Albspirit

Media/News/Publishing

CEPOJA DHE MANASTIRI I CEPOS, QENDËR E RËNDËSISHME NË LËVIZJET PËR LIRI E PAVARËSI

 

Ing. Luan Pogaçi

Në përpjekjet për pavarësi, për jugun e Shqipërisë, kuvendi i Manastirit të Cepos, është po aq me rëndësi sa dhe Lidhja e Prizrenit për veriun e Shqipërisë…

Akademik Kristo Frashëri

Me këtë shkrim synojmë që të japim kontribut modest për të hedhur më shumë dritë dhe për të  pastruar nga  pluhuri i  harresës Kuvendin e Manastirit të Cepos, këtë ngjarje kaq madhore në përpjekjet për Pavarësinë e Shqipërisë që është zhvilluar mbi 100 vjet më parë.

Nje veshtrim i pergjithshem historiko-gjeografik

Cepoja dhe Manastiri i Cepos ndodhen në cep të Malit të Gjerë, poshtë një prerje shkëmbore, tërthore (disa dhjetra metrash) të pjesës veriore të saj, prandaj dhe vendi quhet “Cepo”.

Përreth Manastirit ka lëndina të bukura, disa hektarëshe, të mbuluara me bar; ka mbi 10 burime uji; të cilat kurorëzohen nga një pyll i madh gështenjash dhe drurësh të tjerë (disa qindra hektarë).

Vendi është një pikë dominante mbi luginën e lumit Drino dhe atë të lumit Belica, duke pasur një vështrim horizontal mbi 270 gradë. Manastiri është quajtur vend i Kuvendeve dhe ikujtesës historike të Labërisë për besimin e hershëm kristian. Në shkëmbin e Cepos janë akoma dhe sot mure të vendbanimeve parakristiane që banoheshin nga murgjërit asketë.

Manastiri është rindërtuar dhe zgjeruar në vitin 1812, datë e cila është e shënuar në kambanën e tij. Kishte disa haure për bagëti dhe ndërtesa për shërbimet e tjera, Kishën dhe banesën e Igumenit dhe shërbyesve të tjerë. Të gjtha këto të rrethuara nga një mur guri i lartë, me një portë druri shumë të madhe dhe anash saj dy pezule për të shaluar kuajt. Manastiri është përcaktuar si monument historik e kulturor dhe ruhet nga shteti, por sot ruhen vetëm kisha dhe ndërtesa e Igumenit të rindërtuara para disa vitesh.

Manastiri gjatë shekullit të XIX ka qenë mjaft i pasur ekonomikisht dhe shumë i frekuentuar si nga të krishterët dhe nga myslimanët (bektashinj) banorë të zonës. Bujtnin udhëtarë dhe luftëtarë të çetave, bëheshin panaire të mëdha dhe festa ku vinin nga krahinat e Labërisë, Delvinës, Përmetit e Janinës.

Situata politike

Me forcimin e bazës ekonomike dhe me lidhjen e kërkesave të klasës feudale shqiptare me fatet e vendit, lindi në gjirin e saj edhe synimi për të krijuar formacione shtetërore të tipit të pashallëqeve, jo të pavarura, por në suazën e Perandorisë Osmane. Arsyeja ishte se ato nuk e ndjenin veten të përgatitur për t’u shkëputur plotësisht nga Perandoria Osmane dhe më tepër kishin nevojë për mbrojtjen e saj pëballë synimeve të fuqive të huaja.

Me përfundimin e kësaj periudhe kaotike, filloi periudha e njohur me emrin ”Rilindja Kombëtare Shqiptare”. I takon pikërisht kësaj Rilindjeje që të kurorëzonte rrugën e gjatë dhe të mundimshme historike me fitoren e Pavarësisë Kombëtare  Shqiptare.

Pluralizmi fetar krijoi një situatë jo të favorshme për lëvizjet kombëtare sepse këto do të vareshin nga 4 qendra universale të huaja siç ishin Kalifati Sulltanor, Kryegjyshata e  madhe Bektashiane, Patriarkana Fanariote dhe Papati Roman.

Përballë përçarjes fituan mendjet e ndritura të Rilindjes Kombëtare, ato anashkaluan preferencat ndaj besimeve të tyre fetare dhe kërkuan rrugëdalje te kultura laike.

Si të tillë të gjithë rilindasit pa përjashtim qenë për shkollën në gjuhën shqipe dhe me përmbajtje laike në të gjitha nivelet e arsimit.

Me nismën e klubit  “Bashkimi” në Qytetin e Manastirit nga 14 deri në 21 Nëntor 1905 u organizua Kongresi i posaçëm dhe kryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri. Këtu u zgjodh një komision i cili do të propozonte alfabetin e gjuhës shqipe. U propozuan dy alfabete, njëri qe ai turk ndërsa tjetri latin. Fitoi ai latin, të cilin kemi ne sot.

Në nëntor 1905 Bajo Topulli sëbashku me një grup atdhetarësh të rinj themeluan në Qytetin e Manastirit një Komitet të Fshehtë Shqiptar me emrin “Për Lirinë e Shqipërisë”.

Në janar 1906 Bajo Topulli krijoi çetën e parë të komitetit në krahinën e Korçës. Disa muaj më vonë, në pranverë të vitit 1907, u krijuan disa çeta të tjera patriotike në Shqipërinë e Jugut të cilat shtuan veprimtarinë e tyre. Në krye të tyre u vu Çerçiz Topulli. Ato kishin parrullën “Ja vdekje, ja liri”.

Me iniciativën e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit dhe me pjesëmarrjen e shumë patriotëve më 23 Qershor 1911 u bë në Gërçë të Malit të Zi  një kuvend i cili miratoi memorandumin me 12 pika, drejtuar Ministrit të Jashtëm të Britanisë së Madhe, Sër Eduard Grej. Ai përmbante në thelb kërkesën për autonomine administrative të Shqipërisë. Por, siç njihet historikisht, ai u rëfuzua nga xhonturqit.

Duke qenë se kërkesat e Memorandumit të Gërçës për Xhonturqit, që kishin ardhur tashmë në pushtet, i trajtonin sikur të ishin vetëm për Malësinë e Mbishkodrës dhe jo për tërë vendin, në këto rrethana krerët e Lëvizjes Kombëtare në Jug, ishin të bindur se mjeti kryesor për njohjen e këtyre këkesave dhe për jugun , do të ishin veprimet e armatosura kundër turkut.

Në bazë të këtij qëndrimi dhe sipas udhëzimeve të Komitetit të fshehtë të Manastirit, u riorganizuan dhe filluan veprimtatarinë e tyre me çeta të armatosura.

Më 17 Qershor 1911 në marrëveshje me qendrën për veprimtaritë Kryengritese në Korfuz, Kurveleshasit shpallën të rrëzuar administratën Turke në Progonat. Çarmatosën xhandarët, u ngrit flamuri kombëtar në të gjitha fshatrat  e krahinës.

Për të çuar më tej gjitha këto lëvizje, më 21  Korrik 1911 u organizua një miting në Manastirin e Cepos me çetat e armatosura.

Sipas gazetës “Liria e Shqipërisë”  të datës 6 Gusht 1911 që botohej në Janinë, në këtë miting, që ishte kuvend i gjerë krerësh të armatsur dhe të betuar “Për Liri a Vdekje” morën pjesë:

  1. Nga Gjirokastra: Besim Vejseli dhe Hasan Xhiku me luftëtarë
  2. Nga Delvina: Namik Bej Delvina me shumë luftëtarë
  3. Nga zona e Labërisë: Shuko Progonati dhe Riza Runa me luftëtarë
  4. Nga Kuçi: Shefqet Gjoleka me luftëtarë
  5. Nga Borshi: Izet Isufi me  luftëtarë
  6. Nga Tatzati: Yzeir Osmani
  7. Nga Filati: Musa Demi dhe Muharrem Rushiti.

Morën pjesë dhe shumë burra të tjerë të dëgjuar si dhe çetat e Gjirokastrës, Sarandës dhe Tepelenës.

Kuvendi shprehu solidaritet me kryengritësit e Malësisë së Veriut dhe hartoi një memorandum, i cili ishte hartuar në frymën e atij të Gërçës. Në të kërkohej të kishte një sistem të vetëm administrativ për gjithë Shqipërinë Veri-Jug për të arritur që gjithë shqiptarët “Të mund të jetonin si element kombëtar”.

Në të i thuhej Portës së Lartë së Luftëtarët e Lirisë do të vazhdonin luftën në male “Në qoftë se qeveria e Perandorisë Osmane akordon reformat e kërkuara në Shqipërinë e veriut, po ato reforma ajo do të jetë e detyruar t’i akordojë njësoj për Shqipërinë e Jugut, për të ruajtur integritetin e kombit shqiptar, sepse në qoftë se këto reforma nuk përgjithësohen në gjithë Shqipërinë do të jetë rrezik i madh jo vetëm për Shqipërinë e Jugut, por për gjithë Perandorinë Osmane”.

Në memorandum kërkohej gjithashtu që kryengritësit e veriut dhe çetat e luftëtarëve në jug të mos ndiqeshin nga qeveria Osmane, përndryshe vendi do të detyrohet të hidhet  në kryengritje, që shkollat të jenë në gjuhën shqipe me alfabet kombëtar. Më poshtë memorandumi kërkonte që qeveria të bënte amnisti për të githë luftëtarët.

Memorandumi ju dërgua Qeverisë Xhonturke në Stamboll me anën e Mytesarifit të Gjirokastrës, kopje të tij hartuar në Frëngjisht ju dorëzuan  përfaqësuesve konsullore të fuqive të mëdha në Janinë dhe shtypit Europian, me nënshkrim nga 43 personave, përfaqësues të Gjirokastrës, Delvinës, Filatit, Kurveleshit, Tepelenës, Përmetit dhe Himarës.

Pas përfundimit të Kuvendit pjesëmarrësit u shpërndanë nëpër krahinat e tyre për organizimin dhe zgjerimin e kryengritjes në të gjithë Jugun e Shqipërisë.

Rëndësia e Kuvendit të Cepos dhe vendimeve që u morën prej tij është e madhe. Menjëherë pas kësaj morën hov lëvizjet kryengritëse në gjithë zonat.

Lidhur me këtë Kuvend konsulli austrohungarez në Janinë Frosard, më 3 Gusht 1911 raportonte: Çeta e Delvinës numëron mbi 600 vetë, një pjesë e saj flitet se ndodhet në afërsi të Arinistës, kurse çeta e Frashërit jo më e vogël numerikisht vajti deri në Përmet ku u bashkuan edhe banorët. Në Tepelenë, brenda pak ditëve, pati një organizim prej 300 vetësh, 400 të tjerë të ikur nga Gjirokastra gjenden në mal disa orë larg qytetit, 200 kryengritës janë mbledhur në Progonat. Aty janë mbledhur dhe kryetarët e organizatave dhe po konsultohen për të ardhmen e afërme në lidhje të ngushtë me Ismail Qemalin, shpirtin e lëvizjes dhe udhëheqës të tjerë ne \veri”.

Numri i përgjithshëm i personave pjesëmarrës në kryengritje vlerësohej në 2000-3000 vetë.

Në të njëjtën kohë, Qeveria Turke nisi kundër kryengritësve  një ushtri prej 8000 vetësh. Në Shtator 1911 në Kardhiq çetat shqiptare sulmuan ushtrinë turke dhe gjatë luftimeve zunë robër 20 ushtarë dhe 1 oficer.

Vendimet që u morën në këto Kuvende shënuan një hap përpara drejt formimit të Shtetit Kombëtar Shqiptar dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Përse u zgjodh Manastiri i Cepos për këtë kuvend? Mendoj se ka disa arsye:

-Pozicioni Gjeografik. Këtu kryqëzohen që në lashtësi  rrugët për Kurvelesh, Finiq – Delvinë-Sarandë- Çamëri, Lunxhëri, Përmet, Tepelenë dhe ka një fushëpamje mjaft të gjerë.

-Mundësia për t’u larguar me shpëjtësi pa u diktuar në rast rreziku.

-Banorët  e fshatit Plesat, në afërsi të manastirit, pjestarë të çetës së Çerçiz Topullit, ishin në mbrojtje të Kuvendit.

– Manastiri  ishte mjaft i pasur për të përballuar shpenzimet e Kuvendit

-Igumeni i Manastirit ishte një patriot i madh për lëvizjen për pavarësi (Këtë e tregoi dhe në 1914 dhe në luftën N.Çl.]. Po ashtu Kisha dhe shteti Grek kishte interes që të mos kishte në  kufijtë e saj veri-perëndimore pushtuesit turq. Për këtë rast interesat  puqeshin.

 

Please follow and like us: