Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: ËNDRRA E NJË DASME

 

Ishte bukur të shihja nga errësira e dhomës, errësirën jashtë. Me këto mendime më zuri gjumi dhe në atë gjumë të shqetësuar pashë në ëndërr veten time fëmijë, në mes të dasmorëve në atë fshat të humbur. Ecja mes burrave dhe grave që ishin veshur si për festë, por ndjehej në lëvizjet e tyre dhe veshjet, aroma e pluhurit dhe lodhja e fshatit. Prindërit e mi nuk i shihja askund, por mbase babai gjendej jashtë me burrat të ulur nën bythët e pemëve duke pirë raki e duke folur me zë të lartë për nusen që do të vinte, ndërsa nëna gjendej brenda shtëpisë së thjeshtë e të varfër duke ndihmuar për përgatitjen e mijëra atyre gjërave të vogla që duhen për festën dhe ardhjen e nuses. Dhëndrri ishte ulur në një tavolinë dhe mendohej duke lëvizur herë pas here karrigen. Atëherë nuk kishte makina apo shtëpi të bukura me pllaka, banjo të shndritshme dhe ujë brenda shtëpisë. Në shtëpitë e fshatit, banjo quhej një si kasolle e ndërtuar me dërrasa e trungje pemësh apo me qerpiç në fund të oborrit ku gratë vinin enë e qypa me ujë të freskët pusi që ndodhej zakonisht në njē cep të oborrit. Uji nxirrej jashtë me kova e cila varej nga një çengel e një litar si ata që lidhnin gomerët e kafshët e punês. Atëherë nuk kishte as salla plot dritë e magnetofonē e të tjera si nëpër restorantet ku bëhen dasmat sot, por fshatarët sheshonin njē copë vend ku dikur më parë kishin mbjellë grurë apo misër dhe atje vendosnin ca tavolina e stola të gjatë druri që mezi mbaheshin në këmbē si kafshë të lodhura e të sëmura. Nga brenda shtëpisë nxirrnin jashtë një fill elektrik dhe vinin në mes të fushimit një apo dy poça të mëdhenj, por më shumë atë e ndriçonin hëna dhe yjet, se dasmat bëheshin në kohë të mirë, në fund të verës apo në shtator. Ndryshe nga sot që dasmat bëhen vetëm një ditë, zakonisht të shtunën për vajzën dhe të dielën për djalin, ose edhe gjatë ditëve të tjera të javës, ku ftohen njerëzit për drekë dhe të ftuarit më të largët vijnë veç një orë përpara fillimit të drekës apo edhe më vonë dhe pas disa orêsh gjithçka mbaron. Ndërsa kohë më para dasmat fillonin të ndjeheshin që një javë më parē nga përgatitjet, vizitat, kërcehej e këndohej e thereshin viça e bagëti dhe të gjithë njerëzit e fshatit, të mëdhenj e të vegjël sundonin fushën me këngët e me vallet e tyre, dhe më të zellshmit apo kureshtarët rrethonin orkestrën e përbërë zakonisht prej njerëzve me ngjyrë që ia merrnin shtruar me këngë e melodi popullore. Ndoshta u zgjata shumë, por e bëra këtë për tu rikthyer kujtesën njerëzve dhe vetes, si bëheshin dasmat atëherē dhe ata që kanë lindur këtyre viteve, këto gjëra nuk kanë si ti dinë më. Sado që në ambjente të varfra, kishin një bukuri të rrallë, një bukuri qē po zhduket, ashtu si shumë gjëra të bukura të popullit shqiptar po zhduken, që njëherë e një kohë ishin si mezja e jetës. Tani shqiptari s’është asgjë tjetër veçse një kopje e kllonuar e perëndimit, që kërkon të bëhet evropian modern, pa qenë fare i tillë. Unë nuk i mbaj mend edhe aq mirë ato që ndodhnin në dasmat tona se kanë kaluar kohë qëkurse jam larguar, por më ka mbetur në mendje çastet kur vinte nusja, dhe ato këngët që i këndoheshin asaj dhe dhëndrrit. Kam marrë pjesë në shumë dasma të tilla dhe do doja të isha akoma në një dasmë fshati , të isha përsëri në atë dasëm qē më ka mbetur në mendje, por i dyfishuar, nëntëvjeçar me këpucën e nuses në dorë dhe tani tridhjetvjeçar , i kthyer nga vitet e gjata të emigrimit duke hequr përsëri atë këpucë. Të dy së bashku, ai i hershmi dhe unë i tanishmi duke vendosur lehtaz gishtërinjtë tek këmba e artë e nuses dhe duke ndjerë nga brenda një zjarr oxhaku shpirtëror që s’mund të shuhet. Dhe ku si për inat apo si për qejf të vet , nxorri kryet tek unë poeti, ai që më pas do të ecte nē harmoni me gjërat e kësaj bote, por që herë pas here do t’i kundërshtonte ato, madje do t’i përbuzte e përdhoste. Ëndrra që pashë ishte shumë e shkurtër, sa një rrahje krahësh të një fluture, vetëm pak sekuenca si të shkëputura nga një film i vjetër. Unë mes fisit tim e të katundarëve, unë duke përgjuar nusen dhe gratë tek këndonin, unë duke i hequr nuses këpucën sipas zakonit, ku brenda gjendej edhe një dhuratē për djalin që bënte këtë rit. Nuk mbaj mend pse më zgjodhën mua, ç’kam bërë më tej në atë dasmë, kush ishte e kush nuk ishte, sa mish u ther e sa poçe me raki u pinë, kush u deh e kush u sha, kush kërceu e kush harboi, mbaj mend turbull vetëm fytyrën e nuses, që në ato çaste më ngjau me engjëllin dhe që unë në jetēn e mëvonshme kam dashur ta mbaj të tillë në mendje, për të mos prishur magjepsjen e ndjesisë dashurore prej fëmije. Më vonë e kam parë shpesh atë nuse, për pak kohë shtangesha kur e shihja, gjersa kur erdhi një kohë kur kaloja përpara saj indiferent dhe pa ia hedhur fare sytë, sepse ajo që unë kisha ndjerë në shpirt nuk ishte më, kishte mbetur nga ajo vetëm një grua si gjithë gratë e tjera dhe ajo ajo nusja, Hirushja, kishte mbetur larg, tek ajo shtëpi fshati, tek ajo dhomë me çilte e qilima, kur unë i hoqa këpucën dhe doja t’i vija instiktivisht buzët e mia mbi cipën e këmbës së saj të bardhë. Së fundmi, ajo ka mbetur si një imazh i varrosur thellë kujtesës sime.
Kur u zgjova kanatet e drunjta ishin tē hapura dhe përveç të ftohtit binte një shi i imët dhe jashtë nga dritarja nisa të vêshtroja qiellin që luhatej ndërmjet dritës dhe errësirës dhe çatitë e shtëpive, siluetën e malit, si objekte pa jetë, të ngrira si një sfond mes reales dhe irreales. Ishte ende herët dhe u përpoqa të flija përsëri. Nuk e di përse, po pas ëndrrës, ndjehesha më i lehtësuar, brenda meje provoja një sens sikur të kisha rilindur, më duket sikur kam rilindur me mijëra herë të tjera më parë , pas shtrëngatave dhe hiçit të vetes. Tani me dritë fikur shihja nga dritarja vetëm një copë qiell që po zbardhte dhe majat e antenave.
Please follow and like us: