figurës së tyre, më propozim të prefektit të Vlorës, Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut pranë Ministrisë së Mbrojtjes ju dha titullin Dëshmor i Atdheut të tre vëllezërve Fikaj, me vendim nr. 858, 859, 861 më datë 21 qershor 2021.

Në Kuç të Kurvelesshit, më 27 tetor 2022 u organizua ceremonia për dorëzimin e Çertitikatave “Dëshmor i Atdheut”, si dhe simboleve të tjera, familjarëve të Mustafa, Xhevit dhe Nustret Fikaj. Vitet sfiduan padrejtesitë. Të afërmit e tyre, bënë të pamundurën, mblodhën dokumentat bazuar në ligjin 109/2018, me ndihmën e pakursyer të Shoqata e Historianëve Ushtarakë, për tu shpallur “Dëshmor i Atdheut”, një titull plotësisht i merituar. Së shpejti eshtrat e tyre do të vendosen në varrezat e dëshmorëve të Kuçit, mbi bazën e një vendimi të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Himarë.

Please follow and like us: