Albspirit

Media/News/Publishing

Mbi librin poetik “Mirësevjen dashuri” të Rifat Ismailit

LIRIKA SEJDO DUKA


Të bësh mik një poet, nuk është thjesht rastësi, por është fat!  Një mik që të vjen përbrenda zemrës, nëpërmjet vargjeve të tij të magjishme. Dikush që të duket se e ke njohur prej kohësh, që keni ndarë të njejtën udhë, të njejtat ëndrra.
Në këto poezi mbizotëron dashuria, melankolia, dhimbja, bukuria e femrës që dashuron, ku poeti përshkruan edhe detajet më të vogla, të cilat e zbukurojnë e i japin shkëlqim poezisë së tij.
Poezi dashurie, me tematika e përmbajtje të ndryshme, me një këndvështrim personal dhe unik.
Ja disa prej vargjeve të njërës prej tyre, të cilën e kam lexuar kushedi sa herë.
“Fjalët s’mjaftojnë për të jetuar
As për të hedhur në erë një qytet
As për të qepur një zemër të thyer
Por fjalët ngjallin shpresë…”
( Nga poezia “Fjalë dashurie”)
Një tjetër prej poezive që më ka bërë për vete me vargjet e frymëzuara, është ajo me titullin “Natën e mirë, dashuri”!
“Natën e mirë,  mbill në ëndrrat e tua
Aromën e jaseminit dhe palmat në det
Thuaji jetës dhe në gjumë: “Të dua”
Bëj gjumin e qetë!…etj”.
“Thuaji jetes dhe ne gjumë,  te dua…”.
Në ëndrra  ashtu si dhe në dashuri nuk ka gjëra të pamundura, sepse është zemra në mes. Jeta  ka shumë vlera të mëdha, prandaj duhet t’i marrim gjithçka, se është shumë e shkurtër.
“Natën e mirë, në zgjim shprese”…
Shpresa ushqen shpirtin tonë dhe është ëndrra e atyre që janë zgjuar.
Rifati është një artist i hollë dhe origjinal në thurjen e poezisë, e cila kur e lexon të hyn deri në thellësi të shpirtit, ku çdonjëri nga ne e gjen veten e tij. Ai vitet e tij të rinisë i ka kaluar në qytetin e vogël të Shijakut. Thonë që nga gjërat e vogla dalin thesare, kështu është dhe ky bir i Shijakut të vogël, një gur i çmuar. Se poetit i pëlqen të luajë njëherë me poezinë që e ka të vetën, por intrigon edhe me tregimet, përrallat, me fantazinë e tij që e ka të paparë.
Rifati ka shkruar që herët. Emigroi në moshën 22 vjeçare për në Itali, si shumë shqiptarë të tjerë për një jetë më të mirë, se të atilla erdhën ngjarjet ekonomike, politike të vendit. Unë në bibliotekën time kam shumë libra me poezi, por librat me poezi të Rifatit ma kane zbukuruar bibliotekën. Ata janë një magji. Kur i kam lexuar për herë të parë, kam mbetur e mahnitur. Kam thënë: “Po ku ka jetuar ky djalë që me vargjet e tij magjeps njerëzit”?
I kam shkruar për herë të parë Rifatit kur kam lexuar poezitë e tij: – “Unë poet kam dëgjuar për djem të forte e garipa, me shtëpi të bukura e me makina të shtrenjta nga Shijaku, por për një djalë shijakas, që të shkruajë kaq poezi të bukura, ende nuk kisha dëgjuar”.
Pra, edhe në një vend të vogël si Shijaku mund të lind një talent  i poezisë si Rifati, sepse dashuria me të cilën  ai shkruan përligj çdo fjalë timen… Rifati e thur poezinë dhe pastaj e zbukuron fantazia e tij, ku dhe bakri të të duket flori. Poezia e tij ka mbushur çdo kilometër të shpirtit tonë me ëmbëlsinë e tyre. Në poezitë e tij shikon çiltërsinë e pasionit të pastër djaloshar. Poezitë e tij janë një thesar, që sa më shumë të gërmosh aq më shumë gjen gurë të çmuar, sepse ai flet për dashurinë e brishtë, dashurinë e zjarrtë, dashurinë e dhimbshme të shpirtit. Në dashurinë që flet Rifati, është dashuria ime, dashuria jote, i dashur lexues.
Unë jam një mikeshë që kam hyrë në jetën e Rifatit, mbase kur shumë miq të tjerë kanë dalë, sepse unë e dua poezinë. Rifati, gjithashtu dashuron poezinë se e ka dhunti dhe këtë e bën realitet. Ai  ka shkruar shumë libra dhe nuk e ka bërë për përfitime financiare si shumë pseudopoetë. Ai është një njeri që asnjëherë nuk është marrë me politikë, por jeton me zjarrin e poetit se e do poezinë dhe na tregon dita-ditës që di të falë dashuri dhe vetëm dashuri. Ky poet ka ndarë me ne mendimet, kujtimet, mbresat, meditimet, fantazitë e veta, rrahjet e zemrës edhe lotët e tij.
Poezia e tij tregon forcë shprehëse të vargjeve, nëpërmjet metaforës, epitetit, e shumë elementeve të tjera poetike që ai i ndërthur me aq mjeshtëri.
Dua ta mbyll këtë shkrim, me njërën prej poezive, që ka shërbyer edhe si titull për librin “Mirë se vjen, dashuri”!
“Unë do jem aq i pafajshëm…”.
Pafajësia qëndron tek ata njerëz që kanë të bukur gjuhën dhe fjalët.
“Te ndezur ta mbaj dashurinë”…
Se dashuria është muzika e jetës. Ajo jeton dhe zgjat shumë kur banon në dy zemra, humbet kur ngelet me njërën zemër.
“Në sy  bukurinë do mbaj”…
Sepse dashuria e mahnit vështrimin tek njerëzit dhe huton edhe vjedhësin më shumë se ari.
Tiranë Maj 2022.

Please follow and like us: