Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Arka e Noes

Image result for ndue ukaj

Arka e Noes s’u zbraz
as kur ylberi shkëlqej mbi det,
ernat pushuan dhe deti ra në gjumë.
Ajo s’u zbraz as kur pëllumbi i bardhë kaloi para saj
e nëpër dyert e ngushta brofën të shastisurit
m’ i prekë të gjitha ngjyrat e shkëlqimit përnjëherë.

Ajo lufton e dehur me stuhinë,
me shiun e zi që bie pa pushim
dhe batakçinjtë që tokën e kanë dhi.

Qysh atëherë kur njerëzit e dehur i pushtoi dëshira
m’ u kacavjerrë nëpër ngjyrat e ylberit,
më beso – paqja kurrë s’u shtri mbi toke.
As kur pëllumbi u shfaq qiellit blu
e ty të kapi dëshira m’u dehë në buzët plot afsh,
me vdekë aty e me ruajtë çastin e fundit për përjetësi.

Paqja s’u shtri mbi tokë,
as kur ra nata,
e ylberi u zhduk në orbitën e errësirës
si i panjohuri pas një kodre të madhe.

Paqja s’u shtri mbi tokë as kur errësira pushtoi sytë e tanë.

Paqja kurrë s’u shtir mbi tokë,
prandaj arka e Noes vazhdon të lundrojë në stuhi.

2012

Please follow and like us: