Ibrahim Emiri: HOMAZH PËR AGIM SHEHUN, MËSUESIN E PAHARRUAR TË LETËRSISË!
Lajmi i hidhur i largimit nga jeta e Agim Shehut, mësuesit, shkrimtarit e patriotit, më trishtoi pa masë! Sa e madhe është humbja njerëzore, aq i madh është ngushëllimi për Agimin, sepse vepra e tij e shquar letrare e patriotike do të jetojë përgjithmonë.
Ndërsa shumë miq e kujtojnë Agim Shehun si shkrimtar e patriot të madh, unë do ta kujtoj atë, jo vetëm si mësues të paharruar, por edhe si mik të mirë.
Në kujtesën time, ndër të parët e mësuesve të nderuar e të respektuar të gjimnazit “Asim Zeneli“ të Gjirokastrës (për periudhën 1958 – 1962) është gdhendur portreti i mësuesit të letërsisë, Agim Shehu:
– Mësuesit, sa autoritar, të rreptë e kërkues në mësim, aq edhe të urtë e miqësor jashtë shkollës, veçanërisht me nxënësit që e dashuronin letërsinë.
– Magjistarit, që në orët e komenteve letrare hipnotizonte klasën me magjinë e fjalës dhe e shtynte imagjinatën tonë rinore të fluturonte jashtë mureve të shkollës, në të tjera kohëra e hapësira.
– Krijuesit të pa lodhur, që gjallëroi e udhëhoqi plot pasion jetën e larmishme artistiko-kulturore të shkollës dhe të qytetit, duke konkuruar me dinjitet edhe istitucionet profesioniste kulturore.
– Mësuesit të dashur e të thjeshtë, që krijonte një atmosferë të këndshme për nxënësit, duke i çliruar ata nga marrëdhëniet e ngurta e të ftohta të klasës, si dhe duke u plotësuar nevojat për argëtim, me mundësitë e asaj kohe.
Mësuesi i pasionuar i letërsisë, Agim Shehu, ka lënë tek unë, ish nxënësi gjimnazist, shumë mbresa e kujtime, të cilat, ndonëse janë zbehur nga mjegulla mbi gjashtëdhjetë vjeçare e kohës së kaluar, nuk janë fashitur dhe herë-herë vezullojnë, ashtu si rrezja e diellit, që depërton me shkëlqim nëpër të çarat e reve. Kur mbarova gjimnazin, mësuesi i letërsisë më këshilloi me dashamirësi që të mos shkëputesha kurrë nga letërsia. Unë iu përkushtova një fushe tjetër të artit, arkitekturës, e cila u bë profesioni im, që e ushtrova me pasion e dashuri, për aq sa m’u krijuan mundësitë. Megjithatë letërsia ishte dhe mbeti një nga dashuritë e mia, e cila u kultivua tek unë qysh në fëmijëri nga babai librar, si dhe në shkollë të mesme nga mësuesi i dashur i letërsisë. Në vitet e jetës kam përjetuar me optimizëm poezinë e “prozës” e me dhimbje prozën e “poezisë”, ashtu siç më këshillonte Agim Shehu, mësuesi im i mirë.
Me mall takoheshim në Tiranë me mikun e mirë, kur punonte si gazetar në redaksinë e “Zërit të Popullit“. Më pas për Agimin do të fillonte kalvari i dënimeve absurde e vuajtjeve pa fund, për të cilat kam mësuar me dhimbje, duke lexuar librat e tij.
Së fundmi, në moshën e pleqërisë, megjithëse fati e solli të ishim larg fizikisht, mbasi ai ishte azilant në Zvicër, kemi qenë afër shpirtërisht e virtualisht, përderisa ai, për shkak të humbjes së bashkëshortes, ndërpreu përfundimisht kontaktet virtuale.
Përulem me nderim para kujtimit të MËSUESIT të paharruar!
Ngushëllime familjes e miqve të tij!
I qoftë dheu i lehtë!
U prehtë në paqe!
https://www.gazetatema.net/2021/07/27/shuhet-ne-gjeneve-poeti-dhe-studiuesi-i-shquar-agim-shehu/
https://javanews.al/letersia-shqipe-shuhet-ne-gjeneve-poeti-dhe-studiuesi-i-shquar-agim-shehu/