Albspirit

Media/News/Publishing

Pse refuzojnë politikanët, Unionin Europian!

Lis Bukuroca

Për integrim Europa kërkon shtet ligjor, luftim të korrupsionit dhe të kriminalitetit. Shtetet shqiptare nuk kanë vepruar në atë drejtim. Shteti i së drejtës do të kishte arrestuar Sali Berishën, Bashën, Thaçin, Ramushin dhe shumë politikanë tjerë shqiptarë. Edhe atë, qysh moti!

Mosintegrimi është projekt i tyre jetësor. Ata me këmbëngulje luftojnë për interesa të vetat dhe manipulojnë popullin. Edhe atë, për të fshehur veprat kriminale, ose pasurim kundërligjor.  Kur akuzojnë Europën, e bëjnë për të hedhur fajin në Bruksel, për t’u shfaqur si viktima të diskriminimit, edhe pse ata dinë shumë mirë, cilat janë kushtet e pranimit, që ata nuk dëshirojnë t’i zbatojnë.

Ka shtete për të cilët interesi nacional qëndron mbi të gjitha, por edhe të atillë për të cilët interesi i politikanëve qëndron mbi të gjitha. Shtetet tona janë të tillë. Politikanët nuk i shërbejnë shtetit, por shteti u shërben atyre. Ata për të mbijetuar, arsyetojnë çdo veprim, përligjin çdo vepër, por gjithmonë kemi rezultatin e njëjtë: Populli varfërohet vazhdimisht, ata pasurohen vazhdimisht. Populli pret vetëm pezullimin e vizave për të ikur, ata mundohen për të mbetur vetëm në karrige.

Për të qenë turpi, maskarallëku më i plotë dhe gjithëpërfshirës, populli voton pikërisht ata hajna, që duhej të ishin në burg apo të mos kishin fare të drejtë të kandidohen. Keni lexuar se si u shpjegua rritja e pagës së Ramushit. Ramushit i duheshin kravata, u tha. Kur pa se ai deklarim po pezmatonte njerëzit, u shfaq tjetri dhe tha, jo, nuk i është rritur Ramushit paga, por postit të kryeministrisë. Mendime të tilla idioteske mund të artikulohen vetëm në Kosovë, ku populli trajtohet si masë amorfe, e pa tru, butake, thjesht gjallesë pa kurrizore.

Po pse Kosova nuk merr mundimin t’i realizojë kërkesat për shtetin ligjor? Është e pamundur! Gjykatësit dhe prokurorët janë punësuar prej tyre dhe janë argatë të tyre. Shteti ligjor do të luftonte hajdutët, të korruptuarit, kriminelët, vrasësit, mashtruesit, spiunët e Serbisë, e nëse bëhet kjo, atëherë krejt elita politike do të duhej arrestuar. Atje pikë së pari do të duhej burgosur prokurorët dhe gjykatësit, pastaj dekanët dhe drejtorët nëpër departamente tjera. Me këta politikanë, Kosova para vitit 2040, për të mos thënë kurrë, as që mund të merret me mend se plotëson parimet që kërkon BE.

Në mungesë të dijes për të bërë politike, në mungesë të rezultateve, marrjen e vizave për SHBA e shpjegojnë si dëftesë, si notë kaluese dhe si vlerë personale, si dezinfektim heroik. Thua se me viza dëshmohet pastërtia politike.

Haradinaj dëshiroi rrogë dyfishe. E shpjegoi me dëshirën për të blerë kollare, por në SHBA, nusja e tij kishte varë në sup një çantë të Louis Vuitton, që kushton diku 2.000 dollarë. Madje, qëllimisht e kishte kthyer në atë anë që ta shohin njerëzit etiketën. Ajo ishte revoltuar pse populli po merrej me çantën e saj, e jo me biletën që paska paguar vet, (se a e ka paguar vet, nuk e dimë, por nuk thotë të vërtetën kur pohon se online qenkan më shtrenjta, çfarë nuk është e vërtetë! Produktet online shiten më lirë, nga magazina, jo nga shitore dhe paketohen nga magazinier, jo nga shitës, sepse nuk paguajnë qira të shtrenjta nëpër qendra, por kanë objektet e veta në periferi.)

Në anën tjetër, Haradinaj kishte deklaruar Tagesspiegelit, se “lindja e kombit të ri, nuk është ecuri e lehtë.” E paska mësuar nga Matoshi, i cili në fillim të viteve të 90 kishte ngulur këmbë që kombi shqiptar të ndryshojë identitetin social e nacional dhe të bëhet komb mysliman. Siç i konvenonte Serbisë të bëheshin boshnjakët. Me teorinë titiste ai nuk u ndalë dhe u shfaq me kombin kosovar! Tani mëson Haradinajn si të krijohet një komb me etnonim serb!

Në mes të tjerash Haradinaj kishte thënë  Tagesspigelit se buxhetit të Kosovës i kanë tepruar nga viti i kaluar dy miliard euro. Se në çfarë gjendje janë spitalet e Kosovës dhe a mund të krahasohen me nevojtoret publike në Perëndim, dinë këtë shumë mirë krejt Qeveria e Kosovës, por ata kanë plane tjera: Të ndërtojnë pallate për vete! Të sëmurët le të mjekohen në Maqedoni, Serbi dhe Turqi!

Shtëpi e Bardhë u duhet, si ajo e SHBA-së, sepse ata nuk mund të durojnë të kenë shtëpinë më të vogël apo më pak të bukur se sa Trumpi. Ata nuk i japin si kredi investitorëve të vegjël për të krijuar vende pune, jo, ata këtë nuk e kanë ndërmend, ata dëshirojnë pallate megalomane si shëmbëlltyra e tyre osmane Erdoani me presidencën me 1000 dhoma.

Ata nuk dëshirojnë t’i japin popullit, por t’i marrin akoma më shumë, ose ta heqin qafe me vizat. Zaten, plan tjetër nuk kanë pos vizave. Natyrisht edhe vjedhjen për vete! Shtëpia e Bardhë, nuk pastron fytyrëzinjët!

Please follow and like us: