Albspirit

Media/News/Publishing

Iku në përjetësi dhe njeriu i mirë Rasim Shira

Fatos Daci, Mjeshtër i Madh
Dhe një lajm i trishtë: Iku në përjetësi dhe njeriu i mirë Rasim Shira. Iku i shkathëti, i sjellshmi, gojëmbli, humani, i papërtuari, njeriu i lidhur aq fort me njerëzit, familjari shembullor, shoku dhe miku besnik, dernjani që i kishte lezet; njeriu që shkëlqeu në disa fusha. Rasimi shkëlqeu si valltar që në mosdhë fare të vogël, shitës në dyqanin e arrikujve industrial në Zall-Dardhë, si shofer i Skoda-ve internacionale, si biznesmen, si sportist, si mundës i dalluar. Njeri i mirë, i vlerësuar institucionalisht dhe publikisht, sepse e meritonte çdo lëvdatë.
Dardhës dhe Dibrës do ju mungoi gjatë një burrë i nderuar si Rasim Shira. Boshllëku që ai do të lë, mbase nuk mbushet për vite e vite. Keqardhje pa fund. Ngushëllime të ndjera familjes së të ndjerit, fisit Shira, të afërmve, miqve dhe shokëve të pafund të Rasim Shirës!
Ja, kush ishte Rasim Shira:
“Mjeshtër Sporti”, President i ekipit të Mundjes dhe i Dhomës së Tregtisë së prefekturës së Dibrës, “Qytetar Nderi”
U lind në Zall-Dardhë (12.2.1955), në një familje atdhetare.
Është i biri i Shaqir Shirës, njërit nga burrat më autoritar për kohën e tij në Dardhë. Shaqiri është bashkëthemelues i Grupit Artistik të Zall-Dardhës dhe ka drejtuar edhe Shtëpinë e Kulturës të kësaj zone. Si përfaqësues i organeve të pushtetit dhe i organizatave shoqërore e politike ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin kulturor në zonë .
Ka punuar në Hidrocentralin e Fierzës (4 vjet ), shitës në dyqanin e artikujve industrial në Zall-Dardhë dhe kohën tjetër (deri 1990) ka punuar në Parkun e Mallrave Peshkopi, eksport me vendet evropiane. Për punë të palodhur është nderuar me urdhra e medalje të kohës.
I është kushtuar edhe lëvizjes artistike. Për shumë kohë ka qenë një valltar i talentuar i ansamblit të Zall-Dardhës dhe i Ansamblit “Dibra”. Ka marrë pjesë në disa festivale kombëtare. Ka marrë medalje me vallen e brezave.
Sportit të mundjes iu përkushtua në vitin 1969, kur mori pjesë në Spartakiadën e shkollave të mesme me ekipin e mundjes së “Vllaznisë”, sepse në atë kohë ndiqte mësimet në shkollën e mesme industriale në Shkodër. Nga ky çast ai rreshtohet në ekipin e të rinjve dhe në Korçë shpallet kampion. Më 1969 kalon tek ekipi i rriturve dhe në vitin 1972, vesh fanellën e ekipit të “Korabit”. U shpall kampion në spartakiadat kombëtare në Tiranë dhe në Elbasan. Zë vend të parë në takimet ekipore në Shkodër dhe fund të vitit 1975, shpallet kampion kombëtar. Deri në vitin 1977, u shqua si mundës i përgatitur dhe me kurajë, që njihte vetëm fitore. Rasim Shira ka korrur 13 fitore dhe është duartrokitur kudo e, sidomos, në Shkodër, ku konsiderohej si të ishte sportisti i ekipit vendas “Vllaznia”.-shkruan në kujtimet e tij Genc Bardulla, një nga veteranët dhe dashamirësit e “Korabit”.
Për sukseset e arritura shpallet “Mjeshtër Sporti” (1977), por pikërisht në këtë vit pëson defekt në shpatull dhe detyrohet të largohet para koha prej këtij sporti që e kishte aq shumë për zemër. U largua nga tapeti, por nuk u largua nga sporti. Përkundrazi, u vu më në ballë- për dy mandate radhazi është zgjedhur president i Ekipit të Mundjes të “Korabit”.
Është për t’u theksuar se ekipi i Mundjes së “Korabit” me president Rasimin, falë përkushtimit financiar të tij, është ekipi më i suksesshëm në Dibër dhe jashtë saj. Ekipi i Mundjes “Korabi” ka sjell nga çdo veprimtari kombëtare që është zhvilluar kupën e aktivitetit dhe dhjetëra e dhjetëra tituj kampionësh. Prandaj, kontributi i tij në sport është i jashtëzakonshëm dhe duhet marrë si model për ekipet e tjera të Dibrës e të vendit, si dhe nga dibranët e tjerë.
Në periudhën 2000-2005, është zgjedhur president i Dhomës së Tregtisë së Prefekturës Dibër.
Me kurajë i ka hyrë rrugës së biznesit. Ka arritur suksese të dukshme me firmën e tij “Shira Eksport-import” dhe aktualisht merret me veprimtari ekonomike private.
Të shumtë janë rastet kur Rasimi u është gjendur pranë njerëzve në nevojë dhe të sëmurë dhe i ka ndihmuar me të gjitha mundësitë. Është një njeri i dashur, i komunikueshëm dhe shumë human.
Është shpallur “Qytetar Nderi” i Zall-Dardhës dhe i Dibrës.
Please follow and like us: