Albspirit

Media/News/Publishing

Rama vendos shkatërrimin e vijës bregdetare të Gjirit të Lalzit 

Prof. Malltezi, cili është rreziku i ndërtimeve sa më afër vijës së detit?

Në kohët e fundit jemi në luftë me natyrën dhe në rast se do fitojmë, do të jetë fatkeqësi për ne, sepse të gjitë do të jemi të humbur. Për fat të keq ka një marri të madhe që të ndërtojmë sa më afër bregut të detit. Kjo marri shoqërohet me erozion bregdetar. Ajo dukuri që vërejmë në shumë vende të bregdetit të Shqipërisë është se deti po rrëmben tokë. Nuk i kuptojmë shkaqet, por por zgjidhja “alla shqiptarçe” ka qënë që të vendosen disa pontile me materiale të pandërprera. Por këto janë shumë problematikë, për bregdetin dhe jo vetëm për mjedisin, por edhe për vetë ekonominë e njerëzve që jetojnë aty pranë. Përgjatë miliona viteve janë formuar plazhet nga sedimentet e depozituara, ndaj vija bregdetare natyrore është e drejtë, pasi kemi edhe erodim, edhe mbushje me sedimente dhe kjo e fundit ka qene dominante. Por vendosja e këtyre pontileve në bregdet, nga njëra anë krijon mbathje, pra segmentet zgjerohen, por nga ana tjetër kemi edhe veprim gërryes të dallgës. Pra, njëkohësisht, me pontilet kemi në njërën anë mbathje me sedimente (zgjerim të brezit ranor), por fill nga ana tjeter kemi erozion të detit. Ndërhyrjet e këtilla nuk janë natyrale dhe rrezikojnë edhe vilat edhe cilësinë e ujit të detit.

Image

Cili është problemi dhe zgjidhja “alla shqiptarçe?
Problemi transferohet nga një zonë në tjetrën që vijon. Pra, pas ndërtimit të pontilit të parë (zgjerimit të rërës nga njëra anë) dhe krijimit të erozionin nga ana tjetër, ata që banojnë më pas dhe shohin sesi po i vjen deti (po ndodh erozioni) në vend që të heqin pontilin e pare që solli problemin, e vijojnë zgjidhjen “alla shqiptarçe” duke ndërtuar edhe këta një pontil tjetër. Kjo vihet re përshembull tek Mali i Robit, ngaqë erozioni ka qënë i madh, kanë ngritur gjithnjë e më shumë pontile, të cilat – duke iu afruar gjithnjë e më shumë afër me njëri-tjetrin – kanë bërë që ne të kemi vërtetë mbathje me sedimente, pra zgjeruar brezi ranor, por ndërkohë kanë cenuar cilësinë e ujit të detit pasi nuk qarkullon dhe kthehet në ujë të ndenjur. Po ta shikojmë, edhe me sy të lirë nga fotografime nga ajri duket qartë kjo dukuri, që deti duket si gjol.

Image

Shikojmë pontilet sa më afër njëri tjetrit, që këto të zgjerojnë rërën dhe ujit të detit i bie cilësia dhe duket si gjol. Po të shikojmë përtej pontileve, deti është i pastër. Kudo që ka sedimente të depozituara, të ngritura, ngjyra e detit ndryshon, ngaqë është ndryshuar cilësia e ujit të detit dhe gjithë pjesa e detit tashmë është e papërdoshme, sepse është bërë si moçal nga pontilet që vendosin. Këta që kishin shtëpinë pranë detit dhe menduan që të shpëtojnë rërën nga gërryerja e detit, në fakt shpëtojnë rërën por shkatërrojnë detin.

Do të ishte më mirë, që njerëzit të mos ishin kaq të babëzitur, që të shkonin deri tek buza e detit, për të ndërtuar shtëpinë, por të rrinë të paktën 100 metra larg. Në Malin e Robit kjo ka ardhur si efekt domino. Një nga zaptuesit e parë ka ndërtuar shumë afër me detin dhe kemi raste kur disa kanë shkuar me ndërtime vetëm 40 metra larg detin. Po të ecësh me këmbë buzë detit, vetëm me peshën e njeriut, aty rëra fundoset dhe mbledh ujë. Imagjino tani të ndërtosh një pallat 5 katësh, sa e ke fundosur tokën tek deti. Këta ndërtojnë brenda në rërë. Këtu edhe rëra është zhytur dhe deti është afruar nga ndërhyrja që bëjmë. Duke menduar që të shpëtojë nga deti, ndërtoi pontilin. Por me këtë mënyrë, nga njëra anë mori sedimentin, nga ana tjetër, shkaktoi erozionin. Siç bëri ky, bënë edhe dhjetëra të tjerë, në vijimësi të vijës bregdetare. Kështu e dëmtuan detin. Pra, në vijën bregdetare të Malit të Robit, kanë investuar secili me vila qindra mijë euro, kanë investuar me pontile qindra mijëra euro, nga ana tjetër, aty ne nuk mund të përdorim dot detin për turizëm, sepse deti është katandisur në moçal nga ndërhyrja artificiale e njeriut. Pra, për shkak të ndërtimit të pontileve nga njerëzit, për të mbrojtur tokën nga deti, e bëjmë praktikisht detin të papërdorur, sepse e kthejmë në një moçal, duke tjetërsuar cilësinë e ujit të detit, sepse formohen sedimente, ku uji i detit nuk qarkullon dot, nuk kemi më rryma detare, e uji kthehet në moçal.

Nga ana tjetër, para 6 muajsh kemi një vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, me firmë të Edi Ramës, më 16 nëntor 2018, i cili miraton ndërtimin e një pontili. Kjo tregon një idiotësi totale: atë krim që e bënin disa banditë pa shkollë tani po e bëjnë me vendim qeverie! Ka institucione shtetërore, që duhet të studiojnë këto fenomene mbi natyrën, por e keqja është se në këto institucione emërohen trafikantë, injorantë, servilë dhe militantë partie. Nuk emërohen njerëzit e shkolluar, të diplomuar, specialistë. Kemi qindra të rinj që kanë studiuar për mbrojtje mjedisi dhe që kanë mbaruar shkollën me mesatare të lartë në këto 8 vite, mirëpo asnjë nga këta nuk ka mundur të punojë në institucionet shtetërore që kanë detyrim të mbrojnë natyrën, mjedisin, ekosistemin.

Pra ne me duart tona shkatërrojmë natyrën, vijën bregdetare. Kemi vijën e drejtë të Gjirit të Lalzit, të cilin me vendim të Këshillt të Ministrave, duan ta shkatërrojnë. Vija bregdetare e krijuar nga natyra, tani me VKM duan të ndërtojnë një pontil m’u tek zona e fshatit turistik Valamar. Ky pontil do të krijojë sedimente nga ana jugore, por qartazi do krijojë erozion nga ana veriore dhe ka rrezik që uji paskëtaj t’u shkojë shtëpive shumë pranë themeleve dhe të vijojë zgjidhja alla-shqiptarce me ngritjen e pontileve të tjera të panderprera.

Image

Shteti do duhet të hiqte të gjithë pontilet ekzistuese të pandërprera që e kanë dëmtuar tashmë zonën bregdetare, që të mos krijohet erozion bregdetar dhe mos cënohet cilësia e ujit të detit, të mos krijohen moçale nga pontilet, e jo të japë leje për ndërtim pontilesh me materiale të pandërprera edhe aty ku vija bregdetare është e shkëlqyer. Ose, do duhet që lejet të jenë për pontile me pilota ku uji i detit të kalojë lirshëm e mos ndërpritet sedimentologjia detare.

Image

Mendoni se mund të ketë ndikim edhe në këto plazhe me rërë 120 metra të gjera?

Plazhet ranore formohen nga depozitimi i sedimenteve në vijën bregdetare. Sedimentet vijnë nga derdhjet e lumenjve, Problemi është, siç kemi vërejtur në derdhjet e Semanit, në Shëngjin etj, kemi probleme erozive shumë të fuqishme, të cilat vijnë ngaqë njerëzit kanë ndërprerë furnizimin e detit nga sedimentet që sjellin lumenjtë në det. Këto ndërhyrje kanë ardhur kryesisht nga dy faktorë të fuqishëm të njeriut, siç janë së pari nëpërmjet ndërtimeve të HEC-ve të mëdha me diga, pasi digat e mëdha e ndërpresin rrjedhjen e lirë të sedimenteve pasi nuk janë projektuar e ndërtuar me tuba shkarkimi fundore, që të shkarkohen sedimentet e mbledhura në diga. Ndërkohë në zonën e plazhit të Semanit kemi një fenomen tjetër kriminal që ka ndikuar, karrierat lumore inerte, lavatriçet lumore, të cilat marrin materialet inerte, zhavorrin dhe rërën dhe dalin deri tek lymi dhe baltovina. Pra karrierat lumore kanë gërryer sedimentet, për pasojë, lumenjtë nuk sjellin sedimente, që t’i mbathnin sa duhet këto plazhe. Në këto raste, kemi dëmin që bëhet në qindra kilometra larg, që pasojën e jep aty në vijën bregdetare. Janë rreth 37 karriera lumore, veç në Shkumbin dhe 86 veç në Vjosë!!! Ky është krim ndaj natyrës, por në fakt, është krim që bëjmë ndaj vetvetes.

Në vend që shteti të adresojë këto krime të rënda ndaj natyrës, veç Rama jep leje për të dëmtuar edhe më tej natyrën, si rasti me lejen e pontilit të ri ne Lalëz. A ka institucione ky vend? A ka specialistë? A ka prokurori? Për fat të keq, kapja e shtetit dhe kapja e institucioneve të pavarura sjell gjithë vargun e veprimeve kriminale të certifikuara nga vetë qeveria.

Image

Please follow and like us: