Mbi skicat letrare e filozofike të Astrit Lulushit
Fotaq Andrea, Strasburg.
Parathënie
I kalova vringthi skicat e tua, që herë pas here i lëçis me kënaqësi kur boton syresh.
Pra, i përpiva, i shklluqa, siç kthehet me fund gota me verë
të mirë nga të Omar Khajamit.
Mendimi i parë që më erdhi në mendje për këto skica letrare e filozofike ishte sikur t’i titulloje “Shkëndijime Fluturake” apo “Xixëllime Mendimesh”. Dhe kisha parasysh në mënyrë simbolike xixëllonjën, magjinë e tyre për të qenë si dritëz mendimi, refleksioni e erudicioni mes territ e misterit, dritëz shprese që përcillet kudo e te kushdo.
Por jo, shpejt ndërrova mendje, duke kërkuar më thellë mes skicave të tua, me atë stil karakteristik tëndin, të hovshëm, të hopshëm, konciz, të ngjeshur e marramendas.
Janë këto skica si ato dhëniemarrje mendimesh të shpejta dhe impresionesh të vrrullshme, tek kalon a kapton nga një fushë apo gjini letrare në tjetrën, hidh e prit, shi si ajo loja e futbollit që bënim dikur në moshë fëmijërore e që e quanim “lojë me pasa të shkurtëra”.
Sepse në këto skica, nuk bëhet fjalë thjesht për një lënie gjurme efemere, të aty-atyshme, me jetë të shkurtër kalimtare, si vetë dritëza e xixëllonjës apo si fishekzjarre rrëmbyese vëzhgimesh, mendimesh, gjykimesh.
Jo, jo, ka në to shpërthime ngjyrash të zjarrta, dritësime mendimi, ndriçime e përshkënditje, larushi formash të befta, të brishta e arratisëse, si trok i shpejtë i kalit që hovet guximshëm mbi stërkalat ylberore të një ujëvare ndijimesh apo ndjesimesh, me gjerësi e thellësi Niagare.
Atëherë, sikur joshem unë vetë nga një titull më domethënes, e konkretisht: “Përshkëndijime”, ku brenda termit shqip, me kuptim figurativ e simbolik, ka edhe shkëndija erudicioni, por edhe ndijime të thella, ndjenja të ngrohta, që e grishin lëçitësin për refleksion të thellë.
Faleminderit Astrit që më dhe kënaqësinë të shijoj shpejtazi e ëmblazi lëndën tënde letraro-artistike e filozofike.
Please follow and like us: