Ilmi Kasemi Beati: SHERIFEJA…
Një libër me 33 faqe ku ritregohet nga djali i saj Petriti, rrugëtimi i ferrit të nënës së tij, që
është edhe nana ime.
…
Çdo gjë që është shkruar është e vërtetë.
Tregimet e tmerrit dëgjoheshin nga ne fëmijët, sidomos kur vinin miq e të afërm, të cilët këmbenin me njërjatrin historitë.
Kjo traditë e historisë gojore e atij brezi ishte identik me ngjarjet e luftës së Trojës, të cilat përhapeshin anë e mbanë, nga ligjërimi i personazheve real.
Thuhet dhe këtë e kam lexuar kur jepja leksione në Akademi, se kur Enea mbërriti në Romë, gjeti ngjarjet e Trojës së tij të pikturuara në muret e afreskeve etrusk.
Mbaj mend që deri në vitet e para të tetëdhjetës, pra kur kaluan gati dyzet syresh, rrëfimit po i vinte fundi, sepse edhe shpresa e shkrimit, historimit apo pikturimit dhe mandej kurimit ishte thuajse u bë e pa shpresë, pasi politika zyrtare e Tiranës nuk e lejonte këtë rrëfim, të quajtur padrejtësisht si tendencialisht nacionalist.
Me sa duket edhe shpresa paska një fund durimi në izolacionizmin ideologjik të përhapur dhunërisht.
…
Sot në Hotel Tirana u bë promovimi nga Z.Alket Veliu, president i Fondacionit Çam
“Hasan Tahsimi”.
Z. Veliu Ju falënderojmë familjarisht për këtë gjest patriotik e kulturor, për sponsorizimin dhe fjalët e lëmuara bukur nga shpirti dhe vokacioni juaj atdhetar e human, për librin e vëllait tim Petritit, i cili erdhi në këto ditë të trazuara nga Austria, ku emigroi i përzënë me “dhunë” nga diplomacia, nga shovinistët e politikës dhe posaçërisht të Ministrisë së P. të Jashtme të Shqipërisë së vitit ’97.
…
Ishim një tryezë plot me të afërm, patriot çam dhe jo vetëm, të cilët me shpirt morën pjesë në këtë event.
Shkrimtarët dhe poetët Enver Kishi, Arben Iliazi, Arben Kondi dhe Ilirian Dahri i dhanë me fjalët dhe prezencën e tyre një fizionomi dinjitoze, pasi këta intelektual ndërtuan konturet emocionale dhe profesionale si “mjek” të fushës.
Ju falenderoj të gjithëve ju shkrimtarët e elitës sonë dhe pjesëmarrësit gjithashtu, të cilët erdhën me pathosin e brendshëm për të dëgjuar dhe shpresuar për ringjalljen e shpresës së humbur rrugëve të shovinizmit.
…
Jashtë vazhdon protesta.
Ne brenda “pesëmbëdhjetë katëshit” flisnim e dëgjonim njërjajtrin, identik si në vitin ’90.
Asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk ka lëvizur.
Jashtë nisi “Java Çame”, thuajse një javë pas “Javës Izraelite”, në mes të vorbullës së Protestave për Transpatencë.
Dy popuj të masakruar, të sharë si tregëtarë, e sidomos të pabesë e sidomos mëkatarët e rruzullisë tokësore këtu në Mesdhe.
Dy popujve të Tokës që ju hanë dherat, njëri në Lindjen e Mesme e tjetri në Europën e Mesme.
…
Sherifeja ishte pjesë e rrënjës epirote, por që në vulg kjo pjesë quhej turkallvan nga feja islame dhe emrat natyrisht për pasojë.
Nuk ishte grkallvan nga feja orthodhokse gjithashtu.
Allvanos (Albanos) në fakt na kanë quajtur, ne dmth prindërit dhe paraprindërit tanë, që dalloheshin prej një gjuhe tjetër nga Akaishta, por ky religjioni paskërka pasur një valencë ekspozive dasish të tmerrshme, deri në urrejtje të çdo tipologjie paranoiake, në këtë fashë territoriale e demografike, që nuk po ka të sosur edhe tani që flasim e shkruajmë.
…
Dolëm nga pesëmbëdhjetë katëshi dhe morëm rrugën për në shtëpi dhe te Toptani u kryqëzuam me protestuesit paqësor që brohorinin. Bëmë edhe ne nja 82 hapa bashkë me ta, sepse ata jemi ne të gjithë dhe ashtu rastësisht, por sikur të qe e thënë që të bënim edhe ne një protestë jo vetë për transparencë por më shumë për drejtësi, për 82 vitet që kaluan pas gjenocidit.
Nuk bëmë më shumë se ne çamët dallojmë shumë, si “çifutët” dhe hajt dëgjo dhiolitë e shejtanërisë paskëtaj e paskëtaj e andej.
…
Sot kujtuam jo vetëm nënën tonë, por të gjithë ato nëna çame që u boloritën rrugëve të Atdheut, që siç e tha në fund të fjalës së tij im vëlla, të “popullit të braktisur” në Atdheun e vet.
…
Libri hapet duke hapur e fshirë mirë dy pasqyra, në njërën ku një nënë greke e quajtur Heleni, në librin me të njëjtin titull të autorit grekoamerikan Nikollas Gage (Gatzyiannis), e vrarë nga bandat komuniste greke, dhe e dyta pasqyrë e nënës çame Sherife e mbijetuar, por e dëmtuar psikoneurotikisht nga badat shoviniste greke.
Dy pasqyra, dy realitete monstruoze, por që Oxidenti mësoi nga libri dhe filmi i bujshëm me të njëjtin autor, se në Epir është vrarë vetëm një nënë nga komunizmi dhe jo një mijë e një të tjra nga helenizmi!!!
Kur fola, duke ndjekur ritmin e shkrimit dhe trajtimit realist në libër, i dërgova ngushëllime birit të mana Helenit, sepse nana është nanë në gjithë popujt e kësaj bote. E bëra pa hipokrizi këtë reagim, pasi libri i nanës së autorit të pasqyrës tjetër, bënë thirrje për kthim e reciprocitet ngushëllimor, sepse ne të “gluhës perëndike” të shtrenjtë kemi frymën hyjnore të paqes dhe arsyes humane për pasojë, që të ruajmë nderin, sepse toka na u mohua, historia antike dhe kjo modernia dramatike gjithashtu po na fshihet kathe ditë dhe më e tronditës është sentimenti çamofobik, ku emri Çam e Çamëri po bëhet çdo ditë që kalon, homologim i grekut të lashtë, etruskut e romakut antik.