Albspirit

Media/News/Publishing

Joni Shanaj: Ligji i Llogaritarëve dhe Pagatorëve vs Ligji Anagnosti


Kryefjala e ligjit aktual të kinematografisë në Shqipëri është AUTORI.
Fondi buxhetor për filmin shqiptar u krijua nga Anagnosti, autori më i madh i kinematografisë shqiptare të asaj kohe. Mori model ligjet e vendeve europiane perëndimore – copy-paste, por formulimet dhe përkufizimet në ligj janë shkurt, shqip dhe saktë.
Pas daljes nga skena për shkak të moshës së Anagnostit me shokë, dhe humbjes fatale e të parakohshme të lojtarit të peshës heavyweight të kinematografisë shqipe pas viteve ’90, Gjergj Xhuvanit, çfarë që nisi si nismë e modelit europian për krijimin e një fondi buxhetor për filmin shqiptar, u zhvendos gradualisht në një pushtet periferik, jashtë çdo kontrolli qëndror.
Hap pas hapi, qeveri pas qeverie, u krijua një “shtet brenda shtetit” paralel, në periferi të Tiranës.
Disa zyra, pak punonjës dhe nënkontraktorë të quajtur producentë që vërtiten si meteorë në errësirat e korridoreve rreth një buxheti të harruar nga vëmendja e shtetit, në total diku plus minus 1 milion dollarë.
Duke studiuar projektligjin e sjellë papritur këtë pranverë mbi tavolinën e Kryetarit të Kuvendit për aprovim, më duhet të bëj disa sqarime për palët e përfshira.
Projektligji “Për kinematografinë dhe audiovizualin” krijon përplasje frontale me Ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili sanksionon qartë çështjet e fushës dhe garanton lirinë e prodhuesve të pavarur kundrejt monopoleve mediatike.
Në një lexim të parë, projektligji i ri sanksionon se fondi buxhetor për kinematografinë dhe audiovizualin do të përbëhet prej një pjese nga buxheti i shtetit (siç është sot) dhe një pjese tjetër – nga premtohet të burojë edhe rritja e tij – nga 5% e tatimit mbi fitimin të kompanive mediatike (Top Channel, Klan, Vizion Plus, Digitalb, Tring etj.), si dhe nga një përqindje e vogël e tatimit mbi fitimin të kompanive telefonike (Vodafone, One etj.).
Këto para do të shkojnë në dispozicion të agjencisë së re që shpik ky ligj, e cila emërtohet AKKA dhe zëvendëson QKK-në, institucionin e ngritur nga ligji aktual.
Në kushtet shqiptare nuk ka asnjë nevojë që të specifikohet se nga cila linjë buxhetore e shtetit financohet cili shpenzim.
Nuk ka asnjë shpjegim logjik pse është zgjedhur kjo rrugë për të rritur buxhetin e kinematografisë, kur rritja e fondit për filmin mund të zgjidhet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, ashtu siç është bërë këto 30 vjet, pa qenë nevoja që të përmbyset ligji Anagnosti.
Projektligji i pagatorëve dhe llogaritarëve zgjeron gamën e financimit të institucionit publik, duke e orientuar gjithnjë e më tepër drejt bashkëpunimit në partneritet me operatorët privatë – lexo: oligarkët.
Specifikimi i burimit të buxhetit hap rrugën për pretendime ndaj këtij buxheti prej kontribuesëve specifikë, si ndaj fondit ashtu dhe ndaj autorësisë.
Kontributi buxhetor në një vend si Shqipëria, e cila ka një traditë të vjetër kinematografike, duhet të jetë vetëm në autorësinë e shtetit, pa rrezikuar të krijojë vartësi të drejtpërdrejtë nga bizneset dhe deklarimet e fitimeve të tyre.
Përtej kësaj, për çdo rast, fondi më i varfër buxhetor në Europë për kinematografinë nuk mund të vihet në shërbim të monopoleve të kompanive mediatike, pasi kjo bie në kundërshtim me vetë arsyen e ekzistencës së tij.
Duket hapur se një grup i organizuar dhe i forcuar në vite rreth këtij buxheti publik, të garantuar nga ligji për 30 vjet, ka arritur t’u mbushë mendjen disa operatorëve mediatikë (oligarkëve, në gjuhë popullore) që t’i afrohen fondit buxhetor të shtetit shqiptar për filmin shqip.
Fillimisht dukshëm po luhet loja sikur fondi buxhetor për filmin po shtohet dhe pasurohet (kujto Kadri Roshin dhe Sali Protopapën) nga përqindjet që oligarkët paguajnë si tatim mbi fitimin e kompanive të tyre mediatike për shtetin.
Dhe lind pyetja: Kush i ka mashtruar rëndë këta oligarkë shqiptarë, familjarët e tyre dashamirë për kulturën dhe filmin, fëmijët, dhëndurët, nuset, baxhanakët apo të afërmit e tyre që pa asnjë ide mbi ligjet dhe rregullat e lojës deri më sot mendojnë se kanë interes të ngatërrohen me fondin publik më të varfër në Europë të filmit shqiptar?
Disa sekserë, pagatorë, llogaritarë. Të vetmit që dalin me fitim përherë nga çdo ngatërresë.
Po ndodh diçka e ngjashme me historinë e Zvërnecit, ku disa palaço marrin guximin të implikojnë Jarred Kushner dhe Ivanka Trump.
Në fillim joshin, pastaj ngatërrojnë dynjanë, në mënyrë që disa sekserë, disa llogaritarë apo pak mafiozë e noterë të kapin ca lekë gjatë rrëmujës dhe të zhduken me vrap.
Fondet buxhetore për kinematografinë vendase nuk lëvrohen për kompani komerciale, grupe të mëdha mediatike, broadcasters të mëdhenj apo biznese rreth tyre – në asnjë vend të Europës.
Çështja nuk është se bizneset e lidhura me filmin nuk mund të jenë fitimprurëse.
Çështja thelbësore, konceptuale, politike është se këto aktivitete biznesi duhet të jenë të pavarura.
INDIPENDENTE!
Bizneset fitimprurëse, kompanitë komerciale dhe cilido kanë rregullatorët e vet duke nisur nga lehtësitë fiskale deri tek ligjet për sponsorizimet – gjë që, për fat, sapo ka nisur të lëvizë seriozisht edhe në Shqipëri, duke premtuar zhvillim për filmin, artin dhe kulturën më gjerësisht.
Investimet në fushën e audiovizualit janë dhe do të jenë padiskutim të mirëpritura.
Artistëve krijues, interpetues dhe autorët shqiptarë kërkojné bashkëpunim të hapur, serioz dhe të lirë profesional me këdo. Në rrugën e zhvillimit të gjithë si shoqëri ecim bashkë.
Por duhet ditur se fondi buxhetor publik për kinematografinë është kudo ku ekziston i dedikuar vetëm për kompani të pavarura. Indipendente!
Përndryshe nuk ka pse ekziston.
Dalëzotësit e Shqipërisë duhet të jeni të parët të mbroni kulturën kombëtare, aktin krijues të autorëve shqiptarë të mos trajtohet si produkt industrial, si mall, por si artizanat vendas, lokal, i pastër dhe i lirë!
Në çdo vend të botës, nga Amerika deri në Shqipëri trendi i sotëm është që kompanitë e prodhimit të filmit të jenë gjithnjë e më të pavarura si nga biznesi i madh i korporatave ashtu dhe sidomos politika.
Pavarësia krijuese e këtij sektori në skajet e tij eksperimentale, kreative, inovative ushqen dhe mundëson ekzistencën e shëndetshme të së gjithë shoqërisë, përfshi biznesin dhe ekonominë.
Shqipëria nuk ka asnjë arsye pse të ecë mbrapa në REGRES!
I gjithë legjislacioni europian mbi mediat dhe audiovizualin, gjithçka që shërben si rregullator për krijimtarinë audiovizuale, forcon, mbron dhe detyron kompanitë e mëdha mediatike gjithashtu të ofrojnë hapësira të detyrueshme brenda orareve të tyre të transmetimit për prodhime indipendente.
Askush nuk është kundër investimit privat të prodhimit audiovizual. Çfarë pritet është rritja e performancës profesionale.
Rritja e nivelit teknik dhe atij artistik që mbeten të lidhur bashkë kokë e këmbë në film.
Teknika është dhe mbetet në art vënia në efikasitet e talentit si nga ana e produksionit ashtu dhe e aktorëve që përveç talentit kërkojnë regjisorë profesionistë për t’u shfaqur dhe rritur.
Investoni në regjisorë dhe autorë profesionistë, jo në dallavere me qeveritë nqs kërkoni të rrisni në mënyrë eksponenciale vlerësimin dhe reagimin e publikut për filmat komercialë apo serialet që prisni dhe planifikoni të bëni.
Hyrja në treg e prodhimit komercial është jo vetëm për t’u përshëndetur, por patjetër për t’u ndihmuar nga qeveritë pasi premton krijimin e një ekuilibri të munguar në vend në raport me audiencën e gjerë.
Por rritja e nivelit artistik në filmin komercial të prodhuar nga producentë miliarderë qejflinj dhe dashamirë për kulturën audiovizuale – do të mund të vijë vetëm prej bashkëpunimesh të sinqerta, në dobi të përbashkët mes investitorëve, producentëve profesionistë dhe artistëve, si atyre interpretues ashtu dhe atyre krijues autorë.
Këta të fundit që janë dhe më të vlefshmit e më të rëndësishmit keni harruar që ekzistojnë!
Këtu qëndron thelbi i gabimit konceptual të shfaqur në projektligj.
Keni harruar që Shqipëria ka, ka parur dhe do të ketë në të ardhmen autorë.
Siç veçova në fillim për sa i përket fondit buxhetor, ai ekziston për të garantuar mbrojtjen, ekzistencën dhe maturimin e autorit shqiptar.
Nëse në këndvështrimin e shumë njerëzve apo edhe vetëm disave ky fond nuk ka arritur të realizojë këtë funksion, kjo vjen sepse është abuzuar me fondin, jo sepse në Shqipëri nuk ka njerëz me talent.
Këtë jam i bindur se e di dhe e kupton çdo shqiptar!
Më poshtë po i dedikohem një shpjegimi pse mendoj se ka ndodhur kjo pengesë ndaj autorëve të zotë dhe të talentuar për t’u rritur dhe shfaqur si të tillë edhe para publikut të gjerë.
Shqipëria, miq të dashur, përsa i përket filmit, kinematografisë si dhe çdo gjinie të artit shqip, nuk ka patur qeveri.
Zhvillimin normal shoqëror të shfaqjes para publikut të talenteve të veta e ka penguar dhe e pengon bajraktarizmi i sekserëve të ndërmjetëm, njerëzve të paaftë të fryrë herë me pushtet financiar e herë nën sqetullën e qeverive, personazhe që qëndrojnë si gardh dhe mur të llojit “tokë e xanun” mes investitorëve seriozë, publikut vendas dhe autorëve shqiptarë.
Sipas ligjit të sotëm për kinematografinë dhe sipas realitetit tonë deri më sot, AUTORI është ai që me aftësitë e tij krijuese i jep jetë një filmi.
Fondi publik u krijua pikërisht për këtë: që filmi shqiptar të ekzistojë si ART.
Procesin praktik të realizimit në rastin e një projekti filmik e kryen producenti, i cili vepron në sajë të kontratave të lidhura mes tij dhe autorëve.
Duke u nisur nga kontratat që producenti realizon me autorët, fondi buxhetor lëvrohet për shtëpinë filmike – personin juridik të producentit.
Producenti paguhet, organizon punën dhe përfton pas përfundimit të saj të drejtën e shfrytëzimit ekonomik të filmit.
Autorët pra, ia delegojnë punën producentit në bazë të kontratës dypalëshe dhe, pas përfundimit të filmit, ruajnë kontrollin e tyre mbi veprën filmike sipas rregullave të ligjeve të së drejtës së autorit, rregulla tashmë të njësuar globalisht.
Por çfarë ka ndodhur këto vite në Shqipëri?
Interesi i producentit – i cili normalisht hynte në botën e filmit si llogaritar ose pagator para se të quhej madhërisht kineast – gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë të ulë pretendimet e autorëve, duke u thyer sa më shumë vetëbesimin, kërkesat dhe forcën negociuese në nënshkrimin e kontratave.
Kjo ka sjellë gradualisht uljen deri në shtypje të kokës së autorit shqiptar kundrejt producentëve të krijuar me fonde publike për të realizuar filmat e autorëve, të cilët sot ofrojnë shërbime nga më të larmishmet për producentët.
Me kalimin e kohës një rol akoma më qendror nisën të gëzojnë sekserët.
Dhe këtu më duhet t’i përgjigjem pyetjes:
Si u orientua fondi buxhetor për kinematografinë i shtetit shqiptar nga një mekanizëm në ndihmë të filmit autor dhe mbrojtjes së kinematografisë shqiptare, në një qese me para ku për shpërndarjen e këtyre lekëve ligjin tashmë e bëjnë disa sekserë të fshehur pas disa llogaritarësh pagatorë?
Historia nis me fillimet e lirisë postkomuniste, kur autorët shqiptarë, entuziastë për aftësitë e tyre, krijuan disa shtëpi filmike – siç quhen ligjërisht kompanitë e prodhimit të filmit SHPK.
Për menaxhimin formal të fondit buxhetor sipas rregullave të shtetit, autorët punësuan për SHPK-të e tyre disa llogaritarë për të mbyllur dokumentet dhe shkresat.
Llogaritari kryente normalisht dhe kryen edhe punën e vyer të pagatorit që kryen veprimet financiare me njerëzit e përfshirë.
Gradualisht, duke qenë se juridikisht institucioni i ngritur nga ligji raportet e përditshme i ka me ekonomistët dhe personin juridik SHPK, llogaritari, pagatorët, pa u ndjerë, vendosën jo vetëm raportet e drejtpërdrejta, por nisën të marrin de facto kontrollin mbi institucionin.
Kjo u arrit në sajë të talentit të tyre por mbi të gjitha në sajë të talentit të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe të çdo ministri shqiptar për të përzgjedhur dhe emëruar kudo sekserë.
Në procesin e vazhdueshëm të trafikimit të influencave dhe identiteteve që karakterizon jetën tonë civilees sekserësh që ndërlidhin realitetin me qeverinë, n3 fushën e kinemarografisë pagatorët nisën të duken gjithnjë e më shumë si autorë, ndërsa autorët gjithnjë e më tepër nisën të marrin trajtën e llogaritaritarëve.
Sekserët herë u shfaqën si drejtorë, herë si producentë e herë si ministra politikanë number #1.
Herë pas here, vit pas vit, kohë pas kohe – herë ditën, shpesh herë natën – rregullat dhe rregulloret e brendshme nisën të ndrohen, shtohen, hiqen, modifikohen, pa asnjë logjikë.
Ditë pa dite u ngrysëm dhe u rrudhëm, u thinjëm dhe u zgajdëm me një rregullore natën dhe u gdhimë me një tjetër ditën të zhubrosur nga halli kujt t’i sqarojmë gomarllëkun e rradhës të një kryetari malinj dhe absurd të fryrë natyrisht brenda një zyre ditë e natë si i emëruari politik i radhës i institucionit.
E gjithë skena e absurdit mes kollonave antike dhe arkitekturës sovjetike ka një rezultat të spikatur.
Kush nuk i prish punë qeverisë, sekserit të rradhës, pagatorit llogaritar dhe është korrekt, shumë i rregullt dhe model, PËRKOHËSISHT shpallet talent!
Pasi sot se cili është autor i mirë, kineasti më i shquar, talenti më i madh me perspektivë, mund të ta thotë vetëm një llogaritar profesionist.
Pse ‘përkohësisht’? Sepse loja e tyre është që askush nuk duhet të ndihet i sigurt në pozicionin që ka. Po të jetë i sigurt nis të negociojë më fort në kontratë!
Ndaj sot projektligji aktual i cili eleminon rolin e autorit dhe e fokuson gjithçka në interes të “producentëve”, i kryer nën mbrojtjen e politikës dhe oligarkëve që nuk kuptojnë më thellë nga këto çështje të detajeve të harruara në periferi, është fitorja ultimate e logjikës dhe interesave të sekserëve dhe llogaritarëve-pagatorë, të shndërruar në vite në kontrollues supremë të kinematografisë së Shqipërisë.
Prej vitesh është anashkaluar komplet qëllimi i ligjit për kinematografinë. Arsyeja pse ekziston fondi publik për filmin, sepse Shqipëria deri më sot, në këtë moment që shkruaj, nuk ka patur qeveri.
Në kohën kur personalisht prisja ndërgjegjësim dhe zhvillim pas mandatit të katërt të qeverisë, gradualisht para syve na u ngrit e gjithë qeveria si një njësi llogaritarë pagatorësh sekserë në harmoni të plotë me të gjithë strukturën gri të ngritur si brenda shtetit në një mini-shtet paralel.
Kjo ndodh në kohën kur Ministria e Kulturës funksionon si dhe vetë emërtimi i saj evokon si një zyrë part-time.
Synimet e drejtuesve mbeten gjithmonë të njëjtat:
Askush të mos ndjejë kurrë asnjë siguri.
Të mbahet i pasigurt dhe i kërcënuar edhe autori më i njohur.
Të mbetet i pasigurt dhe i përulur përjetësisht.
Të krijohet rrëmujë e përhershme, që të vetmit të qëndrueshëm të jenë gatekeepers – ata që shkruajnë dhe ndryshojnë rregullat.
Drejtorët të krijojnë autorët e tyre.
Sa duke i ushqyer me fonde, sa duke përfituar nga “bashkëprodhimet” ndërkombëtare, ku figura të paafta për të krijuar stimulohen në bazë dhe krahas politikave interkulturore e bashkëpunimeve ndërkombëtare ku sajohen projekte me ndihmën e bashkëproducentëve, në mënyrë që të krijohet me zhurmë ideja e diçkaje të përtypshme.
Krijimi i autorëve “presta nome” – figura të ushqyera me fonde dhe bashkëprodhime ndërkombëtare, që shërbejnë si fasadë.
Shpërndarja e fondit publik hallakatur në rrëmujë tek ata që dinë të krijojnë iluzionin e “diçkaje të madhe”.
Eliminim i vazhdueshëm dhe shtypje e çdokujt me sado pak personalitet, talent dhe karakter.
Emri i tyre të mos ekspozohet kurrë për publikun.
Për çdo pakënaqësi, në sytë e opinionit, fajtorë bëhen ose kineastët, ose vetë qeveria.
Nuk ka asnjë problem.
Qarku mbyllet me kërkesën dhe përpjekjen për abrogimin e ligjit aktual, në mënyrë që çfarë ka ndodhur jashtë ligjit të çertifikohet tashmë në ligj.
Më në fund llogaritarët-pagatorë të përfaqësuar në qoshe nga sekserë arritën të anashkalojnë autorët realë dhe duke mashtruar oligarkinë të hartojnë ligjin vetë.
Një ligj që nuk i shërben as biznesit të madh, as ecurisë së vendit, autorëve jo e jo – por vetëm llogaritarë pagatorëve, për t’u shtuar në formën më meskine vetëm të ardhurat këtyre njerëzve që autorësinë e vetme në jetë e kanë sot një tentativë për krim, jo vetëm ndaj artit shqiptar por ndaj të gjithë shoqërisë.
Nuk është fjala më për një gabim të radhës të tranzicionit shqiptar.
Tranzicioni në sajë të Dhimitër Anagnostit dhe Gjergj Xhuvanit arriti të mbajë gjallë kinematografinë.
Ky tashmë është vetë sistemi.
Njerëz pa vizion, pa kulturë, mendjemëdhenj, delirantë për kontroll por pa asnjë ide dhe vetëm meskinë dinë të krijojnë vetëm krim.
KRIM që sot po pëpiqen ta bëjnë ligj!