Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Në Itakë, duhet të kthehem patjetër…

 

 

 

Atje në Itakë,

duhet të kthehem një ditë patjetër,

Për të ndjerë gëzimin e ngrohtë,

kur këmba e marinarit shkel tokën,

magjepsur pas origjinës dhe racës.

 

Duhet të kthehem një ditë patjetër,

Një ëndërr fëmije për të rigjetur.

Paqen në një gotë vere të kuqe nën ullinj,

Si fotografi që rrëfen atë që rri fshehur.

 

Sa mundësi kam të takoj,

një plak hokatar, jetëgjatë që pendohet,

Për t’i dhënë një libër të keq

diçka që atij s’i pëlqen?

 

Çmimi i heshtjes

si kryq, rri varur në qafë,

Sepse nuk gjen kollaj pika fikse referimi,

Dhe nocioni i së rremes

sillet si gjykatës.

 

Me erën që s’pushon,

dhimbjet e hirin e brerjes që djeg,

Duhet të kthehem patjetër..

 

Ska gjë të thjeshtë për të qënë e thjeshtë,

Për të dëshmuar

të padëshmueshmen,

Kur vija ndarëse kalon mespërmes shpirtit,

Tejngopur nga talenti dhe vetmia.

 

 

Atje në Itakë,

një ditë duhet të kthehem patjetër.

 

Po ku qenka strukur Itaka e fëmijërisë?,

Ka vdekur?

 

Sirenat më thonë: Itakën,

e ka marrë me vete njeriu i verbër…!

Please follow and like us: