Shaban Murati: Dekomunistizimi…
Është shumë lehtë ta bësh dekomunistizimin për të vdekurit. Dekomunistizimi nuk u bë kur duhej, se ata që erdhën në pushtet në 1992 kishin porosi të mos e bënin. Siç kishin porosi të mos hapnin kurrë dosjet e Sigurimit të Shtetit. Siç patën porosi që dy partitë kryesore të postkomunizmit, që i krijoi KQ i PPSh, të amnistonin penalisht korrupsionin e krerëve të qeverive të njera-tjetrës gjatë alternimit të rakorduar të pushtetit.
Ndërkaq nomeklatura e lartë e vjetër komuniste ka vdekur, kështu që nuk e prek dot dekomunistizimi. Sepse dekomunistizimi nuk bëhet pas 30 apo 70 vitesh, por bëhet që në ditët dhe në vitet e para të pushtetit demokratik, siç u bë denazifikimi në Gjermani menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.
Parimi i parë themelor i dekomunistizimit të vërtetë dhe i denazifikimit të vërtetë është dhe duhet të jetë ndërprerja ligjore e trashëgimisë dhe e zinxhirit të kalimit të stafetës së pushtetit politik dhe ekonomik nga etërit te bijtë e diktaturës. Nuk pati në Gjermani pas shembjes së nazizmit trashëgimi të pushtetit dhe asnjë nga fëmijtë e nomeklaturës së lartë naziste nuk u bë kurrë pas luftës ministër në qeveritë demokratike gjermane. Por në Shqipëri gjatë periudhës së demokracisë dhjetra fëmijë të ministrave të nomeklaturës së lartë të diktaturës komunise u bënë ministra në kolltuqet e pushtetit të baballarëve të tyre dhe ringritën rrjetet tribale ideologjike dhe krahinore të fuqisë politike dhe ekonomike, e ngjyrosur me emrin nanuritës të republikës demokratike. Pushtetin e trashëguan fëmijtë e nomeklaturës së lartë komuniste, të cilët nuk dinin dhe nuk kishin provuar kurrë rradhët torturuese komuniste të qumështit, të mishit, të vezëve, të vajgurit, të druve, etj. pra ata që nuk ia ditën dhe nuk ia qanë kurrë hallet popullit si në komunizëm, ashtu dhe në demokraci.
Për t’u tallur me popullin dhe me të përndjekurit është shpikur alibia demagogjike se fëmijtë nuk trashëgojnë fajet e etërve. Çështja është jo për trashëgiminë e fajeve, por për trashëgimin e pushtetit të baballarëve të tyre. Madje pacipëria është aq e madhe sa që sot fëmijtë e ministrave apo sekretarëve të parë të diktaturës komuniste janë emëruar guru të partive kryesore politike shqiptare.
Dekomunistizimin pritet ta bëjë parlamenti, i cili priti 31 vjet ta ndërmerrte këtë hap sa të jepte dorëheqjen si kryetar i parlamentit ministri i brendshëm i fundit i diktaturës komuniste dhe Sekretar i Parë i PPSH në një rreth të jugut. A e dini se Shqipëria dhe Kosova janë të vetmit shtete në gjithë vendet ish-komuniste, që kryeministrat e kohës së diktaturës komuniste i pati përsëri kryeministra edhe në kohën e demokracisë? Kjo nuk don të thotë se populli është i pamençur, për don të thotë se sistemi politik në thelb nuk i ka ndryshuar sunduesit.
Trimëri është ta bësh dekomunistizimin me të gjallët, me bijtë e nomeklaturës së lartë, që trashëgojnë pushtetin politik dhe ekonomik të baballarëve të tyre. Të vdekurit e nomeklaturës së lartë komuniste janë gati ta pranojnë dekomunistizimin, vetëm që ky dekomunistizim të mos prekë pushtetin, që ua lanë fëmijve dhe me siguri edhe nipërve e stërnipërve të tyre, nëse ky shtet dhe ky populli nuk do ta flakin tej rrasën e varrit të rajait të përjetëshëm, që mbajnë në kurriz/gazeta dita
Please follow and like us: