Albspirit

Media/News/Publishing

Ing. Luan Pogaçi: Përgjimi telefonik i Mehmet Shehut

 

…Në shtator 1981 më vjen në zyrë Ali Çeno, drejtues i grupit të sigurisë së Kryeministrit dhe më lëshon në tavolinë një telefon me kabllot që i vareshin. E pyes si është puna. Më thotë që kryeministrin e përgjojnë në shtëpi në numrin 7880 të centralit të qytetit. Ai ka dëgjuar biseda në këtë telefon që përdorte në shtëpi, në studio. Më thirri mua, vazhdoi Aliu, më mori thikën që mbaja në brez (një tip biçaku i madh që mbanin oficerët e zbulimit) dhe preu fillin e telefonit e më tha dërgoja inxhinierit. Këtë radhë unë u shqetësova shumë, më tepër pasi më qe drejtuar direkt mua dhe ishte hera e dytë që ndodhte. Më dukej sikur ai biçak do më godiste dhe mua…

Këtë radhë unë u shqetësova shumë më tepër pasi më qe drejtuar direkt mua dhe qe hera e dytë që i ndodhte, më dukej sikur ai bixhak do të më godiste edhe mua, aq më shumë që e kisha për detyrë të mos ndodhnin fenomene të tilla në ndërlidhjen e udhëheqjes. Kur iku Aliu i shkoj zv. Ministrit në zyrë dhe i tregoj ngjarjen. Ai, gjithashtu, u shqetësua se kjo gjë ndodhte për herë të dytë brenda vitit. Ne e kishim përfunduar rikonstruksionin e linjava kabllore të Bllokut dhe përmirësuar totalisht instalimet e brendshme të vilave e normalisht nuk duhet të kishim as induksione.

Xh. Çiraku më urdhëroi të ribëja edhe njëherë një kontroll të gjithanshëm, jo vetëm për ndërlidhjen e kryeministrit, por në të gjitha ambientet e udhëheqjes kryesore në punë, shtëpi, salla etj.

Bëmë kontroll me një ekip specialistash në sistemin e jashtëm të ndërlidhjes duke përfshirë gjithë tubacionet dhe kabllot që nga centralet e telekomit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa vetëm unë së bashku me teknikun Hazyr T., i cili qe për mirëmbajtjen e ndërlidhjes së udhëheqjes, bëmë kontrollin edhe në ambientet e brendshme në vilën e kryeministrit, në Kryeministri dhe në Komitetin Qendror si dhe në centralin sekret dyshifror të udhëheqjes, i cili qe instaluar në një mjedis të veçantë dhe të mbyllur me dryn, në Ministrinë e Brendshme.

Nuk na rezultoi asnjë gjë e veçantë për t’u marrë në konsideratë. Kur unë po kontrolloja në dhomën e bibliotekës, në vilën e kryeministrit, ku dhe kishte ndodhur problemi i telefonit, aty hyn djali vogël i tij, Bashkimi. Kur u fut nuk tha asnjë fjalë, as përshëndeti, por kërkoi diçka në raftet e librave dhe u largua. Thjesht unë isha në shërbim.

Për t’i kthyer përgjigje kyeministrit, zv.Ministri më thotë që do të mblidhemi përsëri te zyra e Perikli Panit, Drejtor i Përgjithshëm i Telekomit. Ashtu bëmë dhe në mbrëmje shkruam një përgjigje të shkurtër me këtë tekst të përafërt: “…mbasi bëmë gjithë kontrollet e nevojshme na rezultoi që në ndërlidhjen tuaj nuk ka përgjime…” duke e lënë të nënkuptohej se kjo qe vetëm një hamendësim i tij. Tashti ne ishim më kurajozë duke ditur se kryeministri kishte rënë në fatkeqësi dhe se përgjimi, mund të qe një paranojë e tij.

Vetëm një vend na kishte ngelur pa kontrolluar dhe ajo qe zona telefonike ku mbështeteshin të gjitha kabllot telefonike që futeshin në Bllok të udhëheqjes, mendoja se nuk mund të kishte gjë, pasi qe ndërtuar e re, e mbyllur me dryn, për këtë arsye nuk e kishim kontrolluar.

Të nesërmen mbasi i kthyem përgjigje kryeministrit dhe nuk morëm ndonjë reagim, thashë që për rutinë ta kontrolloj edhe këtë pikë të ndërlidhjes telefonike. Pra të kontrolloja edhe zonën telefonike në hyrje të Bllokut (pranë ekualiptit) që ishte bërë e re gjatë kohës që bëmë rikionstruksionin e ndërlidhjes në këtë mjedis të veçantë.

Kjo zonë ishte komplet e betonuar për mbrojtjen nga goditjet ajrore. Për këtë njoftoj teknikun e ndërlidhjes telefonike Hazyr T., të takohemi në hyrje të Bllokut, pasi ai kishte çelësat e zonës. Hap derën Hazyri dhe kur hapim kapakun ku mbështeteshin linjat, unë menjëherë drejtohem te pikat ku mbështetej telefoni i kryeministrit. Me qënë se më parë unë kisha marrë pjesë në ndërtimin e kësaj pike telefonike dhe i dija përmendësh vendet e lidhjes së telefonave të Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, më ra menjëherë në sy se në pikat e lidhjes të telefonit të qytetit që shkonte te shtëpia e kryeministrit kishte një si zgjatim poshtë që lidhej me linjën telefonike të një numri tjetër pranë saj.

Ia tregoj Hazyrit dhe me ton i them “çfarë është kjo”? Ai u skuq i nervozuar filloi të fliste përçart, fjali pa kuptim, herë qeshte me zë të lartë e herë spërdridhej dhe menjëherë filloi me dorë e fërkoi deri sa e zhduku këtë lidhje artificiale, pa arritur unë që ta ndaloja të mos e prishte këtë fakt. U justifikua dhe më tha që duhet të jetë bërë nga lagështia. Mua kjo nuk m’u duk e pranueshme se zona telefonike ishte bërë e re. I bëra vërejtje pse e eleminoi këtë gjë pasi tani mungonte fakti konkret. Ai përsëri filloi të fliste fjalë pa kuptim duke ngritur shumë zërin. Nuk i thashë më gjë, por u largova.

Unë dyshova se qe e qëllimshme pasi zona qe ndërtuar e re, lagështi nuk kishte dhe aq më tepër që ai e kishte për detyrë të kontrollonte çdo ditë këtë ndërlidhje, në veçanti atë të kryeministrit, të cilit i kishte ndodhur më parë e njëjta gjë. Pra nisur nga këto ai duhej ta kishte parë dhe më parë këtë defekt, nëse nuk qe i qëllimshëm dhe të më raportonte për problemet që i dilnin.

Hazyri ishte me origjinë nga Kosova, i ardhur në Shqipëri prej disa vitesh. Ishte miratuar për këtë shërbim si gjithë punonjësit e tjerë dhe si specialist ishte ngarkuar nga Ministria e Brendshme për kontrollin e telefonave të udhëheqjes dhe konsiderohej njeri i besuar.

Ishte i martuar, por nuk kishte fëmijë dhe kishte adoptuar një vajzë. Gruaja e tij shërbente në Degën e Dytë të Ministrisë së Brendshme në përgjimet telefonike (Shtëpia me Gjethe). Nipi i Hazyrit, H. Basha, po ashtu shqiptar nga Kosova, ishte kryetekniku i centralit telefonik të Komitetit Qendror. Megjithëse në Shqipëri kishte një ligj që nuk lejonte që dy njerëz të së njëjtës familje të punonin në një vend pune, por në këtë rast ishte thyer ky rregull.  Pra nip e dajo kishin gjithë ndërlidhjen e udhëheqjes nën kontroll.

Të dy ishin të zgjedhur dhe me miratim të veçantë në këto detyra kaq të rëndësishmë nga Ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu. Këta kishin mundësinë potenciale të përgjonin këdo udhëheqës pa u shqetësuar dhe pa u kuptuar. Duke kamufluar se po bënin shërbim teknik.

Në muajt e parë kur fillova detyrën mua nuk më pëlqyen disa veprime të tij dhe i propozova Ministrit që ta ndërrojmë, por mora përgjigje “ai eshtë miratuar me të njëjtat garanci si dhe ti, është i besueshëm.”

Unë i raportoj zv. Ministrit për defektin që gjeta në zonën telefonike, i them edhe mendimet e mia për këtë problem. Ai nuk reagoi, por më tha se do i raportoj ministrit për këtë gjë. Ministër në këtë kohë qe bërë Feçor Shehu, por zakonisht i raportohej Kadri Hazbiut i cili e kishte në patronazh edhe Ministrinë e Brendshme, megjithatë unë nuk e mora vesh se cilit ministër i raportoi.

Prita të merrja ndonjë përgjigje për këtë problem, por asnjëherë nuk mora, mbase Ministri nuk reagoi.

Megjithatë mbas disa ditësh teknikun e mënjanuam nga kontrolli i telefonave të udhëheqjes, ajo bëhej tashmë me komision, por përsëri ai mbetej tekniku i vetëm i kontrollit e mirëmbajtjes së centralit telefonik sekret dyshifror të udhëheqjes.

Këtu dua të sqaroj funksionimin e ndërlidhjes sekrete për udhëheqjen e cila supozohej se qe e sigurtë dhe e papërgjueshme. Linjat telefonike kabllore shkonin direkt nga centrali telefonik në zyrën (për kryesorët edhe në shtëpi) e udhëheqësit pa pasur asnjë shkëputje apo komutim gjatë rrugës, duke mënjanuar mundësinë e përgjimit. Mundësia e vetme krysore e përgjimit qe vetëm në centralin telefonik, i cili kontrollohej dhe mirëmbahej nga Hazyr T, i cili kishte shumë hapësirë veprimi.

Nisur nga disa dyshime te miat për teknikun, unë shtova kontrollet e mia tek centrali “sekret” për të vëzhguar ndonjë parregullsi.

Në muajin Gusht 1981 gruaja e kryeministrit Fiqiretja u nis për të vajtur tek i biri Skënderi në Suedi dhe preferoi të kalojë nga Kapshtica dhe për këtë iu desh të flinte një natë në vilën e Udhëheqjes në Korçë. Në mbrëmje më njoftuan se Fiqiretja kishte pretendime se përgjohej telefoni saj i ndërlidhjes së kufizuar i centralit të qytetit të Korçës në vilën e Korçës me numër 6-558.

Centralet e ndërlidhjes së kufizuar ishin instaluar në gjithë qytetet e mëdha dhe shërbenin për një numër të kufizuar abonentësh që ishin kuadrot kryesore të rrethit dhe shtëpitë e pritjes në rrethe. Kishte një nivel teknik dhe kabllor të kënaqshëm për biseda sekrete të një niveli të pranueshëm.

Mesa dukej ideja e përgjimit telefonik qe bërë ngjitëse në familje e kryeministrit.

Në mëngjes unë nisem me makinë urgjent në Korçë. Bera kontrollin e gjithë instalimeve në vilë dhe pastaj shkova te centrali i ndërlidhjes së kufizuar që ndodhej pranë telekomit Korçë, i cili qe në ambient të veçantë dhe mirëmbahej nga një teknik i zoti dhe i miratur sipas rregullave për këto shërbime. Nuk konstatova asgjë nga mund të ishte përgjuar apo defekt teknik. I ktheva këtë përgjigje gruas së kryeministrit, Fiqiretes, por ajo nuk ngeli e kënaqur.

Tashmë problemi i përgjimeve qe kthyer në një sëmundje në mendjen e tyre me apo pa të drejtë dhe ky dyshim vinte patjetër nga zhvillimi i ngjarjeve të tjera lidhur me të birin, Skënderin.

Megjithatë unë mendoj se këto shqetësime telefonike, pavarësisht kontrolleve dhe përgjigjeve tona, ato egzistonin. Kjo mendoj nuk bëhej për të vjelë ndonjë informacion sekret nga bisedat, por thjesht ishte ngacmim për të ngritur nervat e kryeministrit, e duke patur parasysh karakterin e tij të rrëmbyer dhe të fortë, në mënyrë që ai te reagonte me forcë dhe të krijonte përplasje, mosbesim dhe përçarje me udhëheqjen. Aq më tepër që në këto momente ai dyshonte për çdo gjë që lidhej me të.

Besoj se pikërisht ky qe qëllimi i zbulimeve të huaja, kryesisht UDB-se Jugosllave, pra metoda e ‘krisjes’, përplasja e udhëheqsve me njëri-tjetrin, po funksiononte. Në telefonat në të cilët ai shqetësohej qenë të ndërlidhjes 4 shifrore të qytetit dhe nëpërmjet tyre nuk zhvillohej asnjë bisedë sekrete. Për këto unë i kisha sqaruar.

Bisedat sekrete ndërmjet udhëheqjes bëheshin vetëm në telefonin dyshifror të Ministrisë së Brendshme. Këtu mund të përgjohej vetëm nga tekniku i centralit pa u kuptuar dhe pa krijuar fare shqetësime tek përdoruesit e telefonit.

Një shqetësim të konstatuar në këtë ndërlidhje ka patur vetëm në telefonin e Enver Hoxhës në vitin 1978, të cilën e konstatoi ai vetë në zyrën e tij në Komitetin Qendror në numrin 59. Kjo qe dhe arsyeja që prej kësaj kohe të bëheshin kontrolle të përditshme të telefonave të tij në zyrë.

E mendohej se tekniku i kësaj ndërlidhje, shqiptari nga Kosova Hazyr T. ishte person i sigurtë, i besuar dhe i kontrolluar biografikisht direkt nga ministri Kadri Hazbiu. Pra nuk kishim të drejtë që të mund t’i bëhej verifikim tjetër për pastërtinë e tij. Duke u mbështëtur në dyshimet e mia, fillova të marr disa masa organizative. Ndërmjet të tjerave mblodha shoqëruesit personalë të udhëheqjes dhe u fola për ndërlidhjen telefonike. Theksova se kjo ndërlidhje qytetëse që shërbente për udhëheqjen nuk kishte ndonjë shkallë të madhe sigurie nga përgjimet e mundshme. Duhet të keni parasysh, ju theksova, se në rast ndërhyrjesh nga telefona të tjerë, duhet që të lënë telefonin hapur dhe me tjetër telefon të më njoftojnë mua.

Kështu u veprua më vonë dhe unë pata disa kallzime dhe nëpërmjet centralit gjeja numrin e telefonit që shqetësonte dhe vendin ku ndodhej. Në një rast pati shqetësim familja e Enver Hoxhës dhe u veprua si më lart. Ishte një numër telefoni në Qytetin e Nxënësve në kabinën e rojes së natës. Unë shkova dhe gjeta se roja kishte folur dhe shqetësuar këtë familje. Pasi i fola nuk e bëra problem më tej sepse m’u duk se me të vërtetë e kishte bërë rastësisht. Shpesh rojet e objekteve mërziteshin gjatë natës dhe mernin numëra telefoni kot për të bërë muhabet.

Një tjetër masë që mendova të marr ishte sekretimi suplementar i biesedave që zhvilloheshin nga telefoni sekret dyshifror me aparate të veçata, pasi dyshimi më shqetësonte se mund të kishte përgjime edhe në këtë ndërlidhje.

Takoj Vladimir Shehun, djalin e kryeministrit. Me të kisha disi muhabet pasi ishim kolegë në profesion, të dy inxhinierë elektronikë dhe si të tillë e respektonim njëri-tjetrin. Vladimiri, pasi kishte punuar disa vjet, mbas mbarimit të universitetit, në uzinën e televizorëve në Durrës, tashmë punonte në Tiranë. Kishte krijuar një laborator elektronik të pajisur shumë mirë dhe merrej me ndërtimin e pajisjeve të kohëve të fundit dhe eksperimentonte, sipas tij, por unë nuk dija ndonjë gjë më konkrete. Me të punonte dhe një inxhinier tjetër shumë i talentuar i cili dhe ai kishte punuar më parë në Uzinën e Televizorëve në Durrës. Ai kishte një biografi jo shumë të mirë, por për të bëhej garant Vladimiri dhe ata bashkëpunonin.

Laboratori qe sekret dhe i them Ladit më trego ku e keni laboratorin. Ai me tregon se ishte i vendosur në një vilë dykatëshe të vjetër pranë Pazarit të Ri, në katin e dytë, në rrugën “Qemal Stafa”.

Në një nga ditët mbas shqetësimit të parë me telefonin e kryeministrit, shkoj në laborator dhe i takoj të dy ixhinierët. Më pritën mirë, më qerasën me kafe dhe gjatë kësaj kohe ju them problemin për të cilin kisha vajtur. Këtë gjë e bëra jo vetëm për problemin e sekretit, por edhe për t’i dërguar indirekt mesazh kryeministrit se unë po merresha seriozisht me problemet e sekretit të bisedave.

Mbasi iu shpegova që nuk kishte problem në përgjimin telefonik të kryeministrit, përsëri iu theksoj se jam i shqetësuar për ndërlidhjen sekrete, ndaj duhet të më ndihmoni për të sekretuar këto biseda. Prandaj po ju jap si detyrë shoqërore të më ndërtoni një ekzemplar të një pajisje sekretimi të koduar. Ne, ju thashë, edhe mund t’i blejmë jashtë në Zvicër, siç kemi blerë dhe radiot, por për zviceranët nuk do të ketë sekret se vetë e kanë formuar kodimin.

Ranë dakord që të punonin për një pajisje të tillë sa më shpejt që të ishte e mundur. Ngjarjet rrodhën shpejt, kryeministri u vetëvra, laboratori u shpërbë.

Mbas kësaj ne përsëri u detyruam që të blenim pajisje në Zvicër, por jo gjthnjë përdoreshin për shërbimin që ishin destinuar.

Dhe historia e përplasjeve, kritikave dhe akuzave për kryeministrin vazhdon ku protagonistë u bënë tashmë shumë persona, thuajse ishin në garë me njëri-tjetrin kush ta godiste më shumë, ta denigronte më shumë të nxitur nga frika, paaftësia, ambicia apo zbulimet e huaja kryesisht UDB-ja, mundet edhe I.S.? Por këto do t’i përshkruaj më tej në vazhdim./gazeta dita

https://gazetadita.al/pergjimi-telefonik-i-mehmet-shehut-kush-ishin-nip-e-daje-nga-kosova-qe-kishin-ne-dore-linjat-telefonike-te-bllokut/

Please follow and like us: