Dy poezi nga Hushi Agim
DASHURISË
Të fola në të gjitha gjuhët
Dhe kurrë përkthyes nuk na u desh
Si Ciceronë ligjëruan drurët
Gjethet përshpëritën magji mes nesh.
Të kuptova në çdo skaj
Kur bota në terr a mes ditës ish
Yjet me folën gjuhën e saj
Dielli me rreze, përktheu, sërish.
Të mora vesh dhe nuk gabova
Nga skaji në skaj të botës ia dolëm
I sfiduam të gjithë fjalorët
Me rrahjet e zemrës, dashurisht folëm
NJË RE E VETMUAR
Një re e vetmuar endet qiellit lart
E humbur, e shkretë, pa e ditur se ku
Kështu në këtë botë dhe ne e kemi një fat
Të endemi a të ngulemi në këtë botë diku
Sytë më shkojnë me dhimbje tek kjo re
Që as vete s’e din si erdhi, ku shkon
Kështu sillet dhe fati ynë mbi ne
Lehtësisht na merr dhe na fluturon…
Në qiellin e pafund vërtitet kjo copë re
Si penel i shenjtë vizaton ca shenja
Mesazhet që fati dërgon mbi ne
Lundron fati ynë i braktisur si reja.