Albspirit

Media/News/Publishing

Aleksandër Meksi: Vrasja e poetëve ose krimi i shtetit


Rezultate imazhesh për libri vilsoni dhe genci

Sa herë që përmenden poetët martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy djem të rinj nga Bërzeshta e Librazhdit, njeriut i vijnë natyrshëm në mendje pyetjet: Pse i vranë? Kujt i duhej vrasja e tyre? Kush ishin gjakësorët? Kush duhet të përgjigjet? E mjaft të tjera. Janë pyetje që i bën çdo njeri i ndershëm që nuk e lidh asgjë me krimet e diktaturës, apo që mendja dhe shpirti i tij në këto vite të postkomunizmit është “ndriçuar” dhe sheh atë çka të tijtë “realizuan” në ato 50-të vjet në Shqipëri. Dhe ai heshti apo bërtiti bashkë me ta “Kriminelët në litar!”, apo “Ia bënë mirë se nuk rrinte urtë” dhe ndofta si djali i vogël kur i shpëton ndëshkimit, gëzohej se nuk kishte biografi të keqe, nuk ishte në listat e këqija apo etj., etj. Ktheheshin në antikomunistë kur e pësonin për faj të ndonjërit nga fisi.

Janë kohë të shkuara, por jo të harruara, që askush nuk i fshin e nuk i fsheh dot. Madje, nuk duhen harruar, dhe për këtë Sadik Bejko dhe botuesi i librit duhen përgëzuar për botimin dinjitoz të vëllimit që sapo ka dalë nga shtypi “Vilsoni dhe Genci”. Po kështu duhet përgëzuar për parathënien e bukur shkrimtari ynë Ismail Kadare.

Libri “Vilsoni dhe Genci” – jeta dhe vepra, përgatitur dhe pajisur me shënime dhe një monografi nga Sadik Bejko, përbëhet nga parathënia (fq. 9-20), “Poetë të vrarë nga shteti i Ismail Kadaresë” dhe katër pjesë: Pjesa e parë titullohet “Genc Leka” poezi (fq. 21-54). Ka poezi të gjetura, apo të mbetura të Genc Lekës. Pjesa e dytë me titull “Vilson Blloshmi” (fq. 55-130) përbëhet nga poezi, përkthime dhe letra dërguar kushërirës Lumturi Blloshmi. Pjesa e tretë me titull “Vilsoni dhe Genci” (fq. 131-258) jep jetëshkrimin e letrarizuar të dy poetëve nga Sadik Bejko. Ndërsa Pjesa e katërt (fq. 259-297), ajo makabre dhe e turpshme, ka dokumente dhe ekspertiza të procesit dhe përshkrimin e vetë gjyqit. Vëllimi përfundon me mjaft fotografi nga jeta e dy poetëve.

Libri na jep mundësinë të njihemi me krijimtarinë e tyre dhe vlerat e saj, ndërsa duke lexuar reçenzentët-censor kuptojmë akuzat e sajuara për të justifikuar vrasjen e tyre të paravendosur. Ata u vranë mizorisht dhe me paramendim nga fanatikët e një sekti politik, mbeturinat e të cilit tentojnë të mbijetojnë e të diktojnë ende në Shqipërinë e sotme, me metodat bolshevike të përjashtimit dhe izolimit, si dikur në kohën e baballarëve të tyre, të atyre që mendonin ndryshe, që shkruanin ndryshe, që i thurnin vargje ndryshe dashurisë dhe hënës, domethënë jo si ata. Te “të ndryshmit”, këto mbeturina të së kaluarës së turpshme shohin sot fëlliqësirën e tyre, marrëzinë dhe egoizmin e tyre, babëzitjen e tyre për pushtet e pasuri, që e duan vetëm për vete.

Leximi i krijimeve artistike të dy poetëve, që nuk i ndan dot nga fati i tyre tragjik, është një lexim i trishtë dhe para teje ridel pyetja “Çfarë patën me ta?” Por, kthjellohesh kur të kujtohet se si këta u viktimizuan mijëra e mijëra familje të tëra, të cilat u masakruan, u burgosën, u përndoqën, vuajtën kënetave, minierave e kampeve të punës dhe se ishte ligësia dhe marrëzia e një pjese të shqiptarëve shkaku i kësaj mortaje, ishte ideologjia, ishin ideatorët dhe urdhëruesit, ishin dhe veglat, ishin dhe armiqtë e kombit shqiptar. Të gjithë kishin rolin dhe vendet e tyre, që makina e së keqes të funksiononte dhe të korrte, të gjymtonte dhe të dhunonte jetë të pafajshme njerëzish.

Këtë mekanizëm kriminal dhe përbërësit e tij na i ilustron më së miri dhe në mënyrë tërësisht të dokumentuar përgatitja e procesit dhe vetë procesi gjyqësor absurd ndaj dy poetëve, me synim të vetëm fundin tragjik për ta dhe familjet e tyre. Aty kuptohet se si merrej vendimi përpara gjykimit, se si përzgjidheshin viktimat (nga radhët e “armikut të klasës” që të mos shtojmë “armiqtë”), të cilët duhej të shërbenin si shembull për të tjerët; se si përgatiteshin akuzat e sajuara që duheshin për të “justifikuar” atë vendim. Aty kupton rolin e këtyre strukturave gjakësore si Sigurimi i Shtetit, Komitetet e Partisë dhe veglat e tyre: operativë e bashkëpunëtorë, komunistë e aktivistë të tjerë, ata që ekspozoheshin dhe ata që me emrin e tyre apo pseudonimet janë vetëm nëpër dosje operative, ata që dëshmuan për akuzën nëpër gjyqe të mbyllura etj. Duam të sqarojmë dhe një detaj makabër, i cili u përdor për dënimin me vdekje të të akuzuarve. Ata u akuzuan për agjitacion e propagandë (neni 55) dhe sabotim të ekonomisë socialiste (neni 72) dhe dëmtim të pronës, por asnjë prej këtyre akuzave nuk parashihte, sipas Kodit Penal në fuqi, dënimin kapital. Por, sipas një vendimi apo qarkoreje të kryetarit të Gjykatës së Lartë (A.Ç), bashkimi i këtyre akuzave meritonte dënimin me vdekje. Në këtë mënyrë, me dëshmitarë të rremë dhe proces të parapërgatitur, mund t‘i merrje jetën kujtdo që partia dhe sigurimi vendosnin. Në këtë mënyrë populli do rrinte urtë. Ky (A.Ç) u dënua e u burgos më vonë për këtë sajesë vdekjeprurëse, por pas vitit 1997 shokët e tij të armëve e nxorën nga burgu si të pafajshëm dhe i dhanë dhe dëmshpërblim, dhe jo vetëm atij, por dhe të tjerëve që u dënuan për gjenocid.

Pikërisht, si rezultat i kësaj veprimtarie kriminale, është e drejtë dhe njerëzore protesta ndaj mbijetesës në pushtet të këtyre individëve keqbërës dhe kërkesa për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, por, duhet shtuar se, dhuna e ushtruar ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë nuk është vetëm në ato arkiva. Të gjitha, në masën që nuk preken interesat e sigurisë së shtetit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe privacy-n e individëve të prekur, duhet të jenë të hapura për publikun dhe studiuesit. Nuk ka përse të vihen afate për hapjen e tyre (aq më tepër për Arkivin e PPSh). Ato mbrojnë vetëm të ligun, i cili mund të vazhdojë të dëmtojë. Ka përvojë në këtë çështje, le t‘i bëhet ajo e njohur publikut shqiptar, por jo ta përdorin këtë faqe të turpshme të historisë për sherre dhe tymnaja, ndërkohë që merren me punë të dyshimta.

Nuk mund t‘i heqim askujt të drejtën e diskutimit a duhet të dimë kush janë “Ata” urdhërues dhe vegla dhe çfarë kanë bërë, sa kanë mëkatuar dhe sa njerëz kanë dëmtuar dhe në çfarë mase, por njëkohësisht, dhe kjo për mua është shumë e rëndësishme, ata në asnjë rast nuk duhet të jenë hartues të politikave dhe zbatues të tyre, të emëruar dhe të paguar nga shteti demokratik, nuk duhet të jenë gjithashtu njerëz që ndikojnë në opinionin publik.

Nga trajtimi jo sistematik, i shtrembëruar dhe jo shkencor e historik i viteve të luftës dhe atyre të diktaturës komuniste, nga lufta false kundër komunizmit, janë të shumtë ata që tregojnë dizinteresim për bëmat monstruoze të asaj periudhe. Një pjesë tjetër, të nisur nga nostalgjia për komunizmin, që e ushqejnë të privilegjuarit dhe përfituesit, si dhe ata që mbase duhet të përgjigjen për atë kohë se janë të përlyer për dhunën mbi “armikun e klasës”, mundohen me kujtime bajate dhe të stisura, me filma me spiunë të imperializmit e klerikë dhe me shkrime “teorike” të mohojnë atë çfarë ka ndodhur, qoftë dhe duke thënë “Mjaft me të shkuarën! Të ndërtojmë të renë” e të tjera si këto. Për mendimin tim, ata gabohen, sepse e reja nuk mund të ndërtohet me drunj të shtrembër dhe të vjetër (që i drejton vetëm zjarri) apo të kalbur e të krimbur. E shkuara po u harrua rrezikon të përsëritet dhe këtu qëndron nevoja për libra si ky i Sadik Bejkos apo At Zef Pëllumbit dhe mjaft të tjerëve, por dhe për studime shkencore për atë periudhë të hidhur, të dhimbshme dhe turpi.

Duhet ta themi haptas, se në Shqipërinë e sotme mungon vullneti politik për të hetuar e studiuar historinë makabre të atyre viteve, pse jo dhe të turpshme për kombin. Sepse nuk ka si të shpjegohet që, ndryshe nga të gjitha vendet ish-komuniste të Evropës, në politikë e deri në rangjet e larta të politikës e të drejtimit të shtetit, ka akoma dinjitarë të lartë të regjimit diktatorial e të partisë së Enver Hoxhës. Andej ndalohen me ligje, këtu bëjnë ligjin. Dhe që fjalët e të gjitha palëve që përfshihen në këto debate të kenë vlerë e të gjykohen, le të publikojnë ligjet në fuqi për këto probleme në vendet ish-komuniste, të cilat pikërisht sepse e luftuan komunizmin sot janë në Bashkimin Evropian. Po kështu duhet që publiku (të interesuarit) të njohë platformat, veprimtarinë, strukturat, bëmat e ish-Sigurimit të Shtetit, si maja e mprehtë e shpatës së diktaturës së proletariatit, si dhe vuajtjet e atyre që i rezistonin, organizimin dhe trajtimin mizor në burgjet dhe vendet e internimit, persekutimin e grupeve familjare të cilësuar si armiq të klasës, gjenocidin ekstrem. Vetëm atëherë mund të flasim në mënyrë të çiltër dhe saktë, vetëm atëherë mund të gjykojmë e të propozojmë si duhet vepruar me ata, organizuesit, hartuesit e politikave, urdhërdhënësit, zbatuesit dhe veglat, e jo të merremi vetëm me ca mjeranë, të fundit në radhën e mekanizmit të dhunës, një pjesë e të cilëve ishin gjithashtu viktima (Platforma kërkonte që bashkëpunëtorët të rekrutoheshin me “rrethana shtrënguese”).

Edhe një herë e përsëris, se leximi i librit për procesin e stisur ndaj dy poetëve ndriçon mjaft aspekte dhe mënyra pune të organeve të dhunës dhe të strukturave të Partisë së Punës, por imagjinoni sikur lexuesi të njihte dhe raste të tjera, madje dhe më të rënda dhe absurde. E po kështu, po të kishte lexuar Sadik Bejko dosjen operative të sigurimit mbi ndjekjen dhe pyetjen e tyre, do të mësonin shqiptarët se në çfarë duar të liga kanë qenë, se ç‘mynxyra gatuheshin në ato zyra të ferrit komunist dhe do të bindeshin se për të shpëtuar njëherë e mirë nga ky rrezik, njerëz të tillë të liq apo të dobët duhet të mbahen larg hartimit të politikave dhe vendimmarrjes. Dua të nënvizoj se ka gabime e faje, për to ka përgjegjësi, peng e pendim, por të mos harrojmë se duhet të ketë dhe pendesë, e këtë nuk po e shohim te këta mëkatarë të të gjitha llojeve.

Pra, vetëm atëherë do të ishim të qartë e do flisnim. Por sidoqoftë, për çdo njeri të ndershëm e atdhetar, një gjë është e qartë, ajo ishte një punë e fëlliqur, që organizohej dhe zbatohej nga njerëz të dobët e të ligj, që përdornin duke ushtruar dhunë njerëz të dobët e fatkeq. Të dyja këto grupe, dhe urdhër-dhënësit dhe urdhër-marrësit, nuk duhet të jenë në disa poste. Ata nuk duhet të emërohen në ato poste që duhet të caktohen me ligj, ose dhe kur do të zgjidhen nga populli, të informohen dhe sqarohen zgjedhësit, sepse të jeni të sigurt, që ata do të përdoren për keq, ose do të shantazhohen për veprime në dëm të shtetit dhe njerëzve pranë tyre.

Duam të shtojmë dhe diçka tjetër. Sot dëgjojmë politikanë dhe gazetarë mëkatarë apo nostalgjikë të së kaluarës, ose dhe vetëm si kundërshtarë të Partisë Demokratike, të bëjnë vetëm pyetjen: A duhet të hapen dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit? Duke mos ditur se në ato dosje do të shihet se dhe pyetjet dhe bisedat provokative që duhet të bënin me objektin, bashkëpunëtorëve jua jepnin operativët, të cilët i kontrollonin si i zbatonin. Pra ata nuk thonë asnjë fjalë për dosjet e punës të shefave dhe operativëve të sigurimit, të komiteteve të PPSh, të gjykatave dhe hetuesive, të komisioneve të internim-dëbimit etj., etj., që janë përgjegjësit kryesorë për dhunën 50-të vjeçare mbi popullin. Mbase këtë nuk e kërkojnë, se i kanë të tyret.

Zgjidhjet që do të jepen për të realizuar këtë detyrë, ndër të tjera dhe për të lehtësuar shpirtrat e viktimave të panumërta, janë të ndryshme dhe unë do të propozoja ngritjen e një instituti që të studionte veprimtarinë e strukturave të diktaturës komuniste. Institut që të kishte në dispozicion të gjitha arkivat, ku të punohej mbi bazë programesh kërkimore nga studiues që ofrohen për këtë, jo me organikë, por me fonde për studime e botime. Atëherë do të ofroheshin për publikun shifra e fakte për bëmat e komunizmit shqiptar, do njiheshim me shkallën e ruajtjes të dokumentacionit dhe kur janë cenuar ato, do propozoheshin dhe masa për ta evituar në të ardhme këtë dukuri dhe do shkruhej historia e vërtetë dhe e dhimbshme e atij gjysmë shekulli të përgjakshëm. Dhe histori nuk janë vetëm datat dhe emrat, për të cilat sot bëhet aq shumë zhurmë, për të fshehur problemin e vërtetë, por ajo çka ndodhi dhe kush e bëri.

Opinioni publik shqiptar ka të drejtë ta njohë këtë faqe të zezë të historisë sonë, jo për ta shfrytëzuar për përfitime e pushtet, por për të mësuar prej saj dhe për t‘u ndarë nga e kaluara. Ajo sa më parë duhet të ndriçohet me kurajë dhe në mënyrë kritike për aq sa është e mundur nga të interesuarit (kushdo) dhe ata që dinë të punojnë në këtë fushë. Vetëm atëherë mund të bëjmë gjykime e propozime. Përndryshe, nëse do të vazhdohet si deri më sot, që e liga dhe të ligjtë të jenë brenda nesh, të nderuar dhe duke komanduar, do të na dalë natyrshëm përpara pyetja: Shqipërinë e prishi Enveri? Apo Shqipëria bën enverë? dhe ne i pranojmë. Por, popullin nuk ka të drejtë askush ta bëjë fajtor dhe të përgjegjshëm, përderisa në Shqipëri nuk lejohen zgjedhje të lira e të ndershme (nën miratimin e heshtur të të huajve). Ndryshe, atyre që nuk pajtohen me këtë gjendje, nuk ju mbetet veç të kërkojnë të ndërhyjë Komisioni Evropian dhe shtabi i NATO-s (strukturat ku aspirojnë të futen politikanët tanë), për ta shpëtuar Shqipërinë nga metastazat e komunizmit, për t‘i hapur rrugën përparimit dhe integrimit sa më parë në Evropë.

15/10/2006

 

Please follow and like us: