Albspirit

Media/News/Publishing

Nurie Emrullai: Ti

Në poezinë time,
jeton një grua.
Ti e ndjen praninë e saj,
mendon se e njeh,
ose se ajo jam unë.
Por…
por ti je vetë ajo.
Një grua
që rri denjësisht në krye të tavolinës
dhe s’harron veten ta ushqejë.
Po,
nga këtu nisu,
pastaj për t’i gjetur vetes vend në botë
është fare e lehtë.
Kështu,
këtë grua unë po e ushqej
çdo ditë,
të rritet,
të lindi,
të shumohet,
duke dashur,
duke ndjerë,
duke dëshiruar,
duke fantazuar,
duke shkuar buzë-humnere,
duke ia dalë,
duke bërë luftë,
duke mos harruar,
duke bërë dashuri,
duke ditur,
duke u dhënë pas natës,
duke ëndërruar,
me sy mbyllur e me sy hapur,
duke u ngritur nga buka,
duke ushqyer,
duke thënë faleminderit
dhe duke ndjerë
erë
diell,
dimër,
këngë.
Duke mësuar emrat e çdo ngjyre,
duke shpikur,
duke tymosur,
duke dyshuar,
duke mos ditur,
duke provuar,
rritje
dhe rritje dhe rritje…
dhe duke parë
që ajo rritet në përmasa të pafundme,
që ripërtrihet,
që mosha e bën më të bukur
që hapi i saj,
energjia e saj ka ngjyrë,
që është e rëndësishme të buzëqeshë,
që ajo është pra,
dreqi ta hajë!
Ti je!!
E kupton?
E kupton sa e rëndësishme je?
Sa gjithësia,
sa rruga që shkel,
sa ndjenja,
sa përjetimi,
sa mungesa…
Tani ngrihu nga tavolina
dhe më vjen mirë
që u njoftuam në fund,
që kuptove
Se ti je!
Please follow and like us: