Albspirit

Media/News/Publishing

Pas Eskilit dhe Euripidit/I mençur dhe i famshëm, Sofokliu, mjeshtri i 123 dramave të lashta greke

Sofokliu ishte një dramaturg që jetoi në Greqinë e Lashtë gjatë shekullit V-të Para Krishtit. Ai është një nga 3 shkrimtarët grekë të tragjedisë (dy të tjerët janë Eskili dhe Euripidi), veprat e të cilëve kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Ai shkroi në total 123 drama, nga të cilat vetëm 7 kanë mbijetuar të plota: “Ajaksi”, “Antigona”, “Gratë e Trakisë”, “Edipi Mbret”, “Elektra”, “Filoktetët” dhe “Edipi në Kolonë”. Si shumë emra të tjerë të lashtë grekë, emri “Sofokli” ka një kuptim të veçantë. Ai është një kombinim i dy fjalëve greke ‘sophos’ dhe ‘kleos’, që do të thotë përkatësisht “i mençur” dhe “i famshëm”. Pra emri i këtij dramaturgu të lashtë grek, mund të përkthehet si “i famshëm për mençurinë”. Për jetën e tij dihen pak gjëra dhe shumë detaje kanë humbur përgjatë historisë. Për shembull thuhet që ai lindi disa vjet para Betejës së Maratonës (viti 490 Para Krishtit).

Viti i saktë i lindjes mbetet i panjohur, edhe pse janë sugjeruar vitet 497 ose 496. Sofokliu lindi në Kolonus Hipius, një zonë rurale në veri-perëndim të Athinës. Babai i tij Sofilusi, thuhet se ishte marangoz. Por burime të tjera pretendojnë se ai ishte një hekurpunues. Gjithashtu, është sugjeruar se ai mund të ketë qenë një fisnik i pasur, që kishte skllevër marangozë dhe hekurupunues. Sidoqoftë e vërteta, familja e Sofokliut i kishte mjetet financiare për t’i siguruar atij një arsimim të mirë.

Edhe pse vlerësohet si dramaturg, ai ka pasur një jetë publike shumë aktive. Sipas disa dëshmive, kur ishte i ri Sofokliu shkëlqeu në sportin e mundjes dhe në muzikë. Në vitin 480, grekët mundën ushtrinë e madhe perse në Betejën e Salaminës. Gjatë festës së fitores, Sofokli u përzgjodh që të udhëhiqte korin.

Ne vitet 443-442 Para Krishtit, Sofokliu shërbeu si një nga hellenotamiae. Ky ishte një grup prej 10 arkëtarësh (një përfaqësues për secilin nga 10 fiset athinase), që administronin thesarin e Lidhjen Deliane. Dhe në vitet 441-440, ai u zgjodh si një nga dhjetë strategët (gjeneralët).

Në atë kohë, Athina ishte në luftë me qytet-shtetin e Samosit, dhe Sofokliu si gjeneral, do të kontribuonte në fitoren e Athinës. Sofokliu mund të ketë shërbyer si strateg edhe në 2 raste të tjera. Në vitin 413 Para Krishtit, kur ishte rreth 80 vjeç, ai u emërua si ‘provoulos’, një pozicion që u krijua në vijim të Ekspeditës Siçiliane, e cila u nis nga Athina gjatë Luftës së Peloponezit.

Sofokliu ishte një nga 10 komisionerët, të cilëve iu ngarkua detyra e organizimit të rimëkëmbjes së brendshme dhe financiare të qytet-shtetit pas asaj ekspedite katastrofike. Akti i fundit i njohur i Sofoklesit, ishte drejtimit i korit gjatë homazheve me rastin e vdekjes së Euripidit.

Në një moment, Sofokliu shërbeu edhe si prift i Halonit dhe iu besua futja e statujës së Perëndisë Asklepius në Athinë. Pretendohet se kjo Perëndi i dha Sofokliut shëndet dhe energji në vitet e fundit të pleqërisë së tij. Ndërkohë, kanë mbijetuar edhe disa informacione të tjera rreth familjes së Sofokliut.

Ai kishte të paktën 2 djem, Iofoni, nëna e të cilit ishte një grua athinase me emrin Nikostrat dhe Aristoni, nëna e të cilit ishte Teorisi nga Sikioni. Iofoni u bë i njohur si një poet tragjik, ndërsa Aristoni pati një djalë, të quajtur gjithashtu Sofokli, i cili u bë i famshëm për tragjeditë e tij.

Më vonë, Sofokliu i ri u përfshi në vënien në skenë të shfaqjeve të gjyshit të tij. Historiani grek Plutarku shkruan në librin e tij “Moralia” të shekullit I të Erës Sonë, mbi një konflikt familjar mes Sofokliu dhe djalit të tij Iofonit. Plutarku raporton se Sofokli u nxorr në gjyq nga Iofoni me akuzën e çmendurisë.

Sidoqoftë, Sofokli i moshuar e mbrojti shkëlqyer veten e tij, duke recituar me zë të lartë këngën hyrëse të korit në veprën e tij “Edipi në Kolonë”. Në fund të shfaqjes, “kënga ngjalli një admirim të atillë, saqë u duartrokit nga gjykata si të ishte në teatër, shoqëruar nga duartrokitjet dhe brohorimat e të pranishmëve”.

Po si vdiq Sofokliu? Ai mendohet se ka vdekur në vitin 406 ose 405 Para Krishtit, jo shumë kohë pas Euripidit. Mbi mënyrën e vdekjes së tij ka disa histori. Njëri prej tyre, pohon se dramaturgu vdiq pasi u mbyt aksidentalisht në një fuçi të madhe të mbushur me lëng rrushi.

Please follow and like us: