Albspirit

Media/News/Publishing

Epigrame nga Viron Kona

 

Mendja jote si llamba

 

Kur flet dhe vepron,

veten tënde tregon,

je si një llambë në dhomë,

e shuar, e zbehtë apo ndriçon!

 

Dallgët

Në krahët e prindërve,

dallgët i çanë lehtë,

por ama kur rritesh,

duhet t`i çash vetë!

 

Një fije shkrepse

Një anije gjigande,

dallgë e stuhi përballon,

një vrimë fare e vogël,

në fund të detit e çon!

 

Një fije shkrepse,

një pylli të madh djeg,

një hapi  i gabuar,

në humnerë të hedh!

 

Nga gjërat e vogla,

vijnë gjërat e mëdha,

një fjalë e gabuar,

të fut në bela!

 

Me lezet

Kur je pijanec,

ti s`di çfarë flet,

tjetri ta merr atë që do,

me dolli dhe me lezet!

 

Gjahtari i fjalëve

Më mirë gojën kyçur ta mbash,

kur s`je i sigurt, gjë mos thuaj,

tjetri po pret si gjahtari n`shteg,

fjalën tënde të gjuaj.

 

Tregtinë e fjalëve ai ka zanat,

me to argëtohet, me ato rron,

fjalët e tua si fruta i përpunon,

me ambalazh firmato i tregton.

 

Artificiale

Ke ndryshuar pamje me operacione plastike,

mburresh se lulja më e bukur e kopshtit je ti,

por t`gjithë pëlqejnë m`shumë lulet natyrale,

dhe jo lulet artificiale të dyqanit përkarshi…

 

Si në pasqyrë

Ndarja e pronës i nxori njerëzit në pasqyrë,

i nxori siç nuk i kemi njohur kurrë më parë,

nxori fare hapur hipokrizinë dhe pabesinë,

nxori lakminë e vëllait për vëllanë!

……………

  1. Makutëri, në kuptimin i pangopur, grykës, lakmitar i madh e grabitqar.

 

 

E ke në dorë ti

Kjo botë kaq e madhe,

kjo botë “rrokulli”,1.

plot me dinakëri,

luftëra e padrejtësi.

 

Në këtë zallamahi,

gjej vendin, o njeri:

breshkë apo shqiponjë,

këtë e ke në dorë ti!

……..

  1. Rrokullí,-a, gjithësia; rruzullimi; bota.

 

Liderët

Njerëzit pas tyre vërshuan me brohori,

u thurën himne sikur të ishin perëndi,

por shpejt kuptuan se ishin mashtruar,

ata s`ishin perëndi por djaj t`maskuar.

  1. Djall, këtu është përdorur në kuptimin njeri dinak, mashtrues, shpirtkeq, që di të përfitojë në çdo rast e rrethanë.
Please follow and like us: