Albspirit

Media/News/Publishing

Krenar Zejno: Vaje në kanavacë

Këto fjalë rrëfimi nga ngjarje realitet, shfaqur në përmasa reale brenda kornize pikture në galerinë kombëtare e katalog, i kushtohen një tabloje, vrarë përmes një akti të paprecedent…
Krenar Zejno: Vaje në kanavacë
Këtu mund të ishte një tablo…
Por, ja që nuk është! E nuk është fjala për ato slogane kuadratesh boshi të joshjes publicitare në trotuare: ‘këtu mund të ishte reklamuar produkti juaj’. Ose-ose, ‘likuidim total’.
Dhe s’mund të thuhet dot as që tabloja mungon. Njëfarësoji, tabloja ekziston. Gjendet këtu ku e gjetëm e gjendemi me autorin e saj, në këtë salon te “Komuna e Parisit”, ballë murit ku ia kanë gozhduar. Rrethuar nga ‘nudo’ të përndezura afshi, shtrirë faqes së murit gjer në skajet ku feks bronxi i pllakateve djathtas ‘recepsion’, majtas ‘toilet’. Rrugës gjer këtu, kemi gatitur fjalët e duhura të lypjes, kur t’i lypim pronarit të tablosë kortezinë të na e huajë sa për ekspozitën në galerinë kombëtare.
Vajza liceiste, ende më këmbë, puqur faqen dhe harkun violinës, është po ajo. Delikatesë adoloshence. Siç qysh mbi tri dekada më parë, kur e kam parë atë të mbushej formash në këtë tablo. Pas shpine të vajzës, kulla e sahatit në sfond, kryq me horizontalen e një teli ku janë ndehur nën kapëse të flladiten në pikturë: fletë partiturash pentagram. Subjekti në kanavacë është ky, objekti tragjik i vajit të saj, pak më poshtë…
Në njërin kënd kanavace, po ajo firmë e hershmërisë autoriale, shenjuar nga gërma kapitale nën përkim gjeometrie kubiste: Zini Veshi.
Në tjetrin… për çudi fanepset një si felin i zbutur. Një mace! Po po, një dac i panjohur, në shullëh brenda kornizës së tablosë! I paskan kallur këtë farë daci obez, brenda bezes, pikturës që as e ka patur kurrën e kurrës. Skandal, skandal unikal! Nuk i besoj syve, mirëpo s’më vjen as t’i fërkoj. Shtrëngohem të ndjej e dalloj se mos vallë jam në jerm. I anoj sytë të kryqëzohen me të Zini Veshit, shqyer tej mase: O Zot i madh!
Një maçok mbi një orendi, llangosur zgjyre e pllaqisur pikturës, ofruar dhe një lëmsh leshi mes këmbëve, që t’i turret ta shtjellojë po të dojë. Një art-deko orrend, vdekjendjellës.
-Po kjo gjëkafshë! Kjo e zezë këtu! Kush e ka shtënë, pse e kanë shtuar, qysh, ç’ne këtu?!
Kjo mësymje ogurzezë, gjithaq pacifike idilike, e dacit ngrehosur në kanavacë! Dhe ky pështjellim zorrësh që mpin gjer dhe shtysën për kundërvënie, posa përplasesh me qetinë e kafshës truar në pikturë dhe paqen idiote që kam në krah, padronit që nuk bëzan, zot i fundit i tablosë.
As ‘Macja e zezë’ alla Allan Po nuk e ndjell dot këtë hov statik tmerri. Veç kallja e ‘Korbit’ në dhomën e poezisë, mbi skrivani. Ekzekutuar kjo mynxyrë sade, pa krim e mister, duke shtënë këtë gjëkafshë dhe vënë të pasqyrohet, me kuç e me maç, në të katër anët e kësoj salloni përskuqur si një buduar markezi de Sade.
– E kam bërë me porosi, fill sa e bleva. Nja dy javë ma mbajti pikturisti që ia porosita. Në daç të vërtetën mua për vete më pëlqen shumë. Edhe myshterisë që na frekuenton.
– Sa mote ka që e mbani vajzën në motel?
– Ka ca, aty nga fillimi i 2000-shit, ma shiti njëri që e vodhi nga ata që, në 97-ën, ia kishin plaçkitur atyre të 91-shit. Kur bëra hotelin e solla në hotel… (duke nxituar edhe të më korrigjojë se, për hir të së vërtetës, nuk qe motel).
E kam paguar shtrenjtë… e kam me datë, me rregulla, me firmë noteri. I bëj gjërat saktë, korrekt, nuk lëviz presja. Si ish-rezervist që jam…
-Prit, po njëfarë kolonel Zerva e njeh?
-Urdhëro, jo, nuk e mbaj mend!
-Është ai që urdhëroi hordhitë të kallnin datën në popullatë… t’iu lëshonin rropullive dacë të egërsuar e lënë pa ngrënë, barqeve çarë të çameve me barrë… Po pseudonimin, pseudonimin tënd, as atë s’e mban mend?
-Avash pak, se ja, jam dhe me ilaçe, jam me zemër! Dhe fill vë dorën mbi barkun e tij kacek e me tjetrën nxjerr nga xhepi pakot me kryqin në cep.
– Edhe kjo na mungonte këtu! Po, tamam, këtu mund të ishte një zemër, por ja që nuk është; është veç kjo pseudozemër në lartësinë e zorrës!
– Po mirë, mirë, avash, fundja e heqim macen, s’ka problem, thotë, e fshijmë fare, ose shkurtojmë pak fare pikturën… e presim këtë shiritin këtu, komplet që nga bishti e sipër.
A thua se kështu do ta fshijë nga faqja e dheut bashkë me problemin; a thua se, me t’i korrigjuar emrin e shiritit të derrit diagnozës në recetë, sikur t’i heq njeri me dorë edhe të therurat e pështjellimit në zorë!
Jo, nuk është rasti normal i një mungese kjo tablo; nuk është rasti i fshirjes, retushimit, redaktimit, reduktimit, apo asgjësimit nul; as ai i censurimit; është radikimi duke i truar teprinë, anulimi përmes teprisë. Nuk ke çfarë sulmi të ndërmarrësh ndaj kësi zulmi vulgariteti gati të pafajshëm. Është alibia e vulgut, që çarmatos teksa thotë: aq di, aq bëj!
Pash piktorin nën një lebeti të papipëtimë. Pastaj, do-s’do, me atë çka mbet, secili nga e para për në autorësinë e vet. Aty ku dhimbja rrjedh pa mbetje edhe vetë melhemin balsam. Vaj në kanavacë, vaje në fletë…
Kësaj ish-tabloje etyd i adoleshencës, që mbet gozhduar te “Komuna e Parisit”, fjalët këtu nuk i kthejnë dot më shumë, gjestet aq më pak, përveçse si një pantomimë e një vajtojce tullace që bën të shkulë leshërat e rolit të vet kurues, po pa nxjerrë vaj e pa bërë zë. Është si t’i lypje hak e drejtësi sahatit të kullës dhe kohës së parreshtur që mban përjetësisht në jetë këtë lloj lloshi, me kuç e me maç, këtu e kudo. Kur ende kambanat e Katedraleve të Hygoit, kumbojnë, njësh me orën dhe orët e liga, edhe atë shpërfillje kohe përjetësie që duket sikur thotë: aq më bën!
Por, prapëseprapë – se s’po më del që s’po del inati -, si i bëhet kur, teksa të kallin datën thonjtë e maces, që rriten e zgjaten brenda tablosë e të kaplon tmerri mos grisin kanavacën e tërë, të mos të të kaplojë raptusi për t’ia hedhur thonjtë në fyt të zotit të saj dhe të motelit po aty: për ta ngrënë të gjallë?!
Ku është haleja? Ja, tha, aty matanë, në fund, ku lexon ‘toilet for man’. Dhe urdhëroi një palë taka që kërcitën mbi pllaka: Shoqëroje zotërinë!
Zorrët në grykë, boxe melodie moteli edhe këtu brenda… e nxorra më në fund. E volla.
Ikëm… dhe e përshkuam pa folur “Komunën e Parisit”, me kokën unjur mbi kalesat e gropat e hapura të pusetave dhe gjirizive, për të dalë në Lanë, matanë të ish-bllokut.
Shpesh, kur mbetet një si lëmsh në grykë, të vjen të fishkëllesh. Por s’më vijnë në mend tani ato variacione violine kur dikur shoqëroja pa zë kundrimin e ish-tablosë. Edhe kësaj çka doli nga tendosja harkim i këtij shkrimi, vetëm pak më parë vendosa t’ia ngre paksa volumin. Për të mbytur disi atë sfond melodie modeli shëmtie që lamë pas. Nën imazhe si në filmat nga Kubrik kur, pas suspanse, një vaj violine shoqëron skenat me pllanga gjaku mbi pllaka dhe vaskë. Ku vrasja, si zakonisht ndodh natën. Dhe, zakonisht, në një nevojtore.
Please follow and like us: