Ismail Xhaferi: Një grusht me yje…
Ku t’i hedh një grusht me yje,
Këta yje vezullojnë?
S’i hedh dot kur kalon ti,
Se kam frikë se më shikojnë.
Ku ta hedh një grusht me yje,
Një grusht yje që bëjnë dritë?
S’i hedh dot nga brenda portës,
Porta mbyllur natë e ditë.
Ku ta hedh një grusht me yje,
Që këputa lartë tek retë?
S’i hedh dot mbi flokun tënd,
Se kam frikë se mos e djeg.
Ku ta hedh një grusht me yje,
Që i mblodha sot në darkë?
S’i hedh dot në buzë tënde,
Se do digjet buza flakë.
Ku ta hedh një grusht me yje,
Yjet e ndezur si prush?
S’i hedh dot tek gusha tënde,
Sepse gjurmë do lënë në gushë.
Ku ta hedh një grusht me yje,
Një vendim nuk mund ta marr,
S’i hedh dot mbi gjoksin tënd,
Mbi benzinë nuk hidhet zjarr.
Ndaj në vjeshtën që ka nisur,
Kur zverdhojnë drurë e pyje,
Unë i shkreti rri menduar,
Ku ta hedh një grusht me yje?!