Viron KONA: Mbreti
-Rrëfim anekdotik-
Përfaqësuesit e kafshëve të pyllit, të pakënaqur nga sundimi tiranik i luanit, mbretit të pyllit, u mblodhën një mëngjes përballë shpellës mbretërore dhe me britma e ulërima të zgjatura, kërkonin dorëheqjen e menjëhershme të luanit nga posti mbretëror dhe zëvendësimin e tij me një kafshë tjetër. Arsyet ishin se mbretit i kishin rënë dhëmbët, i mungonte forca dhe aftësia për të vënë në vend drejtësinë dhe, më kryesorja ishte se ai, sipas tyre, ishte shkelësi më i madh i ligjeve të pyllit.
Luani i dëgjoi qetësisht dhe me sy gjysmë të mbyllur protestuesit e zemëruar dhe, kur u vendos qetësia tha me zë të mallëngjyer:
-O populli im i dashur! O shtetasit e mi besnikë! Gjatë jetës sime unë jua kam plotësuar të gjitha dëshirat. Kur s`keni mundur të siguroni ushqimin e përditshëm, unë, me qëllim që t`ju shpëtoja nga vuajtjet e tmerrshme të urisë, ju kam gëlltitur menjëherë dhe asnjëri nuk më është ankuar se ka vuajtur. Kur keni qenë të plagosur nga luftimet e ashpra me njëri-tjetrin, unë përsëri duke dashur t`ju shpëtoj nga dhembjet e padurueshme, që shkaktojnë plagët në trup, përsëri nuk kam hezituar t`ju gëlltis si një kafshatë të vetme, që askush të mos ndiente dhëmbët e mi të mprehtë. Sigurisht, edhe kur kemi grumbulluar këtu në pyll plaçkë lufte apo pasuri, prona dhe fitime të tjera, unë, që ju të mos futeni në sherr me batutën e mallkuar ”kjo është imja”, i kam mbajtur për vete të gjitha plaçkat, pasuritë dhe fitimet. Se, ju, o miqtë e mi besnikë po e shikoni edhe vet se ç`po bëhet: vriten ujqërit dhe çakejtë mes njëri – tjetrit për një dhi të egër apo për tufat e bagëtive që kullosin në pyje; vriten arinjtë me njëri-tjetrin edhe për një peshk salmon; vriten tigrat për një derr të egër apo për një buall; vriten leopardët për një gazelë apo për një kaproll të gjorë! Por, keni parë që grinden e, deri sa s`vriten mes tyre edhe ata më të urtët: bizonët, rinocerontët, buajtë apo zebrat për një pellg uji apo për ca fije bari! Nuk është turp që ata goxha elefantë gjigandë, bëjnë sherr për një kokër dardhë të egër, kurse ato xhirafat qafëgjata për një gjethe peme? Skandali pastaj është edhe për dhelprat dhe baldosat që bëjnë sherr të madh për një strofkull të shpifur…E çfarë t`ju them tjetër, o miqtë e mi? Apo t`ju them edhe atë që s`ma nxë goja, që të gjitha këto lloje kafshësh që përmenda grinden edhe për “punë femrash”, xhelozohen dhe i hanë kokat njëra-tjetrës! Madje edhe ata drerët me brirë të degëzuar, që hiqen si engjëj, grinden kaq fort, saqë i përplasin e i ngatërrojnë brirët mos më keq mes tyre, vetëm e vetëm që të fitojnë simpatinë e një drenushke! Unë, turpe të tilla nuk i kam lejuar në pyllin tim. Sapo i kam konstatuar, i kam gëlltitur menjëherë shkaktarët.
Kam shumë për t`ju thënë, o shtetasit e mi besnikë, por po ndalem këtu se nuk është mirë që të nxjerrë në “pazar” hallet dhe problemet e pyllit tim. Që të mos zgjatem më tej, konkluzioni është ky: Duke i përvetësuar të gjitha pasuritë e pyllit për vete, si dhe duke ju bërë edhe shumë shërbime të tjera që jua përmenda, kam menduar vetëm për juve, për lumturinë e familjeve tuaja, për ardhmërinë e pyllit tonë dhe për asgjë tjetër. Ju lutem, më besoni!
Mbreti heshti një çast dhe vijoi:
-Pikërisht, për shkak të këtyre shërbimeve të vyera, dëshiroj të më plotësoni edhe dëshirën time të fundit.
Protestuesit heshtën pak çaste, pastaj midis tyre plasi debati. Disa mendonin që t`ia plotësonin mbretit dëshirën e tij të fundit, të tjerë shfaqnin dyshimin se prapa asaj dëshire mund të fshihej ndonjë dredhi e tij e re, apo ndonjë veprim djallëzor. Pjesa tjetër qëndronin indiferentë, të bindur se, edhe po t`ia plotësonin dëshirën mbretit, edhe po të mos ia plotësonin, ai ishte në fund të sundimit të tij dhe, donte s`donte, do t`ia linte vendin një mbreti më të fuqishëm se ai. Më në fund, kafshët e pyllit, me shumicë votash vendosën që t`ia plotësonin mbretit dëshirën e fundit.
Atëherë Luani i falënderoi me një zë mallëngjyes e me lot në sy dhe tha:
-Unë, o shtetasit e mi besnikë dhe trima, jam gati ta jap dorëheqjen dhe të ngrys ditët që më kanë mbetur në një azil, diku në fund të një shpelle, ku nuk hyn as drita dhe s`ka asgjë për të ngrënë. Atje mes lagështirës, duket se do të ngordh i vetmuar dhe i braktisur nga ju të gjithë. Por po ju betohem me putër në zemër se unë jam shumë i shqetësuar se kujt do t`ia lë kurorën e mbretërimit. Kam menduar gjatë për këtë hall të madh, që ka të bëj me ardhmërinë e dinastisë, prandaj po ju propozoj një marrëveshje, të cilën, po të jeni dakord me mua, ta firmosim të dy palët.
-Na trego më parë se cili është propozimi, – thirrën njëzëri kafshët e pyllit.
-Faleminderit për mirëkuptimin, – tha mbreti dhe vijoi: – Vendin e mbretit, pra kurorën mbretërore, do t`ia trashëgoj asaj kafshe, që nuk do të frikësohet, por do të qëndrojë pa lëvizur, si hero në mes të këtij sheshi ku jeni mbledhur, kur unë të ulërij për herë të fundit.
Kafshët e pyllit këmbyen vështrime dyshuese e pyetëse me njëra – tjetrën, pastaj, duke menduar se nuk kishte çfarë t`u bënte një ulërimë e vetme e luanit plak, e pranuan marrëveshjen.
-Hajdeni, o popull, se do bëjmë ca humor, – thoshin kafshët mes tyre dhe, duke firmosur marrëveshjen, ia kalonin penën njëra- tjetrës përmes të qeshurave.
-Jeni gati?-pyeti mbreti me zë që të këpuste shpirtin.
-Gatiiiiiii!-u përgjigj turma e kafshëve me një zë të vetëm.
Atëherë, mbreti shkundi krifën, u hodhi një vështrim të dhembshur banorëve të mbretërisë së tij dhe, papritmas, duke mbledhur të gjitha fuqitë që i kishin mbetur, lëshoi një ulërimë kaq të egër, ngjethëse dhe të frikshme, saqë kafshët e gjora, duke përfytyruar brenda një sekonde të vetme egërsinë e sundimit të tij, u tmerruan dhe, duke penguar njëra – tjetrën, ia dhanë vrapit nga sytë këmbët…
Kur reja e pluhurit u shpërnda, Luani hodhi vështrimin në sheshin e pyllit dhe s`po e besonte dot atë që po shikonte. Fërkoi sytë disa herë, por ajo që po shihte ishte vërtet e habitshme dhe e pabesueshme. Në shesh qëndronte i palëvizur vetëm një hero i vërtetë, lepuri.
Luani s`po e mblidhte dot veten nga habia, por, pakëz më vonë filloi të ndjejë respekt për trimërinë e panjohur deri atëherë të lepurit.”Si se paskam njohur!”, – thoshte mbreti me vete dhe, i përgjuar nga kafshët e pyllit, që e vëzhgonin fshehurazi përmes shkurreve dhe ferrave, iu drejtua heroit me hap të rëndë e ceremonial, që t`i vendoste në kokë kurorën dhe ta shpallte mbret të ardhshëm të pyllit.
Por, kur u afrua, vuri re se lepuri s`po lëvizte nga vendi. U afrua më pranë dhe pa se lepuri nuk po merrte frymë. E shkundi disa herë, i ulëriu në vesh, por lepuri nuk jepte asnjë shenjë jete. Më në fund mbreti e kuptoi se lepurit të gjori i kishte pushuar zemra në vend nga frika që i shkaktoi ajo ulërimë, prandaj dhe s`kishte mundur që t`ia mbathte si kafshët e tjera.
Qëndroi i stepur dhe i menduar disa çaste, pastaj kujtoi marrëveshjen që kishin firmosur dhe, meqë lepuri ishte e vetmja kafshë “heroike” që kishte qëndruar në mes të pyllit, sigurisht i takonte të ishte mbret.
-Ky i gjorë,-tha me vete luani, – si i gjallë, si i ngordhur, njëlloj është.
Kështu që, luani, duke u hequr si një mbret i urtë, që përcellë paqësisht pushtetin, i vuri në kokë kurorën mbretërore lepurit të ngordhur. Pastaj, duke fërkuar putrat me njëra – tjetrën, nënqeshi. Tani ai do të vepronte si të donte, do t`ua nxinte jetën të gjitha kafshëve të pyllit, do të gëlltiste këdo që do t`i dilte përpara dhe askush nuk do të guxonte që ta akuzonte se ai po shpërdoronte pushtetin e tij e dëngla të tjera si këto. Koha e mbretërimit të tij do të ishte e përjetshme, kurse të gjitha padrejtësitë, shkeljet e ligjeve të pyllit dhe fajet, do t`i mbeteshin atij që kishte kurorën mbretërore, mbretit të ngordhur.