Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmet Kraja: Identiteti kosovar (14)

BETEJA E HUMBUR PËR STATUS

 

Diskursi negativ

 

Po çfarë ishin kosovarët përball këtyre njerëzve të ardhur nga skajet më të ndryshme të botës? Për ta kuptuar këtë, ka qenë e domosdoshme të lexoje atë që shkruhej për Kosovën gjatë këtyre viteve. Për jo plot njëmbëdhjetë mijë kilometër katrorë u shkruan më shumë se për hapësira të pamatura të një kontinenti të tërë. U shkruan libra, artikuj gazetash, analiza, komente, intervista, relacione, raporte, pra një mori e jashtëzakonshme tekstesh formatesh dhe qëllimesh të ndryshme. Tekstet ishin dy llojesh, një numër syresh për përdorim publik, pra të tillë që i dedikoheshin opinionit të gjerë dhe, natyrisht, tekste që do të kenë pasur lexim më të kufizuar, për përdorim intern, siç thuhet zakonisht për tekstet që nuk i dedikohen opinionit të gjerë, që arkivohen nëpër dosje administrative të shërbimeve të ndryshme, përfshirë edhe shërbimet sekrete. Vetëm përmbledhja e informacionit për tekstet e botuara në këtë periudhë për Kosovën, do të kërkonte një punë shumëvjeçare të një instituti ose të një grupi njerëzish të specializuar, ndërkohë që leximi dhe analiza e këtyre teksteve paraqitet e pamundur, në radhë të parë për shkak të volumit, por edhe për shkak të profilizimeve të shumëllojshme përmbajtësore: aty ka politikë, histori, diplomaci, strategji ushtarake, raporte spiunimi, traditë, trashëgimi, jetë shoqërore, marrëdhënie ndëretnike, kulturë, etnologji dhe etnografi, deri edhe studime të tilla përimtuese që nuk besohet se do të mund t’i shërbejnë dikujt as sot, as në shekujt e ardhshëm.

Në këtë mënyrë, Kosova u vu përball njerëzve me dije të ndryshme dhe me qëllime të ndryshme. Disa syresh ishin njerëz të shkrimit, kryesisht gazetarë, pra publicistë dhe bërës të politikave dhe të opinionit publik në vendet e tyre. Shkrimet e tyre, qofshin libra apo tekste gazetash, duhet marrë para sysh në çfarëdo rrethane, sepse konsiderohen me peshë, kanë informacion, kanë seriozitet në qasje, përdorin referenca të vlershme, mbështeten në analiza të argumentuara, bëjnë observime serioze, madje edhe kur janë krejt tendencioze. Askush nuk mund ta dijë as përafërsisht se sa tekste të këtilla janë shkruar për Kosovën në këto 10-15 vjet, sikundër që askush nuk mund ta thotë se me çfarë përqindje marrin pjesë këto tekste në morinë e përgjithshme të shkrimeve për Kosovën. Megjithatë, tekste të këtilla ekzistojnë, ato janë shkruar dhe, në disa raste, e kanë nderuar Kosovën me dijen dhe angazhimin e tyre profesional, qofshin nga fusha e historisë, politikës, diplomacisë, të së drejtës, marrëdhënieve ndërkombëtare etj.

Edhe përkundër vlerës së qëndrueshme që mund të kenë, një pjesë e këtyre studimeve ose shkrimeve shkencore publicistike vuajnë nga një e metë elementare: pothuajse asnjëri syresh nuk merr në shqyrtim (të mos themi në konsideratë) dijen vendore për një çështje të caktuar. Pra, asnjëri, ose pothuajse asnjëri nuk e konsulton këtë dije dhe të dhënat e saj, sadopak burimore dhe sadopak të verifikuara qofshin ato. Ndërsa i lexon këta libra për Kosovën, pastaj e shikon edhe literaturën e shfrytëzuar, sheh edhe referencat, të krijohet përshtypja se këta autorë nuk janë shkencëtarë dhe dijetarë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por më shumë ngjajnë me eksplorues të kohëve të shkuara, që kanë marrë përsipër t’ia bëjnë me dije botës zbulimin e një toke të panjohur. Ne që jetojmë dhe që kemi jetuar në Kosovë edhe para vitit 1999, pra edhe para vitit se bota ta “zbulonte” Kosovën, i dimë më mirë se çdokush tjetër të metat dhe defektet e shkencës sonë. I dimë mangësitë dhe kufizimet e saj. Por ka qenë një traditë e hershme, ta zëmë, e antropologëve të botës që, kur kanë shkruar për ndonjë fis të Amazonës, bashkë me përshkrimin vizual të asaj që kanë parë, pa përjashtim do të kenë bërë përpjekje të depërtojnë edhe në strukturën e organizimit të tyre social, përfshirë edhe të kuptuarit sado të përciptë të mitologjisë së jetës së tyre, gjuhës, riteve etj. Pra, këta antropologë në shkrimet e tyre përpiqen të sjellin para dijes shkencore disa të dhëna ose fakte empirike, bie fjala pamjen e ndonjë totemi, ndonjë fjalë nga gjuha e tyre, përshkrimin e ndonjë rituali etj.

Kurse për Kosovën nuk e kanë për gjë të shkruajnë në mënyrë krejt abstrakte: të shkruajnë për gjeografinë e saj pa ditur asnjë emër lumi, asnjë emër fushe, asnjë emër mali; të shkruajnë për historinë e saj pa ditur saktë asnjë ngjarje historike; të shkruajnë për aktualitetin e saj pa ditur asgjë për banorët që e popullojnë atë vend; të shkruajnë për trashëgiminë, kulturën, etnopsikologjinë pa ditur asgjë për muzikën, letërsinë, pikturën, arkitekturën popullore, artizanalet, zejet, pra asgjë. Asnjëri nga këta studiues dhe publicistë, pothuajse asnjëri, nuk i mësoi dy fjalë të gjuhës shqipe, qoftë për kureshtje, qoftë për të shfrytëzuar atë të paktë literaturë që mund të gjendet në këtë gjuhë. Madje, në kuadër të këtyre librave ndonjëherë do të gjeni shqetësimet dhe brengat e këtyre autorëve për problemet gjuhësore që ka Kosova në raport me gjuhën letrare dhe standardin shqip, por nuk do të gjeni qoftë edhe një referencë burimore për gjuhën shqipe të ndonjë albanologu ose linguisti shqiptar. Edhe me këtë rast do ta përsërisim zëshëm se dijet shqiptare kanë mungesa të shumta, por në çështje gjuhësore është e pranuar botërisht se studimet albanologjike nuk qëndrojnë më poshtë se studimet e gjuhëve të tjera të Ballkanit.

Natyrisht që, në këto libra dhe botime për Kosovën, mungesat e literaturës burimore, sikundër edhe të vëzhgimeve empirike, është gjetur një mënyrë e përshtatshme që të kompensohen. Sjellja është tipike megalomane: nëse dijen për një çështje të caktuar nuk e ke bërë të njohur në gjuhën që e përdor unë dhe në formën e përshtatshme për mua, atëherë ajo dije nuk ekziston, sepse unë nuk di gjë për të. Kjo mënyrë e sjelljes së dikurshme e Europës kundrejt Ballkanit, njësoj sikundër edhe ndaj popujve të kolonizuar, ka zënë fill në shekuj më të hershëm dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite në përmasa më të gjëra. Prandaj ballkanasit është dashur të bëjnë garë, që të vërtetat e tyre historike dhe politike t’ia ofrojnë Europës mospërfillëse (por vendimmarrëse) në formën që do t’i dukej asaj më e përshtatshme.

Që këndej zë fill një garë e shëmtuar e serbëve, ta zëmë, që “të vërtetën e tyre” për Kosovën ta dizajnojnë në formë sa më të përshtatshme për europerëndimorët, pa i dhënë rëndësi aq shumë me këtë rast të vërtetës shkencore, sa faktit që e “vërteta e tyre” të jetë e arritshme njësoj si për historianin britanik, ashtu edhe për diplomatin francez, për studiuesin gjerman apo për publicistin italian. Në këtë pikë, në raport me shqiptarët, serbët kanë pasur përparësi të mëdha, ngase tashmë kishin arritur të zgjonin kureshtjen europiane që në fillim të shekullit XIX; ngase propagandën e kishin bërë dhe e kishin koordinuar që herët permes institucioneve shtetërore; apo edhe për faktin se interesat e tyre në mënyrë ideale qenë përputhur me interesat e një fuqie të madhe, siç ka qenë dhe vazhdon të jetë Rusia (dhe ndonjë tjetër aleate e saj), e cila në shumë raste kishte luajtur rolin e sponsorizuesit të hapur të interesave politike të Serbisë. Ironia qëndron pikërisht në faktin se një “e vërtetë” e sponsorizuar nga Rusia, e ambalazhuar dhe e dizajnuar në mënyrë të përshtatshme për sytë e perëndimorëve, përvetësohet pa asnjë rezervë dhe i jepet statusi i të vërtetës së pakontestueshme. Dhe kjo nuk ndodh as në kohën e largët të Paqes së Shën Stefanit apo të Kongresit të Berlinit, në kohën e turbullt të Luftës së Parë Botërore ose të traumave çrregulluese të “luftës së ftohtë”, por ndodh në vitin 2000, 2005, 2010, pra në një kohë krejt moderne dhe me qartësi të jashtëzakonshme argumentimi. Edhe në këtë kohë, pra, librat për Kosovën të gjitha mungesat autentike të vrojtimit empirik dhe të literaturës shkencore përpiqen t’i kompensojnë përmes literaturës njëburimore, në këtë rast serbe. Nuk ka libër për Kosovën, i botuar përgjatë dhjetë viteve të shkuara, i cili versionin serb të historisë së Kosovës, ndonjëherë me korrigjime të pakta dhe ndonjëherë pa to fare, nuk e merr si të mirëqenë.

Natyrisht, kjo nuk është vetëm grackë shkencore, e dijes, madje më së paku është e tillë, por në rend të pare është grackë morale: përse në një konflikt, siç ishte ai i Kosovës, një europerëndimor u dashka t’i japë përparësi ose t’ia mbajë anën njërës palë? Nga vjen e drejta morale e një perëndimori për ta bërë këtë? Nga e krijon ai sigurinë se në këtë rast është duke vepruar “sipas të drejtës së Zotit”? Cilat dije ia sugjerojnë këtë? Edhe nëse ia sugjeron e drejta historike njëmijë vjeçare e njërës palë, a ia sugjeron e drejta historike dymijë vjeçare e palës tjetër? Fundja, kush ka të drejtë në këtë botë të marrë rolin e Perëndisë, dikë të shpërblejë dhe dikë të ndëshkojë për arsye që as Perëndia vetë mund t’i kuptojë? A është ky moral i krishterë, i cili qëndron në themelet e civilizimit europian? A është ky mësimi i doktrinës së shenjtë? A janë këto parimet, mbi të cilat është ndërtuar rendi botëror, ky i riu dhe ai i mëhershmi?

Pikërisht, a guxojmë të shkojmë një hap më tej në këtë analizë (pa marrë me vete një mallkim) dhe të themi se në themel të këtij qëndrimi të padrejtë qëndron pikërisht morali katolik dhe jo ai reformator. Është morali katolik europian që ka ndëshkuar popuj të ndryshëm të botës dhe shqiptarët midis tyre. Me cilën logjikë, me cilën të drejtë? Me moralin se ai që ka sunduar një herë në këtë botë, ka të drejtë që ta bëjë këtë gjithherë. Se ai që ka qenë një herë zotëri, ka të drejtë që i tillë të jetë gjithmonë, përkundër atij tjetrit, i cili një herë ka qenë rob dhe i tillë mund të mbetet pafundësisht? Kjo është filozofia tradicionale e Europës katolike, e cila ndërtoi rendin e vjetër botëror. Në këtë rend botëror ne ishim të varfër dhe të tillë duhej të mbetnim. Në këtë rend botëror ne ishim robër dhe të tillë duhej të mbetnim. Në atë rend botëror ne ishim të pushtuar dhe të tillë duhej të mbetnim. Në atë rend botëror ne ishim skllevër dhe të tillë duhej të mbetnim. Në atë rend botëror në ishim primitivë, të padenjë për liri dhe të tillë duhej të mbetnim.

 

Paragjykimet përmbi arsye

 

Pra, shkrimet për Kosovën, librat kryesisht, kishin një injorim permanent të çështjes shqiptare dhe një mbështetje të pakursyer të çështjes serbe. Shkrimet më pozitive dhe më të favorshme për Kosovën ishin të tillët që merrnin pozicion neutral, ndërkohë që të gjeje një mbështetje të plotë për çështjen shqiptare ishte pothuajse e pamundur. Edhe në shkrimet më pozitive në esencë nuk kontestohej asgjë serbe për Kosovën, as historia, as trashëgimia kulturore dhe fetare, asgjë, vetëm se, si favor shqiptar merrej gjendja faktike, pra aktualiteti numerik i shqiptarëve, të cilët kishin arritur ta dominonin një hapësirë dhe ndryshimi eventual I kësaj gjendjeje binte ndesh me të gjitha parimet jo më të politikëbërjes, por edhe të civilizimit bashkëkohor. Ky ishte i vetmi favor që u bëhej shqiptarëve në trajtimin e çështjes së Kosovës. Nuk do të ketë as simpati elementare ndaj shqiptarëve të Kosovës, as ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Do të ketë pak mëshirë dhe mirëkuptim dhe asgjë më shumë se kaq. Në të vërtetë, këto ndjenja të përziera positive do të jenë të pranishme në fillim, në vitet e para pas luftës, ndërsa më vonë, me kalimin e kohës edhe këto do të zhbëhen dhe vendin e mëshirës do ta zërë cinizmi, ndërsa vendin e mirëkuptimit do ta zërë refuzimi dhe tallja permanente.

Si duhet shpjeguar, pra, një situatë të këtillë? Pse ndodhi një zmbrapsje kaq e shpejtë e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës, një pendesë e saj? Pse kosovarët u bënë kaq refuzues për bashkësinë ndërkombëtare, për Europën në rend të parë, sa që tani të ndodhë një mësymje gati massive kundër tyre? A është kjo pendesë e tyre për aktin e ndërhyrjes, apo një faj kryekëput kosovar? Çfarë bënë kosovarët që nuk duhej ta bënin? A e merituan ata këtë përkujdesje të botës? A ditën ta çmonin? A qenë mirënjohës sa duhej? Dhe, mbi të gjitha, pse kaq shpejt bota u kthye kundër tyre? Këto janë pyetje që i sillen nëpër mendje secilit kosovar dhe secili do të përpiqet të gjejë përgjigjen më bindëse dhe më të argumentuar.

Në të vërtetë, përgjigja më e shpejtë, që i rri më pranë pothuajse secilit prej nesh, ka të bëjë me Serbinë dhe me fenë. Pavarësisht se këto janë shpjegime të lehta, nuk mund të përjashtohen në mënyrë aq shpërfillëse, sepse shpesh është në logjikën e gjërave, që përgjigjet e vështira të gjenden në gjërat më të thjeshta. Pra, duket sikur me ndërhyrjen në Kosovë bashkësia ndërkombëtare, në këtë rast veçmas Europa, e shtrënguar nga rrethanat dhe e nxitur nga SHBAja, bëri një “ekskursion” jashtë rregullave, kodeve dhe moralit të saj, në mënyrë që, për një kohë të shkurtër të kthehej përsëri atje ku kishte qenë: te pendesa e saj e thellë për ndërhyrjen në Kosovë. Serbia pat një ndikim të jashtëzakonshëm në një sjellje të këtillë rreth Kosovës. Por, si ishte e mundur që ajo të kishte një ndikim të tillë në një botë të madhe, ku interesat e popujve dhe shteteve shpesh nuk puqen mes veti…? Pse në këtë pikë, pra në pikën e mbështetjes së Serbisë dhe të refuzimit të Kosovës përputhen interesat e papërputhshme të shumë vendeve, të shumë shteteve dhe të shumë popujve të Europës? Ku qëndron enigma? A mund të lidhet kjo vetëm me trashëgiminë, me historinë, apo edhe me rrethanat e sotme politike në Europë?

Tani këto janë çështje të vështira dhe nuk do t’i zgjidhim aq lehtë as sot, as në të ardhmen, sepse, fundja, qëllimi ynë nuk është të bëjmë analiza për politikat e ngatërruara të botës, por do të përpiqemi të japim disa përgjigje, të cilat na kanë qëndruar pranë, por çuditërisht na janë dukur disi të fshehta. Do t’u kthehemi përsëri shkrimeve për Kosovën (librave, komenteve, analizave, intervistave) dhe atje do të gjejmë, diku të shfaqur haptas e diku të fshehur midis rreshtave, idetë fondamentale dhe të pandryshuara të diskursit europian për Kosovën. Në disa raste ato janë ide të avancuara, bashkëkohore, moderne, që prihen nga parime dhe vlera universale, nga një këndvështrim substancial humanitar dhe demokratik. Por, në raste të tjera shkrimet dhe observimet janë thellësisht recidiviste, ku nxjerrin krye ide të vjetra, ndonjëherë për kombin, ndonjëherë për fenë, ndonjëherë për rendin botëror, madje ide që ndonjëherë përfundojnë në intolerancë dhe racizëm të hapur. Por, pavarësisht nga kjo shumësi idesh dhe këndvështrimesh, a nuk ishte jokorrekte moralisht që mbi një Kosovë kaq të vogël, me kaq pak njerëz dhe me kaq shumë vuajtje, të sulen aq shumë vëzhgues dhe observues, të kalojnë çdo detaj të saj nëpër një skaner gjigant, me një monokël fantastik sipër, nëpër të cilin shikon e gjithë bota? A nuk ishte kjo e padrejtë? Pse ky vëzhgim dhe hulumtim kaq përimtues mbi një Kosovë kaq të vogël dhe pa brekë, ose me brekë të shqyera, e sapo dalë nga lufta, me plagë nëpër trup dhe në shpirt, e lodhur, e paushqyer, e paarsimuar dhe e paedukuar si duhet…? Pse ky vëzhgim kaq i detajuar dhe kaq dyshues për një Kosovë kaq të vogël? Ç’gjë e mistershme mund të fshihej brenda saj? Fundja, pse bota lodhej me aq shumë shkrime për një Kosovë të tillë? Ç’ishte ajo Kosovë? Asgjë. Dy milionë banorë të drobitur e të shkallmuar, ç’domethënie mund të kenë ata në një botë kaq të madhe?

Nga këndvështrimi i Kosovës, i njerëzve që jetonin dhe vuanin brenda saj, ishte e padrejtë kjo mësymje e botës për t’ia parë asaj me çdo kusht ‘bythën jashtë’. Nga këndvështrimi i njerëzve që bënin jetën e tyre në Kosovë ka qenë dhe vazhdon të jetë jashtëzakonisht e bezdisshme që dikush të rrijë gjithnjë matanë gardhit dhe të shikojë ditë e natë se çfarë bën ti në oborrin e shtëpisë tënde. Ose edhe më keq: të vërë syrin në një plasë dere dhe të shohë se çfarë bën ti në dhomën tënde të gjumit, në banjë, në ndonjë të ndarë tjetër, çfarë bën ditën dhe çfarë bën natën, çfarë bën me gruan dhe çfarë bën pa gruan, si fle, si ha, si hap me gojë, si mbyll sytë, si pirdhesh, si i fshin hundët. Nuk bëhet fjalë më për privatësi, bëhet fjalë për përfshirje detajesh, që nuk i hyjnë askujt në punë, sepse, fundja, të gjithë njerëzit e botës nevojat biologjike i kryejnë njësoj ose ngjashëm, por më shumë bëhet fjalë për kërkimin dhe gjetjen me çdo kusht të detajeve të flagrancës. Të gjithë njerëzit e botës, kur hanë fasule, faqe me nder, lirojnë gazra. Përse, atëherë, kur duhej të pirdhej një kosovar, për observuesit e kujdesshëm të botës ky veprim duhej të kishte kuptim tjetër dhe të merrte konotacion politik, historik, fetar, kulturor, etnografik, civilizues, madje kuptime krejt të mjegullta konceptesh dhe idesh të konfliktit të civilizimeve, të luftës së botëve.

Kosovari, me këtë rast, nuk u privua vetëm nga privatësia, nga e drejta e tij që të bëjë jetë normale, por u vendos nën një vëzhgim të padrejtë, cenues për lirinë e tij, cenues për dinjitetin e tij. Aq më tepër, kur dihej se ky vëzhgim nuk ishte pozitiv, se çfarëdo që të bënte ai, edhe nëse kishte sjellje të shkëlqyer, insistimi i vazhdueshëm në kërkim të flagrancës doemos që do ta nxirrte vëzhguesin atje ku ai e kishte synimin. Në fillim, më pak gjatë operacioneve të luftës të viteve 1998 dhe 1999 dhe më shumë menjëherë pas kësaj periudhe, burra dhe gra të botës u futën në çdo pore të jetës kosovare. U futën nën tendat e refugjatëve dhe panë njerëz që nuk lahen e nuk ndërrohen, panë fëmijë pa përkujdesje, që pshurren në brekë dhe bëjnë nevojën e madhe një hap matanë tendës; panë burra që rrinë të menduar dhe pinë duhan, sikundër që panë edhe plaka që ofshajnë dhe rënkojnë, duke përmendur orë e çast emrin e Allahut. Kaq iu desh dikujt që të dilte e të thoshte se këta ngjajnë me fise aziatikësh, se ashtu e bëjnë jetën nën tenda, duke pjekur bukë ose fli nën saç, pamje këto që bota i kishte parë një here te kurdët, tek irakianët, tek afganët, madje edhe te boshnjakët. Pra, këta qenkan njësoj! Ata nuk deshën të dinin se të vuajturit e botës, kudo që të jenë, i ngjajnë njëri-tjetrit, pavarësisht se çfarë feje kanë, çfarë trashëgimie dhe çfarë filozofie jetësore. Nga mund ta dimë ne, si do të sillej dhe si do të dukej një europerëndimor, si i zhvendosur ose si refugjat, kur një të tillë nuk kemi pasur rast ta shohim asnjëherë.

Bota tashmë e kishte krijuar stereotipin e të shpërngulurit, e të zhvendosurit, e refugjatit dhe u ngut që në atë skemë, në atë stereotip ta fuste dhe ta vendoste edhe kosovarin. Të gjithëve iu kujtohen dy pamje, të cilat e kanë qarkulluar botën cep më cep: masakra e Jasharajve në Prekaz dhe masakra e Reçakut. Që të dyja ishin pamje që nuk lënë askënd indiferent. Por edhe në këtë dhembje njerëzore, ku nuk do të duhej të kishte paragjykime, u përbiruan dy stigma recidiviste, të pashembullta për nga insistimi: pamja në sfond e të masakruarve të Jasharajve, të 54 vetave të një familjeje, burra, gra dhe fëmijë, shoqërohet me profilin e një hoxhe, të cilit i dridhet mjekra dhe një lot i rrëshqet faqes teposhtë. Po kaq të masakruar edhe në Reçak, të renditur ndër arkivole, do të vendosen në hapësirën e një xhamie, të xhamisë së fshatit. Natyrisht, as sot dhe as kurrë nuk mund të mohojmë se hoxha dhe xhamia kanë qenë pjesë të atij realiteti, por mbitheksimi i tyre në një rrethanë të tillë është fitore e dhimbshme e paragjykimit mbi arsyen. Unë as sot e kësaj dite nuk e kuptoj, përse sajuesit perëndimorë të paragjykimeve janë kaq mizorë, kaq insistues, kaq të paskrupullt, të tillë që nuk marrin parasysh asnjë kufizim moral, vetëm që të arrijnë atë që synojnë. Pastaj u krye lufta dhe po këta burra e gra, si punëtorë humanitarë të shoqatave dhe të fondacioneve të ndryshme, si reporterë e si gazetarë, si njerëz që kishin fituar besimin e madh të kosovarëve, u kthyen dhe u rikthyen bashkë me ta në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar, panë atë që pane dhe regjistruan çdo detaj të sjelljes së tyre. Çfarë bënë, në të vërtetë, kosovarët në këtë rrethanë? Bënë atë që do të bënte çdokush pas një lufte të tillë. Ngarendën që të ktheheshin në shtëpitë e veta, më shpejt dhe në mënyrë më masive se ç’do ta bënte shumëkush tjetër. Në këtë e sipër plaçkitën ndonjë gjë dhe vodhën ndonjë gjësend të vlefshëm, megjithëqë në Kosovë pak kishin mbetur gjëra të tilla, sepse serbët vendorë, si civilë ose të veshur si policë apo si paramilitarë, sikundër edhe vetë ushtria dhe policia e rregullt, pra që të gjithë pa përjashtim e kishin plaçkitur Kosovën deri në rrjepje.

Megjithatë, duhet pranuar se kosovarët në ditët e para pas luftës e vodhën njeri-tjetrin, ashtu siç bëjnë zakonisht të gjithë njerëzit e botës në një rrethanë të këtillë. Pastaj iu sulën atyre pak serbëve të mbetur dhe pasurisë së tyre. Disa syresh i vranë dhe dogjën një numër të konsiderueshëm shtëpish. Në shumicën e rasteve kjo ndodhi për hakmarrje, nga mllefi, por ndonjëherë edhe për interesa meskine, kryesisht pasurore. Ishte kjo gracka, pusia, në të cilën ishin pritur kosovarët prej muajsh. Këto viktima të idealizuara, që gjatë gjithë jetës së tyre kishin vuajtur dhe e kishin pësuar, që e dinin mirë se ç’kuptim kishte shtypja, urrejtja, dëbimi, vrasja, a thua si do të silleshin me kundërshtarët e vet pikërisht tani, kur kishin filluar ta merrnin veten, kur ishin në pozitë më të favorshme? Kjo i interesonte shumëkujt. A do të ishin në gjendje kosovarët të bënin jo atë që i nxit urrejtja e tyre, pasioni i tyre për hakmarrje, por atë që e kërkon bota, e cila kishte investuar kredibilitetin e saj, duke bërë një veprim të pashembullt të ndërhyrjes për parime morale? Së paku, kështu thoshte ajo.

Në të vërtetë, kosovarët nuk bënë asgjë që ishte kundër natyrës njerëzore. Është e njohur se viktima, kur merr forcë, në shumicën e rasteve hakmerret ndaj atij që i ka shkaktuar vuajtje. Është po ashtu e njohur se, në rrethana konfuze çfarë janë rrethanat e luftës, nuk mund të ketë një vijë të qartë diferencimi ndërmjet viktimës dhe kriminelit, sepse që të dy marrin dhe japin ndërmjet veti. Këto janë gjëra që ndodhin dhe që janë të njohura në parim. Por, më anë tjetër, askush nuk u ndal ta shihte pak më qartë konstalacionin e situates kosovare. Askush nuk desh t’ia dinte se cilat kishin qenë vuajtjet e këtyre njerëzve, sa monstruoze kishin qenë krimet, sa kishin zgjatur ato dhe çfarë kishte qenë pjesëmarrja serbe në krime dhe në fajësi për vuajtje. Është e vërtetë se në Kosovë u gjetën një numër personash serbë të vrarë pa shkas. Natyrisht që këto ishin vrasje irracionale, madje nuk ishin as hakmarrje të zakonshme. Ishin vrasje nga pasioni, nga urrejtja, nga ndjenjat e ulëta. Të vrasësh të pafajshmin gjithnjë është kështu. Nuk do të shtrojmë këtu pyetjen se nga cilat motive dhe nga cilat ndjenja të parët serbët i vranë shqiptarët e Kosovës, por do të shtrojmë një pyetje pak të pazakontë, që harrohet vazhdimisht: Si u sollën serbët e Kosovës me fqinjët e tyre shqiptarë, para dhe gjatë luftës? Kur doni që të fillojmë? Nga historia më e hershme apo nga historia më e vonë? Nga cili vit? Nga vitet e largëta 1878-81, pak më të vona 1912-13; nga vitet që të gjallët jo të shumtë akoma i mbajnë mend 1944-45, 1953-56; apo nga vitet që i mbajmë mend pothuajse të gjithë, 1989-1999. Pra, kemi të bëjmë me një “tkurrje” brenda një tërësie të historisë, respektivisht të kujtesës kolektive dhe të realitetit flagrant. Mua nuk ka nevojë të më thotë njeri, ta zëmë, se raportet e mia me serbët i ngarkon kujtesa historike, i ngarkon historicizmi, i ngarkon memoria negative. Nëse këto raporte i ngarkon diçka, ai është realiteti, të cilin e kam parë dhe e kam përjetuar vetë. Unë i kam parë serbët e Kosovës se si të gjithë pa përjashtim vihen në anën e Milosheviqit. Përse ndonjëri syresh, nga ata që unë i kam njohur, që dikur punonin në “Jedinstvo”, në institucionet e kulturës, që ishin shkrimtarë, gazetarë, piktorë, profesorë universiteti, përse qoftë edhe njëri prej tyre, një i vetëm, nuk doli të thoshte, që nga viti 1981 e prapa, se kjo mësymje ndaj shqiptarëve po bëhet me tepri dhe është e padrejtë? Përse ndonjëri syresh nuk doli të thoshte më 1998-99 se nuk duhet vrarë shqiptarët e pafajshëm. Përse asnjëri, pothuajse asnjëri, gjatë luftës nuk doli t’i mbronte fqinjët e tij shqiptarë? Përkundrazi. Dihen aq shumë raste të pjesëmarrjes së fqinjëve serbë në vrasjen e fqinjëve shqiptarë. Çfarë deshën ata, realisht, nga shqiptarët? Pjesa më e madhe e tyre ishin kolonë, që jetonin në toka të uzurpuara, në çdo rrethanë ishin më të pasur se shqiptarët, kishin përkujdesjen e shtetit për çdo gjë, punësim, shkollim, infrastrukturë, pozita udhëheqëse. Në të vërtetë, ata, pra serbët e Kosovës ishin aq shovinistë të çmendur, sa që, kur bëhej fjalë për Kosovën, asgjë nuk u mjaftonte, përveç zhdukjes fizike të shqiptarëve dhe kjo, mundësisht, të bëhej në mënyrë sa më barbare.

Po shqiptarët a ishin engjëj? Natyrisht që jo, sepse në Ballkan nuk gjen dot të tillë. Mirëpo, ata nuk patën mundësi reale, nuk patën kohë të favorshme historike që të ushtronin gjenocid dhe dhunë sistematike mbi serbët. Koha e vetme, kur shqiptarët patën mundësi të hakmerreshin, shikuar historikisht, ishte periudha 1941-1944, kur Kosova u përfshi në të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe” e sajuar nga Fuqitë e Boshtit, nga Italia dhe Gjermania. Por edhe atëherë janë të njohura rastet e marrjes nën përkujdesje të serbëve nga ana e shqiptarëve. Raste të këtilla, ndonëse më të rralla, ka pasur edhe në vitin 1999. Për më tepër, nga radhët e kosovarëve ka pasur njerëz të dijes, me emra publikë, të cilët dolën dhe thanë zëshëm: Nuk duhet vrarë serbët e pafajshëm! Mirëpo, bota nuk desh të dëgjonte më se çfarë thoshin kosovarët. Që nga momenti që disa shqiptarë të Kosovës ua kthyen pushkën serbëve të pafajshëm, bota nuk desh t’ia dinte më për ta. Ajo u fut në një shurdhësi argumentesh, ose thënë më mirë në një refuzim irracional të çfarëdo arsyetimi që mund të shërbente si “mbulesë” për veprimet hakmarrëse të kosovarëve. Unë as sot nuk e kuptoj përse për një pjesë të botës serbi kriminel është i tolerueshëm, i pranueshëm, madje deri-diku edhe i pëlqyeshëm, ndërsa shqiptari mund të pranohet dhe të pëlqehet vetëm si viktimë. Foto të serbëve tek vrasin dhe presin boshnjakë dhe shqiptarë kanë qarkulluar anë e kënd botës. Nuk them se janë pëlqyer ato foto, nuk them se dikush është mburrur me pamje të tilla, por duhet pranuar se në botën perëndimore nuk kanë marrë stigmatizimin e merituar, veçmas jo në Europën katolike dhe me sqimë civilizuese. Madje, për shkak të reagimit të vaktë, ndonjëherë mund të jetë krijuar përshtypja e gabuar se një kategori e perëndimorëve, ndërsa i shihnin serbët e tërbuar me thika dhe kallashnikovë ndër duar, si fshehurazi, që të mos e kuptonte askush, që të mos e kuptonte madje as ndërgjegjja e tyre, mund t’ia kenë shkelë syrin njëri-tjetrit në shenjë të një miratimi të heshtur. Kjo mund të quhet tepri, madje mund të quhet trillim irritues, sikur të mos ndodhte që pamjet, të cilat i tregonin kosovarët si luftëtarë pothuajse i çmenden ndërkombëtarët e zbarkuar në Kosovë.

Më kujtohet, pas demilitarizimit të UÇK-së, patrullat e KFOR-it dhe herë-herë edhe të policisë së UNMIK-ut iu patën vërsulur vitrinave të dyqaneve dhe çdo vendi tjetër, ku mund të ishin vënë foto dhe posterë të luftëtarëve me emblema të UÇK-së, kryesisht emra të shquar të rezistencës së armatosur. Urdhëronin të hiqeshin ato foto, e kur ndodhte që këtë nuk e bënte pronari, e bënin vetë ushtarët dhe policët, në ndonjë rast duke sharë dhe kërcënuar, në ndonjë rast tjetër duke i shqyer posterët dhe duke i shkelur me këmbë. Gjithsesi, kjo mund të quhej sjellje e gabuar e ekzekutuesve të urdhrave, por që ekzistonte një urdhër për t’i hequr ato foto, kjo nuk mund të kontestohet, ndërkohë që në enklavat serbe, aty ku KFOR-i përkujdesej për çdo gjë, jo më fotot e Milosheviqit e Sheshelit që nuk u hoqën kurrë, por edhe të Arkanit, të Legias mund t’i shohësh edhe sot e kësaj dite.

 

Perceptimi i gabuar i lirisë

 

Të gjitha këto nuk desh t’i shihte askush më dhe askush nuk i shkroi në libra, analiza, komente, intervista etj. Askush nuk desh të dinte më se çfarë thonë kosovarët, sepse ata nuk ishin më ato viktimat e idealizuara, për të cilat bota kishte bërë ndërhyrjen e parë morale në historinë e saj. Mbështetësit e Kosovës nëpër botë, veçmas në Europë, u gjetën në një pozitë të keqe, sepse kundërshtarët e ndërhyrjes, agresivë që nga fillimi, tani e morën në dorë situatën. Nuk kishin nevojë t’i kërkonin argumentet atje ku nuk ishin. Kosovarët vetë ua nxorën përpara, ata vetëm duhej të thoshin: Ju kemi thënë, nuk ia vlente, ndërhyrja ka qenë e gabuar, nëse serbët ishin barbarë, këta janë edhe më të këqij. Pastaj vinin përshkrimet e gjata dhe të trishtueshme të situatave tragjike, ku kosovarët ishin kampionë të së keqes, vrasës, kriminelë, dhunues, shkatërrues monumentesh fetare dhe kulturore, barbarë, talibanë. Askush më nuk desh të bënte krahasime, t’i vinte në peshojë krimet e njërit dhe të tjetrit, barbaritë e njërit dhe të tjetrit, motivet e njërit dhe të tjetrit. As sot nuk arrij ta kuptoj përse për një perëndimor, për një njeri të asaj bote të madhe e të ditur, e cila për neve gjithmonë ka qenë pikë referimi për kulturë dhe civilizim, për demokraci dhe sistem vlerash, ka qenë ideal që ne e kemi ëndërruar si parajsë mbi tokë; pra, si ka mundësi që për njerëzit e një bote të tillë vrasja e një serbi mund të jetë më e keqe se vrasja e njëqind shqiptarëve; përse djegia e një shtëpie serbe mund të jetë më e keqe se djegia e njëqind shtëpive shqiptare, përse dhunimi i një serbeje mund të jetë më e keqe se dhunimi i njëqind grave shqiptare. Unë e kuptoj, ta zëmë, përse në Europë dhe përgjithësisht në botën e krishterë djegia e një kishe nuk bën përshtypje të njëjtë me djegien e një xhamie, sepse bëhet fjalë për simbolin e një tradite të gjatë dhe akti i cenimit të këtij simboli prek edhe sentimentin e njerëzve. Fundja, mund të ndodhte dhe mund të gjente një fije arsyeje, që midis akteve të barbarisë ballkanike të vihej shenja e barazimit. Unë këtë e kuptoj dhe, në njëfarë mase e arsyetoj. Nga ajo që kanë parë, perëndimorët mund të thonë: Ballkanasit janë bisha, të gjithë njësoj! Por nuk e kuptoj idenë e vendosjes së shkallëzimit, të vendosjes së njërit mbi tjetrin, të rangimit të njërit mbi tjetrin, të serbit mbi shqiptarin, të serbit më lart se shqiptarit, sepse serbi vrau shqiptarin me idenë e shovinizmit dhe racizmit, ndërsa shqiptari e vrau serbin po me këto ide (ta zëmë!), plus për hakmarrje. Pas kësaj ploje, përse serbi u dashka të dalë i larë, ndërsa shqiptari duhet të vazhdojë të mbajë kryqin në shpinë? Ose, thënë ndryshe, përse stigmatizimi i Serbisë gradualisht duhet të nivelohet, duke ndërmarrë fushata të vazhdueshme të denigrimit të Kosovës dhe të kosovarëve? Madje, jo vetëm të nivelohet, por të dale se perëndimorët bënë një gabim të pafalshëm që goditën Serbinë, sepse Kosova nuk e meritonte këtë, se kosovarët nuk e meritonin këtë ndërhyrje, se ata gjenetikisht janë kriminelë, terroristë, fundamentalistë islamikë, çdo gjë! Të shumtë janë ata që mendojnë se këto fushata janë të nxitura dhe të financuara nga Serbia. Pa mëdyshje. Por, përse ato gjejnë kaq shumë të çara morale në botëkuptimin dhe botëvështrimin perëndimor, në filozofinë e tyre, në mënyrën e tyre të të kuptuarit të botës dhe të politikave të saj? Jashtëzakonisht shumë të çara morale te këta njerëz kaq racionalë, kampionë të racionalizmit! Jashtëzakonisht shumë të çara morale te këta njerëz që kërkojnë të japin shembull të tolerancës, të humanitetit, të mendimit të lirë. Ne të gjithë e dimë se Serbia e ka parë shansin e saj pikërisht te këto të çara morale të perëndimorëve, më shumë të europianëve e më pak të amerikanëve, prandaj ajo është koncentruar te nxitja dhe financimi i këtyre fushatave, kryesisht në Bruksel dhe në metropolet europiane. Por, para se të ndodhte kjo dhe Serbia ta rifitonte betejën e humbur, ndeshja faktike ndodhi në Kosovë, aty ku ne ishim të pranishëm, ishim të tërë, në një kohë që bashkësia ndërkombëtare kishte këtu “ekspoziturat” e saj, kurse Serbia na mbante në një rrethim virtual.

Si ndodhi beteja finale dhe a u humb ajo nga kosovarët, kjo është pyetja që do të qëndrojë pezull për një kohë të gjatë dhe do të kërkojë përgjigje të vazhdueshme. Çfarë bëmë ne gabim, që nuk duhej ta bënim, që tani na u faturua si dështim, që duhet ta paguajmë në vazhdimësi…? Njërin nga këto gabime tashmë e përmendem: sulmi ndaj serbëve pas 12 qershorit 1999. Është fakt se kosovarët i vranë disa syresh. Është fakt po ashtu se, as në atë situatë, kosovarët nuk vranë ata që, mbase, e meritonin më shumë hakmarrjen dhe mllefin tonë, të tillë që i kishin duart me gjak. Të tillët nuk i zumë dot, sepse, derisa merreshim me uzurpime dhe grabitje të vogla e të mëdha, ata tashmë kishin përfunduar në Serbi, por edhe për faktin se nuk ishim aq heronj dhe aq trima të vdisnim tashmë që liria ishte shfaqur në horizont. Prandaj, atyre nuk ua zumë rrugën askund. Prandaj, në ato ditë qershori, nuk ndërmorëm as ndonjë sulm në veri të Mitrovicës, kësaj radhe jo për të vrarë serbë të pafajshëm, por për të vënë kontroll mbi territorin. Thënë ndryshe, ishte një dorëzim pa kushte i Kosovës ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ndaj NATO-s, ndaj OKB-së. Dhe ky është gabimi i dytë i madh që bëri Kosova, madje, po u vendos në kronologjinë e ngjarjeve, ky është gabimi i parë i madh I Kosovës, që do të prodhojë pasoja të jashtëzakonshme në krejt zhvillimet e mëvonshme.

Në të vërtetë, çfarë bënë kosovarët më 12 qershor 1999 dhe çfarë nuk duhej të bënin në atë ditë të lumnume? Ata ishin në trans dhe nuk i besonin tamam asaj që shihnin me sy. Ata kishin vuajtur gjatë dhe kishin ushqyer frikën e vazhdueshme se nuk do t’ia dilnin dot as kësaj radhe, se bashkësia ndërkombëtare do të përsëriste mënyrat e njohura të sjelljes: pak keqardhje, pak kompromis, pak trysni për përmirësim elementar të gjendjes, pra asgjë tamam. Kosova kishte një kujtesë të hidhur edhe me Serbinë, edhe me bashkësinë ndërkombëtare, ndonëse kësaj radhe gjërat kishin marrë një drejtim pak më ndryshe: ose të zgjidhjes përfundimtare, ose të dështimit përfundimtar. Edhe kosovari më i zakonshëm e dinte këtë, sikundër që e dinte se mundësitë për dështim kishin qenë po aq të afërta sa edhe gjasat për fitore. Prandaj, njerëzit ishin në trans, i kishte përfshirë euforia dhe në organizmin e tyre kishte shumë adrenalinë. Ishte e tepërt të kërkoje prej tyre të bëheshin racionalë, të mos bënin veprime të pamatura. Por nuk ishte vetëm kjo. Përveç lirisë së papërballueshme, para tyre shtrihej edhe një Kosovë pa pushtet, një Kosovë e askujt. Të gjithë e dinin se ajo ishte një gjendje kalimtare, por njëkohësisht të gjithë e dinin se në Kosovën e atyre ditëve mund t’i nxirrje nga thellësia e shpirtit pasionet më të fshehta. Mund të abuzoje me lirinë në mënyrën më të vrazhdët, mund të vrisje nga smira, mund të hakmerreshe nga pasioni, mund të bëje veprime të tilla, kryesisht të ulëta, që njerëzit zakonisht i bëjnë kur mbi ta nuk vepron asnjë pushtet dhe asnjë ligj. Kosova gjendej në një vakuum rendi dhe ligji, në vakuum institucional, pa polici, pa ruajtës të rendit, pa përgjegjës për një institucion, për një veprimtari, për një rend, për një rregull të shkruar ose të pashkruar. Që atëherë ishte e qartë se kosovarët do ta kishin të vështirë me lirinë e tyre, ndoshta më të vështirë se çdo popull tjetër që kishte fituar lirinë, ndoshta po aq të vështirë sa ç’e kishin pasur në robëri. Dukej se robëria e gjatë ua kishte deformuar kuptimin e lirisë, ua kishte bërë më të pamundur perceptimin e saj të drejtë, ashtu siç e perceptojnë të gjithë popujt e lirë të botës.

Në një gjendje të këtillë Kosova e kaloi pothuajse tërë verën e vitit 1999. Nuk ishin vetëm serbët që e pësuan gjatë kësaj periudhe. E pësuan edhe shqiptarët, prona e tyre, pasuria e tyre. Këtë vakuum pushteti dikush mund ta ketë paguar me jetë, ndonjë nga ata që mund të jetë etiketuar si kolaboracionist. Të tillë mund të ketë qenë një numër, nuk e di sa, sepse kurrë nuk u tha ndonjë shifër. Por që ka pasur vrasje dhe plaçkitje, kjo nuk diskutohet. Por a ishte kjo një gjendje që dallon kosovarët nga njerëzit e tjerë të botës? Natyrisht që jo. Specifika e situatës qëndronte në disa detaje.

Së pari, OKB-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, duke qenë një organizëm inert dhe jashtëzakonisht i komplikuar, e vonoi zbarkimin në Kosovë dhe gjendjen pa pushtet e la më gjatë se ç’mund të ishte normale.

Së dyti, rreth UÇK-së u krijua një situatë dualiste: asaj nuk iu njoh e drejta e vendosjes së pushtetit, por edhe demilitarizimi nuk u bë aq shpjet, kështu që periudha tremujore ishte kohë e mjaftueshme që disa struktura të saj të degjeneronin.

Së treti, lufta kishte ndodhur në vetë territorin e Kosovës dhe ideja për plaçkë lufte, kushdo që mund ta ketë stisur i pari, ishte tërësisht e gabuar, sepse, në rrethanat e Kosovës, vetë vrisje, vetë vidhje; vetë ishe i vrarë, vetë ishe i vjedhur.

Së katërti, ideja e strukturave udhëheqëse të UÇK-së, që bashkë me çlirimin e Kosovës të bëhej edhe një rebalancim social, kishte elemente recidivistë të revolucioneve komuniste.

Së pesti, patriotizmi kosovar, që u shpërfaq me një kthim të shpejtë në vatrat e veta, në shumë aspekte ishte “flakë kashte”, jo vetëm pse u shua shpejt, por kishte brenda edhe motive të diskutueshme.

Së gjashti, abstenimi i LDK-së, edhe nëse ishte e motivuar nga sjellja e saj e paqartë rreth luftës, pra edhe nëse ishte e detyruar nga rrethanat, ishte një hakmarrje e heshtur ndaj Kosovës, e cila së fundi nuk i kishte mbështetur tërësisht politikat e saj.

Të gjithë këta faktorë kishin rëndësi në këtë situatë, sepse disa syresh do të qëndrojnë në themel të zhvillimeve të mëvonshme dhe do të përcaktojnë raportet e ndërvetshme kosovare, sikundër edhe raportet më bashkësinë ndërkombëtare. Ta marrim vetëm faktorin LDK.

Për vite me radhë LDK nuk do të shërohet nga kompleksi se në një çast vendimtar për Kosovën, në vitet e luftës, ajo nuk qe në gjendje të merrte përsipër përgjegjësitë që tashmë i takonin. Sjellja refuzuese e LDK-së ndaj UÇK-së, njësoj si sjellja armiqësore e UÇK-së ndaj LDK-së, do të përcaktojë pothuajse të gjithë zhvillimet politike të faktorit të brendshëm në krejt periudhën pas vitit 1999, qoftë në raport me vendimet e rëndësishme që duheshin marrë, qoftë në raport me bashkësinë ndërkombëtare, e cila, përveç që kërkonte bashkëpunëtorin më të zellshëm dhe më kredibël, jo rrallë kishte nevojë për kolaboracionistë në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë sens, e shtyrë pikërisht nga motive ndonjëherë krejt të paqarta, ndonjëherë kundërshtuese ndaj palës rivale (UÇK-së), herë duke ndjekur traditën e vjetër të kooperativitetit me bashkësinë ndërkombëtare, por ndonjëherë vetëm për pozë, LDK-ja krijoi çarjen e parë të unitetit të faktorit shqiptar kundrejt bashkësisë ndërkombëtare.

 

Klithja e vitit 2004

 

Në të vërtetë, deri vonë as që ishte menduar se Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare mund të ishin rivalë në ndonjë çështje të caktuar, se mund të kishin pikëpamje të kundërta, se, madje, mund t’i kundërviheshin njëra-tjetrës. Rruga e realizimit të asaj që synonte bashkësia ndërkombëtare në Kosovë ishte e thjeshtë: së pari hidhej mbi tavolinë kërkesa e caktuar, ta zëmë, ndonjëri nga koncesionet e shumta që duhej bërë Serbisë, pastaj futej në lojë faktori politik vendor, LDK-ja do të pranonte e para, qoftë për faktin se ajo vazhdonte traditën e kooperativitetit me bashkësinë ndërkombëtare, por qoftë edhe për faktin se pala tjetër mund ta kundërshtonte; pastaj fillonin trysnitë dhe kërcënimet ndaj atyre që shfaqnin rezerva ose kundërshtime; pastaj përdoreshin miqtë e dëshmuar të Kosovës, në këtë rast SHBA-ja dhe njerëzit e saj në përfaqësinë diplomatike ose në strukturat e UNMIK-ut; pastaj pala që kundërshtonte duhej të zbuste qëndrimin, gjithnjë kështu, deri sa një ditë kosovarët me gjithë burrat e tyre të vyer, me gjithë partitë dhe organizmat e tyre, me gjithë shërbyesit e mëdhenj dhe të vegjël nuk u gjenden në pozitë absurde: e panë veten duke bërë garë se cili do të ishte më bashkëpunues dhe më i përkulur karshi kërkesave gjithnjë e më absurde të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo ishte beteja e dytë e humbur e Kosovës, që në ditët e para të lirisë së saj.

Por radha nuk u ndal këtu. Këta njerëz, nga bota e madhe, të cilët kishin zbarkuar në Kosovë dhe me të cilët kosovarët jo vetëm që duhej të bashkëpunonin, por edhe t’u jepnin rrugë zhvillimeve të ardhshme, a kishin një vizion të qartë se çfarë duhej të bënin me këtë vend? A ishin ata aq të ditur e të vyer dhe a kishin vullnet për të gjetur një zgjidhje? Një numri syresh as që u interesonte se çfarë do bëhej me Kosovën pas pesë vjetësh, pas dhjetë vjetësh, sepse nuk kishin as mandat për një projekt të tillë afatgjatë. Ata shikonin të përmbyllnin kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre në Kosovë me dy përfundime të pazgjidhura: që Kosova, ndërkohë, të mos kishte marrë asnjë atribut shtetëror më shumë se ç’i jepte Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, e para; dhe, e dyta, që në përballjen ndërkombëtare rreth Kosovës, ndërkohë, të mos kishte fituar asnjëra palë. Veçmas europianët, që i referoheshin Brukselit, ishin tepër të kujdesshëm që opsioni amerikan për një shtetësi graduale të Kosovës të mos fitonte pikë. Shefat e tyre në Bruksel, pas rënies së Milosheviqit, kishin ngarendur njëri pas tjetrit në Beograd dhe ishin shprehur të penduar që kishin miratuar bombardimin e Serbisë më 1999. Vetëm britanikët dhe amerikanët nuk e bënë këtë asnjëherë, në asnjë rrethanë. Të tjerët radhazi. Dhe, doemos, kjo keqardhje duhej të prodhonte një efekt, i cili do të reflektohej në Kosovë, një herë hap pas hapi dhe, së fundi, edhe në zgjidhjen përfundimtare.

Krahas gjithë kësaj situate, në Kosovë kishte filluar një shtresëzim i ri i kundërthënieve të brendshme. Ishte e qartë se Kosova, pas një qëndrimi pezull të një periudhe pesëvjeçare, duhej të merrte një zgjidhje, vetëm se bashkësia ndërkombëtare, kryesisht europianët, zgjidhjen e kishin çuar në drejtim të gabuar, në drejtim të afrimit të Kosovës me Serbinë, në drejtim të një rikthimi të mundshëm të Serbisë në Kosovë. Koncesionet që shefat e UNMIK-ut ia bënin Serbisë, duhej të çonin pikërisht në zgjidhjen e statusit të Kosovës sipas diktatit të Serbisë. Beogradi filloi të pyetej për çdo gjë që ndodhte dhe për çdo gjë që duhej bërë në Kosovë. Mungonte vetëm një legalizim formal, një deklaratë politike e Brukselit dhe Nju-Jorkut, pastaj një zhvendosje e shpejtë e  zyrave qendrore të UNMIK-ut në Beograd dhe statusi i Kosovës do të thuhej se buron jo nga e drejta e vetëvendosjes, por nga e drejta e qeverisjes autonome.

Edhe NATO-ja ishte aty, që ta pacifizonte çdo rebelim të mundshëm, sepse mandati i saj ishte të zbatonte vendimet politike. Më 2004, NATO-ja e dëshmoi se pa ndonjë ngurrim të madh mund të vepronte kundër kosovarëve, se mund t’i vriste ata pa u brengosur. Me atë rast gjithashtu u dëshmua se Aleanca Veriatlantike, e cila një herë e kishte çliruar Kosovën nga Serbia, nën trysninë politike të Brukselit, tani kishte ndryshuar pozicion: ajo do të mbronte vetveten, administratën ndërkombëtare, enklavat serbe, përfshirë edhe zonën më të gjerë të veriut të Kosovës, ndërsa ndaj shqiptarëve dukej se do të hakmerrej për një mllef që nuk dihej nga i vinte. Sjelljet e trupave të KFOR-it në mars të vitit 2004 nuk ishin të paanshme, nuk ishin të balancuara, ishin antishqiptare. Askush nuk e vinte në dyshim nevojën e mbrojtjes së serbëve nga një çmenduri eventuale shqiptare, por që kjo çmenduri të mos ndodhte, ishte i nevojshëm një veprim pararendës dhe parandalues i forcave të sigurisë, i policisë së UNMIK-ut dhe i trupave të KFOR-it. Tashmë nuk bëhej fjalë për provokime të vazhdueshme të serbëve ndaj shqiptarëve, që ata i bënin nën mbrojtjen e KFOR-it, por për veprime që shkonin në drejtim të dominimit të situatës në Kosovë: serbët ende mund të vritnin shqiptarë dhe të fshiheshin nën mbrojtjen e KFOR-it, ose të bllokonin rrugët dhe arteriet kryesore të komunikimit, përsëri nën mbrojtjen e KFOR-it dhe të UNMIK-ut.

Kjo mund të quhej rrethanë reale, ndërkohë që askush nuk do ta marrë vesh ndonjëherë se kush i organizoi tamam trazirat e marsit të vitit 2004, shërbimet e huaja sekrete, ata që e donin pavarësinë e Kosovës apo ata që e donin Kosovën nën Serbi, vetë Serbia me praninë e saj të fshehtë (me para dhe me spiunë), strukturat e pakënaqura dhe të radikalizuara të ish-UÇK-së, ndonjë organizatë islamike, pra ishte një paqartësi e jashtëzakonshme e faktorëve të implikuar në ato ngjarje. Ishte e mundur që mllefi i shqiptarëve të ishte spontan, i diktuar nga një situatë pa shtegdalje, por që ky mllef pastaj u shfrytëzua për veprime iracionale, për këtë nuk ka asnjë dyshim. Realisht ishte një çoroditje e kosovarëve, e tillë perceptohej qoftë nga të huajt, qoftë nga vetë shqiptarët e Kosovës. Analizat politike nuk do nxjerrin asnjë përfundim të vlershëm. Më anë tjetër, nga këto ndodhi të gjithë do të krijojnë argumentet e tyre, por imazhi i Kosovës përfundimisht do të marrë rrokullimën, një teposhtë të pandalshme, që do të reflektohet drejtpërdrejtë në statusin e saj, respektivisht të mënyrën sesi mund të implementohej ky status.

Piketat e planit të Ahtisaarit do të vihen në vitin 2004, një pavarësi e mbikëqyrur, në esencë fyese për kosovarët, sepse konteksti i mbikëqyrjes do të jetë pohimi i zëshëm i europianëve: ata nuk e meritojnë pavarësinë, por nuk ekziston një zgjidhje tjetër më e mirë. Pastaj decentralizimi, që do të ketë kuptimin e jofunksionalitetit të shtetit. Pastaj dera e hapur e Serbisë që çdoherë të ndërhyjë në Kosovë, përmes lidhjeve të veçanta të komunave serbe ndër veti dhe me Serbinë njëkohësisht. Pastaj edhe zonat e sigurisë përreth objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore serbe. Pra, ideja e pavarësisë së Kosovës do të deformohet dhe do të degjenerojë në një zgjidhje pa asnjë kuptim, që zakonisht nuk e kanë shtetet sovrane. Vetë kosovarët, me ngjarjet e vitit 2004, do të vihen në anën e zgjidhjeve të pafavorshme për Kosovën, sepse do t’i krijojnë alibinë faktorit ndërkombëtar të ndërmarrë masa të njëanshme. Në këtë e sipër, Kosova defaktorizohet dhe merr atributet e një Zululandi, një vend pa vlera civilizuese, i padenjë, mosmirënjohës. Marrë në përgjithësi, Serbia dhe ajo pjesë e penduar e bashkësisë ndërkombëtare kishin pasur nevojë pikërisht për këtë imazh të përmbysur të Kosovës, në mënyrë që, ndër të tjera, të krijonin edhe një siguri se Kosova, edhe në këto rrethana, apo të ndonjë rrethane të një konflikti të përmasave më të mëdha, mund të kontrollohej me dhunë. Ky ishte një test, se statusi i Kosovës, sido që të zgjidhej, do të implementohej pa ndonjë konsideratë për parimet e kryehershme të lirisë dhe të humanitetit, apo të vullnetit të lirë të qytetarëve të Kosovës. Edhe njëra, edhe tjetra nuk kishin më asnjë vlerë.

 

Krijimi i identitetit mercenar

 

Pas ngjarjeve të shëmtuara të vitit 2004, në Kosovë dhe rreth saj u krijua një situatë paradoksale. Vetë Kosova e pranoi përgjegjësinë për ndodhitë dhe u squll, u gjend disi e turpëruar, pa guxuar as të thoshte se shkaktar i kësaj situate ishte një si tradhti e bashkësisë ndërkombëtare, e cila me dredhi kishte filluar ta projektonte krejt qartë Kosovën në kuadër të Serbisë. Kosova, estabilishmenti i saj politik dhe opinioni nuk thanë gjë as për statusin, sepse forcat politike në Kosovë tashmë kishin krijuar idenë se qëndrimi pezull ishte gjendje normale. Askush nuk merrte përgjegjësi për asgjë. Madje edhe në ata sektorë, ku përgjegjësitë kishin kaluar te vendorët, si në fushën e arsimit, të kulturës, apo edhe në ndonjë sektor tjetër, gjendja ishte e mjerueshme. Nën përkujdesjen e OKB-së, pra të UNMIK-ut, gjithandej kishte filluar të krijohej një administratë krejtësisht joprofesionale, e cila të vetmen vlerë matëse e kishte lojalitetin ndaj shefave të huaj. Ishte një lloj “përshtatshmërie moralo-politike” që aplikohej me rastin e punësimit dhe të trajnimit të kësaj administrate. Përveç lojalitetit, kërkohej ose ishte i preferuar një identitet i paformësuar, i shkapërderdhur, gjithsesi sa më pak shqiptar dhe sa më shumë multietnik, diçka si hibridë anacionalë, të tillë që tashmë kishte filluar t’i krijonte me shumicë e ashtuquajtura shoqëri civile në Kosovë.

Në të vërtetë, që nga vitit 1999, në emër të tolerances dhe të frymës integruese, në Kosovë kishte filluar eksperimenti i madh i krijimit të një shoqërie pa identitet nacional. Në dukje të parë, tejkalimi i identitetit duhej të sillte një frymë të re në Ballkan, sepse nga perëndimorët konsiderohej se identitetet nacionale në gadishullin konfliktor ishin një nga shkaqet e luftërave dhe tragjedive që kishin ndodhur. Mënyra e kërkuar dhe e gjetur për t’I tejkaluar identitetet nacionale, në rastin e Kosovës, ishte e pashembullt: një metodë recidiviste e kohës së vëllazërimbashkimit të ish-Jugosllavisë, pa i hequr dhe pa i shtuar asaj asnjë detaj, vetëm duke bërë një riemërim: në vend të vëllazërim-bashkimit, tani gjetja quhej tolerancë multietnike. Pra, njësoj si në kohën e jugosllavizmës, ata që duhej të hiqnin dorë nga identiteti dhe të bëheshin “zemërgjerë” në cilindo ballafaqim nacional, ishin shqiptarët. Shqiptari që fliste serbokroatisht në shtëpi, që i çonte fëmijët në shkollën serbe, që e kalonte ditën duke folur serbisht, që lexonte libra serbisht, ai quhej shqiptari model, që e kishte përqafuar tamam vëllazërim-bashkimin. Në rrethanat e reja shqiptari model ishte ai që nuk e theksonte përkatësinë e tij shqiptare, që fliste sadopak anglisht, që kishte afinitet ndaj serbëve, madje, nëse kishte një origjinë të përzier shqiptaro-sllave, ose sllavo-shqiptare ishte një ekzemplar jashtëzakonisht i kërkuar dhe i dëshiruar. Shqiptari model nuk duhej të thoshte se Serbia kishte ushtruar gjenocid në Kosovë, se lufta me Serbinë nuk kishte qenë luftë, por një konflikt ndëretnik, se Serbia si shtet dhe si popull nuk mbante asnjë përgjegjësi për atë që kishte ndodhur në Kosovë, por përgjegjës ishte vetëm regjimi i Milosheviqit, se nga konflikti e kishin pësuar njësoj, si shqiptarët, si serbët. Nëse doje të bëheshe shqiptar model, nuk duhej të thoshe se serbët kishin qenë ata që i kishin bërë krimet, ndërsa shqiptarët kishin qenë viktima. Duhej të thoshe se të dyja palët e kishin pësuar njësoj. Kjo trushpërlarje e shqiptarëve synonte të shkonte deri atje, ku nuk kishte arritur të shkonte as komunizmi dhe socializmi me internacionalizmin proletar: të ndryshonte dhe të korrigjonte historinë, veçmas atë të teksteve shkollore, në mënyrë që shqiptari i gjeneratave të ardhshme në Kosovë të mos kishte kujtesë historike, të ishte i lirë nga të gjitha “paragjykimet” dhe i gatshëm që sërish të integrohej në Serbi. Unë as sot nuk e kuptoj, përse vetëm identiteti nacional i shqiptarëve ishte problematik. Nuk ishte problematik identiteti serb, i cili kishte prodhuar jo më nacionalizëm dhe jotolerancë, por shovinizëm ekstrem.  Mund të mos ishte problematik, ta zëmë, identiteti boshnjak, ose rom, ose ashkali, por nuk mund të mos ishte problematik identiteti serb, të cilit nuk i duhej asnjë veshje e re, por vetëm i tillë siç kishte qenë, kishte dhënë dëshmi pa fund të ekstremizmit.

Por tani, njësoj si në kohën e vëllazërim-bashkimit, metoda e trushpërlarjes, pasi gjendeshin ekzemplarët e përshtatshëm, shkonte përmes joshjes dhe privilegjeve. Çuditërisht, ekzemplarë më të shumtë, të rekrutuar nga fondacionet e ndryshme, ishin të po asaj provenience shoqërore, të diferencuar që më parë në Kosovë si trashëgimtarë ideologjikë dhe biologjikë të jugosllavizmës. Të mësuar dhe të dëshiruar pas privilegjeve, ata do të jenë të gatshëm për të gjitha kompromiset, përfshirë këtu edhe zhbërjen identitare, mjafton që si kompensim për këtë mund të siguronin një status të privilegjuar shoqëror dhe një rehati ekonomike dhe financiare. Shumë shpejt, duke shitur ideale, më shumë duke improvizuar diçka të tillë, sepse ideale të vërteta rreth kombit dhe atdheut ata nuk kanë pasur kurrë; duke manipuluar ide avangarde në sytë e ndërkombëtarëve, më shumë duke marrë poza intelektuale karshi mediokërve të krejt botës të mbledhur në kafenetë dhe restorantet e Prishtinës; duke aktruar elitën politike-intelektuale, ndonëse kurrë nuk do të bëhen të tillë në Kosovë, sepse, sa herë që do të dalin nga shoqëria civile dhe do ta provojnë garën politike, do të pësojnë fiasko të pashembullt; pra, të tillë u bënë shumë shpejt një klasë e privilegjuar e Kosovës, shfrytëzues fondacionesh, parazitë të pashembullt, ripërtypës të ideve më të shëmtuara, por njëkohësisht mbështetësit më të zjarrtë të tolerancës ndëretnike, hartues dhe implemetues të projekteve të bashkëpunimit me serbët dhe me Serbinë, mbështetës të mëdhenj të integrimeve europiane dhe kundërshtarë të heshtur ose të fshehtë të integrimeve shqiptare.

Nuk është aspak e çuditshme pse këta eksponentë të multietnicitetit, të lojalitetit ndaj ndërkombëtarëve, trashëgimtarë të jugosllvizmës së dikurshme, tani ishin përkrahës dhe mbështetës të flaktë të kosovarizmës, madje mund të quhen ideologë të saj. Ata, madje, e donin Kosovën shtet, e donin Kosovën e pavarur, por gjithmonë të tillë, për aq sa ajo iu shërbente atyre. Ata kurrë nuk dolën jashtë disa kafeneve dhe restoranteve të Prishtinës, që të shihnin dhe të njihnin Kosovën e vërtetë, atë me probleme të mëdha sociale dhe ekonomike, Kosovën e frustruar nga zhgënjimi i madh. Projektet e tyre të shoqërisë civile, tek shpenzonin para të mëdha të fondacioneve të huaja, merreshin me gjepura multietnike, të cilave askush nuk ua vinte veshin, përveç  atyre që vetë përfitonin prej tyre. Ta zëmë, bënin takime me ndonjë shkas, bashkë me ndërkombëtarët, në Muzeun Etnografik, ose në Muzeun e Kosovës, ku ambienti me eksponate muzeore shërbente si dekor për orgjitë e tyre, të cilat fillonin me të ngrënë të flijave tradicionale dhe përfundonin me ndeja të fshehta grupore nëpër banesë e shtëpi, ku Kosova përjetonte zhburrnimin dhe çmoralizimin më të madh. Kosova ishte kuadër i kurvërisë dhe prostitucionit intelektual më të paguar në historinë e saj. Më anë tjetër, sekush shpikte dhe trillonte performanca teatrore, instilacione, botime dhe të tjera improvizime, me subjekte të rivendosjes së harmonisë në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, të cilat realisht nxitnin kureshtjen e askujt, vetëm se mashtronin donatorët dhe krijonin në medie idenë e një Kosove me identitet të moderuar, pra një Kosovë që ikte nga vetja e saj, që në të vërtetë ishte një gënjeshtër me damkë, por një gënjeshtër e paguar mirë. Ishin po këta eksponentë të multietnicitetit, të cilët hodhën tezën e hibriditetit identitar të Kosovës. Që në krye të herës, ata vunë në dyshim të gjitha lidhjet kulturore të Kosovës me Shqipërinë, duke goditur boshtin kryesor të këtyre lidhjeve, pra gjuhën letrare. Është pak e çuditshme sesi gjuha, një çështje që nuk lidhet askund me demokratizimin e shoqërisë, me të cilin kryesisht duhej të merrej shoqëria civile, u bë objekt i interesimit të kësaj provenience. Eksponentët e shoqërisë civile u ngutën të futnin në përdorim publik të folmen lokale, duke u përpjekur t’i japin asaj përdorim sa më të gjerë, një punë që nuk kishin përse ta bënin, jo vetëm pse nuk u takonte atyre, por në Kosovën që vuante mungesat elementare në të gjitha fushat, spikatja e çështjes gjuhësore ishte një ekzagjerim i pashembullt. Më pas, po me kaq jokompetencë, u hodh në “tregun e diskutimeve” çështja e identitetit kosovar, të gjitha këto me një qëllim të vetëm: që Kosova të përgatitej për një zgjidhje politike të pafavorshme, hibride, që do të përfshinte një qëndrim ndërmjet, pra as Shqipëri, as Serbi.

Kosovari i zakonshëm gjatë gjithë kësaj kohe do të gjendet larg të gjitha mundësive për të kuptuar përse procesi politik i zgjidhjes së statusit të Kosovës kishte mbetur pezull. Ai nuk do të arrijë ta kuptojë se një betejë politike e stërzgjatur nuk zhvillohej vetëm në kancelaritë diplomatike të fuqive vendimmarrëse, larg syve dhe mundësive të tij për ta parë, por një betejë akoma më e rëndësishme zhvillohej në afërsi të tij. Kjo betejë duhej ta fillonte ndryshimin e qenies kosovare, në mënyrë që zgjidhjet politike të pafavorshme të zinin vend, të gjenin mbështetje, të akomodoheshin në rrethanat dhe në mentalitetin kosovar. Kjo nuk ishte e lehtë të bëhej, sepse kosovari ishte konservativ në pikëpamje dhe nuk pranonte të ndryshonte aq lehtë mentalitetin politik dhe idealet e kryehershme. Prandaj beteja duhej të zhvillohej në shumë fronte njëherësh. Shoqëria civile e kishte zhvilluar betejën kryesisht në frontin medial, aty ku aderonte ose kishte qasje një pjesë e shoqërisë kosovare, e cila nuk përbënte shumicën, por nuk ishte pa ndikim në jetën publike të Kosovës. Kjo shoqëri civile (mbase nuk ishte e tillë, por emër të tillë i kishin vënë) kishte arritur ta deformonte çështjen politike të Kosovës përmes çështjes së identitetit, e cila deri në vitet e para të shekullit XXI kishte qenë kristalisht e pastër. Ajo tashmë e kishte përgatitur terrenin që Kosova në asnjë rrethanë të mos bëhej Shqipëri, pra nga agjenda politike të përjashtohej opsioni i bashkimit ose i bashkëngjitjes. Me t’u hequr ky opsion, të gjitha zgjidhjet e tjera ishin të akceptueshme. Dhe deri në këtë pikë Kosova ishte çuar ose po çohej përmes një mashtrimi kapital, siç ishte gjoja paqartësia e saj rreth identitetit. Në të vërtetë, të gjithë e dinin se kjo paqartësi nuk ekzistonte, por ajo ishte trilluar, ishte stisur, në të shumtën e rasteve përmes gënjeshtrave publike dhe mashtrimeve ordinere. Kjo ishte tradhtia e radhës që po i bëhej Kosovës, një tradhti përmes një dredhie tepër të hollë që të merrej vesh nga populli, i cili mund të reagonte në mënyrë radikale. Kosova e pavarur, shtet sovran, mund të ishte opsion për një zgjidhje politike të përhershme ose të përkohshme, varësisht nga rrethanat. Por Kosova me identitet të ndryshuar nënkupton tërheqjen me vete të një zgjidhjeje politike të përhershme, të pandryshuar, një testament që i lihej në dorë Serbisë, si kompensim moral për humbjen e saj të Kosovës. Kosova e pavarur mund të ishte kompromis i përkohshëm, të cilin e kërkonin rrethanat momentale, por Kosova me identitet joshqiptar do të lidhej përjetësisht sa me Shqipërinë, po aq me Serbinë, gjithmonë duke i krijuar mundësi Serbisë që ta ushtrojë ndikimin e saj në Kosovë dhe, që nga dita e parë, ta bëjë Kosovën shtet jofunksional. Një Kosovë e tillë me identitet të ndryshuar, që domethënë pa identitet, i duhej Serbisë, mund t’u duhej edhe europianëve, për ta zhvilluar me sukses procesin e pacifizmit të Ballkanit, por nuk iu duhej shqiptarëve, të cilët duhej të humbnin Kosovën për të fituar kosovarizmën. Kosovarizma nuk mund të kishte kuptim tjetër, përveç se një koncesion që mund t’i bëhej Serbisë për hatërmbetjen e saj. Identiteti kosovar ishte identitet mercenar, i paguar me para në dorë ose me shërbime të tjera.

 

Shitja e idealeve

 

Por gjithsesi, fronti me çkurajues, ku zhvillohej beteja për statusin e Kosovës, për kosovarin e zakonshëm ishte shtrëngesa ekonomike. Ashtu sikundër mund të pritej, pas vitit 1999 në Kosovë pushuan të gjitha aktivitetet ekonomike. Edhe ashtu dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX, Kosova e kishte kaluar në kushtet e rënda të një vetëmbajtjeje, e cila shkonte deri në kufijtë e mjerimit social. Serbia kishte marrë çdo gjë që mund të vlente në Kosovë, por kishte lënë ato kapacitete prodhuese që nuk mund të nxirrnin ndonjë profit. Pas vendosjes së administrates ndërkombëtare, puna e parë më e rëndësishme që u bë në fushën e ekonomisë, ishte shkatërrimi i këtyre kapaciteteve prodhuese, në emër të njëfarë reforme, e cila i qe besuar Bashkimit Europian, por që udhëhiqej nga njerëz shumë kontraverz, madje edhe me precedent penal në vendet prej nga vinin. Për shkak të statusit të papërcaktuar të Kosovës, ata e vonuan aq sa munden procesin e privatizimit, duke bërë që objektet ekonomike të degradonin edhe më shumë. Prioritet i tyre ishte telekomunikacioni dhe energjetika, aty ku zhvatja ishte e lehtë dhe e shpejtë. Më anë tjetër, Kosova kishte shpenzuar shumë para për rindërtim, para të vetat, kursime ose të ardhurat nga diaspora. Ndihmat për rindërtim, edhe përkundër zhurmës së madhe, kishin qenë të kufizuara dhe jofunksionale. Ishte gjë që dihej se, pas kësaj faze, pas rindërtimit emergjent dhe pas pezullimit të të gjitha aktiviteteve ekonomike, do të vinte faza e gjendjes së rëndë sociale. Kosova kishte mbijetuar ekonomikisht me anë të dërgesave të diasporës dhe me ekonomitë e vogla familjare. Që të dy këta burime kishin shteruar, kështu që koha e ardhjes së krizës ishte matur saktësisht dhe përputhej me zhvillimet e tjera të trazuara të vitit 2004. Mungesa e buxhetit për shkak të mosfunksionimit të sistemit të taksave, evazionit fiskal, sistemit të pakonsoliduar doganor etj., të gjitha këto bënë që Kosova të mos mund të krijonte një skemë efikase të solidaritetit social, por, në mungesë të kësaj, ndërtoi skemën e mjerimit dhe të diferencave sociale tejet të rrezikshme, madje shpërthyese. Korrupsioni, kontrabanda dhe trafiqet e ndryshme u mbështeten fuqishëm nga faktori ndërkombëtar. Kjo rrethanë, njësoj sikundër shpërndarja krejtësisht e gabuar e parasë publike, krijoi një klasë shoqërore të privilegjuar, ku, ndër të tjerë, hynin edhe njerëzit e politikës, vendorë dhe të huaj. Në të vërtetë, të huajt e dinin se në Kosovë tashmë kishte filluar të vidhej çdo gjë. Të huajt, ata që jepnin urdhra nga lart, gjithashtu e dinin se segmente të caktuara të politikës dhe të administrates ndërkombëtare ishin të lidhura fort me kontrabandën dhe krimin e organizuar. Të gjitha këto i toleruan, qoftë për shkak se edhe vetë ishin pjesë e kësaj loje, qoftë edhe për një arsye tjetër: Ishte kjo një si strategji e shkatërrimit ekonomik dhe e varfërimit të skajshëm të Kosovës. Ishte njëkohësisht edhe skemë e përpunuar e krijimit të një ambienti shoqëror dhe politik të degraduar.

Sikundër mund të pritej, pasojat e kësaj gjendjeje, në aspektin politik ishin shumëplanësh. E para, mjerimi social krijonte ambient të përshtatshëm për shpërthime të natyrës së marsit të vitit 2004, që domethënë se Kosova edhe më tej i dërgonte mesazhe të ngatërruara bashkësisë ndërkombëtare, mbi të gjitha si një vend i trazuar, që ende duhej mbajtur nën një kontroll dhe monitorim të fuqishëm. Kjo situatë ia zgjaste afatin misionit të UNMIK-ut në Kosovë, pra në këtë mënyrë realizohej një interes i spekulantëve të mëdhenj me misionet e këtilla të OKB-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare, përfshirë edhe ato me seli në Bruksel. Së dyti, një mjerim ekonomik dhe social e zhvlerësonte në mënyrë të tmerrshme kuptimin e idealeve të lirisë. Kjo kishte rëndësi për t’i pacifizuar idealistët e paemancipuar. Së treti, krijimi i modelit të keq të qeverisjes edhe në ata sektorë, ku kompetencat e vendorëve ishin të plota, kishte kuptimin e statusit të Kosovës si zgjidhje pa ndonjë vlerë. Pra, keqqeverisja dhe abuzimi me pushtetin, që kosovarët mund ta kenë ditur, por që më së miri e njohën përmes administratës ndërkombëtare, popullit të Kosovë i dërgonte mesazh të bërjes së një shteti të keq, të cilin nuk do ta dëshironte askush. Ndërkombëtarët ishin në dijeni të keqqeverisjes dhe të abuzimit me pushtetin, por nuk ndërmerrnin asgjë për ta ndryshuar gjendjen. Së katërti, mjerimi social, diferencat sociale dhe të gjitha dukuritë që shkojnë më këto, duhej t’ua bënin me dije kosovarëve se shteti i tyre, të cilin ata mund ta synonin, nuk mund të bëhej pa një mbikëqyrje ndërkombëtare. Së pesti, një shtet pa perspektivë, me një ekonomi të pazhvilluar dhe me një gjendje të keqe sociale mund të manipulohej dhe të detyrohej për çfarëdo koncesioni politik, por, mbi të gjitha, në këtë mënyrë i krijohej hapësirë e përshtatshme Serbisë për ta dominuar Kosovën si treg dhe si ekonomi dhe, bashkë me këtë, edhe si politikë. Ekonomisë informale, tregtisë pa dogana dhe përgjithësisht kontrabandës menjëherë pas luftës iu krijuan kushte shumë të favorshme për lidhje të pashkëputshme me Serbinë. Më anë tjetër, edhe sikur të ekzistonte vullneti politik për një zgjidhje të shpejtë të çështjes së veriut të Kosovës, kjo nuk do të ndodhte, për shkak të favoreve ekonomike që iu sillte kontrabanda dhe krimi i organizuar të gjitha palëve të implikuara, si eksponentëve të veçantë të bashkësisë ndërkombëtare, si shtetit të Serbisë dhe krerëve të saj politikë, po ashtu edhe pushtetarëve të Kosovës, atyre drejtpërdrejtë ose bizneseve të lidhur me ta.

Me ekonominë, me paranë, lidhet edhe një fenomen tjetër, i cili ndodhi në Kosovë që në ditët e para të pasluftës dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Në lëvizjen çlirimtare të Kosovës, njësoj si në UÇK dhe në segmente të ndryshme të organizimit politik u rekrutuan shumë njerëz, të cilët as që supozohej se mund të kontrolloheshin nga strukturat që u përkitnin. Por, mbi të gjitha, një nga problemet e mëdha të UÇK-së qëndronte te koncepti i luftës çlirimtare, e cila nga disa ideologë të saj ishte perceptuar edhe si revolucion social, por pa elemente të drejtësisë sociale. Nuk është e nevojshme të stigmatizohet njeri për këtë shkarje ideologjike, sepse deformimet e ndryshme që lindin në një lëvizje çlirimtare jo gjithmonë burojnë as nga prijësit e lëvizjes, as nga ideja e lirisë. Shkarjet janë fenomene përcjellëse, të cilat duhet t’I sanojë lëvizja në proces e sipër, nëse dëshiron që deformimet brenda saj të mos i japin ton dhe orientim krejt lëvizjes. Në rastin e UÇK-së, shumica e ideologëve, të organizatorëve dhe të eksponentëve të saj vinin nga zona të varfra rurale, me pak mundësi emancipimi dhe arsimimi dhe ende më me pak mundësi për pasje ekonomike dhe standard jetësor. Shumica e atyre që u përfshin në lëvizje gjatë viteve pararendëse, përveç që ishin të edukuar me literaturën revolucionare të Partisë së Punës, kishin edhe një ëndërr të madhe të mëkëmbjes ekonomike. Prandaj, secili syresh, përveç se ëndërronte lirinë e Kosovës, po kaq e kishte të dëshiruar edhe një Kosovë me konstalacion tjetër social, ose, thënë më ndryshe, një Kosovë që do të shërbente për ëndrrën e tyre të madhe të pushtetit dhe të pasjes ekonomike. Pra, bashkë me lirinë e Kosovës ata kishin ëndërruar edhe pushtetin dhe privilegjet e tij dhe se ky pushtet, njësoj si në rastin e revolucioneve socialiste, iu takonte atyre, të vuajturve dhe të përçmuarve të deridjeshëm.

Se çfarë ndodhi me një numër të eksponentëve të UÇK-së në vitet e para dhe më vonë pas luftës, është e njohur për shumicën e njerëzve në Kosovë. Nuk bëhet fjalë më për deformimin dhe keqpërdorimin e idealit të lirisë, sepse ai ideal edhe ashtu pësoi fiasko të gjithanshme, por bëhet fjalë për përfshirjen e kësaj strukture (njësoj si edhe e strukturave të tjera me prejardhje të dyshimtë sociale), në procesin vendimmarrës për Kosovën, për statusin e saj. Kjo structure dihej se kishte edhe ndonjë precedent penal nga periudha e luftës apo menjëherë pas saj, gjë që e bënte të paqëndrueshme kundrejt faktorit ndërkombëtar. Ata duhej të tregoheshin luajalë ndaj bashkësisë ndërkombëtare, ndryshe dihej se disa syresh kërcënoheshin hapur se do të përfundonin në Hagë. Përveç kësaj, disa syresh kishin bërë abuzime të mëdha financiare dhe ekonomike, bashkë me eksponentë të bashkësisë ndërkombëtare ose ndaras prej tyre. Thënë ndryshe, në radhë ishte komprometimi material i idealistëve të dikurshëm. Kjo rrethanë i bënte të përdorshëm politikisht për një status të cenuar të Kosovës edhe idealistët më të mëdhenj, edhe radikalët më të pabindur.

Natyrisht, kjo situatë nuk ishte e rezervuar vetëm për UÇK-në dhe eksponentët e saj. LDK-ja që në vitet ’90 kishte filluar ta improvizonte pushtetin dhe, në këtë e sipër, kishte abuzuar me të që në kohën kur kishte marrë organizimin e të ashtuquajturit pushtet paralel. Në LDK që herët ishin identifikuar personat që kishin keqpërdorur ndihmat humanitare, më vonë disa syresh, veçmas në terren, “futën duart” në paratë e “fondit të trepërqindëshit”, ndërsa pas luftës edhe LDK-ja u përfshi shpejt në organizime klanore dhe grupe të interesit, disa duke u përpjekur të ruajnë skemën dhe hierarkinë e vjetër sociale të Kosovës, disa të tjerë, si në rastin e UÇK-së, duke synuar ta përmbysnin këtë skemë. Me t’u përfshirë në institucionet e Kosovës, në bashkëqeverisje me ndërkombëtarët, LDK-ja i kishte pothuajse të parapërgatitura “vijat” funksionale të abuzimit me paranë publike, vetëm se duke qenë trashëgimtare e një strukture sociale më të avancuar ekonomikisht se sa trashëgimtarët e UÇK-së, keqpërdorimet e saj nuk do të problematizohen aq shumë.

Pra, nga një vend i vuajtjes dhe idealeve shumë të mëdha, Kosova për një kohë tepër të shkurtër u bë vend i hedonizmit dhe i idealeve tërësisht të arritshme dhe krejt tokësore, veçmas për kategorinë e njerëzve të politikës, të cilët, duke qenë njerëz me vlera të dyshimta ose pa to fare, shumë shpejt u përfshinë në spiralen e një jetë të shthurur, duke krijuar një klasë shoqërore krejtësisht të diferencuar, thellësisht abuzive: para, kurva, shtëpi luksoze, makina të shtrenjta, udhëtime në vende ekzotike etj. Në përgjithësi, ky hedonizëm nuk mund të quhet tipik shqiptar dhe as tipik kosovar, sepse kosovarët do të bëjnë atë që pushtetarët e tjerë të vendeve të rajonit e kishin provuar vite më parë. Por Kosova kishte një problem tjetër: hedonizmi i pushtetarëve kosovarë ia ulte çmimin Kosovës dhe statusin e saj e bënte lehtësisht të manipulueshëm, sepse gjithmonë ekzistonte rreziku që për pushtet kaq të dëshiruar dhe kaq të pëlqyeshëm, klasa politike e Kosovës të tregohej e gatshme, kooperative dhe luajale për koncesione të jashtëzakonshme ndaj Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare.

 

Gatishmëria për kompromise

 

Thënë me një fjalë, që më 2004 dhe prapa, nga këndvështrimi i bashkësisë ndërkombëtare, veçmas të atyre që kërkonin që zgjidhja të bëhej mbi bazën e kompromiseve, Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për një proces të avancuar të zgjidhjes së statusit.

E para, me ngjarjet e marsit të atij viti, pra me turrin që kishin bërë dofarë bandash mbi objektet serbe të kultit, e kishin shkatërruar deri në groposje imazhin e Kosovës.

E dyta, bashkësia ndërkombëtare, përmes parave të abuzuara së bashku, kishte fuqizuar dukshëm të ashtuquajturën shoqëri civile në Kosovë, e cila ishte kthyer në një klasë shoqërore e privilegjuar, e gatshme të mbronte pozicionin e saj të diferencuar social dhe identitar, pavarësisht se me çfarë kompromisi të statusit të Kosovës duhej paguar këtë pozicion.

E treta, administrate ndërkombëtare kishte qeverisur keq Kosovën dhe e kishte varfëruar ekonomikisht, duke përdorur shtrëngesën ekonomike për zhvlerësim e të gjitha idealeve, përfshirë idealin e lirisë dhe idealin kombëtar.

E katërta, bashkësia ndërkombëtare tashmë kishte bërë përzgjedhjen e kujdesshme të luajalistëve të saj në Kosovë, duke neutralizuar me kujdes secilin element radikal dhe jokooperativ.

E pesta, bashkësia ndërkombëtare kishte lejuar keqqeverisjen dhe mundësinë e pakufishme të pasurimit të pushtetarëve përmes abuzimit të drejtpërdrejtë me paranë publike, ose përmes përfshirjes në korrupsion, kontrabandë dhe në krim të organizuar. Kjo klasë politikanësh, për të mbrojtur pozitën e tyre të privilegjuar pasurore, ose për të mos u bërë objekt hetimesh dhe gjyqesh, ishte në gjendje të bënte kompromise të jashtëzakonshme rreth statusit të Kosovës.

E gjashta, politikanët që vinin nga provenienca e UÇK-së, duhej të tregoheshin sa më kooperativë me administratën ndërkombëtare në Kosovë, edhe kur bëhej fjalë për statusin e Kosovës, sepse atyre hapur u bëhej shantazh me Gjykatën e Hagës, madje edhe përmes ndonjë procesi të kurdisur.

E shtata, administrata ndërkombëtare, me mënyrën e sjelljes dhe të qeverisjes, shkatërroi përfundimisht secilin sistem të vlerave në Kosovë, vlerat tradicionale të shoqërisë kosovare, vlerat bashkëkohore të shoqërisë kosovare, vlerat kombëtare, vlerat kulturore, vlerat diturore, përfshirë edhe vlerat morale.

Me këto cene dhe mungesa, edhe shumë vjet pas luftës, në punë të zgjidhjes së statusit, Kosova kishte mbetur në fillim të fillimit, aty ku duhej të ishte gjendur menjëherë pas vitit 1999. Realisht, ajo dukej sikur nuk kishte asgjë, as identitet, as perspektivë, as mundësi zhvillimi, pra një qëndrim pezull në një vakuum zgjidhjesh të paprovuara ose të pamundshme. Çmimi i saj kishte rënë, ishte gati i barabartë me zero. Statusi i Kosovës nuk kishte marrë zgjidhje me Konferencën e Rambujesë, nuk kishte marrë zgjidhje as me ndërhyrjen e NATO-s dhe as me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Tani që kjo çështje ishte lënë pa zgjidhje për një kohë më të gjatë, përveç që kishte çuar drejt degradimit, në këtë e sipër kishte bërë të nevojshme që të hapeshin tema, të cilat më herët as që ishin menduar se mund të viheshin në rend të ditës. Kosova e pavarur ishte ide e hershme e LDK-së dhe e liderit të saj, Ibrahim Rugovës, por ajo kishte shkuar nëpër një rrugë të tillë të një shpërputhjeje, saqë në shumë raste ishte bërë objekt talljeje edhe nëpër takime dhe forume ndërkombëtare. I ashtuquajturi krah i luftës në Kosovë, duke qenë i lidhur ngushtë me trashëgiminë e kryehershme të lëvizjes ilegale, as që e kishte menduar se zgjidhja e statusit të Kosovës mund të kalonte përmes ndryshimeve të identitetit, ose, thënë më mirë, përmes hapjes së çështjeve që konsideroheshin të mbyllura që në shekullin XIX. Ky krah njihej si kundërshtar i vendosur edhe i opsioneve politike të LDK-së, kështu që një sprovë që bëri LDK-ja me nxjerrjen e flamurit të Rugovës në vende publike në Prishtinë, përfundoi me incidente kërcënuese. Situata e krijuar me këtë rast bënte të ditur dy gjëra: se LDK-ja, edhe nëse e kishte ndër mend të bënte diçka kësisoj, nuk do të mund të kontrabandonte ndonjë zgjidhje politike jo të favorshme për Kosovën; dhe se vendimet për statusin e Kosovës, në çfarëdo rrethane, duhej të kalonin përmes një miratimi publik ose të heshtur të proveniencës politike dhe luftarake të UÇK-së.

Pavarësisht se ithtarëve të LDK-së dhe mbështetësve të saj jo të paktë nuk iu pëlqente margjinalizimi i rolit të kësaj partie dhe të kësaj lëvizjeje nga vendimet e mëdha, në këtë rast për statusin e ardhshëm të Kosovës, edhe në këtë rrethanë taktika e LDK-së kishte mbetur e pandryshuar, e tillë çfarë ishte përdorur në Rambuje: LDK-ja e shihte të përshtatshme të tërhiqej nga roli prijës, në mënyrë që vendimet kontraverze politike, përfshirë edhe kompromiset e saj, të mos lidheshin direkt me LDK-në dhe liderin e saj.

Më anë tjetër, në njëfarë mënyre, njerëzit në Kosovë, pavarësisht nga bindjet politike, trashëgiminë e UÇK-së e shihnin si një garanci, se nuk do të lejoheshin shkarje në vendimet e mëdha për statusin e Kosovës, sepse UÇK-ja, përveç që kishte derdhur gjak për Kosovën, ajo tërhiqte me vete edhe trashëgiminë e hershme të lëvizjes ilegale, e cila bashkimin kombëtar e kishte pasur ideal dhe promotor të të gjitha angazhimeve dhe sakrificave. Askush nuk besonte se kompromiset e saj mund të shkonin aq larg, sa të rrezikohej ideja e një Kosovë si entitet i pavarur, ndërkohë që idealet e mëdha për një shtet të të gjithë shqiptarëve tashmë kishin pësuar fiasko. Megjithatë, çfarëdo që të ndodhte, provenienca radikale e UÇK-së dhe e gjithë mbështetja e saj ideore, ideologjike, por edhe sociale, nuk mund të pajtohej me ulje të “çmimit” të Kosovës nën atë që i kishte vënë LDK-ja, kështu që, në njëfarë mënyre, ekzistonte një besim i përgjithshëm se nën pavarësi nuk do të kishte konsensus për një zgjidhje të mundshme. Ishte e vërtetë se UÇK-ja kishte kaluar nëpër një proces të ngatërruar të transformimit, të zbutjes dhe pacifizmit; se prijësit e saj luftarakë ishin bërë liderë të një partie politike, të Parisë Demokratike të Kosovës, dhe se pjesëtarët e UÇK-së ishin bërë aktivistë ose militantë të kësaj partie; se kjo parti tashmë kishte hyrë në garën politike për pushtet, pra në garë politike dhe jo më në garë luftarake, siç e kishte menduar situatën e kryehershme. Pra, edhe përkundër të gjithave, ekzistonte një besim I përgjithshëm se trashëgimia e UÇK-së nuk mund të dilte tradhtare e kauzës.

Pas dështimeve të reja me stërzgjatje të paargumentuara, siç ishin standardet para statusit, bashkësia ndërkombëtare më në fund u detyrua të vendoste në rend dite çështjen e statusit të Kosovës. Pala e Kosovës hiqej sikur ishte e gatshme për procesin politik të përcaktimit të statusit, sepse, sipas mendjes së saj, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes politike në vend ishte arritur konsensusi për pavarësi, kështu që, sipas bindjes së tyre, çështja paraqitej e lehtë, pa implikime të mëdha. Dukej se edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e kishte krijuar këtë bindje, se me kosovarët gjërat kishin shkuar në drejtimin e duhur, se ata tashmë kishin dëshmuar kooperativitet dhe lojalitet, por edhe gatishmëri për kompromise të mëdha. Kosovarëve iu duhej një pavarësi, veçmas klasës politike, çfarëdo që mund të ishte ajo, sepse ndryshe kjo klasë politike nuk mund të mbijetonte politikisht. Amplitudat e kësaj pavarësie mund të ishin të paskajshme, por mjaftonte që ajo ta kishte këtë emër. Në të vërtetë, sikundër që tashmë është e njohur, pala kosovare për bisedimet e Vjenës nuk përgatiti ndonjë opsion tjetër, përveç pavarësisë se Kosovës. Ekzistonte një bindje e përgjithshme se bashkësia ndërkombëtare, përveç asaj pjese që mbështeste Serbinë, ishte e gatshme ta pranonte opsionin e pavarësisë, veçmas SHBA-ja, e cila tashmë ishte identifikuar si mbështetëse e fuqishme e palës kosovare në të gjitha ballafaqimet rreth statusit të Kosovës. Më anë tjetër, të mësuar me sjelljen e Serbisë, duket se pala kosovare më shumë ishte e përgatitur për dështimin e bisedimeve, se sa për ndonjë rezultat që mund të dilte prej tyre. Prandaj fokusi i saj ishte pavarësia dhe asgjë tjetër, as më shumë, as më pak; as kërkesa maksimaliste, as minimaliste. Askush nuk pyeste nëse pavarësia e Kosovës ishte tani dhe kishte qenë gjithmonë ideal i kosovarëve. Ajo ishte zgjidhje e mundshme, zgjidhje optimale, madje logjike, për një situate çfarë ishte krijuar me Kosovën përgjatë viteve të fundit.

Edhe kosovarët, marrë realisht, nuk kishin përse të mos ishin të kënaqur, përfshirë edhe ata që kishin ëndërruar më shumë se kaq. Ç’ishte e vërteta, me pavarësinë e Kosovës çështja shqiptare në Ballkan nuk po merrte një zgjidhje ideale, por dukshëm po i ofrohej një zgjidhjeje të pranueshme. Kështu mund të gjykonin edhe idealistët më të mëdhenj shqiptarë, përfshirë edhe ata që kishin sakrifikuar shumë për idealin e bashkimit kombëtar. Dy shtete shqiptare në Ballkan nuk ishte shaka, veçmas për Serbinë, e cila mezi ishte pajtuar me një shtet shqiptar dhe kishte bërë çdo gjë që ta zhdukte edhe atë, ndërsa tani duhej të ballafaqohej edhe me një shtet tjetër shqiptar. Pra, edhe ata që shkallën e patriotizmin e matnin me inatin ndaj Serbisë, pavarësinë e Kosovës mund ta quanin zgjidhje të kënaqshme.

Unë këtu nuk e kam ndër mend të përshkruaj në detaje procesin e bisedimeve të Vjenës dhe as kronologjinë e zhvillimeve politike të asaj periudhe, jo pse e konsideroj të parëndësishme, por nga se ky proces, kurdo, duhet të shpjegohet në tërësi, me të gjitha prapaskenat, nga vetë pjesëmarrësit, jo për të kënaqur kureshtjen e opinionit, por për një transparencë të domosdoshme politike rreth një zhvillimi jo pa damka, jo pa prapaskena dhe jo pa mistere. Deri më tani pjesëmarrësit e këtij procesi nuk kanë folur hapur, a thua se janë betuar për ruajtjen e fshehtësisë, aq këmbëngulëse është jogatishmëria e tyre për të pranuar përgjegjësitë për gabimet që tashmë janë evidente. Secili që do të merrte publikisht pjesën e vet të përgjegjësisë për të gjitha zhvillimet politike të viteve të fundit, përfshirë edhe procesin e bisedimeve dhe shpalljen e pavarësisë, duhet të ballafaqohet me rrezikun e dështimit në skenën politike, në një kohë që jo të gjithë pjesëmarrësit e këtij procesi tashmë janë aktivë në politikë, që domethënë se mungesa e gatishmërisë për të folur hapur më shumë lidhet me frikën nga një stigmë publike, se sa nga dështimi eventual në karrierë. Mbase duhet pritur edhe shumë vite, që dikush të dalë nga ky rreth i mbyllur, në mënyrë që të fillojë zbardhja e detajeve të krejt asaj që tashmë ka marrë emrin si proces parapërgatitor i pavarësisë së Kosovës, përfshirë bisedimet e Vjenës, periudhën pas bisedimeve të Vjenës dhe vetë shpalljen e pavarësisë. Transparenca domosdo nuk nënkupton dyshimin, por më shumë mungesën e dijes politike dhe një dështim lapidar të vetë Kosovës për të menaxhuar si duhet një proces kaq vital për të ardhmen e saj.

 

Deficiti moral dhe kombëtar

 

Shpallja e të ashtuquajturës pako e Ahtisaarit për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës nxori në sipërfaqe dështimet e mëdha të palës kosovare në procesin e bisedime të Vjenës, të lidershipit politik, i cili nuk e bëri transparent procesin negociator, sikundër edhe mungesën e gatishmërisë së këtij lidershipi që në këtë proces të tërhiqte ekspertët e fushave, duke e kufizuar çështjen në rrethe të mbyllura politike. Në të vërtetë, as këto rrethe nuk ishin aq të mbyllur, sa i përket ruajtjes së konfidencialitetit, sepse pothuajse në secilin të ashtuquajtur grup i ekspertëve do të gjendet së paku njëri që rregullisht e bënte me dije palën serbe me çdo gjë që bisedohej ndërmjet palës shqiptare, përfshirë edhe draftet e dokumenteve që qarkullonin pa ndonjë kufizim. Vetëm nga shqiptarët e Kosovës bisedimet dhe dokumentet ruheshin në fshehtësi të thellë, sepse vetëm ata kishin arsye të ishin të pakënaqur dhe vetëm ata, me ndonjë veprim radikal, mund ta prishnin këtë proces. Serbia nuk kishte përse ta prishte procesin, sepse ajo tashmë ishte e përgatitur ta refuzonte çdo zgjidhje që dilte jashtë kornizës së kushtetutës së saj, e ajo kushtetutë thoshte në mënyrë decizive se Kosova ishte pjesë e Serbisë. Ajo, pra Serbia, do të merrte pjesë në proces, jo për ta pranuar atë, as për të ofruar zgjidhje, por vetëm për të nxjerrë kompromiset maksimale.

Pala serbe do ta arrijë këtë përmes tri formave: e para, përmes pendesës së thellë të Europës që kishte ndërhyrë në Kosovë dhe, si pasojë, gatishmërisë së saj për të bërë trysni mbi palën kosovare për të gjitha koncesionet; e dyta, perms Rusisë, e cila tashmë kishte shpalosur në botë idenë se pavarësia e Kosovës përbënte një precedent të rrezikshëm për rastet e ngjashme, që nga Osetia dhe Nagorni Karabahu në Kaukaz, Tibeti e Kashmiri në Azinë e largët, te Sahara Perëndimore në Afrikë, e deri te Qiproja, Baskia e Transilvania më afër në Europë; dhe, e treta, përmes joseriozitetit dhe mungesave të mëdha në dije politike dhe profesionale të palës kosovare. Lidhur me papërgatitjen e kosovarëve, le të themi se kjo nuk ndryshonte nga çdo rast tjetër i ngjashëm, sepse nga burime brenda ekipit negociator kosovar tashmë kishin dalë të tilla informacione, që bënin të ditur për mungesë lapidare të seriozitetit dhe përgjegjësisë në bisedime, që shkonte deri në atë pikë, sa të vinte në siklet edhe mbështetësit e tyre më të mëdhenj, amerikanët dhe ndonjë aleat të rrallë europian. Ta zëmë, unë mund të mos jem në dijeni si ka shkuar situata me atë pjesë të ekipit kosovar që merrej me decentralizimin, por e di se çfarë ka ndodhur me pjesën e ekipit që merrej me çështjen e trashëgimisë kulturore. Në të vërtetë, edhe sikur të mos ndodhte asgjë, aneksi V i dokumentit të Ahtisaarit bën të ditur se pala kosovare nuk ishte serioze, ishte e padijshme dhe kishte mungesa profesionale, madje nuk kishte as konsistencë kombëtare. Negociatat me Serbinë për të gjitha fushat ishin çështje serioze dhe t’ua lësh në dorë çështjet e këtilla njerëzve me deficit moral, me deficit profesional dhe me deficit kombëtar nuk besoj mund t’i ndodhte dikujt tjetër, përveç Kosovës.

Ndodhi, kështu, që të gjithë pjesëtarët e ekipit negociator, të gjitha subjektet politike, i gjithë faktori vendimmarrës i Kosovës, për dy vjet radhazi sa zgjatën bisedimet e Vjenës, u mbulua me heshtje dhe mister, duke marrë përgjegjësinë për diçka aq të madhe, sa që realisht nuk mund ta bartte askush. Ta zëmë, për mënyrën e këtillë të rregullimit territorial të Kosovës, me pasoja largvajtëse për funksionimin e saj, nuk mund të merrte përgjegjësi askush, as presidenti i Kosovës, as qeveria, as Kuvendi, as të gjithë së bashku. Një përgjegjësi të tillë mund ta merrte vetëm populli i Kosovës, i cili duhej të shprehej me referendum, jo për të plotësuar formalisht një normë demokratike, por ngase çështjet për të cilat merreshin vendime, do të kishin reperkusione të mëdha pikërisht për të ardhmen e popullit të Kosovës. Çudia më e madhe ishte se, derisa ekipet negociatore numëronin njërin pas tjetrit koncesionet që i bëheshin Serbisë dhe paratë që merrnin nga mëditjet, entuziazmi dhe krekosja në radhët e kosovarëve dita më ditë merrte pamjen e sjelljes fëmijërore, ndonjëherë madje duke marrë edhe poza qesharake, me idenë se tashmë po bënin pavarësinë e Kosovës dhe se historia ua kishte caktuar një vend nderi në piedestalin e saj.

Shpallja publike e dokumentit të Ahtisaarit nuk ngjalli reagime të papritura, as te subjektet e veçanta politike, as te masat e gjëra të popullit të Kosovës. Me gjithë përpjekjet e pareshtura, lëvizja “Vetëvendosje” nuk arriti ta radikalizonte popullin e Kosovës. Njerëzit e kishin humbur sensin e reagimit. Nuk duhej të kishe një dije të veçantë politike, për të kuptuar se një mënyrë e këtillë e rregullimit administrativ të Kosovës, me shumë komuna të reja serbe, me mundësinë e tyre të çuditshme dhe të jashtëzakonshme që të lidheshin mes veti dhe të gjitha së bashku me Serbinë, pastaj statusi i gjuhës serbe si gjuhë e dytë zyrtare në tërë territorin e Kosovës, zonat e sigurisë përreth monumenteve serbe të kultit etj., të gjitha këto veç e veç apo së bashku, krijonin argumente të mjaftueshme për pakënaqësi të përgjithshme. Por pakënaqësi përmasash të tilla nuk kishte askund, kishte topitje, apati, një lodhje të përgjithshme me gjepurat e përçdoditshme të politikës, që donte të thoshte se Kosova, me të gjitha ato që i kishin ndodhur viteve të fundit, ishte e gatshme ta pranonte çdo gjë që mund të kishte emrin pavarësi, madje edhe pa veriun, pa një copë të territorit, pa komb, pa identitet, pa asgjë. Nuk mund të shpjegohej kjo me besimin e madh që mund të kishte Kosova as te Ahtisaari, as te SHBA-ja dhe miqtë e tjerë eventualë, apo te elita politike e vendit. Më shumë lidhej me atë topitjen e ndjenjave dhe të sensit për reagim politik.

Në të vërtetë, tashmë përgatitja e madhe për kompromiset që lidheshin me pavarësinë ishin bërë me fitoren në zgjedhje të të ashtuquajturit krah i luftës. Unë nuk them se ata vërtet nuk i fituan zgjedhjet, se rezultati ishte i kurdisur, siç duan të thonë disa. Për bindjen time, PDK-ja vërtet i fitoi zgjedhjet dhe me këtë u krijuan rrethana të favorshme për të shpallur një pavarësi të kushtëzuar, të kontrolluar dhe të monitoruar, për të bërë flamur të ri e për të bërë himn pa tekst; për ta përfshirë në Kushtetutën e Kosovës dokumentin e Ahtisaarit dhe gjëra të këtilla dhe të ngjashme. Gjithashtu nuk them se kjo proveniencë politike në Kosovë ishte e predispozuar për kompromise të këtilla, mjaftonte që i ofrohej shansi historik për ta bërë realisht Kosovën shtet, pra të zinte vendin në histori edhe me bërjen e pavarësisë, duke e mbyllur kështu ciklin e saj, të filluar shumë kohë përpara, që me lëvizjen ilegale, me organizimin e luftës dhe, së fundi, me shpalljen e pavarësisë së njëmendët.

E vërteta është se këtij krahu politik në Kosovë, në një mënyrë, i takonte e drejta e patjetërsueshme për ta zënë këtë vend në historinë e Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar, sepse sakrifica e saj vërtet kishte qenë e jashtëzakonshme. Lëvizja që kishte filluar që në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, kishte përjetuar dhunë të paparë shtetërore, burgime të gjata dhe të përsëritura, tortura pa fund, përfshirë edhe vrasje. Shumica syresh ishin njerëz që kishin pësuar trauma të mëdha fizike, psikike dhe shpirtërore, por të gjithave u kishin bërë ballë vetëm për një ideal. Më anë tjetër, pas viteve ’90, pra pas rënies së komunizmit, për shkak të lidhjeve të kryehershme me ideologjinë e Partisë së Punës dhe Enver Hoxhën, ishin kritikuar dhe ishin tallur e përqeshur, deri në mohim të sakrificës. Kishin qenë të kota shpjegimet e tyre se Shqipëria kishte qenë ideal dhe se ideologjia kishte qenë vetëm perde tymi, prapa të cilës gjithmonë fshihej ideali kombëtar. E vërteta, në praktikën politike, në mënyrën e organizimit të luftës, por edhe më vonë në mënyrën e organizmit dhe të bërjes së pushtetit, dukej qartë se ata kishin trashëguar metoda të gueriljes partizane, të celulave komuniste e, së fundi, edhe të përmbysjes së regjimeve antipopullore dhe të vendosjes së diktaturës së proletariatit. Ishte e qartë, literaturë bazë e edukimit të tyre politik kishin qenë veprat e Enver Hoxhës dhe historia e Partisë së Punës. Sipas kësaj ideologjie, çlirimi kombëtar bëhej përmes revolucionit, me përfshirje të gjerë të klasës punëtore dhe fshatarësisë.

Pavarësisht se përpjekjet për çideologjizim dhe modernizimin politik të kësaj lëvizjeje kishin qenë të mëdha, në disa pika ajo kishte mbetur e pandryshuar, veçmas një pjesë e strukturave të saj më konservative dhe njëkohësisht më të dëshpëruara më zhvillimet politike të viteve të fundit. Por, në përgjithësi, pjesëtarët e kësaj lëvizjeje politike, që nga mbarimi i luftës së vitit 1999 dhe prapa, nuk e mohuan se atyre iu takonte e drejta e bërjes së shtetit të Kosovës dhe e drejta e sundimit në këtë shtet. Vetëm se brenda këtij synimi politik kishte një ngatërresë jo të vogël. Të drejtën e marrjes së pushtetit me metoda revolucionare ata nuk e vunë në dyshim asnjëherë, vetëm se ndërmjet idealit të bashkimit kombëtar dhe shtetit të Kosovës kishte një shpërputhje jo të vogël. Për shkak të idesë së Kosovës së pavarur, ata me vite e kishin tallur Ibrahim Rugovën dhe LDK-në, kështu që tani “gracka” e pavarësisë ishte njëlloj konfirmimi i vizionit politik të kësaj provenience. Por nuk ishte vetëm kjo. Bërja e shtetit të Kosovës në një mënyrë nënkuptonte edhe heqje dorë nga ideali i kryehershëm për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për ç’gjë ata ishin angazhuar me krejt qenien e tyre. Por këtu, ndonëse me vështirësi, u gjend një kompromis në trashëgiminë politike të lëvizjes: kjo zgjidhje duhej të ishte e ngjashme me kërkesën politike për Kosovën republikë, e cila më pastaj do të kishte “të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje”, sipas parimeve të Leninit për kombin dhe shtetin.

Pra, sipas kësaj vije politike, pavarësia e Kosovës ishte një zgjidhje e përkohshme, një kompromis i përkohshëm i Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, ndërsa zgjidhja e qëndrueshme do të ishte bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, përmes një plebishiti, përmes një referendumi, përmes një revolucioni, sido që t’I vinte puna. Edhe dalja në skenë e lëvizjes “Vetëvendosje” kishte këtë prapavijë politike dhe ideologjike. Shtet nën protektoratin serb Mirëpo çështja nuk doli aq e thjeshtë, siç u mendua në krye të herës. Shteti i Kosovës, që në fillim, nuk mori atributet e një zgjidhjeje të përkohshme as nga vetë kosovarët, as nga bashkësia ndërkombëtare që e mbështeti atë. Ai doli të jetë një projekt politik më serioz sesa që mund të jetë dukur në fillim. Ai tashmë po vendoste një drejtpeshim strategjik në Ballkan, të avancuar në krahasim me kohën e shkuar, por jo pa kompromise dhe zgjidhje dëshpëruese për dy popujt kryesorë të kësaj hapësire: për shqiptarët dhe serbët. Për serbët humbja e Kosovës ishte cenim i identitetit, zhbërje e mitologjisë kombëtare dhe gjëra të këtilla, me të cilat tashmë i qenë mbushur veshët histories dhe politikës kontemporane. Asgjë nga këto nuk ishin të vërteta, jo pse tashmë serbët nuk jetonin me mitet e shkuara, por te shumica syresh, përveç kishës dhe elitës politike, ishin zhbërë ëndrrat për Serbinë si fuqia më e madhe imperialiste në Ballkan. Tani është vështirë të thuhet, nëse ambiciet imperialiste të Serbisë kishin prodhuar mitin e Kosovës, apo miti i Kosovës kishte prodhuar ambiciet imperialiste, por hiperbolizimet serbe për Kosovën, së fundmi, më seriozisht i kishte marrë një pjesë e Europës, sesa vetë Serbia. Ishte njësoj si ambicia e saj e dikurshme për dalje në Detin Adriatik. Kam lexuar shkrimtarë serbë të fundit të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, të cilët kanë shpenzuar aq shumë fjalë dhe aq shumë letër për të përshkruar bukuritë e Adriatikut, sa të duket se një det i tillë, aq madhështor dhe aq pangjashëm, nuk ekziston gjëkund tjetër në botë. Më vonë, ëndrra serbe për dalje në Adriatik përmes Shqipërisë pësoi fiasko, dikur u realizua pak më ndryshe nëpërmjet Jugosllavisë së Versajës, por së fundi ai det nuk përbënte më asnjë ëndërr dhe asnjë mit, kështu që e humbi atë shkëlqim dhe mrekulli, që e kishte pasur një herë e një kohë.

Kështu disi duhej të ndodhte edhe me Kosovën. Miti serb për Kosovën ka qenë dhe vazhdon të mbetet mit imperialist, mit pushtues dhe përrallat e kryehershme për Betejën e Kosovës, për Jerusalemin serb etj., që të gjitha të stisura në shekullin XIX, duhej të arsyetonin sa mbajtjen e Kosovës nën sundim, po aq edhe pushtimet e reja në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka asgjë nga ajo mrekulli, e cila përshkruhet nga tërë shkrimtaria serbe e dy shekujve të shkuar. Peizazhi i saj nuk është i ndryshëm nga peizazhi ballkanik kontinental, ndërkohë që varfëria dhe dendësia e madhe e popullsisë kanë bërë që ai në shumë pika të degradojë dhe të marrë pamje jo aq të këndshme. Po të donin, këtë fakt, pra shpërputhjen e madhe ndërmjet mitit dhe realitetit, do të mund ta kenë parë të gjithë ndërkombëtarët që kanë kaluar qoftë edhe një ditë të vetme në Kosovë. Por Serbia, në procesin e negociatave për statusin e Kosovës, bëri atë që tashmë e kishte provuar edhe herë të tjera: mitin e hershëm eterik e konvertoi në përfitim politik, ndërsa shqiptarët nuk ditën që realitetin jetësor ta shndërronin në argument politik. Ata lejuan që Serbia të diktonte tempin dhe domenin e bisedimeve, duke u mbajtur pas pavarësisë si argument kryesor, ndërsa anash këtij boshti statusor filloi të mbështillej një lëmsh i madh koncesionesh alternative.

Pra, përmes Rusisë dhe europianëve të penduar, Serbia nuk e pat të vështirë ta tërhiqte procesin aty ku asaj i konvenonte më së shumti. Ajo bëri një lidhje hipotetike, imagjinare, ndërmjet tri komponentëve të favorshme për të: mitit të mjegullt, historisë së manipuluar dhe një realiteti inversiv. Serbia në këto bisedime u soll si agresor dhe si viktime njëkohësisht. Ajo arriti të bindte mbështetësit e saj se për gabimin historik që kishte bërë Milosheviqi nuk duhej të ndëshkohej pa asnjë alternativë. Ajo, për shkak të dobësisë së kosovarëve dhe mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare, nxori koncesione të jashtëzakonshme për disa çështje që ishin me interes të veçantë për të. Së pari, me kërcënimin e vazhdueshëm se do të prishej baraspesha në Ballkan, ajo e imponoi kompromisin e pavarësisë së Kosovës si opsion. Pavarësia e Kosovës nuk u bë për t’ua plotësuar vullnetin politik kosovarëve, por si zgjidhje kompromisi për Serbinë. Me këtë zgjidhje Serbia siguroi edhe për një kohë të gjatë pozitën e saj të favorshme dhe dominuese në raport me kombin tjetër më të madh në fqinjësi të saj, pra me shqiptarët. Për më shumë se kaq, duke imponuar zgjidhje politike të pafavorshme për Kosovën, ajo krijoi një garanci afatgjate se do të ishte faktor i rëndësishëm brenda vetë Kosovës dhe këtë në tri forma të ndryshme: perms decentralizimit, përmes lidhjeve të veçanta të komunave serbe me Serbinë dhe përmes trashëgimisë kulturore dhe fetare.

Në fqinjësi të Serbisë, me këtë hapësirë që iu la Serbisë brenda vetë Kosovës, shteti i ardhshëm i Kosovës nuk do të mund të siguronte stabilitet afatgjatë, nëse për këtë nuk merrte miratimin nga Beogradi. Në të vërtetë, me këto zgjidhje Kosova u vendos nën protektoratin serb, një protektorat në distancë, i cili do të diktonte ritmin e të gjitha zhvillimeve, ekonomike, politike, kulturore etj. Shikojeni me kujdes Kosovën e ditëve të sotme, tri vjet pas pavarësisë, dhe e shihni sesi nga një teshtitje në Beograd tronditet opinioni dhe skena politike e Kosovës, sepse tashmë të gjithë e dinë se varshmëria në të gjitha planet është e padiskutueshme. Mbi të gjitha, duke lënë veriun e Kosovës pa një zgjidhje të qëndrueshme, ose si një kërcënim permanent për Kosovën, por edhe si një mundësi ta jashtëzakonshme për të abuzuar me shtetin dhe me pushtetin, Serbia futi në lojën e kontrabandës dhe të krimit të organizuar të gjitha strukturat politike dhe shtetërore të Kosovës, duke i bërë ato të varura dhe të paqëndrueshme politikisht, por edhe me një imazh jashtëzakonisht të keq ndërkombëtar. Më anë tjetër, Serbia e mban si kërcënim veriun e Kosovës, ashtu siç e mbante Rusia, Osetinë e Jugut në raport me Gjeorgjinë, kërcënim ky që duket se ka mbështetësit e vet jo vetëm në OKB, por mbase edhe në BE dhe në NATO.

Thënë me një fjalë, ka shumë argumente që thonë se pala kosovare në bisedimet për status ishte e papërgatitur, inferiore dhe kooperative deri në nënshtrim. Ajo e mendoi pavarësinë e Kosovës si zgjidhje maksimale, optimale dhe ideale njëkohësisht, gjë që nuk ishte dhe nuk mund të ishte e tillë, duke bërë kështu që pikërisht te ky opsion pa alternativë të fillonin rrënimet strukturore. E para, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte zgjidhje kompromisi nëse bëhej me referendum, pra, që do të shprehte vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. E dyta, Kosova nuk mund të shpallej shtet multietnik, duke qenë vend me përbërjen më homogjene të popullsisë në rajon. E treta, decentralizimi nuk duhej të krijonte asimetri të tillë në organizimin territorial të Kosovës, duke konstituuar komuna politike dhe duke zhbërë strukturën funksionale të administrimit. E katërta, Kuvendi i Kosovës do të ishte i bllokuar në të gjitha vendimet që mund të merren pa obstruksionin serb apo të minoriteteve të tjera. E pesta, me të ashtuquajturin diskriminim pozitiv që iu bëhej pakicave, Kosova bëhej shtet me shumicën e diskriminuar. E gjashta, lidhjet e njëanshme të komunave serbe të Kosovës me Serbinë, pa kaluar nëpër institucionet qendrore të Kosovës, realisht është kundër parimit të sovranitetit të çdo shteti. E shtata, zonat e sigurisë përreth objekteve kulturore dhe fetare serbe ua ngjiste shqiptarëve nofkën e talibanëve të Europës. E teta, e nënta, e dhjeta…

Ç’është e vërteta, askush nga ekspertët nuk bëri ndonjë analizë të vlershme, profesionale, të dokumentit të Ahtisaarit, por të gjithë, politikanët, gazetarët, publicistët, analistët e paktë etj., që të gjithë u mjaftuan me një kamuflazh patriotik që iu bë pavarësisë së kushtëzuar të Kosovës. As Kushtetutës së Kosovës, e cila u fuqizua dhe hyri në fuqi tre muaj pas shpalljes së pavarësisë, nuk iu bë një analizë sado sipërfaqësore, politike dhe juridike, por ajo u miratua me një aklamacion euforik, krejtësisht të pambështetur dhe jashtëzakonisht spekulativ. Disa prej kushtëzimeve esenciale të mbetura në këtë Kushtetutë, që të gjithë e dimë, nuk mund të hiqen pa u miratuar edhe nga minoritetet, veçmas nga minoriteti serb, ndërsa ky minoritet nuk do të bëhet kurrë aq luajal, sa t’i vendosë kufizime Serbisë për t’u implikuar gjithmonë në zhvillimet politike në Kosovë.

Në këtë e sipër, në analiza të ndryshme ndonjëherë është theksuar njëlloj neutraliteti i Kosovës, për shkak të pozitës së saj të ndjeshme, në raport me Serbinë dhe Shqipërinë, duke dashur të krijohet ideja se pozicioni i ndërmjetëm dhe i paanshëm i Kosovës mund të jetë faktor i mbajtjes së drejtpeshimit dhe stabilitetit në rajon. Në të vërtetë, kjo nuk është fare kështu. Kosova është kushtimisht e pavarur vetëm nga Serbia, ndërsa është e pavarur për të gjithë shtetet e tjera të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Ky kushtëzim, ose kjo lidhje varshmërie me Serbinë, sikundër thamë, e bën Kosovën të paqëndrueshme në të gjitha pikëpamjet, përfshirë këtu edhe të ardhmen e saj krejtësisht të pasigurt. Me këtë zgjidhje statusore, Kosova nuk është shtet i besueshëm, nuk është shtet serioz, nuk është shtet partner, por është një kreaturë shtetërore-administrative e përkohshme. Pra, nuk është shtet në kuptimin e plotë të fjalës, sikundër që nuk reflekton zgjidhje të përhershme politike, por një zgjidhje të përkohshme. Ta zëmë, po të mos paraqitej rreziku i destabilizimit të Maqedonisë, Serbia do të hynte me policinë dhe ushtrinë e saj pa ndonjë frikë të madhe në veriun e Kosovës, madje këtë zgjidhje do ta miratonin edhe disa faktorë të rëndësishëm vendimmarrës të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo edhe mund të ndodhë, sapo të pushojë rreziku shqiptar i destabilizimit të Maqedonisë. Apo paralelizmi që tashmë është vendosur ndërmjet Republikës Serbe të Bosnjës dhe kësaj pjese të Kosovës. Pra, ky drejtpeshim është i përkohshëm dhe nuk do të zgjasë gjithmonë.

Please follow and like us: