Cikël poetik nga Tefta Sala
Pak dashuri dhe heshtje donte ajo
Pak dashuri dhe heshtje donte ajo.
Pak jetë të thjeshtë,një kafe në periferi
dhe një cigare të fortë të shuante dhimbjet
e pambyllura në shpirt.
Pak diell donte ajo
pak vjeshtë të florinjtë dhe një roman të vjetër
në dorë, të harronte kohën që u dashurua me të,
dhe kujtimet kokëvarura mbi vetmi.
Një fletore e laps donte ajo
të rishkruante historitë e saj të ëmbla dhe të hidhura
e më pas le të shkonte kudo ku fati
ta hidhte si një kockë pa mish.
Nuk mundem të shtirem
Unë e di që sytë e dikujt mē gllabërojnë
që nga larg.
Di gjithashtu që nuk mundem të shtirem
nëse dy duar më kaplojnë etshëm belin,
këputem në mes si një lule e sapoçelur ne vazo.
Unë e di që një hundë ma gllabëron aromën
që nga larg.
E ç’mund të bëj unë më pas?
Mbuloj tërë trupin me parfum lumë.
Ah hunda e dikujt..padyshim do jetë
në hall të madh.
Unë i fshihem hënës sonte
Unë i fshihem hënës sonte.
Sepse ajo është e plotë
e hijshme si një bollokume.
Ndërsa unë, një copëz refren
i trishtuar.
E një gotë e zbrazur vere.
Që e mbush vetëm një sonatë
e këtij fundgushti të prushtë.