Dy vjet pa gazetaren Enkelejda Skënderasi, mesazhi prekës i motrës së saj
Jetën e saj fare të shkurtër ia dedikoi lajmit dhe jetën e dha në kërkim të tij. Kështu do të mbahet mend nga të gjithë gazetarja dhe kolegia Enkelejda Skënderasi, zëri i së vërtetës për qarkun e Korçës në News24, Gazetën Shqiptare e Balkanweb zëri i së cilës prej dy vitesh i mungon gazetarisë shqiptare.
Vetëm 29 vjeçe, Enkelejda u nda nga jeta në mënyrë tragjike në korrikun e vitit 2014, si pasojë e një aksidenti, teksa kthehej nga një aktivitet për 100-vjetorin e masakrës së Panaritit së bashku me gazetarë të tjerë.
Edhe pse ende e re në këtë profesion, Enkelejda Skënderasi u kthye në një zë të fuqishëm në mbështetje të të gjitha shtresave të shoqërisë në çdo cep të qarkut të Korçës. Ajo do të njihet gjithmonë si gazetarja e papërtuar dhe e përkushtuar, që ndodhej në terren në çdo orë, në çdo vend, aty ku lajmi ndodhte.
Në vetëm 5 vite, Enkelejda dha një leksion gazetarie për gjithë kolegët e saj, atë të raportimit me objektivitet të lajmit. Në këtë 2-vjetor zëri i Enkelejdës i mungon Focus Group dhe gjithë gazetarisë, por më shumë nga të gjithëve iu mungon familjarëve të saj, një familje e thjeshtë shqiptare e mbushur me halle, të cilat Enkelejda kurrë nuk i rrëfeu.
Për kontributin e dhënë në krye të detyrës, Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekoroi në 8 janar të 2015 Enkelejda Skënderasin pas vdekjes, me titullin “Për merita të veçanta civile”.
*MESAZHI I MOTRËS*
Familja është ajo që e ka ndjerë më shumë mungesën e Enkelejdës, që edhe pse ditët e javët kalojnë, nuk ua zbehin dhimbjen. Kështu e ka kushtuar motra e saj Gentiana. Ahhh.. e dashur motër! Sa dhimbje le pas..?!Vetëm dhimbje, mall dhe kujtime pa fund. Edhe pse sot bëhen dy vjet që ti ke ikur në një rrugë pa kthim, akoma nuk kam arritur t’i bashkoj copat e shpirtit tim pasi gjysmën ti e more me vete atë dite, duke lënë pas një zemër të mbytur në oqeanin e pafund të dhimbjeve të kësaj bote. Fakti që buzëqesh nuk do të thotë që jam e lumtur, por është maska që unë kam zgjedhur për të shfaqur atë që dikur kisha por që tashme e kam humbur sepse jeta është aq mizore sa nuk mund ta imagjinosh dot. Se edhe buzëqeshja është si pasqyra mjafton të thyhet njëherë..pastaj është vështirë t’i ngjisësh copat. Vetëm shpirti im e di se si ndjehet brenda. Mjafton vetëm një fotografi jotja që të rikujtoj se përditshmëria ime, e rindërtuar me aq shumë përpjekje, mund të shembet sa hap e mbyll sytë. Përsëri..!Dhimbja më ka rrënuar të tërën, pasi imazhi i një jete me ty më shfaqet si vegim sa herë që ndjehem e plotësuar. Ti çdo të thoje?! Çdo të thoje po të ishe këtu sonte, e po të shihje sa shumë më ka ndryshuar jeta pa ty?!