Albspirit

Media/News/Publishing

Laura Olldashi: Kur i zhvishem ditës sime

Asgjëja më mbushte kokën. Më binte si xhaz me goditje ritmike me të njëjtën interval kohe. Një kor më këndonte në vesh. Zërat ishin bërë si trup i vetëm, i pandashëm. I marr të gjitha së bashku dhe i nxjerr nga trutë. I mbështes mbi Danub. Dëgjohet copëtimi i notave kur zhyten në ujë dhe bluja kullon në pika.

Kjo mbrëmje është e fundit. Po ta fal edhe këtë pagjumësi.

Shkarravina idiote pritjesh!

Do të më kushtoj kjo natë, por po ta fal. Nesër do të jem somnambul kur të flas me kutitë e ilaçeve në punë. Do t’i bie kokës disa herë dhe me zë të lartë do t’i them të përqendrohet: “Nuk të falet të mos jesh këtu! Bota duhet shpëtuar”!

Më duhet 24 orë, aq sa një “storie”. Të largohem ose më mirë të mos i jem prezent mungesës tënde. Do të ishte fitore e madhe që unë të mos i prezantohem ditës sime. Kur të dëgjoj zilen, në ora gjashtë ta marr dhe ta përplas mbi kurrizin e komodinës dhe ta bëj thërmija zgjimin. Të tërheq zvarrë këmbët e ngatërruara me pizhamet për të thyer hundën në cepat e mëngjeseve. Përpara pasqyrës të lag flokët për t’i bërë esëll dhe të bind veten që dhjetë orë pune fluturojnë shpejtë. Nuk dua as të marr metronë. Të njëjta koka ulur mbi telefon.

– Njerëzzzz, jam lyer me një të kuq të ri!

(Për vete e ke vënë, e dashura ime, për vete…).

Pastaj kontrollorit të biletave dua t’ia plas të qeshurën në sy dhe t’i them që po vdes për një gjobë sepse nuk e kam rinovuar abonenë. Pastaj të hyj në një dialog me të për t’i shpjeguar motivet pse kam dalë nga dita ime.

I dola mbrëmë, në natën e fundit pa gjumë që ta fala. Ti ndoshta pret ulërimën time, sharjen, të them që “je një trap i madh”, por i kam humbur fjalët. Kam ngritur vetëm antenat e vëzhgimit. Edhe ti të njëjtën gjë ke bërë. Sepse ndodh të ketë shumë frekuenca takimesh kur heshtim dhe kur bëhemi struca zvarritës!

Afërsia është magji dhe distanca tragjedi!

Nuk di ta menaxhoj largesën apo ma manipulon?

Marr gomën dhe fshij sekuencat e heshtjes. Një ditë, dy, dhjetë. Nuk më kujtohet sa, por di që i kthej mbrapsht ditët që nuk jemi parë dhe krijoj një tjetër shans për t’u ribërë. Pra sot kanë kaluar dhjetë “storie” 24 orëshe.

Kështu e masim mallin, ne modernët!

Sa keq që nuk kemi të njëjtën ditë. Në të vërtetë as natën, as çaste përkëdheljeje.

Gishtat e tua në flokët e mi, buza që rrëshqet rrëzë veshit.

Jo, nuk kemi çaste! “Storie” po!

(Kam një mikun tim që jeton në një tjetër kontinente. Kur flas me të ngatërroj përshëndetjet, emrat, orët, stinët).

Meqënese kam dalë jashtë nga dita ime dhe jam në shëtitje, në të tjera “realitete” a mund të bëj çfarë më do zemra?  Të paktën kur shkruaj mund të bëj çfarë të dua?

Për shembull të rri përpara buzëve të tua dhe mos të puth. Të hedh drejtëza nga cepi i buzës tënde tek buza ime dhe të mos hipi mbi urat që më çojnë në gjoksin tënd.

Sa të thjeshta janë imagjinatat!

Për çfarë shkruaj dhe për çfarë kam ndërmend të shkruaj do të më djegin në turrën e druve për shtrigën që jeton tek unë.

Dëgjoja, jo shume ditë të largëta, kur pija një lëng portokalli në një kryeqytet që kërkoja ta bëja të timin. Dëgjoja që dikush thoshte që proza ime është erotike. Qesha si atëherë kur për herë të parë e kisha dëgjuar në qytetin ku jetoj, nga disa gra që kanë një burrë, një të dashur, një shok dhe fëmijë njëkohësisht. E kisha dëgjuar edhe nga burra të martuar që me forcë puthin gra të tjera. E kisha dëgjuar të njëjtën frazë që proza ime është erotike. Në fakte është një nga gjërat që po mendoj t’ia plas në fytyrë këtyre individëve dhe t’i them: unë bëj art, e juaja quhet turp.

Por s’ka gjë, ndoshta nuk ia them sepse kaq zgjasin inatet e mia. Aq, sa i hekuros gërmat mbi  letër, sa i nxjerr nga vetja, aq sa të më vënë flakën dhe të më djegin në turrën e druve…

– E mallkuar qofsh ti me gjuhën tënde!

…e mallkuara unë, që dikur isha e adhuruara e të gjithëve sepse pranoja të ecja me turmën.

Por t’i kthehemi gjendjes time të gazuar.

Gjendje? Kujt? Të tanishmes?

Përse duhet t’i kthehem? Derisa kam dalë jashtë ditës sime?

Por duhet ta shoh si gëzim ketë gjë, si një rast i jashtëzakonshëm që kur të ndodhë me të vërtetë do të bëj festë.

Kur do të vijë ai çast që të dal nga jeta ime, pa u kthyer më?

– Zilja do të bie në orën gjashtë.

Nuk do të jem!

– Uji i ftohtë kërkon të m’i krehë flokët.

As hijen time s’do gjej!

– Njerëzit kokë ulur në metro nuk do më shohin të kuqin e buzëve.

Ku është problemi kur kanë harruar të shohin veten?

– Dhjetë orë të ditës sime për të shpëtuar botën kur në çdo minutë kam ekzekutuar vetveten.

Sikur t’i mungoja ditës sime kisha për të fshirë edhe mesazhin që ta nisa mbasi ika. Isha entuziaste si në ato pak momente kur kthehem fëmijë. Kisha dëshiruar ta shihja në shumë prizma, të jepja përfundime, por kështu nuk i dhashë rendësi gjesteve të vogla që ishin mrekulli dhe më doli një çorbë e gjatë që të trembi.

Të kam të vogël, delikat! Të bëra të fshihesh brenda në punën tënde dhe ta zësh ditën më keq se unë… nuk kam kohë, nuk kam kohë, nuk kam kohë dhe një valixhe tërheq në udhëtimet drejt botës…

As unë, në të vërtetë, nuk kam kohë, as nerva. Pastaj frikacakët si unë ti njohin mirë metodat: i fshihesh përgjithësive, kemi frikë nga braktisjet.

Më janë trishtuar edhe disa miq të cilëve nuk i bëra urimet e Krishtlindjes.

(Krishtlindje apo Krishtlindjet)?

Nuk vura fotografinë komplete të familjes sepse nuk e kam. Nuk di as të ndriçoj një bredh pa rrënjë. Nuk ndez drita të gënjeshtra feste. Nuk kam as pizhame me koka drerësh. Nuk jam përfaqësuese e denjë e shtëpiakes sepse nuk di as të gatuaj. Por miqtë nuk më kuptuan as kur ia nisa urimet me mendime. Të pazëshme sepse kështu do ma ndjejnë heshtjen, edhe largesën dhe reflektojnë. Aq sa do të reflektosh edhe ti. Më e shumta do të më shohësh storiet, kështu bëjmë prap paqe, paçka që s’jemi zënë dhe secili është mirë në rrëmujën e tij.

Nuk bëhen më gjërat nga fillimi. As ti, as unë, as kjo botë, as njerëzit, as dita ime që e vesh çdo mëngjes. Ja mbyll kopsat deri në grykë që të ma marr frymën dhe të vdes shpejt. Në darkë nuk e duroj dot. E shqyej nga vetja. Por aty mbështetur mbi të je ti me praninë e heshtjes tënde. I mbledh me kujdes grimcat e tua të pafjala dhe i palos mbi një letër. Pastaj ulem dhe e ndez një cigare duke e thithur një natë të pagjumë.

Qep dhe të shqep ty. Nesër në mëngjes vesh përsëri ditën time. Ja mbyll kopsat deri në fyt. Marr nga komodina letrën që kam mbështetur grimcat e heshtjes tënde dhe me një gotë uji të ftohtë i gëlltis.

Ka mjegull jashtë. I ftohti do të ma thaj hundën, por zemrën do ma ngroh mungesa jote.

 

Dhjetor 2022.

Please follow and like us: