Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Kur egoja s’ka të ndalur, shuhet ndjesia shpirtërore

Në momentin që njeriu fillon ta kuptojë ambicien, dëshirat nuk rreshtin së linduri. Sikur t’i jetojmë me miliona jetëra, do tē kemi ambicie të radhës që presin për t’u realizuar.

Egoja është timoni kryesor që i mbizotëron ambiciet e njeriut. Ambiciet e shëndosha – në mendjen e shëndoshë, do të ishte formula ideale por egoja nuk e lë me kaq sepse nuk ka limite të shëndosha, ngase ajo duhet të ngadhnjejë gjithmonë.

Njeriu sa jeton ëndërron, sa jeton dëshiron dhe është e drejtē tē punojē rreth realizimit të këtyre dëshirave dhe ëndërrave, sepse mbi të gjitha arritjet dhe sukseset të sigurojnë një status autoritativ në shoqëri.

Por, çka kur egoja s’ka të ndalur?

Inatet, xhelozitë, lakmitë, tradhëtitë dhe kurthet njerëzore e kanë zanafillën në egon e pakontrolluar. Kur ngadhënjen egoja e pakontrolluar, statusi njerëzor fillon të katandiset dhe dalëngadalē të humb shkëlqimin e vet.

Kjo sepse veprimet njerēzore nuk janē në harmoni me shpirtin, por me egon. Arritjet e egos janë kënaqësi momentale, ndërsa kënaqësitë shpirtërore janë permanente sepse prekin çdo qelizē të trupit të njeriut duke e ndriçuar dhe shëruar atë. Egoja harxhon energjinë e njeriut pa kthim, përderisa përmbushja shpirtërore rigjeneron dhe pasuron energjinë mendore dhe emocionale.

Andaj, kur e arrini një status të kënaqshëm në shoqëri dhe keni realizuar ambiciet e  egos tuaj deri te kufijtë normalë, kthehuni nga gjërat që ju japin qetësi dhe lumturi të mendjes, trupit dhe shpirtit.

Kur ështē shpirti i lumtur është edhe zemra, trupi dhe mendja e lumtur. E kur këto trija janē të lumtura, egoja largohet nga skena dhe njeriu e do veten, jetën dhe çdo gjë që e rrethon. Ky është kuptimi i jetës dhe bukuria e të jetuarit.

Dhuroni, ndihmë, kujdes, respekt dhe dashuri për veten dhe të tjerët, sepse këto veprime ju ngrejnë në frekuencën e suksesit dhe përmbushjes së vazhdueshme shpirtērore!

Please follow and like us: