Sadik Bejko: ORA 24
Akrepat tejetej, ja… e qarkuan orën
Si gërshërë prenë faqen e një dite
Si gjethen vyshkur te dega.
Ca zëra:
Ku, ku je? më thërrisnin.
Lëvarur isha te bryma, te rrapet,
Te thëllimi shtie gjethet
te brisku rrjep gëzofin e bishave.
Tek shuhen gjurmë ujku në borë
Ku lëkurat zhvokshen nga trungjet
e nga shpina e gjarpërinjve…
Të mpiksja e ujit në akull,
te mpiksja e ditës në muzg,
i tejdukshëm, i tëhollur si petë.
Ku je, ku je? më thërrisnin.
Tegela gjalmi të natës me
gjilpërat e brymës më patën mbyllur
në gjethen e ditës që vdiq.
Ndër rrathë përbrenda trungut,
në rrjeta zift vrimash të zeza…
(Ku je, ku je?)
… një eklips sa gjysmë hëne në kokë…
e s’mund…
e dot nuk përgjigjesha.
Please follow and like us: