Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Erdhi Lavdoshi i filmit

(Urim për 80 vjetorin e lindjes Lavdosh Dervishaj, kinooperatorit të parë të Lumit të Vlorës)

Kinema lëvizëse në fshatrat e Lumit të Vlorës

Lavdosh Dervishaj ka lindur më 15 mars 1944 në Brataj, në një familje atdhetare. Këtu mbaroi shkollën fillore, më pas mbaroi shkollën 7 vjeçare në Tërbaç në vitet 1956-1959, ku mes vështirësive nxënësit kalonin përrenj e ngjitnin malore për të vazhduar shkollën, e cila gjendej mbi një orë larg. Por flaka e dijes ishte e madhe dhe i tërhiqte nxënësit për të mësuar. Në vitet 1959-1963 punoi në kooperativë bujqësore, në punë të ndryshme. Në vitet 1963-1965 kreu shërbimin ushtarak, në repartet gjitharmësh, në Elbasan e Burrel. Pas ushtrisë punoi në një baxho të Ramicës, për disa muaj. Në vitet 1966-1968 kreu detyrën e sekretarit të rinisë për fshatrat Brataj-Lepenicë, ku punoi me pasion për ecurinë e jetës së organizatës së rinisë. Një ndihmë të madhe i ka dhënë dhe veprimtari i shquar shoqëror, Dr. Ibrahim Dervishi, i cili ishte drejtor i spitalit të Bratit, i cili si kuadër i shquar, i përkushtuar, me frymë e ideale të larta, kishte qenë doktor partizan në spitalin e Ramicës e gjetkë, në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai erdhi në organizatën tonë të rinisë e na tha: “Që sot e tutje do të më konsideroni anëtar të organizatës suaj!”. Dhe vinte kudo me ne, në aksione e aktivitete kulturore…

Një luftë të madhe kemi bërë kundër fanatizmit të kohës, për prurjen e te rejave në rini, në kuadrin e përgjithshëm të emancipimit të jetës shoqërore në fshat. Në vitin 1966-1967 hapën tarraca e mbollëm pemë në qendër të fshatit, te shkolla fillore e në fushën e Bratit. Në Lepenicë morëm aksionin për shtruarjen e rrugëve me kalldrëm, nëpër shtëpitë e fshatit. Dr. Brahim Dervishi i drejtonte këto punime, i cili nëpërmjet tyre solli frymë e kolektivitetit dhe të pjesëmarrjes në to tëbrezave të ndryshëm. Më tej rinia kaloi në aksin në Bolenë, për ndërtimin e rrugës së fshatit. Ish kryetar i kooperatives Metlli Jaupi një burrë i urtë e me përvojë jete, u gjend në krye të aksionit dhe rinia e fshatarave të Brataj deh Smokthinë fjetën në shtëpitë mikpritëse të Bolenës. Elektrifikimi i krahinës në vitin 1969, mundësoi gjallërimin e jetës, në familje dhe në shoqëri. Në çdo familje fshatare u fut radioi e TV. Këto mbuluan informimin edukativ, kulturor dhe argëtues. Krahas tyre filloi të funksionojë dhe autokinemaja. Dokumentarë të ndryshëm, si dhe filmi artistik nisën të shfaqeshin rregullisht në çdo fshat. Punonjësi i autokinemasë, Lavdosh Dervishaj nga Brati, e kreu këtë detyrë me plot pasion e përgjegjshmëri.

Nga fillimi i vitit 1969 në lokalitetin e Bratit erdhi një kërkesë për kurs kinooperator. Kryetari Maman Saliu ofroi në kursin 6-mujor Lavdosh Dervishaj. Ky e kreu kursin me dëshirë e pasion, pasi filmi ishte art dhe ai e dëshironte shumë këtë lloj arti. Këtë punë e bëri për 21 vite rresht, nga viti 1969 deri me 1990. Shfaqi filma dokumentarë në fshatrat e Lumit të Vlorës, nga Kuçi, Kallarati e deri në Drashovicë. Puna ishte e bukur, romantike si dhe arti fisnik i transportimit të aparaturave me kafshë në distanca të largëta, dhe 4-5 orë nga qendra e fshatit Brataj. Vështirësia e mjeteve në transoprt me kafshët ishte e madhe, por, me vullnet dhe me ndihmën e këshillave të fshatreve, u bë e mundur që kjo shfaqje kulturore të mos ndërpritej. Ishte një profesion që e dashuronte, pavarësisht se kishte vështirësi dhe larg familjes. Për Lavdoshin ishte një punë e bukur dhe shkonte me dëshirë në të gjithë fshatrat malorë, e në zonat e thella të krahinës. Fëmijët deh pionerët, por dhe të moshuarit dilnin dhe e prisnin me duartrokitje. Për të gjtihë ishte një gëzim i madh, por dhe Lavdoshi e bënte me pasion, nuk ndiente lodhje, e quante privilegj dhe punë të bukur. Fillimisht kishte fshatrat nga Drashovica, Lapardha, Kotë, Gumenicë, Velçë, Smokthinë, Gjormë, Lepenicë, Brataj, Tërbaç, Vranisht, Kallarat, Bolenë e Kuç. Por nga vitet 1980 u specializuan për kinooperator për fshatrat Kuç e Kallarat Kujtim Sadikun, për Vranishte Tërbaç Jazo Ibrin dhe për Smokthinë Aleko Beqirin. Pas vitit 1985 Lavdoshi kishte vetëm fshatrat e kooperativës së bashkuar Brataj-Gjorm. Kështu vazhdoi deri në vitin 1990.

Në punë e sipër u kualifikua dhe për zanatin e elektricistit, duke marrë kategorinë e pestë… kjo lidhej me atë të operatorit. Pas viteve 1990 u mbyllën kinematë, por si elektricist u sistemua me punë në hidrocentralin o Smokthinës dhe doli në pension në vitin 2006. Për punë të mirë si kinooperator, nga seksioni i arsimit dhe kulturës u propozuar dhe u dekorua me medaljen “Urdhri i Punës”, i Klasit II në vitin 1979. Kudo punoi me pasion për filmin dhe njerëz kudo e rrethonin me dashuri.

Erdhi filmi!

Kështu u thirr nga banorët e Lumit të Vlorës për njëzetë vite Lavdosh Dervishaj. Kudo në fshatarat e kësaj krahine famëmadhe, njerëzit sapo shihnin Lavdoshin, me mushkat ngarkuar me aparatura, thërrisnin “erdhi filmi i Lavdoshit”. Ai e shpuri filmin në Kuç e në Vërmik, në Tërbaç e në Velçë, kudo… në tërë Lumin e Vlorës. Në këto fshatra të thella dhe disa vite pas çlirimit radio ishte një privilegj, ajo erdhi vonë nga vitet ’60 të shek. XX. Në fillim radio për vatrat e kulturës me vajguri dhe më pas radio me bateri dhe energji elektrike. Ardhja e filmit ishte një ngjarje e madhe… aty të rinjtë dhe pleqtë, të gjitha moshat shikonin mbi një copë beze të bardhë figura, ngjyra, personazhe… magjepsëse për njerëzit të cilët ndesheshin për herë të parë … pasi bota, prej tyre, deri në këtë kohë perceptohej vetëm nga kallëzime të dëgjuara, me lexime, si dhe të imagjinatës të njerëzve të veçantë.

Në Ramicë në qendër të fshatit mbi murin e vjetër të dyqanit të xha Kasos, një ndërtesë e vjetër shekullore, mbledheshi të gjithë njerëzit e fshatit, pleq e plaka, të rinj e të reja, deri dhe fëmijë në gjoksin e nënës, për të parë film. Fillimisht Lavdoshi kishte dy mushka të ngarkuara me aparatura dhe më pas një makin filmi… thirrjet dhe gëzimi i të rinjve dhe pionerëve shprehej në jehonën “Erdhi filmi!”, “Erdhi Lavdoshi i filmit!”

Thirrjet e gëzuara të fëmijëve vazhdonin derisa Lavdoshi shfaqte në çarçafin e bardhë të ngjitur në murin e dyqanit fillimin e filmit… Qetësia ishte vendosur menjëherë… asgjë nuk pipëtinte, shikuesit e shumtë i kishin ngulur sytë tek figurat që shfaqeshin në çarçafin e bardhë… ku ngjarjet tregonin një hero, një kuadër natyror, një vrasje, fluturim… ishte vendosur një qetësi mbretërore… Njerëzit e përpinin filmin me ekran të madh. Të dukej se në sheshin apo salla e vatrës së kulturës të kishin zbritur prej diku nga bota qiellore… Ato kuti metalike mbanin magji brenda dhe kishin udhëtuar me orë të tëra nga Brati në Ramicë e kudo… fshatrave të largët të Labërisë. Ndodhte që shiriti këputej e Lavdoshi, nën dritën e një prozhektori dore të dukej si personazh filmik, tek e rregullonte apo ngjiste shiritin… dhe buzëqeshja e tij ku i dukeshin dy dhëmbë floriri ja bënin fytyrën dhe më filmike. Në tërë këto vite Lavdoshi, si me magji balsamoste heshtjen dhe kureshtjen e njerëzve. Janë shfaqur filma, si “Skënderbeu”, “Vitet e para”, “Tana”, “Mësuesja e fshatit”, “Rënia e Berlinit”, filma rus, “Komisari i dritës”, “Udha e shkronjave”, etj, etj. Të gjithë këta filma i transportonte dhe i shfaqte Lavdoshi me mushka apo me autokinema. E kështu, për shumë vite rresht, sidomos në stinën e verës Lavdoshi shkonte nga fshati në fshat, nëpër krahinë e pritej me brohoritje, sidomos nga fëmijët e pionierët…

Ishin kohë të vështira. Në vitet e para të punës nuk kishte ardhur televizori në fshat. I vetmi argëtim për njerëzit dhe rininë ishte shfaqja e një filmi në ekranet e improvizuara, herë në vatrat e kulturës, here në faqe muresh, në qendrën e fshatit. Kështu, shfaqej filmi në Smokthinë, Brataj, Velçë, Gjorm e Lepenicë. Aty njerëzit çlodheshin, duke përjetuar për dy orë me emocionet e artit filmik. Kinooperatori Lavdosh Dervishi, djalë i ri në atë kohë, i qeshur e i shoqërueshëm me të gjithë, i përkushtuar e i pasionuar për profesionin e filmit, udhëtonte me orë të tëra, me mushkat e ngarkuara me aparate… Ai fitoi respektin e të gjithëve, në çdo fshat ku shkonte e shfaqte filmat. E gjeje gjithmone midis të rinjve intelektualë e fshatarëve… të cilët e nderonin dhe e vlerësonin për punën e tij.

Gjysh Zeqiri hoqi valle në ngritjen e Flamurit

Me shumë burra të tjerë të Brataj Zeqir Selami shkoi në ngritjen e Flamurit në Vlorë më 28 nëntor 1912. Atëhere ai ishte afër të dyzetave. Hoqi valle bashkë me Mato Hasanin e bratas të tjerë, aty, te sheshi ku u ngrit flamuri. Zeqir Selami hoqi vallen në sheshin e Flamurit dhe këndoi: O fshat i Brate në brinjë,/ Me burra e djem të mirë,/ Luftëtarë për kombësinë… Në librin “Brati në rrjedhat e jetës” Gani Muho shkruan: “Bratasit gjithnjë kanë qenë të gatshëm sa herë u është bërë thirrje për çështjen kombëtare, si në ngritjen e flamurit më 1912, me në krye Memo Meto Brataj, Tafil Fejzon, Brahim Musain, Nuro Kamberin, Hysen Sherifin, Isuf Delon, Iljaz Likën, Elmaz Çaçanin, Dervish Alikon, Zeqir Selamin. Më pas, nga fillimi i vitit 1913, ai, me shumë bashkëfshatarë të tjerë, si Memo Mete, Elmaz Çaçanin, Numan Seiti, etj., nuk e hoqën pushkën nga supi për të mbrojtur pavarësinë e fituar me gjak dhe sakrifica. Kështu, pas bagëtisë dhe i lidhur edhe me hallet e fshatit, i kaloi vitet plot dallgë të pushtimit italian që prej vitit 1914. “E fituam pavarësinë nga Ismail Qemali, por, ja, na u shfaqën sërish halldupët përtej detit”, – thoshte për italianët. – E mjera kjo Shqipëri që s’e lanë njëherë rehat”, shprehej vazhdimisht xha Zeqiri.

Zeqiri mori pjesë aktivisht në luftën çlirimtare të vitit 1920. Ai së bashku me 57 luftëtarë nga Barati me Memo Mete Brati, komandant i çetës dhe ushtarak i lartë luftuan me heroizëm në Gjorm, në Llogora, në Qafën e Koçiut, në rrugët dhe rrugicat e Vlorës, derisa e shporrën pushtuesin italian nga Vlora. Në këto luftime Zeqiri u plagos. Shtëpia e Zeqir Selamit u vendos tërësisht në shërbim të luftës. Zeqiri, tashmë i moshuar, veç këshillonte djemtë e tij, të mëhallës dhe të fshatit që të forconin bashkëpunimin e t’u përgjigjeshin detyrave që do t’u ngarkoheshin. “Se lufta kërkon energji djemsh, thoshte ai, dhe… dasmë pa mishra s’ka. Lufta do ketë edhe sakritica”…

Lagjja Dervishaliaj në Brataj që ishte e vendosur në këmbë të malit, më 2 shkurt 2015 nga një stuhi e fuqishme natyrore u shembën të nëntë shtëpitë e saj. Për këtë ngjarje u bë studimin dhe vlerësimin nga inxhinjerët e qarkut Vlorë dhe nga shërbimi gjeologjik kombëtar në Tirana, ku përcaktuan se në këtë lagje as ndërtohet dhe as jetohet më. Kështu që dhe dy shtëpi që kanë mbijetura deri më sot janë të pabanueshme. Ato janë stoike dhe ruajnë pllakatën përkujtimore me yll të kuq në nder të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, si bazë e rëndësishme e Jonuz Zeqir Dervishaj.

Please follow and like us: