Albspirit

Media/News/Publishing

Eugen Shehu: Masakra e Manastirit

Në fillim të viteve 20-të të shekullit XIX, u duk se Perandoria Osmane nuk mund të kishte assesi forcën që pat demonstruar për shekuj me radhë. Ndonëse Sulltan Selimi III ndërmori një varg masash për forcimin dhe modernizimin e ushtrisë, ai nuk mund të shmangte dot ardhjen gjithnjë e më të furishme të një lëvizjeje çlirimtare që inspirohej prej popujve të sunduar. Ndonëse reformat e nisura me aq bujë mbetën në mes të rrugës, ato u përpoq ti vazhdojë më pas Sulltan Mahmuti II.

Me të hypur në fron, Sulltan Mahmuti i II-të u përpoq të dobësonte sa më shumë të ishte e mundur pushtetin krahinor të feudalëve, në krejt perandorinë osmane. Një varg dekretesh dhe reformash të zbatuara me masa të rrepta ndëshkuese, sidoqoftë ndonëse i dhanë një shkëlqim të rremë karrierës së tij, nuk mund të shpëtonin dot rrënien e perandorisë. Tashmë në horizont ishin shfaqur të tjerë sulltanë që quheshin Car dhe kërkonin të „bënin zap“ jo vetëm Azinë por edhe Evropën.

Në pranverën e vitit 1827, kur flota ruse korri fitore të bujshme ndaj asaj turko-egjiptiane, u duk se lufta ruso-turke nuk do të vononte shumë. E zhvilluar në vitet 1828-1829, kjo luftë përfundoi përgjithësisht me fitoren e Rusisë e cila me ç’rast legjitimoi disa pushtime që pat bërë në brigjet e Detit të Zi si edhe disa vende të pjesës evropiane. Ndërkaq Porta e Lartë duhej të zbatonte edhe kushtet e përcaktuara në Paqën e Bukureshtit dhe që lidheshin me marrjen nën kontroll të Carit të Rusisë, të vendeve si Sërbija, Moldavija dhe Vllahija. Kur Porta e Lartë parashihte t’i shkëputeshin edhe troje të tjera prej sundimit të saj, ajo ngulmoi të nisë dhunën dhe represionin ndër kombe të shtypur. Sulltan Mahmuti II, në këtë kohë shpërndau regjimentet e mëdha të jeniçerëve (me të cilët dikur pat sunduar me thundër të hekurt) dhe organizoi ushtrinë e rregullt. Ai gjithashtu u përpoq t’u kufizonte pushtetin e tyre ekonomik të pashallarëve dhe kapidanëve të cilët në këto masa parandjenin centralizmin autokrat të Sulltanit. Veçanërisht pashallarët shqiptarë, nuk mund të duronin këto reforma centralizuese ndaj edhe kundërshtuan të luftojnë me ushtritë e tyre, kundër ofensivës ruse. E vërteta është se vrasja e Ali Pashë Tepelenës, u shoqërua me disa masa të Portës së Lartë, për t’u kufizuar shqiptarëve të drejtat sidomos në rrafsh të organizimit të administratës vendase. Në këtë mënyrë, krerët shqiptarë patën nisur të bashkërendojnë veprimet  duke kërkuar liri më të madhe se në qeverisjen vendore,ashtu edhe në organizimet e tjera të karakterit ushtarak. Këtij qëllimi i shërbyen edhe tri kuvende madhore të mbajtur prej prijësave shqiptarë, në Berat, Janinë dhe Gjirokastër. Ndofta më i përparuar në kuptimin e kërkesave, ka qenë kuvendi i Beratit i mbajtur në nëndorin e vitit 1828, me pjesmarrjen e krerëve të Shqipërisë së Mesme dhe asaj të Jugut. Pos të tjerave, kapedanët shqiptarë në këtë kuvend i dërguan Sulltan Mahmutit II një kërkesë për dëbimin e Mehmet Reshid Pashës nga posti i qeveritarit të sanxhaqeve të Janinës, Delvinës dhe Vlorës. Gjithashtu në kërkesë thuhej edhe për “largimin e të gjithë nënpunësve turq që kishin ardhur gjatë periudhës 1822-1828”.( “Kryengritjet popullore kundërosmane në Shqipëri “- Tiranë 1981 , faqe 41 ).

Në pranverën e vitit 1829, kur patën nisur të dalin në dritë marrëveshjet e Paqës së Bukureshtit midis Rusisë dhe Turqisë, mjaft prej krerëve shqiptarë pësuan zhgënjime lidhur me pashallëqet e tyre. Ndër ta, Mustafa Bushatliu, i cili asaj kohe ishte komandant i një ushtrie të madhe shqiptare në brigjet e Danubit, nuk u konfrontua fare me rusët por u nis drejt Stambollit. Duke patur edhe përkrahjen e disa pshallarëve të tjerë, ai iu drejtua Stambollit me qëllim që kushtet e vendosura në Bukuresht midis Portës së Lartë dhe Rusisë të përcaktonin edhe autonominë e trojeve të Bushatllinjëve. E vërteta është se Porta e Lartë në fillim iu tremb këtij marrëshimi të Mustafa Pashës drejt Stambollit. Ndonëse ai pat shkuar deri në brigjet e Danubit të luftonte kundër rusëve, me dinakërinë karakteristike ai e shmangu ushtrinë e vet disa mijëshe prej luftimeve. Por kësaj radhe, në ndihmë të Stambollit shkuan vetë trupat ruse. Në vendin e quajtur Arnaut Kalesi, në tetorin e vitit 1828, rusët rrethuan ushtrinë shqiptare duke i bërë thirrje për dorëzim. Por Mustafa Bushatliu urdhëroi sulmin dhe pas tri ditë luftimesh të ashpra, u detyrua të tërhiqej nga vendimi i marrë. Në krye të ushtrisë së tij, e cila pësoi humbje të konsiderueshme, Mustafa Pasha u detyrua të shkonte në viset e veta. Në vitin 1830 Greqia shpalli pavarsinë e saj. Mbas dhjetë vjet luftimesh kundër Portës së Lartë, ajo mundi me ndihmën e Rusisë dhe të Francës të vendosë monarkinë, ndonëse ishte e cunguar në pikëpamje të territoreve,(ishulli i Kretës dhe disa të tjera ishin plotësisht nën sundimin  e Turqisë). Në luftën e Portës së Lartë për të ruajtur sundimin e vet në Greqi muarën pjesë dhe disa prej kapedanëve shqiptarë të cilët gjithsesi nuk treguan prova të një armiqësie të mirëfilltë. Sidoqoftë, pas përfundimit të kësaj lufte, edhe këta kapedanë shqiptarë iu bashkuan të tjerëve në kërkesat kundër centralizimit të pushtetit si edhe largimin e nënpunësve turq nga pashallëqet shqiptare. Përballë këtyre kërkesave të cilët shprehnin vullnetin e prijësve shqiptarë për vetëqeverisjen si edhe pakësim të sanksioneve të tjera ekonomike, fillimisht Porta e Lartë u pa të ishte indiferente. Më tej, kur me anë të agjentëve të shumtë të saj mësoi se kapedanët shqiptarë të Jugut po kërkonin besën e atyre të Veriut për një kryengritje të Përgjithshme, Stambolli vendosi të vazhdojë proceset e nisura në Shqipëri, sipas divizës “Përça e Sundo”. Ndër ata shqiptarë ku mundën të gjejnë dobësi, Porta e Lartë pagoi para ose afroi karrige në pushtetin e vet. Ndërsa për të tjerët, nuk mungoi deri edhe t’i vrasë. Kështu në fund të vitit 1829, Porta e Lartë vrau Ismail Bej Vlorën (babanë e Ismail Qemal bej Vlorës) ngase ky i pat deklaruar Stambollit që në pashallëkun e tij ”nuk do të shohë asnjë këmbë nënpunësi osman”. Pas vrasjes së Ismail Bej Vlorës , si edhe dy-tri prijësave të tjerë në Janinë dhe Gjirokastër, Porta e Lartë mendoi se diçka do të ndryshonte në revoltën e shqiptarëve. Por masat e gjëra popullore shqiptare të zhytura në varfëri e mjerim, të rrethuar prej errësirës së sundimit, nuk mund të frigoheshin prej shkaqeve të tilla të terrorit fizik. Në fillim të vitit 1830, në disa prej Vilajeteve shqiptare, protestat kundër taksave si edhe ligjeve të rekrutimit për ushtarë u fuqizuan dhe nuk munguan t’i drejtoheshin me tone të ashpra Stambollit, pikërisht në këte kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe vari më pas në Manastir, Shaban Gegën. Është kjo arsyeja  që në verën e vitit 1830 u përgadit dhe u zhvillua masakra e Manastirit e cila për nga lloji i vet është krejt e veçantë jo vetëm në Ballkan por edhe në Botë. Kështu që, për të vendosur sundimin e hekurt në Shqipëri, Porta e Lartë dërgoi në korrik të vitit 1830 një ushtri të madhe atje, të komanduar prej Mehmet Reshit Pashës. Ky ushtarak njihej jo shumë për trimërinë, se sa për ligësinë dhe pabesirat. Me të mbërritur në Manastir, në fund të muajit korrik 1830, Mehmet Reshit Pasha hapi fjalë se kish marrë urdhër prej Sulltan Mahmutit II-të, që të bisedonte me shqiptarët, në mënyrë që të gjente gjuhën e përbashkët me ta. Ai nuk mungoi gjithashtu të fliste se sipas Sulltanit disa kapedanë shqiptarë që patën luftuar kundër Greqisë “do të marrin paratë sipas kushteve të caktuara më parë”.( Instituti i Historisë – Tiranë.Fondi i dokumentave të Vjenës. Letër e Berichte dt.30 korrik 1830 ).

Në ditët e para të gushtit 1830, në krejt viset shqiptare, u shpërndanë lajmëtarë të Mehmet Reshit Pashës të cilët u dorëzuan prijësave shqiptarë , ftesat e firmosura prej vetë Sadrazemit me ç’rast thirreshin në Manastir. Sipas teksteve të këtyre fermaneve, prijësat shqiptarë thirreshin në Manastir për të marrë pjesë në ceremoninë ushtarake për shkak të riorganizimit të Ushtrisë si edhe për të lexuar disa dekret-falje të Sulltan Mahmutit ndaj disa prijësve shqiptarë si edhe t’u jepeshin rrogat atyre shqiptarëve që patën luftuar kundër Greqisë. E vërteta është se shumë prijës e kapedanë shqiptarë menduan se gjithshka ishte normale. Ndërsa grekët festonin pavarsinë, fqinjët e tjerë do të kishin mundësi së paku për t’iu shmangur atyre taksave të rënda apo detyrimeve ushtarake tejet të ashpra. Të rritur mes maleve, të edukuar me nder e besë nga gjenerata në gjeneratë dhe për më tej, kur shumica e shqiptarëve të asaj kohe e pat rregulluar jetën sipas ligjeve të kanunit, këta prijës shqiptarë nuk do të mund të arrinin deri tek djellëzia e skajshme e Mehmet Reshit Pashës(nga Gjeorgjia me preardhje). Ndërkaq ky i fundit, pati caktuar datën e saktë ( të djelën e fundit të gushtit), në të cilën do të zhvillohej parada e madhe ushtarake për nderin e të ftuarve. Kësisoj, për të radhur më 26 gusht 1830, ditën e asaj gjëme të madhe. Burimet osmane flasin për më shumë se 500 prijës shqiptarë të cilët patën zënë vend në tribunën e ngritur në qendër të qytetit të Manastirit. Ndërsa çadra e zbukuruar e Mehmet Reshit Pashës ka qenë e vendosur diku më larg tribunës, në një vend më të lartë, kinse për të ndjekur më mirë këtë paradë.”Por ndërsa parakalonin përpara mysafirëve, ushtarët turq përnjëherësh, sipas udhëzimeve u ndalën nga tribuna dhe filluan të qëllonin në befasi mbi feudalët dhe prijësit shqiptarë. Brenda pak minutave u shfarosën kështu me tradhëti, më shumë se 500 shqiptarë”.( Historia e Shqipërisë – Tiranë , Vëllimi I 1959,faqe 483).

Janë sërish burimet arkivore Turke që thonë se pas vrasjes barbare, prijësit shqiptarë iu nënshtruan një tjetër barbarizmi, Mehmet Reshit Pasha, urdhëroi që kokat e prijësve të priten dhe të dërgohen menjëherë në Stamboll, me ç’rast Sulltan Mahmuti II i ka afruar shpërblime të majme Sadrazemit të tij. Gjaku që skuqi rrugët e sheshet e Manastirit vazhdoi deri në Stamboll, kudo i binte erë tradhëtie. Kjo masakër e Portës së Lartë, nuk mund të kalonte pa u ndier në krejt vilajetet shqiptare e më tej. Ajo ishte e para në llojin e vet dhe, për të arritur qëllimet e veta, Porta e Lartë nuk mungonte të organizonte edhe tragjedi të tilla. Ndofta do të ishte me vend të sillja këtu një këngë shqiptare që flet për këtë masakër të dhimbshme ndaj trimave shqiptarë.

Asllan beu me Veli benë

Në Meçovë bënë benë,

Në Manastir do të venë,

Të kërkojnë Ylefenë.

Po s’ua dha me të mirë,

Dotë djegim Manastirën

Veziri bëri gostinë,

Thirri Asllan dhe velinë,

Tek e thirri mbe të parë

Se veziri të ka si djalë,

Veli beut i erdhi rëndë

Tha.O Asllan mos u trembe

Kur ra batareja e parë

Asllan beu lonte rehvanë

Kur ra batareja e dytë,

Asllan beu po hapte sytë,

Kur ra batareja e tretë,

Asllan beu bëri përpjetë.

Ike,Ike,o çil i shkretë

Se qorr pasha na vjen vetë,

As e shihni Qorr pashanë,

Se si ka përveshur krahnë

Marre garginë mbe njanë

Për Velinë e për Asllanë. ( Thimi Mitko “ Bleta Shqiptare “ Vjenë 1924 ,faqe 80 ).

Dy prej personazheve të kësaj kënge, Asllan Kuçi dhe Veli Gorashjani, kanë qenë kapedanë të njohur shqiptarë të cilët shkuan të luftojnë kundër Greqisë (ajo u mbështet gjerësisht prej Francës dhe Anglisë). Këta dy kapedanë luftuan për muaj të tërë kundër ushtarëve grek duke rrëfyer heroizma të mëdha. Ndërkaq, duke parë se lufta e popullit grek ishte në thelb luftë për pavarsinë e një kombi, këta prijës shqiptarë si edhe plotë të tjerë, u tërhoqën nga fusha e betejës duke ndjerë intuitivisht se në këto rrethana mund të ndodheshin edhe ata vetë, të nesërmen. Sidoqoftë masakra e Manastirit nuk mund të përmblidhet në një hakmarrje të verbër, ndaj dy kapedanëve shqiptarë, emrat e të cilëve i përmend kënga e mësipërme.”Kurthi i përgaditur ishte në vetë politikën e Sulltanit gjaksor,i cili nuk kishte marrë parasysh se ata nuk mund të bënin më shumë në Greqi.Por edhe për të ardhur keq,se si qe e mundur,të paktën për një pjesë të parisë shqiptare që të mos të kuptonte se përderisa Sulltan Mahmuti II,katër vjet më parë,kishte shpartalluar korpusin e jeniçerëve,pse të mos ndodhte e njëjta gjë me ta ? Besimi i verbër bëri që shqiptarët të bjenë në kurthe”(Prof.Koli Xoxe,”Franca sipas D’Istrës” – Tiranë 1992, faqe 251 ).

Por masakra e Manstirit e 26 gushtit 1830, do të kishte edhe një dimension tjetër, po aq rrënqethës, por tanimë në një tjetër trevë shqiptare, në Janinë. Edhe këtu, në të njejtën ditë është organizuar tragjedia sipas të njejtit skenar,prej Emin Pashës,të birit të Mehmet Reshit Pashës, ky pati thirrur aty dhjetra prej kapedanëve  më të dëgjuar nga jugu i Shqipërisë, midis të cilëve e dhe Celo Picari, Zuluftar Poda, Zenel Gjolekën etj. E vërteta është se këta prijës shqiptarë, nuk u besuan këtyre ceremonive ushtarake ndaj edhe refuzuan pjesmarrjen. Ndërkaq, ish konsulli francez në Janinë, Ezhen Pushade, në librin e vet “Turq dhe Krishterë”, duke përshkruar masakrën e Janinës flet vetëm për disa kapedanë të vrarë prej dorës së Emin Pashës. Babë e bir, kishin ndjekur të njejtën rrugë krimi, duke marrë kështu jetën e pafajshme të qindra prijësave shqiptarë. Pas masakrave në Janinë dhe Manastir ku u vranë dhe therrën rreth 500 prijës shqiptarë, Mehmet Reshit Pasha dhe i biri Emin Pasha, vijuan djegjet, vrasjet dhe plaçkitjet në masë, kundrejt popullsisë shqiptare të pambrojtur. Mbi bazën e një plani fort bukur të studiuar, babë e bir, iu drejtuan me ushtrinë e tyre dhjetramijëshe, sidomos fortesave dhe kalave natyrore të shqiptarëve, duke i djegur ato, me ç’rast donin të shuanin me çdo kusht qëndresën e “arnautëve të pabindur”. Në këtë varg luftimesh të papara, Porta e Lartë kërkonte të rriste edhe të fundmit prijës shqiptarë që patën mbetur gjallë e për më tej, të qeveriste jo vetëm me pashallarë por edhe nënpunës të vegjël turq. Anipse vilajetet shqiptare u shndrruan në fushë-beteja të mëdha, anipse në vitet 1830-1831 çetat e prijësve shqiptarë pësuan humbje të konsiderueshme, përsëri revolta e shqiptarëve nuk u shua. Një varg kryengritjesh të viteve 1833-1835, të cilët përfshinë Dibrën, Kosovën  etj., dëshmuan se dredhitë, masakrat luftërat me armë nuk do t’i ndalnin dot shqiptarët në rrugën e tyre të mëvetsimit. Shpirti kryeneç dhe i pavarur shqiptar, dëshira e tij për liri dhe vetëqeverisje kishin dalë fitimtarë mbi logjikën e luftërave, për të ardhmen e tyre kombëtare.

Please follow and like us: