Velçani i Mokrës, ku mbi 20 djem dhe vajza kanë humbur dhe janë vrarë në emigracion
E tërë krahina e Mokrës, me 47 fshatra të ndara në dy pjesë, përbën atë që quhet Mokra e Sipërme dhe Mokra e Poshtme. Mokra është e ngjeshur e tëra në gjirin e maleve dhe fshatrat e saj kalojnë deri në 1200 m mbi nivelin e detit.
Kemi zbritur Qafë Thanën dhe pa u futur në qytetin e Përrenjasit rruga majtas të shpie në Mokrën e Poshtme…Sapo makina del mbi Qafën e Katjelit, si në një ekran të shfaqen njëra pas tjetrës fshatrat e Mokrës së Poshtme. Shtëpi të vendosura në gjoksin e maleve dhe nëpër monopate që ngajnë si fole dallandyshesh. Mokra është një nga krahinat më të vjetra të vendit ku u kaluara ka lënë gjurmë të thella. Ajo shquhet për trimëri, mikpritje dhe bujari. Por Mokrës nga e kaluara i kanë ngelur edhe shumë fjalë të rënda si “Ara e gjakut”, “Luadhet e sherrit” apo emrat e njerëzve: Sose, Mbaresa, Qëndrim…
Jemi afruar Golikut. Një urë e hershme e rrugës Egnatia. Ura është e gjatë 37 m dhe e gjerë 3 m. E ndërtuar me dy qemerë rrethorë me nga një dritare shkarkuese. Ura të mahnit nga konstruksioni arkitektonik, që flet më së miri për nivelin e lartë të mjeshtrave vendas të kësaj krahine ku ndërtimi i rrugëve dhe urave ka patur një zhvillim të veçantë. Më pas pasi kemi lënë Proptishtin dhe Slabinjën dhe i jemi drejtuar Velçanit të thellë malor. Në disa lugina të pjerrta mbi fshat shohim tufa të mëdha me dele dhe dhi.
Mes blegtorëve
Është një ditë me diell, por e ftohtë. Dielli që ka dalë nga maja e maleve të Mokrës herë shfaqet dhe herë fshihet nëpër qafat e maleve duket sikur luan symbyllurazi me ne. Ndalojmë pranë një stani. Blegtorët janë njerëzit e sakrificës dhe nuk i dëgjon që të qahen ndonëse shtëpia i sheh rrallë. Duhet të ecësh këtyre maleve dhe monopateve që të takosh barinjtë për të marrë mbresa nga ky mjedis baritor plot mbresa dhe përshtypje.
Bukuri e veçantë. Takohemi me një bari të moshuar, 70 – vjeçarin Riza Çela që na pret buzagaz.
– Kemi një tufë të madhe prej 400 krerësh me dele dhe dhi, na thotë ai. Rizai i merr çdo dele nga 55 litra qumësht në vit. Eh, thotë ai, nuk është bari ai që nuk qëndron pranë stanit kur pjellin delet. Delja një herë pjell more vëlla dhe po të mos i njohësh qingjin çfarë bariu je, thuaj më mirë që nuk jam për këtë punë!
Pak më tutje takojmë 40 – vjeçarin Mersin Elezin. Stani i tij dallon mbi të tjerët është i ri me një mbulesa bashkohore të stallave dhe vathat verore. Mersini ka qenë emigrant për shumë vite në Greqi dhe me të ardhurat që ka fituar ka krijuar një kompleks modern blegtoral. Ai ka një tufë të madhe me dhi cilësore të racës. Ai merr për çdo dhi nga 210 litra qumësht në vit dhe brenda 60 ditëve kecat arrijnë një peshë prej 14 kg.
– Unë vajta emigrat në Greqi jo për t’u bërë hyzmeqar i grekut, por për të siguruar të ardhuar dhe për të sjellë atë përvojë që ata kanë dhe për qenë vetë pronar, thotë ai.
Më poshtë ai thotë se që të kesh sukses në blegtori duhet ta njohësh kullotën pëllëmbë për pëllëmbë, çfarë gjethe dhe barëra kanë luginat dhe honet ku kullosin dhitë, kullotën duhet t`a ndash me shkop atje ku ke vajtur sot të mos shkosh nesër. Unë kam futur rimjeljen e dhive dhe kjo më ka dhënë rezultat, thotë ai. Populli thotë se një pikë qumësht t`i ngelet në gji deles apo dhisë ajo e bën shterpë, ndërkohë që ujë iu jap dhive tre katër herë në ditë se po nuk i dhe ujë dhia apo delja nuk t`a jep qumshtin që t`i kërkon. Barinjtë na kanë shtruar gunat dhe ne jemi ulur pranë zjarrit. Në vatër digjet një zjarr i madh, por ai nuk ndjehet nga ajri i ftohtë në atë lartësi mbi 1200 m mbi nivelion e detit. Këmborët e zileve tringëllojnë në gjuhën e tyre të cilën e kupton mirë vetëm çobani. Ata e ndjejnë sado larg që të jetë kopeja. E kuptojnë kur ajo është e qetë dhe kur është e ndërkryer para rrezikut të egërsirave që zbresin nga pyjet e Bishnicës. Atëherë ata ngrihen dhe iu bëjnë ballë egersirave sëbashku me qentë e stanit. Por në Velçan ka shumë tufa me dele dhe dhi, është Arif Biba apo Salo Mysliu. Dhe të gjithë këta barinj dhe shumë të tjerë në këtë fshat të thellë me këto tufa sigurojnë bukën e familjeve të tyre.
Velçani
Jemi futur në fshat. Velçani është fshati më i madh dhe më i thellë i krahinës së Mokrës me 2000 banorë. Ky fshat është edhe qendra e ish Komunës së Velçanit. Shtëpi të ndërtuara me gurë të skalitur dhe të mbuluara me rrasa guri ngjajnë si shkëmbinj të latuar nga erërat e forta të Mokrës. Fshati ka një shkollë të mesme dhe qendër shëndetësore me dy mjekë. Ish kryetari i komunës Ramazan Rrapçe na thotë se rreth 70 për qind e fshatit Velçan kanë nga një pjestar të familjes në emigracion. Emigracioni dhe blegtoria janë dy elementët bazë që këta njerëz në këto zona të thella sigurojnë me sakrifica mbijetesën e tyre. Por telashet nuk kanë të sosuar. Njerëzit janë të pakënaqur…Na kanë mërzitur boll, thonë fshatarët e Velçanit, boll halle kemi…Infrastruktura e fshatit është e mjeruar, rrugët e ngushta dhe tepër të vështira tashmë presim dimrin dhe shtresa akulli janë tepër të rrezikshme në këtës tinë të vështirë. Dimrin e kaluar nga rrëshqitja e dheut u shkatërruan 24 shtëpi.
Dramat e djemve të tyre, të vrarë në emigracion
Emigracioni është parë si një nga burimet e jetës në komunën e thellë të Velçanit. Terreni i vështirë malor dhe klima e ashpër i ka detyrua këta djem të emigrojnë në Greqi dhe Itali, shumica në mënyrë klandestine për të siguruar bukën e gojës, larg vendbanimit dhe familjeve të tyre dhe në një Shqipëri të mbyllur mokrarët kanë qënë mërgimtarët e parë. Por ky emigrim i tyre nëpër botë ka sjellë drama rrëqethëse. Vërtet djemtë e Velçanit kanë sjellë të ardhura familjeve të tyre, por shumë prej tyre kanë humbur jetën. Në fshat dëgjon ngjarje rrënqethëse. Kështu 22 – vjeçarin Aleksandër Xhevit Lufo, para disa vjetësh, e ka therur me thikë një pronar grek pasi grekut i kishin vjedhur kasetofonin e makinës dhe akuzonte pa të drejtë djaloshin nga Mokra, të cilin e theri me thikë në mes të një fshati grek. Apo vrasjen e 37 – vjeçarit Feridon Lufo, babain e dy fëmijëve, të cilin e vranë ushtarët grekë në kufi…Ismail Çelës i janë vrarë dy djem në Greqi. Edhe Istref Biba ka humbur dy djem në emigracion, njërin në Greqi dhe tjetrin në Itali…Dhe faktet janë rrëqethëse. Në fshatin fqinjë të kësaj komune në Laktesh janë 6 djem të vrarë në Greqi, në Bishnicë 2 të vrarë dhe në fshatin Buzaishtë të po kësaj komune mungon një vajzë e zhdukur në mënyrë enigmatike nga familja Krasaliu…Ëngjëllushe Krastalliu pasi trafikohet arrin që t`u shkëputet trafikantëve dhe me ndihmen e një prifti arrin që të martohet me një shtetas italian dhe ka pesë vjet që ka humbur lidhjet me familjen. Tashmë që shkojmë pa viza, thonë ata, të paktën do të çmallemi me fëmijët tanë që kemi në emigracion, do të shkojmë të shohim nipat e mbesat se na ka këputur malli..
– Eh, thotë Ramazan Rapçe, sa gjak dhe jetë djemsh mokrarësh kanë humbur nëpër male, vetëm në këtë komunë në këto vite tranzicioni ka mbi 20 djem e vajza të zhdukur në emigracion apo të vrarë në kufi nga ushtarët grekë.
Tradita
Velçani është një nga fshatrat më të vjetër dhe më pak të braktisur në vitet e trazicionit nga banorët e tij. Ai shquhet për prodhimin e mjaltit. Gjermanët janë kontraktuesit kryesorë që tërheqin mjaltin e zonës së Velçanit i cili përbëhet nga 72 lloje lulesh. Velaçanakët janë mjeshtër të punimit të drurit. Prania e pyjeve të shumtë rreth e rrotull ka bërë që ata të jenë mjeshtra të prodhimit të eneve të drurit si kade të madhësisve të ndryshme për bulmet dhe për prodhimin e verës. Velçani shquhet për prodhimin e pataes dhe punimin e gurit. Ky është Velçani me praninë e pyjeve rreth e rrotull dhe lartësinë mbi 1200 mbi nivelin e detit duke patur një dimër të gjatë me dëborë, të pranverave të ndezura nga blerimi…
Please follow and like us: