Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Dorëheqja publike e Gramos Ruçit

Dorëheqja e Gramos Ruçit është një show publik i vazhdës së gënjeshtërt të jetës sonë sa sociale aq edhe politike. Ku mbi të gjitha, krejt e pamoralshme. Aq sa të shpifet kur shikon deri simpati gjoja të djathtësh mbi karrierën a aktivitetin e tij. Them e pamoralshme për faktin se nuk është 30-vjetori i Partisë Socialiste. Ata që e quajnë si 30-vjetor gabojnë. Kjo parti është krijuar a themeluar në nëntor të vitit 1941. Pra 80 vjet e 4 muaj. Dhe gjatë këtyre viteve ka arritur theqafjen e vendit së pari me luftën e klasave. Dhe së dyti, me ekonominë e përbashkët, monopolin e dhjerë shtetëror që arriti kulmin e largimit të qytetarëve më 2 korrik 1990. Ne nuk ishim asgjë tjetër, por huliganë ambasadash, rrëmbyes anijesh, muhaxhirë malesh etj. Ndërkohë ekonomia reale ishte thjesht dhe vetëm për mbijetesën kombëtare. Rezultati, sot 40% e shqiptarëve jetojnë botës të shpërndarë. Dhe për më keq akoma, çdo i ri, e re, student ka vetëm një dëshirë. Të iki. Para 30 vjetëve kjo parti ndërroi vetëm emrin. Tashmë janë bërë virale ato pamje kur gjindja e sallës e nëmi Dritëro Agollin për atë që ai kërkonte, a) ndarjen nga e kaluara dhe b) ndërrimin e emrit. Të ndërrosh emrin nuk do të thotë se ndërron brendinë tënde, fytyrën, trurin, frymën. Për më tepër që ne themi, atë që ‘ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron’. Partia Socialiste është ndofta forca më jetëgjatë politike për shkak të dhunës karshi partive simotra të kohës dhe qytetarëve të vendit. Madje partia me histori bastardimiesh, bastisjesh, kampesh përqëndrimi, torture e shfrytëzimi për shkak jo të votës së lirë, por votimeve. Vetëm pas vitit 1944 e deri më 1990-ën, janë aq të internuar e të burgosur sa fare mirë mund të krijoje një qytet me përmasat e Burrelit a Tepelenës. Kontribut për të demaskuar këtë barbari të luftës së klasave, ka dhënë edhe kryeministri aktual me një vepër bashkëautoriale me Ardian Klosin ‘Refleksione 1992’. Megjithatë vetëm reflektim nuk pati. Madje ai sot adhurohet pikërisht për praktikat e tipit ‘One man show’, një diktator tipik lindor duke bërë krenar deri vetë Enver Hoxhën.
Eshtë partia që përndoqi klerikët, madje shëmbi objektet e besimeve fetare më 1967-ën. Partia që fuste armë natën dhe në mëngjes çonte policët të arrestonte fretërit, hoxhallarët, dervishët etj. Sa sot fal dhunës së kësaj partie nuk gjenden eshtrat e sa e sa shqiptarëve. Të ngjethet mishi kur lexon për krimet në kampin e Tepelenës, se si një nënë shqiptare vjedh eshtrat e foshnjës së saj për t’i marrë me vete në vendinternimin e radhës. Janë makabritete që kurrë nuk u vu drejtësi, kurrë nuk u kërkua falje. Aq sa kjo forcë politike sot ka kurajon të bëj show publik dorëheqjen e një ish-inistri të brendshëm të diktaturës. Mjafton të lexosh aktivitetin politik të Gramos Ruçit dhe të kuptosh se sa të pamoralshëm jemi si shoqëri në raport me njëri-tjetrin. Ai që sot e quan histori suksesi Gramos Ruçin është bashkëfajtor po aq sa xhandarët e Enver Hoxhës dhe Sigurimit të Shtetit. Vendi im sot është një katastrofë sociale për shkak të harresës dhe urrejtjes karshi njëri-tjetrit. Ata që ulërasin për vrasjet e bulevardit të janarit 2011, do bëjnë mirë të ulërijnë edhe për vrasjet e 2 prillit 1991 në Shkodër. Se vendi nuk njeh dashuri ndryshe. Vendi nuk është i dhuntarëve. Gramos Ruçi ishte dhe është përgjegjës i drejtëpërdrejtë, megjithatë fal moralit të ulët të shoqërisë shqiptare, bëri një karrierë plot 30-vjeçare në instancat më të larta. Në botën perëndimore ku gjoja përpiqemi e militojmë të shkojmë, do ishte një mbetje publike. Dhe jo vetëm ai, por shumë syresh.
Please follow and like us: