Cikël poetik nga Vera Kurti
Atje lart, mes kaltërish’
pupël më bëhet trupi
graviteti tërheq zemrën
e rëndohet porsi plumbi.
Pastaj…eh, pastaj
bëhem re e rigoj shi
shkrij dëborën përmbi Alpe
dhe shkarkohem përmbi Ty…
Malli të djeg më fort se zjarri
Ti, nuk e di, shpirt i nënës
se në nëntë orë fluturim
unë isha veç me ty e ledhat e tua
dhe kur ndonjë çast më mbylleshin sytë
ti vije sërish e lozje me mua.
O dritë, që më bën të besoj se bota,
në ka akoma dritë sysh për të parë
sheh me dritën e syve tuaj…
E bukura e nënës;
po me mbytin ngashërimet
ti, nuk e di sa shumë ma ke robëruar shpirtin.
Botë njerëzore, qysh kur u krijove
Botë njerëzore, qysh kur u krijove
linde e ndarë, në botë të mëdha e të vogla
në botë të parë, të dytë, të tretë e të pesëmbëdhjetë
dhe nuk u ngope së ngrituri mure e kala ndasish ndërmjet
derisa ndërtove mure midis zemrave
dhe ndave nënat prej evlatëve,
e nënemadhet, prej nipërve e mbesave…
Bote njerëzore,
ti, nuk ke shpëtim prej përmbytjes në oqeanin e lotëve …