Albspirit

Media/News/Publishing

Ja pse duhet shtetëzuar ARMO

Aktivisti i “Nisma Thurje”, Besjan Pesha, ka reaguar pas protestës së punëtorëve të rafinerisë së naftës në Ballsh. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Pesha shprehet se kompania e naftës “ARMO”, duhet të shtetëzohet, kjo për faktin se në 9 vite mosfunksionim në privat, ka akumuluar rreth 400 milionë euro borxh, duke mos paguar prej 12 muajsh as edhe punëtorët.

“ARMO duhet të shtetëzohet!
Armo, rafineria e naftës, u shit në vitin 2008 për një shumë qesharake, rreth 110 milionë euro. Në këto 9 vite të funksionimit nën pronarin privat, kompania ka akumuluar rreth 400 milionë euro borxhe nga të cilat mbi 100 milionë ia ka shtetit. Ndërkohë nuk ka kryer asnjë investim serioz dhe u ka mbi 12 paga pa paguar punëtorëve”, – shkruan aktivisti.

Më tej ai shprehet se në të gjitha rastet qytetarët kanë dalë me humbje.

“Ku ishim, hiçgjëkundi?! Ne, populli pra, mbetëm me gisht në gojë teksa lloj soj matrapazi futi miliona euro në xhep dhe u largua me medalje në mashtrim. Ndonjërin prej tyre diku e kemi bërë dhe qytetar nderi”.

Shtetëzimin e ARMO-s, Pesha e mbështet me një argument se para se të shitej, kjo kompani kishte rreth 30 milionë euro fitime, që shkonin në buxhetin e shtetit dhe ktheheshin në investime për qytetarët, por shitja ka ndikuar vetëm për keq.

“Në vitin 2007, para se të shitej, ARMO ka realizuar fitim rreth 30 milionë euro. Fitim i cili shkonte në buxhetin e shtetit e bëhej më pas spitale, shkolla, rrugë etj, pra të mira publike. Nëse nuk do ishte shitur, sot do kishim një kompani publike të shëndetshme e cila do kontribuonte në mirëqenien e të gjithëve e jo vetëm në atë të disa kokrave me bark të madh. Ndaj ARMO duhet kthyer aty ku ishte, në pronësi të shtetit, të publikut. Siç duhen kthyer gradualisht të gjitha ndërmarrjet strategjike në vend, sidomos ato që shfrytëzojnë burimet natyrore”- thotë Pesha.

Please follow and like us: