Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Meta, Pëllumbit në 1996: Ai shkërdhata ka mbështetje për mocionin

Në ditarin e tij politik, “Përvoja ime në Partinë Socialiste”, profesor Servet Pëllumbi tregon zhvillimet e brendshme në këtë parti, pas kërkesës së Fatos Nanos për mocionin ndaj kryesisë.

Në 4 korrik 1996, tri ditë pasi mbërriti në PS mocioni i Nanos nga burgu i Bënçës, Pëllumbi jep dorëheqjen nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të motivuar me mospajtim politik dhe organizativ me kryetarin e PS në lidhje me kërkesën e tij për mocion, me anë të së cilës, sipas Pëllumbit, sajohet një krizë e brendshme për të larguar një pjesë të drejtuesve të saj. Por pas dorëheqjes së tij, ka ardhur edhe dorëheqja e sekretarit organizativ, Gramoz Ruçi, i cili, pasi kishte lajmëruar më parë se po shkonte pranë familjes, më pas kishte shkruar një motivacion për dorëheqjen e parevokueshme. Në vijim të ditarit, profesor Pëllumbi tregon mbështetjen që ka marrë nga zv.ambasadori amerikan në 1996-n, Smith, që e ka cilësuar atë dhe Namik Doklen si njerëz të sinqertë, ndërsa Nanon si njeriun që bashkëpunon me njerëzit e Ramiz Alisë.

E ENJTE, 4 KORRIK 1996

I dëshpëruar dhe i indinjuar nga “Mocioni” i F. Nanos që mbjell frymën e përçarjes midis nesh, por dhe duke menduar me ndërgjegje të pastër për dobësi që mund të kem reflektuar në punën drejtuese të PS-së, sot shkrova një deklaratë për dorëheqje, drejtuar KPD-së. Përmbajtja e saj: Për mospajtim thelbësor, politik dhe organizativ me Kryetarin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, me mocionin e paraqitur prej tij më dt.01.07.1996, me të cilin sajohet një krizë e PS-së, fajësohet ajo për 26 majin, anashkalohet arbitrarisht Kryesia e PS-së për të marrë flamurin e reformatorit dhe për t’ia ngarkuar përgatitjen e Kongresit një grupi “mocionistësh”, deklaroj dorëheqjen time si zv/kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë. Le të shërbejë kjo sadopak për të thelluar analizat, për të çuar më tej procesin e reformimit të mëtejshëm të PS-së dhe për të ruajtur unitetin e saj, aq të nevojshëm për kushtet e tanishme. Me respekt, Servet Pëllumbi. Ndërkohë, para se ta dorëzoj dorëheqjen për mbledhjen e dt.8 korrik të KPD-së, për të diskutuar “mocionin Nano”, kam kohë për t’u konsultuar fillimisht me Namikun e më pas edhe me figura të njohura, duke vepruar në frymën e filozofisë së popullit që thotë: “Inatin e sotëm lëre për nesër”. Gjithsesi, edhe pse s’kam ambicie për pushtet, për t’i zënë vendin Nanos, siç e kanë frikësuar atë, nuk do të tërhiqem në këto kushte pa luftuar për PS-në, për unitetin në diversitet dhe të ardhmen e saj.

E HËNË, 8 KORRIK 1996

Zhvilluam sot mbledhjen e programuar të KPD-së për miratimin e masave organizative, për përgatitjen e Kongresit të PS-së, si dhe për të vendosur mënyrën e zhvillimit të tij, për kohën më optimale që dikton situata dhe zhvillimet politike më të afërta (Fatosi me “mocionin” na caktonte në mënyrë urdhëruese datën 26 korrik si datë Kongresi). Në fjalën që mbajta në fillim të mbledhjes, nënvizova jo pa qëllim: Kjo mbledhje është e zakonshme, sepse PS me gjithë zhurmën që po bëhet ditët e fundit nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme. Jo në PS dhe në elektoratin e saj që nuk ia kurseu votën më 26 maj, s’ka ndonjë gjendje dëshpërimi pa shpresë, megjithëse ka individë të dëshpëruar. E jashtëzakonshme është vetëm situata politike në vend, kriza që ka mbërthyer institucionet dhe politikën shqiptare si rezultat i puçit të kurdisur prej kohësh dhe që u realizua më 26 maj. PS si forca kryesore opozitare luajti rolin vendimtar për denoncimin e “farsës elektorale” që mban e do të mbajë emrin “Berisha”! Prandaj tërë bateritë janë përqendruar kundër saj… Ndërkohë, duke dashur të kuptohet se me çfarë asociohet lufta brenda nesh që kërkon “mocioni Nano”, nënvizova: Së fundmi, lufta kundër PS-së u fut në hullinë e zakonshme me objektiv paraqitjen e saj si forcë politike e pareformuar, e padistancuar nga e kaluara, si një forcë politike që u braktis nga elektorati, si një forcë politike që do të shpërndahet, do të shkatërrohet etj. Logjikisht, sipas këtij arsyetimi, edhe nëse u bënë manipulime, ato përligjen, se edhe pa këto PD do të fitonte, dhe bëri mirë që “fitoi”, se nuk kish kush të fitonte e pse të fitonte tjetër forcë! Berisha mendon që me këtë të zbehë efektet e mosnjohjes së zgjedhjeve të 26 majit 1996, të deklaratave të njohura të Institucioneve Ndërkombëtare që kërkojnë “zgjedhje të reja përmes një dialogu politik…”. Me zhurma të tilla si kjo që është ngritur rreth PS-së (iniciuar nga “Mocioni), “regjimi Berisha” ka ndër mend të na lërë gjatë muajve më të nxehtë të verës që të merremi me veten tonë për ta lënë atë të qetë, duke menduar se koha “shëron e zbeh çdo gjë”! Do të ishte për të ardhur keq po të jetë se do të binim në grackën e ngritur. Dhe disa shenja, për këtë tashmë, janë bërë të prekshme. Më poshtë, solla plot shembuj konkretë për të konkluduar: debatin në parti ta zhvillojmë brenda etikës së një dialogu e debati normal, pa lejuar që të degjenerojë në një gjendje konfliktuale në parti, në “garë” për këmbim akuzash e marrje flamurësh reformimi. Ne sot na duhet fryma dhe besimi reciprok. Këtë kërkon me këmbëngulje baza e partisë dhe elektorati i saj…! Në këtë mbledhje pati edhe një zhvillim tjetër, të cilin e shoh si një nga pasojat negative të “mocionit”. Pas “dy gisht letër” që mora nga G. Ruçi pas ditës së parë të “Mocionit Nano”, me të cilën lajmëronte se “po ikte për ca ditë në Salari”, sot mora një letër të shtypur me makinë e me një firmë që ngjet si e Gramozit, në të cilën thuhet: Vëllezër dhe motra, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste. Duke qenë me leje pranë fisit tim, në pamundësi të ardhjes sime në mbledhjen e atij komiteti, vendosa t’ju dërgoj këtë letër. Më poshtë, pasi rreshton konsideratat për PS-në dhe për punën e përkushtimin e tij në vite, shkruan: Por në situatën e sotme politike e gjykoj të arsyeshme të deklaroj përpara Jush dhe opinionit publik dorëheqjen time nga të gjitha funksionet drejtuese të Partisë Socialiste duke mbetur një shok e mik i përjetshëm i idealit social-demokrat europian të Partisë sonë… Në mbyllje: Ju lutem pranoni dorëheqjen time të parevokueshme dhe më ndjeni e më kuptoni drejt pa e marrë atë si tërheqje nga idealet e partisë sonë. Me respekt, shoku dhe miku juaj, Gramoz Ruçi (Kurvelesh, më 7 korrik 1996). Edhe pse ishte marrë vesh ikja e Gramozit, letra e tij u lexua në KPD. Nuk pati asnjë koment, disa në biseda të lira e quajtën “viktima e parë e një mocioni absurd dhe i një lufte të brendshme në Parti”. Për mua po shërben “si këshillë” për të mos bërë të njëjtën gjë! Të paktën tani për tani. Megjithatë, personalisht, për hir të bashkëpunimit shumë të mirë e të frytshëm, të mirëkuptimit e miqësisë që krijuam në punën e përbashkët për interesat e PS-së, do ta kisha mirëpritur një bisedë shoqërore para se të ikte. Kështu më ngjan si “arratisje” nga debati me Nanon! Nuk mungoi as humori pas leximit të letrës së Gramozit. Në pushim, një koleg me zë që u dëgjua nga të gjithë ata që ishin rreth e rrotull, më thotë: – Profesor, mos na dalë komit Gramozi andej nga malet e Kurveleshit dhe do të na quajnë pastaj parti ekstremiste”! – Jo, i thashë me të qeshur, në Athinë nuk lejohen komitët. Qeshëm të gjithë!

E MARTË, 9 KORRIK 1996

Një befasi edhe e hidhur, edhe e këndshme! I. Meta dhe Th. Gëllçi kishin qenë dje në Ambasadën Amerikane për viza dhe ishin takuar me D. Smith, të cilit i ka dalë transferimi. Ai ishte interesuar për mbledhjen e KPD-së. Pas informimit të shkurtër të Ilirit, kishte thënë: – Nuk janë të vërteta zërat sipas të cilave Nano ka mbështetjen dhe inkurajimin e Amerikës (për “Mocionin”). Mbase ka keqkuptuar ndonjë mesazh të N. Gejxhit. Nano po mbështetet te njerëz të R. Alisë. Më të sinqertë janë z. Pëllumbi e Dokle. Në fund kishte shprehur dëshirën për t’u takuar para se të largohej nga Shqipëria. Këtë informacion ma dhanë të dy veç e veç dhe nuk më çudit që D. Smith është shumë më i qartë se disa nga shokët tanë! Pra, “Mocioni” nuk është një rrufe në qiell të kaltërt! Vetë Iliri ishte fiksuar dhe më thoshte: – Do të ketë siguruar ndonjë mbështetje për “mocionin” ai shkërdhata! Edhe unë, në fakt kam pasur një dyshim të tillë pas debatit me D. Smithin e Sibentritin në Ambasadën Amerikane pas zgjedhjeve. Madje, mund të supozohet se mesazhe konkrete e autoritare i ka çuar Nanos Mero Baze, që si korrespodent i “Zërit të Amerikës” ka shkuar në Bënçë nën kujdesin personal të Berishës dhe nën pretekstin e marrjes së një interviste për luftën e brendshme në PS. Gjithsesi ka plot gjëra për t’u verifikuar. Me këtë rast do të desha t’i shtoja informacionit kaq të hapur dhe të saktë të D. Smithit edhe diçka tjetër: parulla Crosse the Bridge e pranuar dikur nga vetë Fatosi në prezencën e Gramozit dhe Namikut, zakonisht i vjen si porosi nga larg për të vepruar në një drejtim e interes të caktuar, por jo nga zyrtarë apo organizma shtetërore amerikane. Duket këtë desh të na kumtonte zëvendësambasadori i SHBA-së, i profilizuar për të ditur edhe mistere të tilla. E ngatërruar, shumë e ngatërruar na qenka edhe demokracia, z. Smith!

E MËRKURË, 10 KORRIK 1996

Sinqerisht nuk arrij ta kuptoj se ç’ndodhi me këtë njeri, si u tjetërsua brenda në më pak se një muaj. E kam fjalën për F. Nanon. Mjafton të krahasosh letrat e disa javëve më parë me atë të 1 korrikut, apo me këtë të sotmen, në të cilën ka një adresim të thatë “Kryesisë së PSSH” dhe pastaj rreshtohen: U njoha me preokupimet tuaja të shprehura në mbledhjen e dt.01.07.1996. Përgjigjja ime në cilësinë e Kryetarit të Partisë Socialiste është: Unë e njoh situatën e krizës politike të pas 26 majit, si dhe gjendjen në PSSH-së të elektoratit jo më pak se ju; analiza dhe gjykimet e mia në cilësinë e Kryetarit… janë botuar në ZP…; iniciativa ime politike “Mocion për debat”… është kërkesë statuore e Kryetarit…; iniciativa ime në cilësinë statutore të Kryetarit… nuk krijon dhe askundërve ndonjë “grup” kundër individëve apo “grupeve” të tjera…; ajo përfaqëson një iniciativë të hapur për debat për çdo anëtar të zgjedhur nga Kongresi në KPD… që nuk përjashton askënd dhe nuk i kundërvihet askujt! Sipas autorit të letrës prej 8 faqesh, thelbi i mocionit është: “Parimësi, solidaritet në ndryshime dhe altruizëm politik në vend të karrierizmit të fëlliqur vetjak”! Letra aspak miqësore e ultimative mbyllet me apelacionin: Rruga më e drejtë për PSSH është aderimi dhe miratimi me solidaritet i mocionit për reformimin e partisë, duke i dhënë fund konfliktualitetit jo parimor të Kryesisë me Kryetarin e burgosur, në dobi të fitores politike të partisë dhe jo të individëve që flirtojnë me të kaluarën e Enver Hoxhës apo të Sali Berishës! Ky është kulmi, po ky nga na doli, nga qielli na zbret ky “Messi”?! Nuk harron të shtojë në fund edhe diçka që e shton e nuk e mënjanon dyshimin: Mocioni parimor për reformim politik të PSSH-së nuk e lehtëson aspak gjendjen time personale (a familjare), as nuk shton gjë në reputacionin tim politik… Reflektoni thellë se pazarllëqet meskine nuk mund (!) t’i bëjë një i burgosur politik prej tre vjetëshKryetari i Partisë suaj! Pazar i pistë (që s’është i pari!) apo ndershmëri? Po ia lë kohës ta gjykojë, sepse sot për sot nuk më lë veçse shije të keqe!

Please follow and like us: