Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: KALLARATI I HISTORISË, TRIMËRISË, MENÇURISË DHE KËNGËS LABE

(Në përkujtim të bijëve të rënë për truallin arbëror të fshatit të mirënjohur të Kallaratit: Çelo Mustafa Boshi  1876 – 1914, rënë në moshën 38 vjeçare, Dervish Sali Maçi 1887-1914, rënë në moshën 27 vjeçare, Hyso Balil Xhaferaj 1859-1914, rënë në moshën 55 vjeçare, Murat Avdul Demiri 1873-1914, rënë në moshën 41 vjeçare, Ramadan Muhamet Hoxha 1875-1914 , rënë në moshën 39 vjeçare më 14.7.1914 në luftë kundër andartëve, që të pestë janë shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr. 33 datë 26.6.1974 në kuadër të 60 vjetorit të rënies së tyre; Xhevair Musa Golloshi 1901-1920, në moshën 19 vjeçare në Luftën e Vlorës; në përkujtim të 20 dëshmorëve të LANÇ-it: Mumin Selam Bajramaj (Hero i Popullit), Adil Lame Petanaj, Ali Birçe Ribaj, Ali Sulo Memushaj, Avdul Demir Demiraj, Ferik Miftar Golloshaj, Ferik Teslim Strataj, Filo Faslli Breshanaj, Hamdi Shuaip Sheraj, Hamza Malo Qejvanaj, Hasan Laze Qejvanaj, Islam Tasim Janjaj, Lelo Dine Habilaj, Nelo Nazer Hysaj, Nexhip Shuaip Sheraj, Nuredin Selam Breshanaj, Ormen Boro Ribaj, Shuko Ramo Karabollaj, Tare Çelo Gjonaj dhe Zyber Shuaip Sheraj).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Historia e fshatit Kallarat është një copëz e historisë së Labërisë. Ajo është e mbushur me akte trimërie e heroizmi, sikurse gjithë historia e trevës labe. Dikur Kallarati ishte i vendosur në Kunjovë. Kallarati ka qenë qendër administrative, Nahije. Ky fshat ka administruar fshatrat që ndodhen sot dhe që nuk ishin në atë kohë në territorin e Kuçit, Bolenës, Vranisht e Tërbaçit, që i përket shekujve XII-XV, ndërsa administrimi bëhej nga një kadi. Më 1566 deri më 1575 ka qenë në vartësi të Kurveleshit me qendër në Progonat, që varej nga Sanxhaku i Vlorës. Në vitet 1575 deri 1860 ka pasur pleqësi, që varej nga Kazaja e Kurveleshit, Sanxhaku i Delvinës, më tej nga Gjirokastra deri më 1885, me qendër Progonatin. Më 1914-tën pleqësia e Kallaratit varej nga Komuna e Himarës, Prefektura e Gjirokastrës. Më tej nga Kuçi që administrohej nga nënprefektura e Gusmarit (1921-1945). Vitet që rrodhën qendrat e drejtimit të këtij fshati historik kanë qenë si qendër lokaliteti. Vitet 1949-1955 Këshilli Popullor i Kallaratit varej nga lokaliteti i Kuçit, rrethi i Kotës; vitet 1956-1975 varej nga lokaliteti i Kuçit, rrethi i Vlorës. Vitet 1975 – 1992 Kallarati ka pasur Këshill të Bashkuar së bashku me fshatin Bolenë me qendër në Hundë të Xhepe; ndërsa në demokraci Kallarati varej nga Hora e më tej nga Himara, Prefektura e Vlorës. Kallarati i përket Kurveleshit të Poshtëm, e njësisë administrative Vranishtit të bashkisë Himarë dhe që shtrihet në të dy anët e rrjedhjes së lumit Shushicë. Kallarati ka fqinj Bolenën, Vranishtin, Kuçin, vargmalin Bogonicë-Gjonthana, fshatrat e Bregut Pilur, Himarë e Vuno. Me fshatrat e Bregut është “një shtëpi me dy porta”, një traditë marrëdhëniesh e mirëkuptimi nëpër shekuj, si dhe ka një sipërfaqe rreth 30 km². Kallarati është fshati i Kurveleshit, në lartësi mesatare 354 m mbi nivelin e detit, me klimë jo shumë të ashpër. Fshati “Kallarat” përmendet për herë të parë në defterin osman të Halil Inalxhik (historian turk) të vitit 1431-1432, Ka(l)lojrat, më 1507 Kiljorat, pastaj Calojerates në dy letra, njëra dërguar Papës së Romës më 1581 dhe tjetra careshës së Rusisë më 1759. Prapashtesa e vjetër “at” është iliro-shqiptare për emra fisesh, ka pushuar së përdoruri qysh prej kohësh shumë të vjetra. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një fshat të fillimit të mijëvjeçarit II-të, mendohet të një moshe me fshatin Zhulat-Fushëbardhë të Papa Zhulit apo Progonatin e Progonit. Sa i përket pjesës tjetër “kallar”, sot nuk ngjan me ndonjë fjalë të shqipes. Trajta “Calojerates” e dokumentit italian, përsëritet dhe në dokumente të mëvonshme. Mendohet se Kallarat do të thotë pasardhës i Kallojerit, që është themeluesi i fshatit. Fshati fillimisht ka qenë i vendosur në Kunjovë, që flasin toponimet Qafa e Kallarate dhe Arat e Gjokone. Në këngët e vjetëra thuhet se ka qenë fshat i madh, me dyqane e me xhami. Më vonë fshati u shpërngul në rrëzë të malit të Bogonicës, në vendin rrëza e Pelingrisë. Largimi nga vendbanimi i vjetër dhe vendosja në rrëzë të malit të Bogonicës ka ndodhur rreth viteve 1660-1720 mendohet si rezultat i rënies së kolerës, që vërtetohet edhe me dokumente të tjera arkivore, që lidhet edhe me lëvizjen e shumë banorëve të fshatrave të tjera në Kaoni dhe bregdet. Kallarati përbëhet nga lagjet Gjinaj, Gjokon, Gjizes, Mërtigjin, Misërgjon, Qesëraj, që degëzohen në vëllazëri të shumta dhe të pleksura nëpër shekuj. Në periudhën 1716-1720 misionarët bazilianë të trevës himariote thoshnin se Kallarati mbetej ende një ndër katërmbëdhjetë fshatrat e krishtera të krahinës së Himarës, por pas vitit 1759 familje myslimane në Kallarat kanë qenë ende në pakicë, ndërkohë që jeta e vështirë ekonomike, pushtimi dhe islamizimi mund të kenë  marrë zhvillim nga fundi i shek. XVIII e deri në fillim të shek. XIX. Pas ndërrimit të besimit Kallarati ngriti xhami në qendër të fshatit të djegur, megjithëse xhamia u kthye më vonë në shkollë.

Kallarati përmendet si pjesëmarrës aktiv në të gjitha lëvizjet kundër osmanëve, në kryengritjet e mëdha, të Gjergj Arianitit më 1432, në kryengritjet e përgjakshme të viteve 1481-1537, që e bënë të njohur Labërinë dhe Himarën në rrethet europiane. Një dokument i 15.5.1507 tregon se “në defterin e haraçit janë shënuar si “kryengritës kokëfortë”, duke qenë kryengritës dhe pjesë në kuvendet krahinore të 1577, të vitit 1581, që ju drejtuan Papës së Romës për ndihmë, në kuvendin e 1579-s, që i kërkuan ndihmë careshës Elisabeta të Rusisë. Më 1847 ishin kundër reformave të Tanzimatit dhe luftëtarët e Kallaratit u prinë nga Dervish Aliko Kallarati, Lame Petani, Meçe Haxhi Meçaj e Birbil Hasan Toçi, që ishin edhe nënshkrues të letrës së 15.8.1847, ku 89 krerët e kryengritjes iu drejtuan për ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Sikurse shkruan Profesor Rami Memushi, Prijës popullor nga Kallarati Meçe Meçaj (1790-1847), Lame Petani (rreth 1800-1847) dhe kajmekami Dervish Qejvani (1805-1847), Birbil Toçi (1810-1847), fillimisht u burgosën në kalanë e Gjirokastrës dhe më tej, si prijësa kryesore të kryengritjes kundër Tanzimatit më 1847, të kapur pas dështimit të kryengritjes nga kosharet osmane janë ekzekutuar me varje në litar qendër të vilajetit në Janinë. Kallarati, Kurveleshi, Labëria, nuk u nënshtruan kurrë prandaj edhe kënga thotë: “Kallarat, Kuç e Bolenë,/në lum e zunë dyfeknë”, këngë që frymëzuan mjeshtrin e punimeve në guri, Agim Mataj të punonte artistikisht një pllakë kushtuar kësaj lufte dhe të vendosur në Koprift, si vend ku simbolizon tre fshatrat Kallaratin, Kuçin e Bolenën, buzë të rrugës për t’u parë nga kalimtarët. Pjesë e rrebelimit kallaratas ishte edhe kundërshtimi i prerë ndaj dhunës gjakatare të trupave të Ali pashë Tepelenës të viteve 1800. Edhe në luftrat për nderin e shqiptarizmës për mbrojtjen e Janinës më 1854, më 1878, më 1997 Kallarati është shquar për trimëri e vendosmëri në mbrojtjen e truallit të të parëve. Ata morën pjesë me trupa luftëtarë të paepër edhe për mbrojtjen e trojeve në veri bashkë me Zenel Gjonlekën e Myslim Gjolekën. Në të gjitha betejat e historisë Kallarati është dalluar për frymën atdhetare e luftarake në mbrojtje të jetës, fshatit e krahinës, por edhe më gjerë. Çeta luftarake e Kallaratit me 26 luftëtarë nën komandën e Hodo Kalem Shakaj dhe udhëheqësit shpirtëror Sinan Lame Petanit, ishin pjesëmarrës në mësymjen e forcave të Kurveleshit të 9.2.1878, të drejtuara nga Myslim Zenel Gjonleka kundër forcave greke të zbarkuara nga Korfuzi e zbrapsjen e tyre në fushën e Vrinës dhe pushtimin e Kalasë së Lëkurësit. Çeta e Kallaratit, Kuçit e Bolenës morën pjesë në luftimet mbi kala, ku ngelën të vrarë dy luftëtarë, Balil Xhaferi (1830-1878) e Dalan Qejvani (1840-1878), sikurse shkruan ish-ushtaraku madhor Xhemil Çelaj. Ndërsa trimi Dajlan Qejvani (1840-1878) është vrarë në luftimet e përgjakshme në Luftën e Lëkurësit në shkurtin e 1878-ës. Kallaratasit janë shquar edhe në luftimet për mbrojtjen e Janinës. Të tillë ishin luftëtarët kallaratas Likë Brahimi (1878-1913), Ali Golloshi (1882-1913), Bilbil Hysaj (Dautaj) (1879-1913), që ranë në “Pesë Puset” mbrojtje të Janinës, ku janë varret e labërve, sipas detyrës së vënë nga qeveria e Ismail Qemalit, dhe ende nuk ka vendim juridik për shpalljen “Dëshmor”. Në prag të pavarësisë më 1912, Kallarati kishte të gatshme çetën e tij luftëtare, për përballimin e të papriturave që fqinjët synonin për të grabitur troje shqiptare me luftë dhe me diplomaci në bashkëpunim me Fuqitë e Mëdha, ku kishin gjetur mbështetje.

 

Përgjakje dhe mbijetesë për nder dhe dinjitet kombëtar

Andartët grekë në synimet e tyre ndaj tokave shqiptare kishin një strategji që buronte që nga platforma e “Megaliidhesë” greke e 1844-ës si e “Naçertanies” serbe, që ruhen edhe sot në sirtarët e antishqiptarizmës, nxirren herë pas herë hapur apo fshehtas kundër interesave shqiptare. Fuqitë e mëdha nisur nga interesat kanë mbështetur fqinjët tanë haptas ose fshehtas në realizimin e platformave të tyre. Në Nëntor 1912 repartet greke nën komandën e Spiro Milos zbarkuan në Himarë me qëllim të siguronin krahun veri-perëndimor Vorioepiriot me anë të pushtimit të moslejonin shtrirjes së pushtetit të qeverisë së Vlorës përtej Qafës së Llogarasë. Në një telegram të komandantit të garnizonit të Kuçit në Kurvelesh të datës 8.12.1912, drejtuar Kryetarit të Qeverisë së Përkohëshmë, Ismail Qemalit shkruhet: “Sot në Liman të Palermos nën roje të dy kryqëzorëve, kanë dalë dy vaporë transporti me ushtarë grek”. Qeveria e Vlorës ishte në fillimet e veprimtarisë së saj e në rrethana krejt të pafavorshme sepse hapësira gjeografike ku vepronte ishte e kufizuar dhe mundësitë materiale i kishte të pakta. Ismail Qemal Beu më 9.12.1912 i kthen përgjigje komandës së garnizonit Kuç: “presim nga zelli juaj patriotik.. për të ruajtur katundet tuaja..”. Krahinave të jugut të Shqipërisë u mbetej të përballeshin me forcat e ushtrisë greke e andarte që përpiqeshin të realizonin synimin e tyre. Në krahina dhe fshatra u krijuan komisione për të drejtuar luftimet kundër forcave greke. Ne 26.12.1912 Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare të Delvinës Mehmet Ali Pasha, i drejton telegram Ismail Qemalit: “Për t’i bërë ballë sulmit të grekëve në Himarë duhet të përqëndrohen nëpër postet e asaj ane rezervistët e vullnetarët e fshatrave të lidhura me kazanë e Vlorës, si ato të Kuçit, Bolenës e Kallaratit.” Lufta kundër fqinjëve jugorë më 1912-1914 ishte lufta e popullit të vetorganizuar për të mbrojtur çdo pëllëmbë tokë. Kallaratasit u bënë pjesëmarrës aktiv në këtë luftë. Ata i bënë kërkesë Qeverisë së Vlorës për ndihmë në armatime. Selam Barjami, Beqir Ribaj e Ramo Karabolli sollën 60 armë në fshat, ndërkohë që fshatrat e kurveleshasit përpiqeshin të organizoheshin, forcat greke filluan sulmin për të hyrë në brendësi të krahinës ku u ndeshën fillimisht me armët e barinjve, sikurse u zhvilluan ngjarjet edhe në Gjothanas ku kallaratasit Muço B. Karabolli, Yzeir M. Ribaj, Maliq Boshi, Sali Maçi me të birin Dervishin i pritën me armë pushtuesit. Këta ishin barinjtë kallaratas që ndodheshin me bagëtinë e tyre në Vumlo të Pilurit dhe që luftuan për orë të tëra me forcat greke. Ishin pikërisht këta barinj kallaratas që provuan torturat greke në burgun famëkeq të kalasë së Korfuzit. Nga torturat shtazarake të Korofillaqisë greke vdiqën që të katërt prej tyre veç djaloshit energjik 27 vjeçar Dervish Sali Maçi, që mundi të arratisej, por që do të vritej më vonë në mbrojtje të fshatit të tij. Ndaj kënga thotë: “..Gjothanas sipër në gropa, lufton sa dridhet Europa…”. Kallarati ishte ndër fshatrat e parë që u gjakos rëndë në përpjekje me bandat andarte greke. Gjatë vitit 1913 dhe gjysmën e parë të 1914, në skenën politike ndodhën ndryshime. Qeveria e Vlorës dhe Ismail Qemali ja dorëzuan pushtetin KNK-së. Vetëdija popullore shqiptare ka qenë në lartësinë e misionit atdhetar të kohës. Më 14.7.1914 forcat andarte me një udhërrëfyes shqiptar, sulmuan Kallaratin nga disa drejtime. Fshati krijoi Komisionin e Mbrojtjes të përbërë nga Hyso Balil Xhaferi, Selam Barjami, Alem Toto, Hodo Shakaj dhe Lame Petani. Për organizimin e mbrojtjes fshati kishte në dispozicion 121 burra e 38 gra, që u bënë pjesë e “murit të gjallë” që bëri historinë, që ngelën në këngën “..çpaskej një telim të mirë,/Dyzetë burra një të shtirë,/plumbat vinin zinxhirë…”. Komisioni dërgoi Birçe Guxhë Ribaj te Spiro Milua në Himarë për t’i bërë të qartë se territori i Kallaratit nuk do të lejohej të shkelej nga këmba e andartëve e ushtarëve grekë, edhe përpjekja quhet e pasukseshme. Tabori i andartëve grekë gjiritas (Kreta) dhe nga Korfuzi u ndesh në qëndresë të ashpër. Kallarati sikurse gjithë Labëria ishte një truall i zhuritur nga luftrat, me dëshmi historie, me varret e të rënëve në luftra, me këngë trimërie, me gjuhën e bukur shqipe si “nishani” që e dallon nga kombet e tjera dhe kolonë vertebrore të përhershme atdhetarie. Prandaj tradita vazhdonte. Armiku pritjej vetëm me pushkë. Luftëtarët e Kallaratit zhvilluan luftime vetëmbrojtëse kundër më se 300 forcave ushtarë e andartë, të veshur të gjithë me rroba civile, të ardhura nga Korfuzi nën komandën e kapiten Kromidhas Culaqis. Mëngjesi i 14 korrikut 1914, filloi me sulmin e befasishëm në drejtimin Pilur-Kallarat. Grekët, përgjatë kreshtës së malit të Vetëtimës, në vendin ku ndahen mali i Kallaratit nga i Himarës, u ndeshën në zjarrin e befasishëm të çetës së Kallaratit, ndërkohë që sulmi u përsërit disa herë duke futur forca të reja. Vullnetarët kallaratas u tërhoqën më në thellësi, duke zënë vijën Lartësitë e Gjothanasit-Kodrat e Valit të Mesëm dhe pjerrësitë jugperëndimore e perëndimore të malit të Bogonicës. Çeta e Kallaratit e gjendur nën trysninë e forcave të shumta greke, zhvilloi mbrojtje të manovruar, nga vija në vijë. Çeta organizoi prita me forca të përqëndruara në Shalë të Prrallit, në Majë të Gjurasisë dhe në majën e Gjondreut. Veprime më të fuqishme mbrojtëse trimat e Kallaratit organizuan në vijën maja e Gjimufit-maja e Gjashtës-Harcen e Ramanit dhe të Verieshtit. Grekët andartë me kallauz në formacionet e tyre u afruan nga drejtimi i Vranishtit për në Kallarat, nga shpina e çetës. Ndërkohë luftëtarët zunë pozicione më të përshtatshme në afërsi të fshatit për t’i shpëtuar rrethimit dhe këtu andartët pësuan humbje të shumta pranë burimit të Kocevrebës. Për hakmarrje, komandant Kromidha Cullaqis u hodh në sulm, por u vra nga zjarri i armëve të kallaratasve nga ndërtesa e xhamisë së fshatit. Bijtë e gjalmëzezave vranë jo vetëm komandantin e grekërve por sipas porosisë së kapedanëve “gjuani në mish” dhe bëni kërma. Në këtë luftë bashkë me kallaratasit ishte bashkuar edhe Nase Beni dhe Pilo Beni. Beteja e 14-tës në Kallarat vjen erë barot nga luftëtari, atdhetari dhe vjershëtori nga Vunoi Nase Beni/Andoni, që shkroi “Kallarat njëqind shtëpi”: “N’atë muajn e korrikut,/Nëntëqind katërmbëdhjetë,/Erdhi ushtrij’e armikut,/Erdhën gjiritllinj e grekut,/ Ca nga rreza, ca nga mali,/ Vinin rrugës vergje-vergje,/Njëmijë e dyqind andartë,/ Kapiten ish kumandanti,/Quhej Kromidha Cullaqis,/Krodhima nga mali erdhi,/Nënë të qe Kallarati,/E vështroi me dylbi,/Vinte komandari grek,/Ma lini ta qëlloj vetë,/Foli Nase Beni vetë,/Me Pilonë (vëllanë) që të dy,/Patriotë me të vërtetë,/Me pushkë e libra në gji,/Nasja seç mori maunxerrë,/E vuri bukur në sy,/Dhe ja shkrepi përnjëherë,/Me të madhe kujdesi,/Tradhëtari u trondit,/Çpejto për tokë u shtri,/Dhe Cullaqis u habit,/Ç’pate ti “vëlla” nashti?/Vështromë se jam goditë,/Në mustaqe mbi turi,/Hapi sytë se ka rrezik,/ Që të vritesh edhe ti,/Se ky është fshat i lig,/Unë e njoh e ti s’e di,/Ka ca njerëz shum’ të sertë,/Të njohur për trimëri..”.

Forcat andarte u tërhoqën në drejtim të Qafës së Pirres duke marrë me vete edhe të vrarët e shumtë. Këto ishin veprimet e fundit luftarake kundër grekut në këtë drejtim. Ato krijuan kushte më të përshtatshme për popullsinë e Kurveleshit për t’u futur në thellësi të lumit të Vlorës, ndërsa popullsia e Kallaratit u shpërngul drejt Smokthinës, por atë ditë ranë në fushën e nderit pesë dëshmorë: Hyso Balil Xhaferaj, Çelo Mustafa Boshi, Dervish Sali Maçi, Murat Avdul Demiraj, Ramadan Muhamet Hoxha, ndërsa u plagosën nëntë kallaratas: Cane Demir Demiri, (i cili vdiq nga plagët), Rexhep Bego Mataj, Lulo Abaz Gjoni, Nebo Qejvani, Isa Sejdin Petani, Feim Çelo Strati, Demir Avdul Demiri, Xhebro Boçaj, Hito Boçaj. Prandaj datat 14 dhe 15 korrik të 1914-ës kanë hyrë në histori si datat e përkujtimit në përjetësi të dëshmorëve. Në këto dy ditë u lanë me gjak pragjet e shtëpive, ndërsa jehona e kësaj qëndrese të armatosur, të vrarëve e të plagosurve është përcjellë nga brezi në brez nëpërmjet rrëfimeve të të parëve dhe këngëve popullore labe. Prandaj nderohet vepra e tyre, nderohen dëshmorët, të plagosurit dhe viktimat e 1914-s. Kallaratasit u kthyen nga muhaxhirllëku në shtëpitë e tyre në shtatorin e vitit 1916, ku fshati, shtëpitë, bagëtitë ishin bërë shkrumb. Gjithçka ishte shfarosur, pemët frutore ishin prerë e djegur, kështu që bijtë e Kallaratit e braktisën fshatin dhe u vendosën buzë lumit e përrenjve, ku kishin tokat, duke ngritur kasolle e duke ringritur bujqësinë e blegtorinë si i vetmi burim i jetesës. Shtëpitë prej guri dhe dykatëshe me pamje qyteze, që kishin ngelën një dëshmi i kohëve antipushtuese, por më vonë muret e mbetura u prishën dhe gurët u përdorën për ndërtimin e shtëpive ndërsa sot rruhen fragmente mure dhe themele të shtëpive. Luftëtarët, betejat, trimëritë janë veti të Kallaratasve dhe mbarë Labërisë sepse nuk dinë të tërhiqen nga lufta; njohin vetëm mposhtjen e armikut, edhe në 14-tën kapitenit andart Cullaqit, “i mbeti kapelja në gropë”, që rrymon në vargëzimin popullor, që shpreh frymën heroike të luftëtarëve të popullit në këngë: “Kallarat 100 shtëpi,/Luftuan me trimëri,/Për vatan qenë të zotë;/Gjithë vendi në pusi,/I gjithë fshati u dogj,/Bëhet luftë me syngji,/Po derdhet gjaku me okë;/U vranë ca djem të rij,/U vranë ca djem të zotë;/Ramadani i Gjizi,/U godit mu në çapokë;/Murati xhamadani,/ Pse s’del në lëmë e në portë;/ Humbi atë pasuri,/Salltaneti treqind kokë!/Njëqind dhën e dyqind dhi,/Dhe mushkë e kuqe me lopë;/Gjithë trima-djem të rij,/Hyso Balil Xhaferi me shokë;/Çelo Boshi, djalë i ri,/E bë bomba copë-copë;/I shkreti Dervish Sali,/E mori plumbi në kokë,/Do mbetet në histori,/Do lëvdonetë në shokë;/Kapetanin gjiritli,/E mori plumbi në kokë,/Mu si derr në tokë u shtri,/I mbet kapelja në gropë!…”. Kallarati u ka kthyer nderimin dhe fisnikërinë trimave të Bregdetit, Nase Beni/Andonit dhe Pilo Beni/Andoni, me vargjet: “..Foli Nase Beni vetë,/Me Pilon që të dy,/Patriotë të vërtetë,/Me pushkë e libra në gji…”. Është fakt se fshati me 89 shtëpi u dogj nga andartët grekë më 1914-tën, por nuk u mposht. Të gjithë të rënët janë piedestali i nderit dhe lavdisë kallaratase. Aktualisht duken rrënojat e shtëpive te “Fshati i Djegur”, si dëshmi e njërit prej 190 fshatrave të djegura nga andartët e 1913-1914-ës, si një muze në natyrë që ju tregon brezave për pushtimet e masakrat e fqinjëve të drejtuara në atë kohë nga faqezinjtë e historisë së marrëdhënive me fqinjët si: mbreti Konstantin, kryeministri Eleftherios Venizelos, Shefi i Shtabit të ushtrisë greke Victor Ousmanis, që bashkë me bandit andarte dhe ushtarë andartë të veshur civilë masakruan më shumë se 3000 shqiptarë, dogjën 6831 shtëpi të shqiptarëve dhe krijuan një mjerim të madh me shpërnguljen me forcë dhe boshatisjen e fshatrave të shumta në jug të shqipërisë. Kallaratasit dhe mbarë Labëria nuk hoqën dorë nga Mëmëdheu, sepse sikurse Çajupi shprehej në poezinë e tij “Mëmëdheu”: “Mëmëdhe quhet toka/ ku më ka rënë koka,/ ku kam dashur mëmë e atë,/ ku më njeh dhe guri i thatë,/ stërgjyshët ku kanë qenë/ dhe varret q’i kanë vënë,/ ku jam rritur me thërrime,/ ku kam folur gjuhën time,/ ku kam fis dhe ku kam farë,/ ku kam qeshur, ku kam qarë,/ ku rroj me gaz e me shpresë,/ ku kam dëshirë të vdes”. Një postulat i shekujve i vetëdijes labe. Këto janë të dokumentuara nga fotoreporteri francez, Robert Vaucher, Nina Smirnova, “Historia e Shqipërisë”, Tefik (Teki) Selenica, autor i librit “Shqipënija më 1927” (në dy volume me rreth 800 faqe), që pason veprën “Shqipëria në vitin1924”, funksionar i lartë në administratën e viteve ’20-’30 të shek XX. Të dhëna gjejmë edhe në botimin “Shqipënija më 1937”, Vëll I, i shtypur në shtypshkronjën “Kristo Luarasi” dhe që është botim i komisionit të kremtimeve të 25 vjetorit të vet-qeverrimit 1912-1937. Nga dokumentacioni del se dëshmorët e Kallaratit që ranë për mbrojtjen e fshatit të tyre janë dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Për veprimtari patriotike”. Poeti i madh i Pilurit Lefter Çipa shkruan vargje lapidarë: “Nga kjo baltë e kësaj toke,/Merr një grusht e shtrydhe fortë,/Pika gjaku do kullojë,/Luftën e madhe tregojë,/Kemi derdhur gjak me okë, ndaj lulëzon kjo tokë”.

 

Nga Lufta e Vlorës në Luftën e Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare

Kallarati gjatë Luftës së Parë Botërore, krahas humbjeve të mëdha në njerëz dhe materiale, gjeti forca të ringrihej sikurse ishte përpjekja e vitit 1916, kur Telha Duro organizoi të parin kurs në gjuhën shqipe, që u pasua nga hapja e shkollës së parë shqipe po atë vit, ku shërbyen si mësues ai vetë dhe atdhetari Meçan Selami, që ishte i shkolluar në Korfuz. Pavarësia e dytë e Shqipërisë, që lidhet me Kongresin e Lushnjës dhe më tej me Luftën e Vlorës në unitet mendimi e veprimi, sepse thirrjes së Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare të Osman Haxhi Muhametit, Kallarati iu përgjigj duke krijuar çetën e tij me 60 vetë, me komandant Feim Çelo Stratin e Habib Gjonin. Çeta mori pjesë në luftën e Gjormit dhe më tej në mësymjen e përgjithshme të forcave kryengritëse më 11.6.1920. Në bashkëveprim me forcat e Dukatit, Gumenicës, Bolenës, Kaninës e Rrëzës, çeta e Kallaratit veproi nga Uji i Ftohtë në Kaninë. Më 19.6.1920 çeta luajti rol kryesor në thyerjen e kundërgoditjes së forcave italiane në afërsi të Kallafetit, në jug të Qishbardhës. Në këtë përleshje shkëlqeu përvoja luftarake dhe zgjuarsia e komandantit të çetës, Feim Çelos, i cili e futi armikun në kurth duke e rrethuar nga të dy anët e grykës së Kallafetit dhe duke e asgjësuar plotësisht, ndërkohë që në mësymjen e dytë të përgjithshme të forcave kryengritëse më 23.7.1920 çeta e Kallaratit mori pjesë në drejtimin e Qishbardhës, ku u vra edhe Xhevair Musa Golloshi 19 vjeçar dhe u plagos Veip Balili. Kallarati shkroi faqe lavdie në këtë luftë, ku u shqua edhe Meçan Selami që kreu gjatë Luftës së Vlorës detyrën e sekretarit të prefekturës me qendër në Drashovicë, në krah të prefektit Osman Haxhiu. Vitet 1920-1924 e deri në revolucioniin e  Qershorit me ardhjen e Fan Nolit si kryeministër u prit me shpresa që zgjatën vetëm gjashtë muaj dhe më tej me Republikën e parë 1925-1928 ka qenë përpjekje për të zhdukur mjerimin në një Shqipëri të vitit 1928 që kishte një popullsi prej 814380 banorë. Në ngjarjet e këtyre viteve vlen të përmendet një fakt se komandanti i çetës atdhetare të Kallaratit, Hodo Shakaj (1875-1926), njëherësh edhe kryeplak më 1919, që ngriti flamurin shqiptar në shkollën e fshatit më 1919 dhe për këtë arrestohet nga italianët bashkë me disa bashkëfshatarë. Komandant i çetës së fshatit në Luftën e Vlorës, pjesëmarrës në Revolucionin e Qershorit 1924, u arrestua, burgos, torturua dhe vdiq nga torturat në burgun e Gjirokastrës më 1926. As Mbretria nuk i përmbushi pritshmëritë e kallaratasve dhe pushtimi i 7 prillit 1939, ca më zi për mbarë shqiptarinë. Shpresat u rindezën në Besëlidhjen e Kallaratit të 20 korrikut 1943, për të unifikuar qëndrimin gjatë LANÇ-it mbi bazën e platformës që shtroi Konferenca e Pezës (16.9.1942). Gjatë luftës në Kallarat qëndruan e luftuan shumë nga figura të shquara të luftës Antifashiste, si Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Memo Metua, Kadri Hazbiu, Hysni Kapua etj. Militantët antifashistë Mustafa Matohiti, Memo Meto, Bexhet Mema etj., më 20 korrik 1943, mblodhën popullin e Kallaratit për të lidhur besën për luftë pa kompromis kundër pushuesve fashistë. Krijimi i Këshillit ANÇ, çetës territoriale dhe aksioneve forcuan besimin dhe ngritën peshë zemrat dhe shpirtrat e bijëve të Kallaratit si në mbarë Labërinë dhe gjithë vendin. Mbështetur në traditën, si shenjë betimi ishte kalimi i një leku metalik në gojët e secilit dhe duke shqiptuar fjalën “Betohem”. Kallarati, me njëqind shtëpi, rreshtoi në radhët e formacioneve partizane 120 bijë e bija të tij përfshirë dhe çetën territoriale si dhe i dha vendit njëzetë 20 dëshmorë të LANÇ-it: Mumin Selam Bajrami (Hero i Popullit) rënë në Vlorë më 1942, Adil Lame Petani rënë në Polis Elbasan më 1944, 24 vjeç, Ali Birçe Ribaj, rënë më 1946 në Bilisht, Filo Faslli Breshanaj, Avdul Demir Demiraj, Ferik Miftar Golloshaj, Ferik Teslim Strataj, rënë më 1949 në Blilisht, Hamza Malo Qejvanaj, Hasan Laze Qejvanaj, Islam Tasim Janjaj, Lelo Dine Habilaj, Nelo Nazer Hysaj, Nexhip Shuaip Sheraj, Nuredin Selam Breshanaj, Ormën Boro Ribaj, Shuko Ramo Karabolli, Tare Çelo Gjoni. Që të 17-të këta dëshmorë janë shpallur me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës me vendim nr.97 datë 22.9.2972; ndërsa dëshmori Zyber Shuaip Sheraj është shpallur me vendim nr.2 dt7.1.1971; Hamdi Shuaip Sheraj është shpallur dëshmor me vendim nr.209 dt.29.7.1979; Ali Sulo Memushaj është shpallur dëshmor me Vendim nr.871 dt.31.1.1982 të KE të KP të Vlorës. Kallarati gjatë LANÇ-it ka pasur edhe 11 të plagosur. Ata u bënë nderi dhe krenaria e Kallaratit dhe ngelën pavdekësisht në altarin e kombit shqiptar. Prandaj këngët për dëshmorët nuk rreshtin kurrë: “Lule more trima që ratë për atdhe”, ndërkohë që një poet nga Fushëbardha në ditën e 5 majit shkruante: “Në themele të Atdheut,/Gjaku juaj dritë ylberi,/Mbetët nderi i Mëmëdheut,/Nëpër krisma Maliheri” (N.R.Onjea). Por në zbatim të Ligjit nr. 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, për fshatin Kallarat u takon që të shpallen me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” edhe 14 bij të tjerë të rënë në beteja për truallin arbëror si: katër burra të varuar në Janinë: Meçe Meçaj (1790-1847), Lame Petani (rreth 1800-1847) dhe kajmekami Dervish Qejvani (1805-1847), Birbil Toçi (1810-1847); dy luftëtarë trima të rënë në Luftën e Lëkurësit: Balil Xhaferi (1830-1878) e Dalan Qejvani (1840-1878); tre trima të Kallaratit të rënë në luftimet për mbrojtjen e Janinës: Likë Brahimi (1878-1913), Ali Golloshi (1882-1913), Bilbil Hysaj (Dautaj) (1879-1913), që ranë në “Pesë Puset” e Bezhan të Janinës; katër bij të Kallaratit që vdiqën nga torturat çnjerëzore në burgun e kalasë së Korfuzit, sepse pritën me armë pushtuesit grekë në Vumlo të Pilurit: Muço B. Karabolli, Yzeir M. Ribaj, Maliq Boshi, Sali Maçi si dhe Cane Demir Demiri, i cili vdiq nga plagët e shumta që mori në luftën e 1914-s.

 

Lavdia e një fshati dhe motua: “Ec ngado, por Kallaratin mos e harro”

Kallarati ka një Shoqatë Atdhetare e Kulturore “Kallarati” prej dy dekadash, me gazëtën e saj, një organizëm dinamik që në misionin e saj ka mbajtjen të bashkuar të bashkëfshatarëve kudo që ndodhen, duke i bërë të njohur figurat më të shquara të Kallaratit me emër në historinë e fshatit, të krahinës e të vendit, dhe përtej kufijve, përkujtojnë datat historike të qëndresës shumëshekullore të fshatit kundër pushtuesve. Shoqata kultivon te brezat vlerat më të mira të të parëve duke përjetësuar emrin e nderuar të vendlindjes nën moton “Ec ngado, po Kallaratin mos e harro”, që shpreh bujarinë dhe fisnikërinë labe. Kur punoja si drejtues i Br172K të Himarës dhe që rezervistët i kishim edhe nga Lumi i Vlorës dëgjoja shpesh shprehjen e tyre “Kallarati si Stalingradi”, duke e krahasur lavdinë e një fshati të Labërisë me lavdinë e një beteje të madhe të përbotshme operativo strategjike që ka hyrë si fitimtare ndaj bishës nazifashiste në LIIB. Është një traditë e bukur labe dhe jo vetëm, në “ngritjen e përtëritjen e emrave në breza”. Kështu emri i dëshmorit Hyso Xhaferi (1859-1914), që kishte luftuar në mbrojtje të Janinës kodrat e Bezhanit (1912-1913), që kishte qenë anëtar i komisionit të Mbrojtjes së Kallaratit dhe që ka rënë në luftime me forcat andarte greke në mbrojtje të fshatit më 14 korrik 1914, emri i tij u ringrit. Emrin e tij e mori Hyso Xhaferi i dytë, këngëtari i polifonisë labe, “zëri që theu qelqet e qiellit” dhe ngeli përjetësisht në parajsën e këngës labe, si një zë i papërsëritshëm e margaritar i këngës labe. Por artistët nuk kanë vdekje, sepse lënë pas një trashëgimi të vyer për brezat e ardhshëm. Edhe për Hyso Xhaferaj nuk ka vdekje se natyra e bëri bilbil, ndaj zëri i tij do të jetojë me ne, aq sa do të jetojë edhe vetë Polifonia labe. Faktikisht Kallarati ka pasur gjithmonë rapsodë, këngëtarë e valltarë, si Veliko Murati, Elmaz Breshani, Llambro Hysi, Hyso Xhaferaj, Zeqo Hoxha, pjesëmarrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, Evgjeni Jonuzaj, Gjergj Leskaj. Nndërkohë që në fushën e sportit janë shquar si futbollist Çlirim Hysi, qitësja Elisabeta Karabollaj, kampionia e parë shqiptare në Europë, në fushën e artit shumë i njohur emri i piktorit Saimir Sinan Strati, 11 herë fitues i Çmimit “Guiness”, në Italinë e Jugut me punimet artistike prej guri është bërë Agim Mato Mataj, Ledion Memushaj, futbollist i kombëtares dhe i Pescarës, Itali, Afërdita Laçaj ish-basketbolliste e shquar e Flamurtarit, Drita Shakaj, ish-volibolliste e shquar e Flamurtarit. Nga Kallarati gjen në historikun e këtij fshati emra të shumtë të nderuar e respektuar në breza si: Duze Bajrami, Sihat Tozaj, Sulltana Gjonbrataj, Gafur Shametaj, Sinan Tozaj, Seit Jonuzaj, Prof. Dr. Rami Memushaj, Neshat Tozaj, Sokol Ribaj, Hiqmet Meçaj, Petrit Qejvani, Besnik Gjonbrati, e dhjetra ushtarakë të tjerë madhorë që i kanë dhënë shumë mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Pas kryetarit të parë të shoqatës Gafur Shametaj, i ndarë nga jeta, aktualisht shoqata drejtohet nga Kastriot Karabolli. Prioritet i brezave është padyshim përkujtimi i bijëve që gjakun e derdhën për atdheun sikurse janë pesë dëshmorët që ranë në luftën antiandarte më 1914: Çelo Mustafa Boshi, Dervish Sali Maçi, Hyso Balil Xhaferaj, Murat Avdul Demiri, Ramadan Muhamet Hoxha; një dëshmor i Luftës së Vlorës: Xhevair Musa Golloshi; njëzetë dëshmorë të LANÇ-it: Mumin Selam Bajramaj (Hero i Popullit), Adil Lame Petanaj, Ali Birçe Ribaj, Ali Sulo Memushaj, Avdul Demir Demiraj, Ferik Miftar Golloshaj, Ferik Teslim Strataj, Filo Faslli Breshanaj, Hamdi Shuaip Sheraj, Hamza Malo Qejvanaj, Hasan Laze Qejvanaj, Islam Tasim Janjaj, Lilo Dine Habilaj, Nelo Nazer Hysaj, Nexhip Shuaip Sheraj, Nuredin Selam Breshanaj, Ormen Boro Ribaj, Shuko Ramo Karabollaj, Tare Çelo Gjonaj dhe Zyber Shuaip Sheraj; dhe një dëshmor i rënë në mbrojtje të demokracisë: Elham Sulejman Sheraj (Elezi). Përjetësia e të rënëve të kombit lidhet me nderimin jo vetëm të fshatit e trevës labe, por të mbarë kombit shqiptar, sepse ndrimi për dëshmorët është përketësi e shqiptarizmës. Për përgatitjen e shkrimit: “Kallarati i historisë, trimërisë, mençurisë dhe këngës labe”, u shfrytëzuan: uebsajti ëëë.kallarati.com, materiale nga “ShKA “Kallarati”, periodiku i gazetës “Kallarati”, libri “Historiku i Kallaratit” i Enver Stratit, “Enciklopedia e Kurveleshit” i Nesip Meçaj, Xhemil Çelaj, Fatmir Toçi; Profesor Bernard Zotaj, “Kallarati në madhinë e tre vendbanimeve, Gazeta Dita, datë, 4 Korrik 2022; të studjuesit të mirënjohur Profesor Rami Memushi, personaliteti i mirënjohur ushtarak Besnik Gjonbrataj, poezia e Hasan Kallaratit, “Lufta e Kallaratit me andartët grekë më 1914”, këngë kushtuarë luftës së popullit fshatit Kallarat kundër andartëve grekë më 14 korrik 1914, ndërkohë që fshati u dogj, po nuk u pushtua; libri me autorë Zaho Golemi e Bernard Zotaj “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë, 2012; publikuar nga Ministria e Mbrojtjes në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar.

 

Please follow and like us: