Ilir Levonja: Hola Petro…
Në rrugën e shkollës sime shikoja një grua në moshë. Me flokë të zbardhur, gufa-gufa dhe që mbartnin një shkëlqim vezullues edhe pse nuk ishin lyer me brilantinë. Emri i saj ishte Vinçensa, vinte nga Spanja. U dashurua me një djalë shqiptar, e solli dashuria mes nesh. Vinçensa nuk thoshte dot mish kau, ndaj i binte gjatë pasi ashtu i bëhej më mirë. Thoshte, një kile mish burra lope. Dhe ne, fëmijët, qeshnim. Kjo ishte gruaja e Hulusi Spahiut, luftëtarit të Spanjës. Një riosh nga ai brez shqiptarësh që kishin si ideal një botë internacionale. Mikut të ngushtë të Petro Markos. Ashtu si shumë të dashuruara të tjera, pas djemve tanë, ato iu nështruan izolimit pervers. Pranuan gjithçka për hir të dashurisë. Edhe varrin në dheun e huaj. Shumë syresh, vinin nga Rusia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Çekia etj. Të më falin në kam harruar ndonjë etni tjetër. Po, pranuan edhe dheun e huaj mbi shpinë. Për këtë, dua ta kontekstoj paksa Emineskun, poetin rumun kur thotë në ca vargje vjeshte:
”në botë gjënden me mijra gra
me sytë të gjitha mbushur lot
të arta qofshin ato gra
si ti nuk ka, si ti nuk ka”,
unë po them…,
”në botë gjënden me miliona gra
me sytë të gjitha mbushur lot
të arta qofshin ato gra
po si këto…. martiret e
dashurive shqiptare kërkund nuk ka”.
Ato ishin shumë që ndoqën djemtë tanë. Shumë. Për hir të dashurisë. Për hir të vullnetit zemror. Pak rëndësi kishin telat me gjemba. Ideologjia gjithashtu. Sa herë që kujtoj Petro Markon, më shkon mendja tek Vinçensa. Nga shokët e tij, nga dashuritë. Nga pjekja e detajeve, që na shfaq jeta. Nga kënaqësia njerëzore, ah po, e kam njohur këtë. E ke njohur edhe ti?! Sa mirë, kemi për kë të flasim. Kemi kë të kujtojmë.
Ndarja më e trishtë e jetës sime, ka qënë ajo me librat. Pikërisht në majin e vitit 2005. Më duhej të fluturoja mbi oqean dhe valixhet kanë një kufizim ne peshë. Në dhomën time të vogël, por më të mrekulleshmen në botë, lashë një ‘batalion’ me libra. Po mora me vete disa nga ata pa të cilët nuk mund të rrijë njeriu. Ata që nuk e kaluan peshën verbale. Mori edhe ime shoqe të sajët. Një nga ata libra që erdhi çasti ta përmend sot është ‘Intervistë me vetveten’ ose ‘Retë dhe gurët’ i Petro Markos. Pa këtë libër nuk mund të rrija dot. Po ta kisha lënë, kam bindjen se do vuaja edhe sot e kësaj dite. Sidomos sonte. Përse? do pyesni ju. Sot Petroja ynë sikur të ishte, do bëhej 100 vjeç. Nuk do guxoja të shkruaja këtë opinion pa këtë libër, jo për kurrikul a ndonjë të dhënë konkrete në lidhje me ndonjë datë historike, por thjesht për konsideratën e të të qënit pranë me njëri-tjetrin. Po e rilexoj. Jo për shkak të ndonjë parashikimi, jo aspak. Por thjesht, për ndjenjën e përgjegjësisë qytetare në tërësinë e kësaj vepre. Brenda realitetit shoqëror shqiptar, por edhe atij letrar. E gjitha kjo fillon kur Petroja vet, përdorë gjuhën e gjallë të atij burri nga Dukati, kur thotë se, ”nuk ta jap dorën se e kam të lyer me mut”. Një fund i sinqertë prej burri të vërtetë. Eshtë versioni më i mirë i mundshëm, përsa i përket së vërtetës së ndodhur dhe asaj të shkruar. Nga ana tjetër, mundësia të prekim me sytë tanë jetën njerëzore, si personazhe, me emra konkretë të atyre që për dekada i kemi trajtuar si heronj. Përshembull, siç është edhe rasti i kumarxhiut Ali Kelmendi. Mundësia të kuptosh se cili është patrioti, cili revolucionari dhe cili terroristi? Çfarë ishin idealet dhe çfarë është intriga? Çfarë ishte Bashkimi Sovjetik i baba Leninit, socializmi i Stalinit dhe ëndrrat e shqiptarëve? Përse heshtnin shokët, shqiptarët, vullnetarët e KONARES që shkuan në Bashkimin Sovjetik? Rasti Godelli që fliste për shishqebapin dhe përkthyesi rus që u thoshte masave të mjera se si ky shqiptar kish ardhur aty për shkak të lirisë. Se adhuronte Bashkimin Sovjetik se, si ky, kishte me ”miliona” të tjerë në Europë e përtej. Po përse atëhere u memecuan të gjithë këta, që erdhën mbrapsht në Shqipëri. Kush i mundi vallë idealistët? Pa asnjë diskutim, terrori i shokëve, i ”idealistëve”. Siç është përshembull versioni shoqëror Petro Marko, Mehmet Shehu, etj. Shkurt, atë që nuk e vrau armiku i frontit perëndimor, e vrau shoku, bashkëprojektuesit e diktaturës së proletariatit. Ndaj edhe sot, 100 vjeç, po ta pyesim luftëtarin e Spanjës, Petro himarjotin, do të na përgjigjet sërish me fjalët e dukaqotit, ”nuk ta jap dorën se e kam të lyer me mut”. Fundi i sinqertë i një idealisti.
Megjithëse tërësiht me tipare humaniste, letërsia dhe jeta e tij (kjo art më vete) akoma nuk arrin të përqafohet në masë të gjerë. Jo në kuptimin se Petro Markon nuk e njohin, apo nuk e mbajmë për një shkrimtar të madh. Nuk e përqafojmë për faktin se politika aktuale, ka më shumë strategji tekanjoze se sa ideale. Kjo edhe për shkak të idhujve, qofshin këta edhe diktatorë. Jemi të tillë, nuk bëjmë dot edhe si shoqëri. Do thoni ju, po çfarë hyn politika këtu? Unë kam përshtypjen se politikanët i përdorin gjenitë pikërisht për emocione elektorale, për të vënë në sedër masat. Por askush prej tyre nuk ka kurajon të bëhet pak nga ata. Askush. Asnjëherë. Të dalin të pohojnë fundin e sinqertë. Sikur njëri te pranojë se e ka dorën në mut dhe gjak. Ndaj ia vlen të themi bashkarisht. Hola (Ola) Petro. Dhe sa mirë që datëlindja jote është më 25 nëntor. Jo në 28 apo 29 se do na kish ndjekur edhe me ty, kjo belaja se kur iku nga ne ai gjermani i fundit.
——
Deerfield Beach, 2013.