Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergji Mihallari: Triologjia e Hënës

1.

Nëpër zgavrën e natës

shëtitësi endacak,

                         Hëna

lëshon vështrime të dobta

mbi ne të dy,

viktima të ëndërrimit bosh

me afshin lakuriq të mashtrimit,

psherëtima të ngarkuara

me brenga,

               zbehtësi.

Pranë të dy

me Hënën mashtruese

ndër sy.

2.

Unë isha tek ti

nëpërmjet ëndrrës së prishur

si mbeturinë,

pranë lëkurës,

                     lakuriqësisë,

                                       afshit,

                                               seksit

i ndrojtur.

Unë isha tek ti,

i ftohtë si Hëna,

frigorifer arsyesh

dhe kazan ndjenjash përthyer.

3.

Nuk e dua Hënën

se më fal një çast,

ku ndiej aromë lëkure

apo puth buzë

të ftohta,

            të gënjeshtra

                              si Hëna.

Një dorë e bardhë

qelibar prej madone,

zbehet nga verdhësia

mbi ballin tim.

Ëndrra të gëlltitura

nga goja e natës

me tretje thërmuese,

ndaj nuk e dua Hënën

se ëndrra ime ngelet,

vetëm përgjysëm!

Please follow and like us: