Miho Gjini: GËZUAR DITËLINDJEN, PETRIKA RIZA!
Lindi në qytetin e Korçës më 1 qershor 1947, ku kaloi edhe fëmijërinë e rininë e tij, duke përfunduar në vazhdim edhe arsimin përkatës, derisa të kryente edhe Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu” në Tiranë. Në gjithë jetën e tij ka qenë aktor i teatrit “Andon Zako Çajupi”, fillimisht amator, dhe, pas mbarimit të Shkollës së Lartë të Aktorëve, si aktor profesionist, ndërsa në periudhën 1998-2004 edhe Drejtor i Teatrit “A. Z. Çajupi”. Figurë karakteristike për nga trupi, zëri dhe nga diapazoni artistik, në teatër dhe kinematografi. Njëkohësisht edhe organizues e drejtues i disa festivaleve teatrore kombëtare, ballkanike dhe ndërkombëtare që zhvilloheshin në qytetin e Korçës, ku do të kryesonin sidomos disa festivale të komedisë (“Ballkan” 2000), si një traditë për qytetin e serenatave të njëhershme.
Në “Shkollën e Aktorëve”
E veçanta e ardhjes në këtë shkollë arti për studentin e bëshëm fizikisht, Petrika Riza, ka qenë se, vitet e mëparshme kishte konkurruar për t’u bërë aktor edhe një person tjetër me mbiemrin Riza, po kaq trupmadh, kushëriri i tij Jani Riza dhe, disa vite më vonë, Ligoraq Riza, përsëri nga i njëjti fis. E kishim njohur Janin e bëshëm, trupmadhin, si të një ariu polar e ja tani po na vinte një tjetër “Ari”! Paksa më “njerëzor”, më i butë e më i këndshëm! U befasuam, sepse kishin, për habi, të njëjtin “prerje”, me pak ndryshime. Pak a shumë do të ndryshonte kushëriri i tyre disa vite më vonë, Ligoraqi, që vinte më i dobët, por përsëri me të njëjtin shtat. Që të tre ishin me trup të lartë, Jani më i bëshëm, Petrika gjithashtu, ndërsa Ligoraqi, paksa më i dobët nga shëndeti. Të dy të parët me zë të fuqishëm, prej basi, ndërsa Ligoraqi, me zë më të shtruar, tenor, që dalloheshin prej njeri-tjetrit edhe nga intonacionet e manierat interpretuese. Por gjithsesi, në të folurën karakteristike të Korçës. Doemos që, Petrika, i mesmi, ngjante më i vogli ndër ta dhe kishte një pamje naive, gati fëminore dhe, ca më tepër afinitet e përshtatshmëri si figurë e si tip skenik. Rrëfente çiltërsi, sinqeritet e dashuri dhe kolegia ime Drita Agolli e përkrahte shumë si student. Megjithatë Petrika vinte paksa i ndrojtur, i turpshëm e skuqej shpejt, në krahasim me Janin që ishte shumë më i argasur, i ashpër, gati si një “banor mali, i pagdhendur”. Te Petrika shihnim njeriun e edukuar qytetas, me një etikë shembullore e me një humor të lehtë, pas së cilës ndriste një e qeshur e këndshme, që i jepte dritë fizionomisë së tij, me ca tipare fëminore që ishin në kundërshtim me trupin e bëshëm të Rizajve. Edhe zëri i tij, që aq shumë na pëlqente e na afronte me botën e tij gati prej fëmije të rritur, ishte i butë, i shtruar “në kadife” e me një rezonancë plot tinguj vibrues. Shpejt na u krijua mendimi, se na kishte ardhur një nga aktorët e veçantë që do t’i duhej skenave tona teatrore në të ardhmen. Dhe kështu do të ndodhte.
Në skenën e teatrit të vet
Dhe andej nga erdhi si amator, andej edhe do të shkonte, tashmë si aktor profesionist, i përgatitur mirë në profilin e vet prej babaxhani, shumë më ndryshe se kushëriri Jani, të cilin e gjeti rishtazi po aty. Dhe që, për fat të keq, do të largohej shpejt nga jeta, duke lënë vetëm disa pak role në teatër dhe disa role të fiksuara në celuloid. Petrika Riza do ta shtrinte diapazonin e tij të figurave, me të njëjtin aftësi e talent, por me një jetëgjatësi të admirueshme, me shumë krijime në skenë dhe shumë më tepër të tilla në kinematografi. Me një larmi e gamë krijuese fort të pasur. Me tipa gjithfarësh, si me fshatarin, edhe me intelektualin, si me punëtorin ashtu edhe me zyrtarin, si me figurën e një partizani shpirtmadh, ashtu edhe me një fetar shpirtzi, si me figurat e shqiptarëve të klasave të ndryshme shoqërore e klasore, po aq, në mos më shumë, edhe me figurat e një shteti a të një race, me krejt tjetër filozofi, botë shpirtërore e karakter. Role me tipare e veçori individuale nga më të ndryshmet e, ajo ç’ka ishte më interesante, në të dyja planet, dramatike e komike.
Që në rolin e parë në teatrin e tij, në vitin 1974, si aktor profesionist, do të zbulonte aktorin që shpalos para publikut njeriun, në situata e rrethana të vështira, me vërtetësi organike, duke “thyer” edhe moshën e tij te re, si tek personazhi i Xhaxha Madhit në dramën e Vangjush Zikos “Rruga e Madhe”. Dhe, papritur Petrika Riza do të shfaqej në një fizionomi krejtësisht tjetër, në atë të amerikanit Xhon Keller në dramën e fuqishme të Artur Milerit “Ishin të gjithë fëmijët e mi” në vitin 1976. Diametralisht i kundërt me rolin e parë, por edhe më i largët me rolin e tretë që do ta interpretonte katër vite më pas, në vitin 1980 në dramën e Naum Priftit “Plumbat e shkronjave”, ku interpretoi figurën e Dhespotit Filothe dhe ku, pas rasos së një fetari skrupuloz, do të zbulonte helmin e urrejtjes dhe tmerrin e hipokrizisë së një të “shenjtëruari”! Për të ardhur më pas në figurën organike të një moralisti të krahut tjetër, të komisarit komunist, në dramën “Përbindëshi”, si edhe të një tipi të fantaksur, hipokrit e dredharak, sikundër ishte Volpone në komedinë me të njëjtin titull të Molierit, tri shekuj më përpara, në Francën e lirisë, të verës e të dëfrimeve pa fre, që Komediografi i Madh i qesëndisi aq bukur në komedinë e vet. Dhe përsëri në një dramë psikologjike me karakter shoqëror, tek pjesa e Ruzhdi Pulahës “Denoncimi”, ku aktori do të “shkelte” përsëri në truallin e së zakonshmes të ditëve tona, ku do të ishte vetvetja dhe, për të bërë kështu, kapërcimin më të bukur në planin e komedisë, nëpërmjet komedisë greke të Saqelariosit, “Zonjusha 39 vjeçe” dhe të komedisë groteske shqiptare “Ju ftojmë në dasmën e Babait”! Aktori i dramës psikologjike dhe i roleve impozante, kalon organikisht në terrenin e humorit e të satirës, për të treguar aftësitë interpretuese, por edhe për të surprizuar publikun e vet në sallë, me mjeshtërinë e tij të veçantë. Kjo “thyerje” e planit dramatik në të kundërtën e vet, ka qenë për shikuesit, por edhe për vetë aktorin, një praktikë e re, për të mos thënë një “zbulim” i talentit të fshehur, në brendësi e në thellësi të personalitetit të tij krijues.
Në labirintet e filmit
Por, nëse në hapësirën e skenës aktori Petrika Riza, i provoi me sukses të dyja planet e aktrimit, në ekranin e kinemasë do të interpretonte role serioze, personazhe të karakterit dramatik, me psikologji të brendshme, si edhe karaktere të llojeve të ndryshme e të fushave shoqërore të ndryshme. Të luftës, të punës dhe të mjediseve të veçanta. Brenda e jashtë vendit të tij. E gjithkund do të linte pas një vizion krijues që ka mbetur dhe është fiksuar në ekran, me dinjitetin e duhur të vlerave të artit.
Fillimisht me filmin “Montatorja” në vitin 1970, kushtuar njeriut të punës. E kush mund të ishte si figurë më e përshtatshme për kineastët e asaj kohe, në rolin e punëtorit pararojë, saldatorit energjik e muskuloz, – sikundër kërkohej atëherë, përmes sloganeve të ideologjisë partiake, përveçse një aktori të bëshëm, të gjallë e të bukur, sikundër qe Petrika Riza?! Një Brigadier, madje, i punëtorëve të saldimit që flakëronin kapriatat e hekurta të ndërtimeve. Mirëpo, nga ky film me karakter të theksuar dokumentar e deklamativ, aktori Riza do të kalonte në një film artistik me metrazh të gjatë në saje të vëzhgimeve të bëra nga një regjisor profesionist filmi që i kishte kryer studimet jashtë shtetit (në Institutin Kinematografik të Moskës), nga Viktor Gjika, – një nga më të talentuarit në realizimin e filmave shqiptarë që do t’i mbeteshin kinematografisë sonë si vlera artistike të mirëfillta. Dhe ky do të ishte filmi “I teti në bronz”, në vitin 1970, ku Petrika Riza do të zgjidhej për të interpretuar figurën e Rustemit. Edhe pse gjithçka lidhej me përkushtimin e transportimit të figurës se një heroi të derdhur në bronz, që do të vendosej në qendrën e fshatit të tij, me një kompozicion të goditur në retrospektivë, figura solide djaloshare e interpretuar nga Petrika Riza do të ishte nga më tërheqëset, për më tepër prej portretit, vërtetësisë e natyrësisë që krijonte fizionomia e tij shprehëse, kur ecte e mbante mbi supe tezgën me bustin e Heroit, me një përkushtim fort të zellshëm në atë shtegtim pambarim, nëpër shtigje të gjata, rrugë pa rrugë, derisa të mbërrinin aty.
Por roli psikologjik për të do të vinte dy vite më vonë, më 1972, me rolin e Naimit në filmin “Yjet e netëve të gjata”, që do të realizohej ndërkohë po prej regjisorit të talentuar Gjika, me një dramacitet e patos romantik për periudhën e Luftës NÇL e sidomos për episodin tragjik të një nëne që ka humbur në këtë luftë njërin prej djemve të saj, duke krijuar kështu skena epike të fiksuara bukur në ekranin tonë. Pikërisht me këtë psikologji e tension të vazhdueshëm do të ishte edhe figura e Naimit të Petrika Rizës, me një vitalitet në rritje e me plot emocione të befta. Tri filmat e tjerë: “Në fillim të verës” (1975), Përballimi” (1976) dhe “Flamur në dallgë” (1977), nuk shënuan ndonjë rritje të rëndësishme në periudhën e krijimtarisë së aktorit, ku ndjehej koha e tensionuar e grumbullimeve të drithit nga organet e diktaturës, e cila zgjonte edhe tensionin e përballjes, herë të heshtur e herë direkte, të njerëzve të thjeshtë, ku përfshihej edhe ky personazh i luajtur prej aktorit Riza, me zig-zaget e tij të brendshme. Roli me kompleks do t’i vinte aktorit Riza vetëm në vitin 1979 në filmin “Mësonjëtorja” me rolin e Dhespotit, – që dikur e kishte interpretuar si personazh teatri edhe në dramën e Naun Priftit, ku bagazhi aktoresk do të shpalosej tashmë, gradualisht, përmes një urrejtjeje edhe më të egër, por të kamufluar, për shkronjat e Gjuhës Shqipe, që sillnin dritën, dijen e përparimin e një kombi, munguar në atë terr shekullor të kishës së atëhershme, konform edhe kërkesave të asaj kohe, prej Nolit e “pishtarëve” të tjerë. Interpretimi i Petrikës ishte potencial, duke zaptuar gjithë ekranin me figurën e tij të stërmadhe dhe me atmosferën e rënduar që sillte nga brenda e jashtë vetes së tij.
Deri në vitin 1990 Petrika Rizën do ta angazhonin edhe në 8 filma të tjerë: tek “Me hapin e shokëve” (1979) – në rolin e Rizait, “Në çdo stinë” (1980), “Agimet e stinës së madhe” (1981) – në rolin e Rustës, “Një emër midis njerëzve” (1983) – në rolin e Janushit, “Kush vdes në këmbë” (1984) – në rolin e Kajmakanit, “I paharruari” (1984) – në rolin e Shefit të Policisë, “Nxënësit e klasës sime” (1984) – në rolin e Jakos e tek “Dasmë e çuditshme” (1986) – në rolin e Xhezmi Tahirit, për të ardhur, më në fund në filmin “Fletë te bardha” (1990), realizuar nga shoku i tij i klasës Mevlan Shanaj, me skenar të Natasha Lakos, ku Petrika do të ballafaqohej me një rol më të plotë, me atë të Luan Stafës, për të cilin e vlen që të themi dy fjalë më tepër. Aq më shumë se, skenaristja Lako krijon një personazh qendror bashkëkohës, me dilemat e “të fshehtat” e karakterit, me tiparet e zyrtarit të korruptuar që synon e lufton konkretisht për mirëqenien personale të tij e të familjes, për të jetuar në një nivel më të lartë, në një gjendje rehatie e luksi, ku komoditeti e komforti të jenë të pandara e “tymi i oxhakut t’i shkojë gjithmonë drejtë”. Petrika e jep natyrshëm këtë figurë elegante e të rafinuar, me një qetësi të shtirur, interpretuar organikisht e me vërtetësi, duke arritur kështu një personazh real, me plot siguri e përvojë të mbledhur prej atyre 25 filmave të mëparshëm të tij.
Drejtori i Teatrit Petrika Riza, Klaudeta dhe ne festivalistët
Kam qenë edhe vetë Drejtor Teatri, kur sapo kisha dalë nga bankat e shkollës, në Elbasan, po nuk rija dot në zyrë. Nuk më mbante karrigia. Ndërsa Petrika rëndonte aty si ndonjë Ari e zaptonte krejt tryezën e shkrimit, ashtu i bëshëm, sikundër qe, me figurën e tij të stërmadhe! Dhe kishte vetëm një aktore që nuk druhej prej tij. Kjo ishte Klaudeta: aktore gjithashtu, bashkëshorte, partnere nëpër role e shoqëruese e tij në kafe dhe në shëtitjet e bulevardit. “Falënderoj ZOTIN që vuri përpara jetës time këtë njeri, Petrikën, – thotë ajo, me të cilin krijova një familje të shenjtë e tani nuk e kuptoj dot jetën pa të e nuk mundem të rroj as edhe një ditë pa të! Kudo, në ngado, bashkë në shtëpi, bashkë në skenë, në prapaskenë, ku na rreh zemra nga emocionet e shfaqjes, bashkë nëpër ato role me jetë të ndryshme e bashkë kur dalim nga teatri, ngarkuar me shqetësimet më të bukura që vetëm ky tempull, TEATRI, mund të t’i falë! E lumtur, deri në ditët e sotme, në moshën e pensionit, herë tek njëra vajzë e herë tek tjetra”.
Gjashtë vjet drejtor, në kërcyellin e vitit 2000, Petrika Riza, ishte i përzemërt edhe me kolegët, edhe me qytetarët e vet, edhe me festivalistët që i vinin nga të katër anët e Ballkanit, por edhe me mua, profesorin e tij, duke kujtuar vitet e shkollës dhe ai gajasej së qeshuri. Më ftonte sa herë që bëheshin aty Festivale të Komedisë dhe, më mbrapa disa Festivale të Monodramës. Tri vite radhazi gjeja në zyrën e tij Stefan Steçevin nga qyteti Silister i Bullgarisë, një regjisor shumë i talentuar, i cili mahnitej edhe me natyrën e Korçës. Vetëm vitin e tretë do të zbulonim me Petrikën “sekretin” e nostalgjisë së tij dhe aftësinë e tij për të kërcyer vallet ritmike të veriut: nëna e tij ishte me origjinë nga Kukësi! Por nuk do të habiteshim jo më pak që, në zyrën e tij do të hynin aktorë nga Beogradi për herë të parë, së toku dhe me aktorë nga Shkupi e Përlepi i Maqedonisë, nga Gjilani e Peja e Kosovës, si qytetarë ballkanas, duke harruar mëritë e vjetra e për të luajtur komedi. Por edhe aktorët tanë të humorit, sikundër qe Birçe Hasko, – shoku i klasës së Petrikës, i cili kishte ardhur aty të luante një komedi së toku me Margarita Xhepën, Luftar Pajën e Naun Shundin. E, tek bisedonin me Koço Qendron, Pandi Raidhin e Aleko Prodanin, ngrihej lart edhe niveli i humorit, ca më këndshëm sa edhe në skenë. Festivali ” Ballkan 2000″ qe pikërisht një gjetje e një iniciativë e bukur dhe e guximshme e këtij njeriu, e Petrika Rizës nga Bulgareci, i cili kishte jetuar dikur në një familje patriarkale prej 17 personash dhe që tani i mblidhte bashkë edhe këta artistë nga i gjithë Ballkani, të cilët i kishin ndarë luftërat e pandërprera e mëritë shekullore! E Klaudeta, bashkëshortja e tij do të ishte e kudondodhur, herë në skenë e herë në prapaskenë, herë në shoqëri me artistët e herë në krahun e këtij drejtori, që “hiqte telashet dramatike” të komedisë e do të ballafaqohej edhe me tipa nostalgjikë si ai Stefani i Bullgarisë, nga ca aktorë rumunë që kishin sjellë aty një komedi të Karaxhales e i kërkonin Petrikës t’i shpinte për të parë edhe Boboshticën e Viktor Eftimiut, si edhe nga Jorgoja i Thesalonikit që vinte edhe ai këtu të përfaqësonte Greqinë e bafas do të zbulohej se edhe ai ishte Arvanitas, një shqiptar i vjetër, nga më të hershmit e më të thekurit, qe ia këpuste lotit për këtë çikë vend! Jorgo Arvanitasi ishte njeriu më i përngahershëm e më i çuditshëm i këtij Festivali, i cili kërkonte vetëm një gjë: “Çë të bëjmë një fotografi gjithë ç’jemi bashkë e ta shpjerë ndë Thesaloniqi”! E pastaj e përqafonte Petrikën, me lot ne sy! Aparatin e mbante varur në qafë, gati ta shkrepte me këdo nga tanët që i dilte përpara. Për t’i hequr merakun, ngjitem bashkë me Jorgon në katin e dytë të teatrit ku kishte zyrën Drejtor Petrika. E përqafon rishtazi Petrikën dhe zhytet në kolltukun e zyrës së tij duke fshirë lotët që i kishte nën qerpikë. Drejtor Petrika përkulet para tij dhe i fshin lotët me pëllëmbën e duarve të tij si të një ariu polar… “Eja, bre Jorgo. Mos qaj! Gjene do piqemi… Dhe fotografi bëre boll Po edhe shfaqje pe sa deshe… E prap do vishë..”. Greku Jorgo Arvaniti, ngrihet në këmbë e na përqafon të gjithëve sa ishim aty, bile edhe Klaudetën që gajasej së qeshuri! E kështu, do të na fotografonte përsëri me Jorgo Arvanitin, që ta kishim përsëri, si një kujtim të rrallë, edhe në këtë portret të Petrikës, 20 vite më pas!
(Marë me shkurtime nga libri im “10+1, Portrete artistësh”)
Please follow and like us: