Albspirit

Media/News/Publishing

Saimir Kadiu: Kur mjkët ikin, kush paguan çmimin?

Nga eksodi i mjekëve gjermanë te “Brain Back” shqiptar

Ka një të vërtetë që shtetet e kuptojnë shpesh vetëm pasi e kanë paguar shtrenjtë: një mjek nuk është thjesht një punonjës i sistemit shëndetësor. Ai është një investim kombëtar.

Pas viteve të trazuara të Gjermanisë së viteve 1930, një pjesë e rëndësishme e elitës së saj mjekësore dhe shkencore u largua drejt vendeve të tjera, veçanërisht drejt Shteteve të Bashkuara.

Shkaku kryesor ishte përndjekja naziste, veçanërisht ndaj mjekëve hebrenj, por edhe kundërshtarëve politikë të regjimit.

Në vitin 1933, rreth 9,000 mjekë hebrenj përbënin afërsisht 17% të të gjithë mjekëve në Gjermani. Rreth tre të katërtat e tyre arritën të largoheshin nga Rajhu deri në vitin 1939, kryesisht drejt Shteteve të Bashkuara, Palestinës dhe Britanisë së Madhe.

Ishte një tragjedi njerëzore për Gjermaninë.

Por ishte edhe një transferim i jashtëzakonshëm i kapitalit intelektual.

Amerika e kuptoi më shpejt se çfarë po merrte.

Amerika fitoi atë që Gjermania humbi

Në laboratorët dhe universitetet amerikane mbërritën mjekë, biologë, biokimistë, neurologë, patologë e profesorë që kishin formuar veten në traditën e fuqishme universitare gjermane.

Një studim historik tregon se rreth 5,056 mjekë hebrenj emigruan në Amerikë gjatë periudhës së nazizmit. Shumë prej tyre, megjithëse u përballën me pengesa gjuhësore, licencimi dhe integrimi profesional, arritën të ndërtonin karriera të rëndësishme në SHBA.

Disa prej këtyre njerëzve ndryshuan vetë historinë e mjekësisë.

Mendoni për Konrad Emil Bloch..I lindur në Gjermani, Bloch emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1936. Në Columbia University vazhdoi studimet dhe kërkimet që më vonë do ta çonin drejt Harvardit. Në vitin 1964, ai mori Nobelin në Fiziologji ose Mjekësi, së bashku me Feodor Lynen, për zbulimet mbi metabolizmin e kolesterolit dhe acideve yndyrore.

Një tjetër emër madhështor ishte Fritz Albert Lipmann. I lindur në Königsberg, ai u largua nga Gjermania, punoi fillimisht në Danimarkë dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1953 mori Nobelin në Fiziologji ose Mjekësi për zbulimet mbi metabolizmin, veçanërisht për rolin e koenzimës A.

Edhe Otto Meyerhof, Nobelisti gjerman i vitit 1922, u detyrua përfundimisht të largohej nga Gjermania. Pas një udhëtimi dramatik përmes Francës, Pirenejve, Spanjës dhe Portugalisë, ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara dhe punoi në University of Pennsylvania deri në vdekjen e tij në vitin 1951.

Dhe historia e shkencës mori një kthesë të jashtëzakonshme.

Shkencëtarët që Gjermania i përzuri, Amerika i shndërroi në profesorë.

Profesorët u bënë themelues shkollash. Shkollat krijuan laboratorë. Laboratorët prodhuan zbulime.

Dhe zbulimet prodhuan Nobelistë.

Një vend humbi njerëzit; një tjetër fitoi dijen e tyre.

Mësimi ekonomik është edhe më i madh se ai historik

Këtu historia bëhet interesante për një ekonomist të shëndetësisë.

Sepse kur një mjek largohet nga vendi i tij, zakonisht bëhet një llogari shumë e thjeshtë:

“Sa do të kushtonte paga e tij?” Por kjo është vetëm ana e parë e ekuacionit.

Duhet pyetur: Sa ka kushtuar krijimi i tij?

Një mjek nuk lind specialist.

Për të krijuar një mjek duhen gjashtë vite universitet.

Pastaj vijnë vitet e specializimit. Pastaj trajnimet. Pastaj eksperienca klinike. Pastaj puna në ekip.

Pastaj mësimdhënia. Pastaj kërkimi.

Një kirurg me 15 apo 20 vite eksperiencë është një kapital njerëzor i akumuluar për dekada.

Nëse ai largohet, vendi nuk humbet vetëm pagën që nuk i dha. Humbet investimin e bërë ndër vite.

Dhe humbet edhe atë që ai do të krijonte në të ardhmen.

Një kirurg i mirë nuk është vetëm një kirurg.

Ai trajnon kirurgë të rinj. Një profesor nuk është vetëm pedagog. Ai krijon breza. Një onkolog nuk trajton vetëm pacientë. Ai krijon një ekip, protokolle dhe kulturë profesionale.

Një studiues nuk prodhon vetëm artikuj. Ai sjell kërkime, financime dhe lidhje ndërkombëtare.

Prandaj brain drain nuk është thjesht emigrim.

Është humbje e një pjese të kapacitetit prodhues të një kombi.

Shqipëria duhet ta bëjë këtë llogari

Këtu historia gjermane nuk është thjesht histori.

Është paralajmërim.

Shqipëria ka investuar për dekada në formimin e mjekëve të saj.

I ka arsimuar në universitetet shqiptare. I ka specializuar. I ka trajnuar në spitale.

I ka paguar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, gjatë viteve të formimit. Dhe pastaj një pjesë e tyre largohen.

Gjermania. Italia.Franca.Austria.Britania.Shtetet e Bashkuara.

Vendet pritëse marrin një profesionist tashmë të formuar.

Në shumë raste, marrin një mjek që Shqipëria e ka ndihmuar të krijohet.

Kjo nuk është arsye për t’u zemëruar me mjekun.

Përkundrazi.

Mjeku ka të drejtë të kërkojë kushte më të mira për jetën dhe profesionin e tij.

Gabimi nuk është që ai largohet.Gabimi do të ishte që Shqipëria të mos pyeste: Pse po largohet?

Dhe, më e rëndësishmja: Çfarë mund të bëjmë që një ditë të dëshirojë të kthehet?

Brain Back: nga humbja te kthimi

Shqipëria ka nevojë për një politikë serioze Brain Back.

Por Brain Back nuk duhet kuptuar thjesht si:

“Eja në Shqipëri dhe merr një pagë pak më të lartë”.

Kjo nuk mjafton.

Një mjek që punon në një spital të madh europian nuk do të kthehet vetëm për një rritje modeste page.

Ai kërkon diçka më të madhe: dinjitet profesional. Kërkon teknologji. Kërkon autonomi.Kërkon meritokraci. Kërkon mundësi kërkimi.Kërkon karrierë.

Kërkon ekipe profesionale. Kërkon spitale ku të mund të përdorë atë që ka mësuar.

Kërkon një sistem ku eksperienca e fituar jashtë të mos shihet si diçka e huaj, por si një pasuri për vendin.

Prandaj një program shqiptar Brain Back duhet të përfshijë: pagë konkurruese, kontrata afatgjata, pozicione akademike, financim kërkimi, pajisje moderne, mundësi drejtimi, trajnime ndërkombëtare dhe njohje reale të eksperiencës profesionale të fituar jashtë vendit.

Por ka edhe një mënyrë tjetër.

Mjeku nuk ka pse të kthehet gjithmonë përgjithmonë.

Një kardiolog shqiptar në Londër mund të vijë disa javë në vit në Tiranë.

Një onkolog në Paris mund të bashkëdrejtojë një program në QSUT.

Një kirurg në Milano mund të operojë bashkë me ekipet shqiptare.

Një profesor në Boston mund të drejtojë një laborator në distancë.

Një specialist kardiolog në “Charite” te Berlinit mund të trajnojë mjekët shqiptarë.

Ky është gjithashtu Brain Back.

Kthimi i dijes, edhe kur nuk kthehet menjëherë njeriu.

Sa kushton të mbash një mjek dhe sa kushton ta humbasësh?

Kjo është pyetja që Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave dhe universitetet shqiptare duhet ta vendosin në qendër të politikës.

Le të marrim vetëm një shembull hipotetik.

Nëse Shqipëria do të investonte mesatarisht 60-80 mijë euro në vit për të rikthyer ose angazhuar 100 specialistë shqiptarë jashtë vendit, do të flisnim për 6-8 milionë euro në vit.

Mund të duken shumë?

Por pastaj duhet bërë llogaria tjetër: Sa kushtojnë pacientët që trajtohen jashtë?

Sa kushtojnë ndërhyrjet? Sa kushtojnë udhëtimet?

Sa kushton që një familje shqiptare të shesë pasurinë për një operacion jashtë vendit?

Sa kushton transferimi i dijes? Sa kushton ndërtimi i një ekipi të ri? Sa kushton një dekadë humbjeje?

Dhe, mbi të gjitha: sa kushton humbja e besimit të qytetarit te sistemi shëndetësor i vendit të vet?

Eshte vleresuar qe shqiptaret harxhojne 70-80 milionë euro ne vit per trajtim mjekësor jashtë shtetit.

Atëherë një pagë e lartë për një mjek mund të mos jetë më “shpenzim”.

Mund të jetë mënyra më e lirë për të shmangur një shpenzim shumë më të madh.

Nuk duhet ta luftojmë diasporën. Duhet ta kthejmë në kapital kombëtar.

Mjekët shqiptarë jashtë vendit nuk janë një humbje e pakthyeshme.

Ata janë një univers shqiptar i dijes, i shpërndarë nëpër botë.

Duhet të dimë ku janë. Çfarë specialitetesh kanë.

Në çfarë institucionesh punojnë. Çfarë kërkimesh bëjnë.

Çfarë teknologjish përdorin. Dhe çfarë mund të sjellin në Shqipëri.

Një regjistër kombëtar i diasporës mjekësore do të ishte një nga hapat e parë.

Pastaj duhet një ofertë konkrete: “Nuk po të kërkojmë të braktisësh jetën që ke ndërtuar. Po të kërkojmë të ndërtosh një urë me vendin tënd”.

Kjo është një qasje krejt tjetër ndaj emigracionit.

Jo nostalgji. Jo moralizim. Jo fajësim. Politikë ekonomike.

Sepse në fund, mjeku nuk është një kosto

Kjo është ndoshta fjalia më e rëndësishme.

Në buxhet, paga e mjekut shfaqet si shpenzim.

Në bilancin e një kombi, ajo është investim.

Një mjek i mirë krijon shëndet. Krijon dije. Krijon studentë. Krijon specialistë. Krijon besim.

Krijon kapacitet spitalor. Krijon kërkim shkencor.

Dhe, në fund, kursen para.

Historia e mjekëve që u larguan nga Gjermania dhe ndihmuan në ngritjen e mjekësisë amerikane na kujton se talenti është kapitali më i lëvizshëm që ekziston. Ai shkon atje ku gjen liri, mundësi, respekt dhe kushte për të punuar.

Prandaj shtetet e mençura nuk ndërtojnë mure përpara njerëzve të ditur.

Ndërtojnë arsye për t’u kthyer.

Dhe Shqipëria duhet ta kuptojë këtë tani.

Sepse nëse sot nuk paguajmë sa duhet për të mbajtur mjekun shqiptar, nesër mund të paguajmë shumë më tepër për të blerë jashtë shërbimin, dijen dhe eksperiencën që ai mjek do të mund të kishte prodhuar në vendin e vet.

Brain Drain është humbja e njeriut.

Brain Gain është fitimi i dijes.

Brain Back është pjekuria e një shteti që kupton se diaspora nuk është fundi i një historie, por mund të jetë fillimi i kthimit të saj.

Nese e duam ende Shqipërinë duhet te veprojmë…