Arben Iliazi: Refleksion për vendlindjen time
Shkrimtari i shquar i humorit Qamili Buxheli dhe Prof. Selim Islami, themelues i Arkeologjisë Shqiptare, dy miqtë dhe komshinjtë e mi, nuk e hoqën kurrë nga goja origjinën. Kur u kujtoje vendlindjen – Pandalejmonin, qënia e tyre merrte psikologjinë e dhembshur të fëmijës para lodrave të moshës.
E donin shumë fshatin dhe shpesh më tregonin episode nga fëmijëria dhe nga lufta; i mbanin mend të gjithë me emër e mbiemër. Kur dola partizan më merrte malli për fiq, tregonte Qamili. Një ditë “dezertova” nga skuadra…eca e eca, gjersa gjeta një fik buzë lumit Pavla, vara dyfekun në një degë dhe u ngjita deri lart në majë. Pa mbushur mirë barkun erdhi një ballist nga fshati matanë. Më drejtoi dyfekun:
– Qamil, do të të vras, nuk ke nga luan!- Po dale, o i uruar i Perëndisë, prit të ngopim njëherë barkun…a do ndonjë kokërr fik?-i thashë, dhe fillova t’i hedh ca kokrra të rreshkura mirë. Pastaj u ulëm e kuvenduam gjatë nën hije të fikut. U bëmë miq përjetë.
Ndërsa prof. Selim Islami, kur u ndërtua shkolla e fshatit në vitet ’70, erdhi enkas nga Tirana dhe u tha ndërtuesve: Merrni gurët dhe qoshet e latuara të shtëpisë sime…Duam një shkollë të bukur për fëmijët tanë!
Kur e pashë si është katandisur shkolla, ku dhe unë kam kryer filloren, më erdhi për të qarë. Ka vite që qëndron e mbyllur. Fëmijët bëjnë një orë rrugë për në shkollën e Livadhjasë.
***
Pandalejmoni është një fshat i lashtë piktoresk i Sarandës, në shpatet e dy kodrinave, të hijeshuara me ullinj e agrume, me Butrintin në horizont, dhe ku në sfond, nga perëndimi, reflekton pasqyra e kaltër e detit Jon, rreth 15 minuta larg. “Fshati ngjan si një lloj porte për të hyrë pastaj në gjerdanin e universit të Çamërisë”, është shprehur profesor Ymer Çiraku, dhëndërr në familjen e Buxhelëve. Sipas bisedave që kam zhvilluar dikur me profesor Selim Islamin, mendohet se Pandalejmoni është një vendbanim i lashtë ilir, me tradita parakristiane, ku neopaganizmi apo paganizmi i ri u respektua deri vonë, në vitin 1967, kur ndodhi edhe shembja e Kishës në fillim të fshatit, ku kremtoheshin festat pagane. Dukuria e apostazisë (konvertimit në fenë islame) për shkak të rrethanave politike shoqërore ndodhi shumë vonë, mendohet në shekullin e XVIII, por bashkëjetesa e traditave edhe paskëtaj ishte karakteristike për këtë fshat, që kishte edhe kishë edhe xhami, duke ruajtur përkatësinë etnike shqiptare. Ngjitur me xhaminë, në vitin 1820 ishte ndërtuar Medreseja më e mirë e zonës, një shkollë me drejtim fetar, ku mësohej kultura islame. Në këtë Medrese kishte marrë mësimet e para Hasan Tahsini, kryedijetari i Rilindjes Kombëtare, i cili më pas ndoqi studimet në Medresenë e bushatllinjve në Shkodër.