Cikël poetik nga Fatmire Duraku
Kalaja
Rruga e vjetër, ulliri qindvjeçar
Kaloja urën e vogël, në ëndërr
Mes për mes lulishtes
Vinte gjithnjë hija që e njihja
E veshur në petkun e zisë
Hija e tëra dridhej
Nga më zgjaste një libër
Ja, merre, tha, merre
Ishte libri me poezi “Loja me vdekjen”
Këtu e gjen fillimin dhe fundin e rrugës
dhe kroin ku pinë ujë zanat para agut
ja atje, ku ngjitet rruga deri te qielli
E unë e vogël shikoja gjithë habi
Rruga e vjetër, ulliri qindvjeçar, ura e vogël,
Aty ku kaherë e kishin ngulur gurin për kalanë
T`i përballojë ulërimat e ujkut të ujit
Kalaja, besa e guri, tek do të ndrit zemra
Nga rrënja e tokës deri te zjarri qiellor
Të vijë ende aty të pijë qumështin fëmija
Nën flokët e gurtë të gruas së flijuar
Brenda yllit, brenda besës së vet e kohës
Rruga e vjetër, ulliri qindvjeçar
Unë kaloja urën e vogël, në ëndërr
Kthimi
Çdo gjë kishte mbetur
Pa udhën e vet
Pylli i shpeshtuar
Vetëm zëra të trishtuar
Mbulonin fushën
Çdo gjë kishte mbetur
Pa sytë e tu të gështenjtë
Pa fjalën tënde
Pa këngën
Ura, nga hynim në kopsht
E thyer për kurriz
Vetëm hijet luanin valle
Shtëpia e kërkonte veten
Nëpër dhomat e zbrazëta
Në kujtimet tona të vdekura
Çdo gjë kishte mbetur
Pa dritën e vet
Poezia që s’e shkrova
Natë e errët. Vetmi.
Mbi letër të bardhë rri,
Me laps në dorë.
Jashtë bie borë.
Një erë përnjëherë
Çel dritare dhe derë.
Një hije e gjallë.
Nuk është korbi i Posë
Është një shtegtar mjekërbardhë
Me thes në shpinë të kërrusur.
E gurtë, mbi letër
me laps në dorë
– po ti, kush je?
– pyes plakun mjekër borë.
– babadimri je?
-babai yt… A s’më njeh,
S’të foli nëna për mua fare!?
iku plaku mjekërborë.
Unë me kokë në dritare
Fare kot i bëja me dorë…
– ç’është kjo,
është ky fundi?
– fundi është udha që ik e kthehet,
Në këtë të vetmen fotografi,
– tha nëna me lot në sy,
duke parë hijen nga tret` në gjithësi.
Natë e errët. Vetmi.
Mbi letër të bardhë kot rri.
Mollë e vetmisë
I
Mijëra vjet do të duheshin
Guri të binte nga brezi i kullës
Mendoja, krejt e humbur
Iluzionit të krijesës së vogël
Rrodhi ndryshe puna e gurit
Ndryshe puna e ëndrrës
E harruam këngën e rrënjës
Për gjethet e vjeshtës të kapur
Për hijen e pemës së huaj
Ikëm me nga një valixhe të arnuar
Hije, i thyem këmbët pas hijes
Të arrinim përtej këngës
Në akullin e iluzionit
II
dhe gjethet e kohës u skuqën
nga mjeshtëria
e mashtrimit të vetes;
e harruam kullën prej guri
dera ka vjet nuk i çilet
e harruam dhe kroin e akullt,
ka vjet nuk shuan etjen kush aty.
Uji rrjedh kot në vetmi
Ne hamë mollën e vetmisë larg
Ne pimë ujin e vetmisë larg
Por gjithnjë të uritur
Por gjithnjë të etur
vetëm hija ende na ndjek pas
duke dëgjuar muzikën e re
të mjerimit me sy të jeshilët