Bushati: Çfarë pritet nga vizita e Kotzias në Tiranë?
Në janar ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias vjen në Tiranë në një raund të dytë negociatash me palën shqiptare për çështjet e lëna pezull në Kretë. E konfirmon këtë ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati në një intervistë për VOA.
“Ne kemi shtruar të gjitha çështjet që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore deri në ditët e sotme. Besoj se jemi në një rrugë më të mirë seç kemi qenë. Do të ketë një raund tjetër në janar, këtë herë në Shqipëri, ku ne do të vazhdojmë mbi ato diskutime që kemi bërë, sidomos gjatë takimit të fundit në Kretë” – tha Bushati.
I pyetur se cilat janë çështjet konkrete të cilat po diskutohen, Bushati përmend marrëveshjen për detin dhe pengesat kufitare.
“Besoj se është krejt e qartë për opinionin publik që po diskutohen çështjet e një natyre historike mbartin një lloj sensibiliteti të caktuar për palët, sikundër çështjet që kanë të bëjnë me delimitimin e shelfit dhe zonës ekskluzive ekonomike, apo një përcaktim më të mirë të gjithë regjimit kufitar, që duhet të ekzistojë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, është një çështje që kërkon një vëmendje të posaçme nga të dyja palët dhe ne po përpiqemi për të punuar në këtë drejtim”–tha Bushati.